Realizmi europian i Edi Ramës

Nga Agustin Palokaj, botuar në Koha ditore, 3 tetor 2013

Ndoshta lodhja nga Sali Berisha dhe deklaratat e tij shpesh të pamatura, të pasinqerta, konfrontuese dhe joreale, ia kanë lehtësuar kryeministrit të ri të Shqipërisë, Edi Rama, detyrën që në vizitat e tij të para në cilësinë e shefit të Qeverisë së Shqipërisë të lërë përshtypjen e mirë. Rama me lehtësi e ka bërë këtë në vizitat që ka pasur në Bruksel dhe në takimet me të gjithë kryetarët e tri institucioneve kryesore të Bashkimit Europian. Atyre u pëlqeu paraqitja e parë e kryeministrit Rama. Sidomos u la përshtypje vetëdija e Ramës se sa shumë punë duhet të bëjë Shqipëria për të ecur drejt integrimeve europiane dhe që në të njëjtën kohë të mos tentojë të thotë se gjithçka fillon nga ai dhe se qeveria para tij nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.

Për shembull, në Bruksel, pas takimit me Barroson, ai falënderoi edhe qeverinë e mëparshme për punën që ka bërë për të afruar vendin me BE-në. Kështu Rama u tregua i zgjuar duke njohur si arritje heqjen e vizave për herë të parë për qytetarët e Shqipërisë për të udhëtuar në BE dhe në anën tjetër, duke dërguar mesazh edhe në Bruksel dhe kryeqytete europiane se ai do t’i japë fund një kulture politike konfliktuoze, e cila e ka karakterizuar me vite skenën politike, dhe jo vetëm politike, në Shqipëri dhe duke e identifikuar pikërisht kjo kulturën e tillë politike në këtë shtet edhe si një ndër pengesat kryesore për afrimin e vendit me Bashkimin Europian. Në secilin raport-progresi që nxjerr Komisioni Europian për Shqipërinë përmendej konflikti politik si problem dhe pengesë. Qetësia dhe toni pajtues me të cilin Rama në Bruksel u shpreh për qeverinë e mëparshme mund të jetë edhe për faktin se një pjesë të asaj qeverie e ka trashëguar edhe ai, pjesën e LSI-së së Ilir Metës, i cili deri në fund të mandatit të Berishës, pra deri pa u afruar fushata zgjedhore, ishte në koalicion me PD-në.
Fjalimet dhe deklaratat e Edi Ramës në Tiranë, Bruksel, Prishtinë dhe New York tregojnë një lider krejt tjetër nga paraardhësi i tij, Sali Berisha, ka një ton më të butë dhe pajtues, nuk ofendon kundërshtarët. Rama, duke thënë se Shqipërinë e sheh për 10 vjet në BE, ka lënë përshtypjen e një lideri real i cili nuk do të krijojë pritshmëri të tepruara tek qytetarët e vendit të tij. Cinikët do të thoshin se Kosova së paku gjashtë vjet para Shqipërisë do të bëhet anëtare e BE-së, sepse kështu premtojnë liderët e sotëm të papërgjegjshëm të Kosovës. Por Rama së shpejti do të përballet, sikur secili lider tjetër në Ballkan, që të dëshmojë me vepra ndryshimin e vendit të tij, sepse për fjalime të bukura nuk është i pari e as nuk do të jetë i fundit nga Ballkani që bën fjalime të bukura.
Pas dy javësh Komisioni Europian do të nxjerrë një raport të ri progresi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Fakti se pas shumë vitesh edhe Shqipëria bëri zgjedhje të ndershme dhe korrekte me rezultat të pakontestuar, do të përmendet pozitivisht në këtë Raport-progresi. Krahas tri ligjeve të famshme, të cilat ishin miratuar edhe para zgjedhjeve me këtë test të kaluar me zgjedhjet, Shqipëria ka merituar rekomandimin e Komisionit Europian për të marrë statusin e vendit kandidat. Ky rekomandim nuk ishte dhënë vitin e kaluar, edhe pse propaganda e atëhershme e PD-së u mundua ta paraqiste madje dhe si “dhënie të statusit të vendit kandidat”. Kësaj radhe, nëse është për t’u besuar burimeve nga Komisioni Europian, rekomandimi do të jetë i qartë dhe pa rezerva, pra Komisioni si organ ekzekutiv i BE-së do të rekomandojë dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë.
Rama, edhe po të dojë, nuk do të mund t’i marrë të gjitha meritat për këtë dhe, po të jemi të sinqertë, kjo nuk është edhe një arritje e madhe sepse Shqipëria merr këtë rekomandim me një vonesë pas shumë vitesh. Më e rrugës do të ishte të kërkohen përgjegjësi pse u desh që Shqipëria të ngecë aq shumë në krahasim me vendet e tjera të rajonit për të marrë statusin e  kandidatit. Por gjithsesi është një arritje, sepse vetëm një herë merret statusi. Nëse shtetet anëtare do të pajtohen me Rekomandimin e Komisionit Europian, e gjasat janë të mira, edhe pse nuk ka garanci për një gjë të tillë, atëherë në dhjetor Shqipëria edhe formalisht do të bëhet vend me status të kandidatit potencial.
Detyra e qeverisë Rama do të jetë që Shqipërinë ta shndërrojë nga një “kandidat potencial” në një “kandidat me potencial”. E këtë duhet ta bëjë duke përmbushur kriteret për nisjen e negociatave të anëtarësimit. E për t’i përmbushur këto kritere do të duhet shumë punë dhe dëshmi përmes rezultateve konkrete, sidomos në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën e sistemit të drejtësisë duke e depolitizuar atë dhe duke i depolitizuar shumë shërbime të tjera publike. Nëse në Shqipëri duhet t’u përkthehet kjo gjuhë burokratike që BE-ja përdor në komunikim, atëherë kjo qeveri duhet të lërë profesionistët, policët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit, që të papenguar por edhe të pandikuar nga politika, të kryejnë punët e tyre. Qeveria nuk duhet të paraqitet si luftuese e korrupsionit, por ajo duhet të krijojë rrethanat dhe institucionet e pavarura për ta bërë këtë. Kroacia është këtu shembulli më i mirë. Kryeprokurori i shtetit ishte ai që çoi në burg ish-kryeministrin Ivo Sanader edhe në kohën kur partia e tij ishte në pushtet. Po ai kryeprokuror ngriti padi edhe kundër vetë partisë në pushtet, për shkak të financimeve ilegale të saj.
Dhe për të dëshmuar rezultate në luftë kundër korrupsionit, Shqipëria duhet të ketë disa raste të kësaj lufte në nivelin më të lartë politik. Nëse këtë nuk e fillon menjëherë, atëherë edhe ai dhjetëvjetësh i përmendur nga Edi Rama si afat kur Shqipëria do të duhet të hyjë në BE do të bëhet tepër optimist.
Sfida e kësaj qeverie është se në njërën anë duhet të rrisë efikasitetin e administratës, e në anën tjetër nuk guxon të bëjë revanshizëm ndaj atyre që në këto struktura administrative i ka vënë pushteti i mëparshëm. Duhet të luftojë dukurinë e nepotizmit dhe të lojalitetit partiak si kriter për punësim, duke mos guxuar t’i përjashtojë ata të cilët pikërisht në këtë mënyrë kanë ardhur në ato pozita. Duhet të dëshmojë se nuk do t’i përjashtojë ata që i ka gjetur në ato struktura me militantë të tyre, edhe pse edhe ata pikërisht si militantë kishin ardhur aty. E nëse i lë të gjithë ata në punë dhe i shton militantët e vet, atëherë do të fryhet administrata në nivel të paqëndrueshëm për një shtet si Shqipëria. Dhe nëse Rama në një mënyrë e bën këtë duke mos e dominuar administratën me militantë të PS-së, a do ta bëjë të njëjtën partneri i tij në koalicion, LSI-ja e Ilir Metës, për të cilën në Shqipëri kanë fjalë të mira, sepse më mirë se askush tjetër u rri afër dhe ua plotëson dëshirat militantëve dhe mbështetësve të tyre, qoftë më herët në qeveri me Sali Berishën apo tash në qeveri me Edi Ramën.
Në një intervistë për ‘Euronews’, Rama nuk ka dashur ta paraqesë Shqipërinë si vend të mrekullive, si shtet që “ka magjepsur botën me arritjet e saj” dhe nuk ka hezituar të thotë se imazhi për korrupsion që ka Shqipëria “nuk është i pamerituar“. Ai ka gjetur një shpjegim që duhet të merret në konsideratë. Ka thënë se shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit nuk korruptohen kur vijnë në vendet e Europës Perëndimore, ku sistemi nuk është i korruptuar dhe ku sistemi nuk e lejon korrupsionin. Dhe ka thënë se njëlloj, edhe europianët perëndimorë, kur vijnë në Ballkan kanë tendenca që të korruptohen më shumë sesa në vendet e tyre. Kjo në një masë është e vërtetë. Por po ashtu është e vërtetë se vetë njerëzit e ndërtojnë sistemin. E ai sistem, sikur shtetëror dhe administrativ, është edhe sistem vlerash. E në Shqipëri, sikurse dhe në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Ballkanit, duhet ndërtuar sistemi i vlerave ku korrupsioni dhe vjedhja sanksionohen, kur edhe qytetarët e dënojnë me votën e tyre apo edhe me protesta korrupsionin e nuk votojnë për njerëz që dyshohen për korrupsion për të përfituar nga të korruptuarit. Rama në fillim të mandatit të tij ka lënë përshtypje se është i vetëdijshëm për këto sfida dhe se do të përballet me to. Europa nuk do t’i lërë shumë kohë dhe do të kërkojë dëshmi përmes veprave që duhet të vijnë pas fjalëve të bukura.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi