Quo vadis Albania?

Nga Emin Barçi, botuar në Panorama Online, 30 tetor 2013

Bankës Botërore i rezulton e përkeqësuar me tetë vende pozicioni i Shqipërisë për mundësinë e sipërmarrjes. Sipas raportit të fundit, tashmë vendi ynë renditet i nëntëdhjeti mes 189 vendeve. Renditemi të fundit në botë lidhur me lehtësinë e marrjes së një lejeje ndërtimi. Renditemi në vendin e 158-të lidhur me çështjet e energjisë elektrike. Renditemi në vendin e 146-të për kompleksitetin e pagimit të taksave në vendin e 124-rt lidhur me respektimin e kontratave dhe në të 119-in për regjistrimin e një prone.
“Doing business” është një dokument që shërben si orientues për tregjet e kapitaleve të huaja në kërkim të mundësive më të mira për investime fitimprurëse.
Renditja e Shqipërisë e 90-ta për vitin 2014 është e papranueshme, veçanërisht kur sheh se cilët janë faktorët që kanë prishur “notën mesatare”. Për këtë renditje kanë përgjegjësi si opozita, edhe maxhoranca e sotme. Opozita sepse prej vitesh e ka njohur këtë problematikë dhe nuk e ka zgjidhur. Maxhoranca, modeli i ri ekonomik i së cilës ose nuk është, ose nuk është kuptuar. Ka shumë përkrahës të qeverisë që thonë: Prit se një muaj kemi në pushtet!!! Problematika dhe raportet kanë qenë publike edhe kur maxhoranca ishte për tetë vjet opozitë. Të njohësh problemet dhe të mos bësh dot projekte për zgjidhjen e tyre, minimalisht vë në dyshim aftësinë qeverisëse. Listim i problematikës, hartim projektesh për zgjidhje me resurset, afatet dhe përgjegjësit përkatës, implementim, monitorim, përmirësim – do ishte rendi i punëve që duhet të kishin nisur që në opozitë.
Maxhoranca është angazhuar për një model të ri ekonomik, të orientuar nga prodhimi. Një nga sektorët që ka performuar më keq këto vite është industria e ndërtimit, e cila ka bërë që gjithë ekonomia kombëtare të punojë nën kapacitetet e instaluara. Ka një paqartësi rreth të ardhmes së kësaj industrie dhe sektorëve që lidhen me të, siç është shitja me pakicë e pajisjeve dhe orendive të shtëpive, deri te kreditimi. Meqë Toni Bler po këshillon qeverinë, në platformën e tij elektorale të vitit ’97 që mbajti laburistët 3 mandate në pushtet u angazhua për uljen e interesave të kredive për shtëpitë, duke ndihmuar si të pastrehët, edhe industritë e lidhura. Ku është projekti i Rilindjes për ndërtimin dhe strehimin? Më 9 nëntor 2013 bëhen 2 muaj në qeverisje.
Përveç listës së problemeve, vendi ka nevojë edhe për njohjen e resurseve që ka në dispozicion për rritje. Modeli i ri ekonomik duhet t’u japë përgjigje pyetjeve: ku duhet dhe ku mund të investojë kapitali financiar vendas dhe i huaj? Pse prioritetet e modelit të ri ekonomik do jenë interesante për kapitalin vendas e të huaj, privat apo institucional? Si çdo vend, Shqipëria ka burime natyrore, njerëzore, logjistikë dhe kapitale. Çfarë cilësie i kemi resurset? Çfarë gjen kapitali vendas dhe i huaj tërheqës në resurset shqiptare që të investojë dhe të rikthejë ritmet e larta të rritjes ekonomike? Ne mund të kemi nevojë dhe dëshirë që p.sh. “Apple” të investojë në Shqipëri, por a sigurojmë dot 30 mijë inxhinierë, siç bëri Kina? Pa dyshim që sot jo. Dhe meqë jemi te “Apple”, sa ton domate duhet të eksportojmë që të importojmë një iPhone?
Në vitin 2005 është bërë një tentativë shumë interesante nga qeveria socialiste për të evidentuar resurset kombëtare dhe cilësinë e tyre për të thithur kapitale vendase e të huaja dhe për të konkurruar në tregjet rajonale e globale. Ai studim resursesh i bërë nga një prej kompanive më prestigjioze në botë, evidentoi se Shqipëria mund të zhvillojë me shumë sukses dhe të thithë shumë kapitale vendase e të huaja duke u fokusuar në turizëm konkurrues, bujqësi organike dhe prodhim industrial sipas modeleve kineze. Kanë kaluar 8 vjet që atëherë dhe ndoshta sasia dhe cilësia e resurseve ka ndryshuar. Do ishte e udhës që kjo analizë e resurseve të ribëhet dhe mbi atë bazë të riformulohet modeli i ri ekonomik.
Ekonomia shqiptare po punon nën kapacitet. Ajo ka nevojë të thithë kapital vendas e të huaj që të rritet. Mbi të gjitha ajo ka nevojë për një projekt të qartë bazuar në resurset që ka, që mund të angazhojë dhe në aftësinë tonë konkurruese në tregjet rajonale e globale.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi