Temat e Diplomave në Reformën Universitare

Nga Kosta Barjaba, botuar në Mapo Online, 1 nentor 2013

     1. Procesi formal: tema e detyrueshme

Disa dhjetëra mijëra studentë diplomohen çdo vit nga universitetet publike e private. Rregulloret e universiteteve, mbështetur në kërkesat ligjore, i kërkojnë çdo studenti përgatitjen e një teme diplome si kusht për t’u diplomuar. Përgatitja e tezës udhëhiqet nga një pedagog, i bëhet oponenca nga një pedagog tjetër dhe një komision diplomash jep vlerësimin përfundimtar. Deri këtu, në rregull. Por ky është aspekti formal i çështjes. I cili, është shndërruar tashmë në një rutinë. Megjithatë, në pamje të jashtme, duket sikur funksionon. Por procesi është përgjithësisht ose një plagjiaturë, ose krijon një produkt të pavlerë. Shmangia e së cilës ka nevojë për aplikimin përzgjedhës të së drejtës për të hartuar temë diplome në përfundim të studimeve dhe instalimin e softwarepër verifikimin e origjinalitetit të temave.

  1. Modeli amerikan: tema opsionale

Përkundër këtij rasti mund të rreshtojmë me mijëra universitete amerikane, të cilat nuk e kërkojnë një kusht të tillë. Pra, pjesa dërmuese e universiteteve amerikane dhe joamerikane, nuk e kërkojnë përgatitjen e tezës së diplomës. Përgatitja e temës është opsionale dhe studentët aplikojnë për ta fituar këtë të drejtë. Megjithatë, laureatët e tyre qëndrojnë në krye të renditjes përsa u përket shprehive analitike dhe të shkrimit. Atëherë, çfarë është përgatitja me domosdo e tezës së diplomës Master, madje edhe Bachelor? Një mani shqiptare e imponuar nga një mani europiane? Edhe njëra, edhe tjetra.

  1. Temat e diplomave: produkte mediokre ose të kopjuara

Përgatitja e tezës së diplomës duket pra, si një luks ose së paku, si një proces i tepërt. Një shkas për të na gënjyer të gjithëve. Edhe studentët që “i shkruajnë”. Edhe udhëheqësit që i “udhëheqin”.  Edhe oponentët që “i lexojnë”. Edhe komisionet që “i vlerësojnë”. Edhe zyrtarët e politikëbërësit që i parashikojnë. Por nga ana tjetër, është një ngarkesë e panevojshme e procesit akademik. Qindra mijëra faqe të shkruara, ku (me pak përjashtime) trajtohen në mënyrë të përciptë dhe aspak shkencore tema të njëjta e të përafërta (në rastin më të mirë) ose të kopjuara (në rastin më të keq). Qindra mijëra orë të humbura nga studentë, të cilat mund të përdoreshin në mënyrë më të dobishme. Mijëra orë të humbura (nëse temat lexohen nga oponentët) nga pedagogët, të cilat mund të përdoreshin në mënyrë më produktive. Po ç’përfaqësojnë, në fund të fundit, tezat e diplomës, të cilitdo nivel qofshin? Rrallë, shumë rrallë ndodh që ato t’i përgjigjen, pale më të zgjidhin një problem të ekonomisë, shoqërisë, kulturës apo institucioneve shqiptare. Përgjithësisht ato janë produkte mediokre, të shkruara keq dhe të vlerësuara formalisht.

  1. Temat: vetëm për studentët honor

Cila do të ishte rrugëdalja? Kohët e fundit cektësia dhe rreziku i kopjimit të tezave të diplomës janë rritur si shqetësim universitar, akademik dhe publik. Përkundër këtij rreziku, kësaj dileme të sotme të universiteteve shqiptare, unë sugjeroj një zgjidhje më të thjeshtë: heqjen e detyrimit ligjor për të përgatitur tezën e diplomës për nivelet Bachelor dhe Master dhe aplikimin e tyre si një përjashtim për studentët e shkëlqyer ose të paktën me mesatare, fjala vjen, mbi 7,5. (Ndoshta niveli i mesatares duhet diskutuar).

  1. Temat: të certifikuara me software

Por edhe në këtë rast është e nevojshme që para vlerësimit, tezat e diplomave të certifikohen nëpërmjet software-it përkatës. Një praktikë e tillë funksionon prej kohësh në universitetet amerikane. Mbyllja e tregut të tezave të detyrueshme do t’i priste rrugën mediokritetit. Ndërsa certifikimi i temave të diplomave do t’i priste rrugën  plagjiaturës dhe tregut të sapokrijuar të shkrimit të diplomave.

  1. Shprehitë analitike

Po si i bëhet për shprehitë analitike dhe shkruese të studentëve? Edhe kjo e ka një zgjidhje. Procesi mësimor mund të ngarkohet më shumë me elemente dhe detyra shkrimi e ushtrimore periodike, të shkurtra dhe të lidhura, përveçse me tematikat e kurrikulave të lëndëve, edhe me çështje të vogla e konkrete të realiteteve shqiptare. Në këtë mënyrë, shkrimi dhe analiza akademike do të jenë  një ushtrim i përditshëm e produktiv i studentëve dhe jo një angari në fund të studimeve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi