Këshilli i Naltë (25 tetor 1943 – 25 tetor 1944)

Në historinë e Shqipërisë, janë dy periudha që njohin si kryetar shteti organin kolegjal e quajtur me emrin Këshilli i Naltë. Periudha e parë është ajo e 31 janar 1920 – 21 janar 1925, kur Shqipëria ishte mbretëri dhe Mbreti Wilhelm von Wied nuk ndodhej në vend, dhe periudha e dytë ishte ajo 25 tetor 1943 – 25 tetor 1944, kohë kur pas kapitullimit të Italisë, në Shqipëri u rishpall pavarësia dhe u rinjoh kushtetuta e vitit 1928 dhe kur detyrat e kryetarit të shtetit i ushtroi organi i quajtuar Këshilli i Naltë i Regjencës.

Zgjedhjet për në organin legjislativ të shtetit, i quajtur ky Kuvendi Kushtetues, përfunduan më 1 tetor 1943. Për shkak të rrethanave të luftës, deputetët u zgjodhën nga këshillat bashkiake përkatëse. Më 22 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar miratoi dhe dekretoi 5 vendime të tij që bënë të mundur:

– Shfuqizimin e vendimeve të Asamblesë së 12 prillit 1939, e cila kishte “votuar” për “bashkimin personal” midis Shqipërisë dhe Italisë.

– Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.

– Caktimin e institucionit të Këshillit të Naltë të Regjencës për aq kohë sa do të zgjaste lufta, si dhe ushtrimin prej tij të pushtetit ekzekutiv. Po ashtu Këshilli i Naltë i Regjencës ushtronte bashkarisht me Parlamentin pushtetin legjislativ.

– Rifuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.

Pas deklaratës së shpalljes së pavarësisë së 14 shtatorit 1943 nga Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm, kryesia e këtij komiteti, organizoi zgjedhjet e 1 tetorit 1943 për Kuvendin Kombëtar, i cili i mblodh më 16 tetor 1943. Këshilli i Naltë u formua si organ i përkohshëm që zëvendësonte mbretin për aq kohë sa ky nuk ndodhej në Shqipëri.

Ligji për Këshillin e Naltë u miratua nga Kuvendi Kushtetues më 21 tetor 1943. Ai kishte 15 nene dhe i jepte këtij organi kompetencat e kryetarit të shtetit, si drejtimin e Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatosura, emërimin e nëpunësve të lartë të shtetit, dekretimin e ligjeve, traktateve, etj. Këshilli i Naltë nuk kishte të drejtë të shpallte luftën pa miratimin e Parlamentit veç në rastin kur kishim të bënim me vetëmbrojtjen e atdheut. Kryetari i Këshillit të Naltë ishte me rotacion për një periudhë 3 mujore. Atributet e tjera, ushtroheshin sipas kushtetutës së miratuar më 1 dhjetor 1928.

Më 25 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Fuat Dibrën dhe Padër Anton Harapin. Ky i fundit asistoi në të gjitha mbledhjet e zhvilluara me praninë e Këshillit të Naltë, porse u betua më 13 janar 1944 pasi kishte marrë edhe lejen e Papës.

Çarja e parë në gjirin e Këshillit të Naltë zë fill me krizën qeveritare. Kryetari i Këshillit të Naltë Mehdi Frashëri, në emër të institucionit të lartë të shtetit, pranoi dorëheqjen e kryeministrit Rexhep Mitrovica më 16 qershor 1944. Pak ditë më vonë, kryeministri Rexhep Mitrovica mori pjesë në kongresin e Kryqit të Kuq Shqiptar. Kriza qeveritare vazhdoi për shumë ditë dhe përfshiu edhe Këshillin e Naltë, duke shtuar mosmarrëveshjet brenda tij, ku Padër Anton Harapi dha dorëheqjen dhe Lef Nosi kërkoi letërdelegimin e kompetencave deri sa të pranohej dorëheqja e tij. Regjenti i parë nuk pranoi të rikthehej më në detyrë, ndërsa Lef Nosi vazhdoi detyrën pasi letërdelegimi u cilësua si i paligjshëm. Megjithatë Parlamenti vazhdoi t’i kërkojë pa sukses Padër Anton Harapit rikthimin e tij në detyrë dhe vendi i tij mbeti bosh e nuk u zëvendësua kurrë.

Vdekja e regjentit Fuat Dibra më 22 shkurt 1944, la një vend të paplotësuar në këtë organ kolegjal që kryente detyrat e kryetarit të shtetit. Pasi Ibrahim Biçakçiu kishte refuzuar të zinte vendin vakant, Këshilli i Naltë i Regjencës emëroi më 25 qershor 1944 pa pëlqimin e Parlamentit, ish-kryeministrin Rexhep Mitrovica, i cili vazhdonte të mbetej në detyrë deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri. Situata në fjalë krijoi një acarim institucional midis Regjencës dhe Parlamentit, aqsa detyroi Rexhep Mitrovicën të jepte dorëheqjen më 10 korrik 1944, për t’i shërbyr në këtë mënyrë zgjidhjes së shpejtë të krizës.

Në këto rrethana, Cafo Ulqinaku u zgjodh nga Parlamenti më 10 korrik 1944 anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës në vend të Fuat Dibrës, duke pasuar në fakt Rexhep Mitrovicën .

Qeveria Dine u votëbesua në Parlament më 24 korrik 1944. Kryeministri theksoi se “ndodhja e trupave gjermane në Shqipëri ka karakter të përkohshëm të caktuem nga kushtet e luftës”. Ai tha gjithashtu se qeveria e tij do të kishte vëmendjen tek ideali kombëtar, duke pasur shpëtimi sa të ishte e mundur nga katastrofa. Qeveria Biçakçiu u votëbesua më 14 shtator 1944. Kryeministri tha se në fjalën e tij se qeveria e tij nuk do t’i kërkonte popullit asnjë sakrificë të cilën nuk do ta bënte ajo e para. “Arma jonë më e mirë, tha kryeministri, do të jetë dashunija për atdhe”.

Hyrja e ushtrisë çlirimtare në Tiranë e detyroi Këshillin e Naltë të Regjencës dhe qeverinë të ndërprisnin veprimet e tyre dhe të vendoseshin në Shkodër, ku më 18 tetor 1944 zhvilluan një mbledhje në bashkinë e qytetit. Në mbledhjen e Shkodrës pati dy grupime: njëri ishte për largimin jashtë atdheut dhe tjetri për të qëndruar në Shqipëri. Cafo Ulqinaku, Lef Nosin, Anton Harapin, Ibrahim Biçakçiun, etj, pëlqyen të mos largohen nga atdheu.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi