Sigurimet shoqërore në Shqipëri

Sigurimet shoqërore në Shqipëri mbrojnë në mënyrë të detyrueshme gjithë shtetasit ekonomikisht aktivë, në rastin e pakësimit të të ardhurave si pasojë e barrëlindjes, pleqërisë, invaliditetit dhe humbjes së mbajtësit të familjes. Sigurimet shoqërore, gjithashtu, i japin mbrojtje të detyrueshme gjithë personave të punësuar në rastin e pakësimit të të ardhurave si pasojë e paaftësisë së përkohshme të shkaktuar nga sëmundja, aksidenti në punë, sëmundja profesionale dhe papunësia.

Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, rregullon dhe përcakton mënyrën e drejtimit dhe të administrimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas këtij Ligji, sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë drejtohen dhe administrohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), i cili është institucion publik i pavarur, organizimi dhe funksionimi i të cilit rregullohet me këtë Ligj.

Sigurimet shoqërore u japin mbrojtje edhe shtetasve shqiptarë dhe personave pa shtetësi, ish-shtetas shqiptarë, që janë jashtë shtetit, në përputhje me konventat, marrëveshjet dypalëshe dhe Rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore; shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, që punojnë në Shqipëri.

Sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore përbëhet në Shqipëri nga: sigurimi i detyrueshëm, vullnetar, suplementar dhe nga pensionet shtetërore të posaçme. Me kontributet e derdhura garantohet pagesa në para për të kompensuar pakësimin e të ardhurave në një shumë që mbulon të paktën një standard minimal jetese, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.

Sigurimi shoqëror i detyrueshëm mbulon personat e punësuar dhe personat e tjerë ekonomikisht aktivë (punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit). Ai mbron me të ardhura në lidhje me:

– paaftësinë e përkohshme në punë për shkak të sëmundjes;

– barrëlindjen;

– pleqërinë, invaliditetin dhe humbjen e mbajtësit të familjes;

– aksidentin në punë dhe sëmundjet profesionale;

– papunësinë;

Kur për një kohë dhe shkaqe të arsyeshme personi i siguruar në mënyrë të detyrueshme nuk mund të sigurohet detyrimisht, ai ka të drejtën e vazhdimit të sigurimit sipas sistemit vullnetar.

Sigurimi shoqëror suplementar zbatohet për personat që ushtrojnë funksione ose detyra të veçanta kushtetuese, për punonjësit e shtetit, për ushtarakët që shërbejnë në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ata të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Kontributi që paguhet për sigurimet shoqërore në fondet e sigurimeve për sëmundje, barrëlindje dhe pensione do të jetë:

a) për punëdhënësit 13,8 për qind e shumës bruto të listëpagesave;

b) për personin e punësuar 9,5 për qind e pagesës së tij totale (bruto);

Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuarin është i barabartë, kurse kontributi maksimal është sa 5 herë kontributi minimal.

Kontributet e paguara nga personat e punësuar shpërndahen në tri degë që administrojnë fondet e sigurimeve shoqërore:

a) dega e sigurimit të sëmundjeve 0,3 për qind e shumës së listëpagesave;

b) dega e sigurimit të barrëlindjes 1,4 për qind e shumës së listëpagesave;

c) dega e sigurimit të pensioneve 21,6 për qind të shumës së listëpagesave;

d) te dega e sigurimit të aksidenteve dhe e sëmundjeve profesionale 0,3 për qind të shumës së listëpagesave;

e) te dega e sigurimit të papunësisë 0,9 për qind të shumës së listëpagesave.

Të ardhurat në para u paguhen personave përfitues nga:

a) dega e sigurimit të sëmundjes;

b) dega e sigurimit të barrëlindjes;

c) dega e sigurimeve të pensioneve;

ç) dega e sigurimit të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale;

d) dega e sigurimit të papunësisë.

Personi i siguruar përfiton të ardhurat për sëmundje, kur vërtetohet me raport mjekësor se ai është përkohësisht i paaftë për të punuar dhe kjo paaftësi nuk është pasojë e një aksidenti në punë ose e një sëmundjeje profesionale. Të ardhurat për sëmundje janë 70 për qind të mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik, kur i siguruari ka deri në 10 vjet sigurim, dhe 80 për qind kur i siguruari ka mbi 10 vjet sigurim. Për periudhën që përfituesi është shtruar në spital, kur nuk ka njeri në ngarkim, të ardhurat për sëmundje janë 50 për qind të mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik.

Në degën e sigurimit për barrëlindje paguhen të ardhurat për barrëlindje, të ardhurat për kompensimin për barrëlindje, kur ndryshohet vendi i punës dhe shpërblimi për lindje fëmije. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 42 ditësh pas lindjes së fëmijës.  E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është:

– 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes;

– 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën tjetër në vazhdim.

E ardhura për barrëlindje për gratë ekonomikisht aktive është e barabartë me nivelin bazë të pensionit të pleqërisë.

Shpërblim për lindje fëmije i paguhet një personi të siguruar, i cili është nëna ose babai i një fëmije që lind, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribut për një vit para lindjes së fëmijës. Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë me 50 për qind të pagës minimale mujore.

Pensionet

Në degën e sigurimit të pensioneve paguhet:

a) pension pleqërie;

b) pension pleqërie i pjesshëm, pension pleqërie i reduktuar;

c) pension invaliditeti;

ç) pension invaliditeti i pjesshëm;

d) të ardhura shtesë për kujdesje; të ardhura shtesë për fëmijën në ngarkim;

e) pensione familjare;

ë) pagesë për vdekje.

Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të plotë në moshën 65 vjeç burrat dhe 60 vjeç gratë, pasi të kenë plotësuar 35 vjet sigurim. Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar kur kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet sigurim dhe kanë mbushur moshën 62 vjeç për burrat e 57 vjeç për gratë.

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit që u jepet gjithë personave të siguruar, duhet të sigurojë të paktën një standard jetese minimal, i indeksuar çdo vit. Shtesa që u jepet personave të punësuar, do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë, ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 vjetëve rresht të 10 vjetëve të fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Paga neto mesatare e 3 viteve të njëpasnjëshme të 10 viteve të fundit të punës së personit të siguruar indeksohet çdo vit, sipas rregullave të indeksimit të bazës së vlerësuar.

Personi i siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet sigurimi, ka të drejtë të përfitojë pension të pjesshëm, kur të arrijë burri moshën 65 vjeç dhe gruaja moshën 60 vjeç. Ky pension llogaritet duke shumëzuar pensionin e plotë me vitet e sigurimit dhe duke bërë pjesëtimin me 35.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi