Bashkimi i dy Gjykatave Supreme s’mund të jetë mekanik

Nga Genti Ibrahimi, Drejtor i Institutit për Studime Publike & Ligjore, botuar në revistën Java, 21 shtator 2013

Natyrisht që e kam një përgjigje pothuajse instiktive për këtë çështje. Por po rezervohem ta jap pak më poshtë me shpresën se do ia dal të shmang çdo dozë subjektivizmi apo paragjykimi. Metodollogjikisht, një mënyrë e mirë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje është duke nisur me një përcaktim të gjerë (dhe disi semplist) të funksioneve aktuale të dy gjykatave të cilat propozohet të shkrihen. Pastaj do të jetë më e thjeshtë të konkludohet nëse është apo jo i arsyeshem bashkimi i funksioneve të tyre në një.

Le të fillojmë me Gjykatën Kushtetuese dhe një përpjekje për t’i dhënë një përgjigje super konçize pyetjes se cili është funksioni i saj në sistemin tonë politik e ligjor. Me pak fjalë do të thosha se Gjykata Kushtetuese është ndoshta mekanizmi kryesor që garanton konstitucionalizmin në veprimtarinë qeverisëse. Nëse konstitucionalizmi, i definuar gjerë, është përpjekja për të kufizuar autoritetin e qeverisjes brenda disa kufijve të jashtëm të paracaktuar nga një dokument themeltar (kushtetuta) dhe disa norma morale/zakonore transedentale, shqyrtimi i pavarur dhe profesional i kushtetushmërisë së çdo veprimi të qeverisjes është mënyra  praktike për t’a garantuar konstitucionalizmin. Në këto kushte, çdo sistem demokratik, domosdoshmërisht ka një institucion dhe një proces/procedurë të cilët bëjnë të mundur në teori dhe në praktikë mbikqyrjen e veprimtarisë së qeverisjes për t’u siguruar se ajo është në përputhje me kufijtë e paracaktuar nga kushtetuta.

Struktura

Veprimtaria qeverisëse nga ana e saj mund të ndahet në dy grupime të mëdha: bërja e rregullave të përgjithshme dhe zbatimi i tyre në praktikë. Kur flitet për kontroll të veprimtarisë qeverisëse nga Gjykata Kushtetuese, fjala është (përgjithësisht) për bërjen e rregullave të përgjithshme në formën e ligjeve dhe akteve të tjera rregullatore. Po cilët janë kufijtë të cilët nuk duhet kurrësesi t’i kapërcejë veprimtaria qeverisëse në formën e bërjes së rregullave të përgjithshme? Afërmendsh, këta kufij janë të drejtat e njeriut para së gjithash por edhe disa formula themelore institucionale që garantojnë ushtrimin e balancuar dhe kontrollin reciprok të pushteteve, themelet e një procesi politik konkurues e përfshirës (zgjedhje të lira), formula për rishikimin e vetë kushtetutës etj. Me fjalë të tjera, ekzistenca e një institucioni dhe e një procesi që bëjnë të mundur kontrollin e kushtetushmërisë së veprimtarisë qeverisëse është një sine qua non për çdo demokraci.

Thënë kjo duhet sqaruar se sistemet e ndryshme kushtetuese ndjekin rrugë të ndryshme për ta realizuar këtë funksion të domosdoshëm (pra kontrollin e kushtetutshmërisë së qeverisjes). Disa syresh (si psh SHBA) ia besojnë kontrollin e kushtetushmërisë të veprimtarisë qeverisëse (ligjet dhe forma të tjera të vendosjes së rregullave të përgjithshme) të gjitha gjykatave të zakonshme (ky është sistemi i dekoncentruar i kontrollit). Disa sisteme të tjera ia besojnë këtë të drejtë një gjykate të posaçme si Gjykata Kushtetuese (ky është sistemi i koncentruar). E rëndësishme është që kjo formë e kontrollit të mos mungojë dhe të jetë e efektshme. Pra të mos mungojë një institucion dhe një procedurë për të sfiduar dhe shqyrtuar shkeljet e pretenduara të kushtetutës nga qeverisja dhe autoriteti për të urdhëruar korigjimin e tyre prej kësaj të fundit. Ky është funksioni i Gjykatës Kushtetuese edhe në Shqipëri.

Po Gjykata e Lartë ç’funksion ka? Përsëri në një përpjekje për të qënë super konçiz (dhe në një farë mënyrë pashmangësisht semplist) do të thosha se Gjykata e Lartë, si çdo gjykatë tjetër e sistemit gjyqësor, sipas kushtetutës ka 2 funksione: 1. Të garantojë respektimin e ligjeve në marrdhëniet mes personave privatë; 2. Të garantojë respektimin e ligjeve në marrdhëniet midis shtetit dhe personave privatë. Sa më sipër Gjykata e Lartë është e supozuar t’a realizojë përmes 2 mjeteve procedurale: 1. rishikimi i vendimeve të gjykatave më të ulëta kur palët provojnë se ato (gjykatat më të ulëta) kanë interpretuar gabim ligjin dhe 2. Unifikimi i praktikës gjyqësore ose mundësimi i interpretimit uniform të ligjeve nga gjykatat më të ulëta.

Gjykimi për fizibilitetin

E gjykova të nevojshme këtë hyrje të shkurtër sepse mendoj se mënyra e vetme për t’i dhënë një përgjigje inteligjente pyetjes së shtruar nga JAVA është të gjykosh mbi fizibilitetin e bashkimit të këtyre 2 funksioneve dhe jo thjesht mbi bashkimin mekanik të 2 trupave gjyqësore dhe harmozimin e procedurave përmes të cilave ato veprojnë.

Natyrisht në mënyrë që funksionet e sipërpërmendura të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të ushtrohen në mënyrë të efektshme, janë të nevojshme një sërë parakushtesh të tilla si profesionalizmi dhe integriteti i gjyqtarëve, procedura dhe afate veprimi adekuate, mekanizma legjitimimi (pra kush ka të drejtë të ngrejë një padi) adekuate etj. Ndërsa disa nga këto parakushte janë njëlloj të nevojshme për mirëkryerjen e të dyja funksioneve, disa të tjera  janë specifike për secilën.

P.sh. procedura dhe afatet për kontrollin e kushtetushmërisë së veprimtarisë së qeverisjes nga Gjykata Kushtetuese janë tipikisht të ndryshme nga procedura dhe afatet e kontrollit të ligjshmërisë në gjykimin në shkallë të tretë nga Gjykata e Lartë. Procedurat dhe afatet e veprimit nga Gjykata e Lartë janë të kushtëzuara nga nevoja për t’iu siguruar paditësve një  mjet të efektshëm për korigjimin shkeljeve të ligjit dhe zgjidhjen e pasojave individuale.

Nga ana tjetër veprimi kontrollues i Gjykatës Kushtetuese, duke qënë se në përgjithësi ushtrohet mbi kushtetushmërinë e ligjeve dhe akteve të tjera të përgjithshme dhe përpara se këto të kenë sjellë pasoja në praktikë, nuk ka pse të kushtëzohet nga nevoja për të qënë i efektshëm në kuptimin e dhënë më lart për kontrollin e ushtruar nga Gjykata e Lartë. Po kështu mekanizmat e legjitimimit që qëndrojnë në themel të dy proceseve (procesi kontrollues nga Gjykata Kushtetuese dhe procesi rishikues nga Gjykata e Lartë) janë cilësisht të ndryshëm dhe të paramenduar të arrijnë objektiva të ndryshëm.

Kështu në gjykimin kushtetues lista e subjekteve që kanë të drejtë të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese është shteruese dhe përfshin tipikisht  funksionarë të rëndësishëm publikë. Personat privatë kanë të drejtë të vënë në lëvizje GJK vetëm përjashtimisht me pretendimin se gjykatat e zakonshme i’u kanë cënuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Qëllimi i këtij mekanizmi legjitimimi është që kontrolli i kushtetushmërisë të përfshijë çështje të tilla me rëndësi jetike për garantimin e konstitucionalizmit si pajtueshmëria e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën, ndarja dhe kontrolli reciprok i pushteteve, kushtetushmëria e partive politike dhe e referendumeve etj të cilat e kapërcejnë interesin e ngushtë të personave privatë dhe, për këtë arsye, nuk mund të ngrihen prej tyre në mënyrë incidentale në kuadrin e një procesi të zakonshëm gjyqësor. Kjo mënyrë legjitimimi, nga ana tjetër, bën të mundur një formë veprimi të Gjykatës Kushtetuse që është e pamendueshme për Gjykatën e Lartë. E kam fjalën për shqyrtimin abstrak të kushtetushmërisë së ligjeve (pra përpara se ato të kenë prodhuar ndonjë pasojë në terren). Nga ana tjetër mekanizmi i legjitimimit në Gjykatën e Lartë është i thjeshtë dhe konsiston në thelb në shterimin e shkallëve më të ulëta të gjykimit dhe pasjen e një interesi të ligjshëm nga paditësi.

Megjithatë, sipas mendimit tim, dallimi kryesor midis funksionit të rishikimit të kushtetushmërisë së ligjeve nga Gjykata Kushtetuese dhe funksionit të shqyrtimit të ligjshmërisë në zbatimin e ligjeve nga ana e Gjykatës së Lartë, ka të bëjë me mentalitetin e trupave gjyqësore përkatëse. E kam fjalën për faktin se aktivizmi gjyqësor është më i natyrshëm dhe madje i dëshirueshëm për Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë nuk mund të thuhet e njëjta gjë për veprimtarinë kontrolluese të Gjykatës së Lartë e cila është e supozuar të ushtrohet në kontekstin e çështjes konkrete.

Nuk mund të jetë bashkim i thjeshtë

Në dritën e argumenteve të mësipërm, besoj del qartë se çdo përpjekje për të bashkuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë në një të vetme nuk mund të jetë një bashkim mekanik kompetencash dhe trupash gjyqësore. Krejt në të kundërt, ajo ç’ka duhet synuar është garantimi i ushtrimit të efektshëm të atyre dy funksioneve jetike që sot i vishen përkatësisht Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së lartë. Nqs se mbështetësit e propozimit për shkrirjen e dy gjykatave dëshirojnë ta çojnë më tej nismën e tyre duhet të kenë parasysh se organizmi i ri që propozohet duhet të garantojë ushtrimin e pacënuar të këtyre dy funksioneve jetike. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është që të sigurohen të gjitha parakushtet që sot bëjnë të mundur veprimtarinë e të dy gjykatave.

Do desha ta mbyll me 2 komente: i pari është sasior dhe i dyti historik. Komenti i parë lidhet me faktin se bashkimi i funksioneve që sot ushtrohen respektivisht nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë (shih më lart përcaktimin e këtyre 2 funksioneve) në një trupë të vetme gjyqësore është i pazakontë (dhe ndoshta edhe unik) për kontinentin evropian. Sa i takon komentit të dytë, do desha të kujtoj se Gjykatat Kushtetuese kanë proliferuar pas vitit 1945 në Evropën Perëndimore dhe pas vitit 1990 në Evropën Lindore si një përpjekje për të frenuar çdo prirje të ardhshme drejt autoritarizmit dhe shkeljes masive të të drejtave të njeriut. Jo vetëm kaq po ato janë sprovuar si të tilla në shumë raste. Në këto kushte, do të mbyllja duke thënë se jam skeptik për dobinë dhe nevojën e këtij bashkimi. Megjithatë barra e provës bie mbi propozuesit e kesaj nisme. Më bën përshtypje fakti se është e vështirë të dallosh qartë se kush qëndron pas nismës. Në vija të përgjithshme mund të argumentohet se është shumica e re politike që e ka përqafuar atë dhe që rreket ta bëjë realitet. Megjithatë kaq nuk mjafton. Nisma është themelore për nga rëndësia kushtetuese dhe do duhet të artikulohet në detaj përpara së nisë procesi formal i diskutimeve dhe ndryshimeve të nevojshme në Kushtetutë. Në këto kushte, autorësia abstrakte e një grupimi politik nuk është e mjaftueshme. Emra të përveçëm brenda familjes politike do duhet të marrin përgjegjësinë për artikulimin dhe paraqitjen publike të nismës. Besoj se diskutimi për këtë nismë duhet të rifillojë dhe të zhvillohet në një terren më konkret pasi ajo të jetë artikuluar në detaj.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan