TAP-i: Një gazsjellës për të ardhmen energjetike të Europës

Al Cook, Zëvendëspresident – “Shah Deniz Development”, BP

Detajet e projektit

Gjatësia – Parashikohet ndërtimi i një zinxhiri gazsjellësish 4000 km të gjatë për eksportin e gazit në Europë (hera e parë)

Investimi – Parashikohet, sipas projektit të TAP, që kosto totale e këtyre projekteve do të jetë mbi 40 miliardë dollarë amerikanë

Prodhimi – Plani është që të prodhohen 16 miliardë metra kub gaz në vit më shumë dhe deri në 100 000 fuçi kondensati në ditë

Europa – 6 miliardë m kub gaz në vit do t’i shiten Turqisë, pjesa e mbetur, 10 miliardë, do t’i vihet në dispozicion Europës

Fieri – Seksioni i gazsjellësit që do të kalojë nëpër det fillon në afërsi të qytetit të Fierit dhe kalon nën Adriatik

Segmentet – Gjatësia totale e TAP është 870 km, ku 550 km kalojnë në Greqi, 210 km në Shqipëri, 100 km nën det dhe pak km në Itali

Më 28 qershor 2013, konsorciumi Shah Deniz njoftoi zgjedhjen e gazsjellësit TransAdriatik (Trans Adriatic Pipeline – TAP) si hallkën e fundit në zinxhirin e platformave, stacioneve të pompave dhe gazsjellësve që do të sjellin gaz në Europë nga fusha gjigante Shah Deniz në Azerbajxhan.

Ky njoftim ishte i rëndësishëm për shumë arsye. Së pari, bëri të mundur përcaktimin për herë të parë të hartës së Korridorit Jugor. Së dyti, njohu punën e madhe të bërë për projektin nga pronarët e TAP-it dhe qeveritë e disa vendeve. Dhe së fundi, shënoi një nivel të ri bashkëpunimi ndërmjet Shah Deniz dhe TAP, pasi disa nga palët e Shah Deniz, përfshi BP, po bëhen pronarë në TAP.

Për më shumë se dy vjet konsorciumi punoi ngushtësisht me një sërë projektesh gazsjellësish europianë për të zgjedhur më të mirin prej tyre. Zgjedhja e TAP u bë pas një vlerësimi të kujdesshëm të këtyre projekteve dhe vitesh pune këmbëngulëse nga ekspertët inxhinierikë, të biznesit, ligjorë dhe rregullatorë të konsorciumit Shah Deniz.

Vlerësimi tërësor u krye i balancuar, mbështetur në një sërë kriteresh zgjedhjeje të deklaruara botërisht, ndër të cilët ishin konsideratat tregtare, teknike dhe të politikave publike. Suksesi i TAP është pasqyrim i cilësisë së punës së tij të deritanishme dhe i planeve për të ardhmen.

Qëllimi i këtij shkrimi është të paraqesë përfitimet potenciale që hapja e Korridorit Jugor sjell për Europën dhe veçanërisht për vendet nëpër të cilat do të kalojë TAP: Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë.

Roli udhëheqës i Azerbajxhanit në hapjen e Korridorit Jugor

Koncepti i Korridorit Jugor lindi nga nevoja e Bashkimit Europian për diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror, zgjerimin e bashkëpunimit energjetik me vendet fqinje dhe krijimin e një tregu energjie të integruar dhe konkurrues.

Objektivat e Korridorit Jugor u parashtruan për herë të parë në deklaratën politike të Samitit të Pragës për Korridorin Jugor të mbajtur në vitin 2009. Në Samitin e Pragës u formuluan angazhimet e para zyrtare nga shtetet konsumatore, prodhuese dhe të transitit për kushtet e nevojshme që duheshin përmbushur për realizimin e Korridorit Jugor. Samiti deklaroi se qëllimi kryesor i Korridorit të Jugut ishte mundësimi i furnizimit të Bashkimit Europian me burime energjie nga rajoni i Kaspikut dhe i Lindjes së Mesme. Gjithashtu, deklarata e krahasoi Korridorin Jugor si “një rrugë moderne të mëndafshit për lidhjen e vendeve dhe popujve nga rajone të ndryshme dhe krijimin e kuadrit të duhur, të nevojshëm për inkurajimin e tregtisë, këmbimit të shumanshëm të njohurive, teknologjive dhe përvojës”.

Azerbajxhani, pronar i një prej burimeve më të mëdha të pazhvilluara të gazit në botë, me dëshirën për të zgjeruar tregjet e tij të eksportit dhe forcuar marrëdhëniet strategjike me Bashkimin Europian, u angazhua aktivisht që në fillimet e këtij procesi. Azerbajxhani demonstroi angazhimin e tij për realizimin e Korridorit Jugor edhe në deklaratën e përbashkët, të nënshkruar nga Presidenti i Azerbajxhanit, Alijev, dhe Presidenti i Komisionit Europian, Barroso, në Baku në janar 2011, ku u parashtrua kuadri politik për shitjen e gazit të Azerbajxhanit, Europës. Deklarata përcaktoi nevojën për krijimin e rrugëve të dërgimit të gazit direkt nga deti Kaspik në Europë dhe shprehu mbështetjen e plotë për krijimin e kushteve rregullatore dhe tregtare për të mundësuar transportin, tregtimin dhe shpërndarjen e gazit të Shah Deniz në tregjet europiane. Kështu, Azerbajxhani mori përsipër rolin e një katalizatori potencial për hapjen e Korridorit Jugor dhe sjelljen në treg të një sërë burimesh të reja gazi.

Në njëzet vitet e fundit, Azerbajxhani ka shkruar një histori solide si furnizues i besueshëm i naftës dhe gazit në tregjet botërore. Kjo histori u provua së pari nga zhvillimi i fushës së kategorisë botërore Azeri-Chirag-Gunashli prej së cilës, deri më sot, janë dërguar në tregjet e naftës rreth 2.3 miliardë fuçi nafte, kryesisht nëpërmjet naftësjellësit Baku-Tbilisi-Ceyhan (BTC). Azerbajxhani e ka provuar veten edhe si furnizues i besueshëm i gazit gjatë fazës së parë të zhvillimit të fushës gjigante të Shah Deniz nëpërmjet gazsjellësit të Kaukazit të Jugut, duke plotësuar nevojat e konsumatorëve si brenda vendit ashtu edhe në Turqi dhe Gjeorgji.

Kyçi për përmbushjen e potencialit të Azerbajxhanit si një prej furnizuesve më të mëdhenj në botë të gazit natyror nëpërmjet Korridorit Jugor është Faza 2 e zhvillimit të fushës së gazit Shah Deniz. Zbuluar nga BP në vitin 1999, Shah Deniz është një nga fushat më të mëdha të gazit në botë dhe do të jetë një nga projektet më të mëdha inxhinierike në botë. Faza 1 e Shah Deniz filloi në 2006 dhe prodhon tashmë 9 miliardë metra kub gaz në vit për Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Turqinë. BP dhe partnerët e saj po punojnë intensivisht për zhvillimin e projektit të Fazës 2 për fillimin e shpërndarjes së gazit në vitin 2018.

Faza 2 e Shah Deniz përfshin një projekt shpimi pusesh, impiante në det, zgjerimin e terminalit Sangachal në Baku dhe ndërtimin e një zinxhiri gazsjellësish 4000 km të gjatë për eksportin për herë të parë në histori të gazit nga Azerbajxhani në Europë. Kostoja totale e këtyre projekteve do të jetë mbi 40 miliardë dollarë amerikanë. Si rezultat i tyre do të prodhohen 16 miliardë metra kub gaz në vit më shumë dhe deri në 100 000 fuçi kondensati në ditë. Rreth 6 miliardë metra kub gaz në vit do t’i shiten Turqisë dhe pjesa e mbetur prej 10 miliardë metrash kub gaz në vit do të vihet në dispozicion për shpërndarje të mëtejshme në tregjet europiane nëpërmjet gazsjellësit TransAdriatik. Vendimi përfundimtar i investimit për projektin pritet të merret nga fundi i këtij viti.

Për realizimin e projektit deri tani është bërë një punë e konsiderueshme, ku përfshihet zgjerimi i gazsjellësit të Kaukazit të Jugut me një gazsjellës të ri nga Azerbajxhani në Gjeorgji. Në Turqi, konsorciumi Shah Deniz po punon me pronarët e gazsjellësit TransAnatolian (TANAP) për të përcaktuar planin e gazsjellësit të ri me gjatësi 2000 km që do të kalojë nëpër territorin e vendit. Gazsjellësi TransAdriatik, që fillon në kufirin perëndimor të Turqisë, është segmenti i fundit në Korridorin Jugor që do të shpërndajë gazin e Shah Deniz për konsumatorët në Europë.

Gazi i ri në Europë do të shpërndahet nëpërmjet një gazsjellësi stabël dhe me kapacitet të zgjerueshëm. TAP do të luajë një rol të rëndësishëm në realizimin e suksesshëm të Korridorit Jugor dhe në forcimin e sigurisë së energjisë në Europë. Për të bërë të mundur furnizimet afatgjata me gaz nëpërmjet këtij Korridori është me rëndësi që i gjithë zinxhiri i operacioneve të bazohet në zgjidhje të qëndrueshme dhe jetëgjata teknike, ligjore dhe tregtare. Kuadri tregtar, rregullator dhe teknik i përcaktuar mirë, si edhe mbështetja e qeverive, ndër faktorët e tjerë, krijojnë mundësinë që TAP të bëhet një hallkë e fortë në këtë rrugë komplekse transporti.

Karakteristikat teknike të projektit TAP janë praktike: aktualisht TAP synon të ketë një kapacitet transporti 10 miliardë metra kub gaz në vit që nga lidhja e tij me TANAP në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë deri në Itali. TAP ka në plan që në të ardhmen të rrisë kapacitetin e gazsjellësit deri në 20 miliardë metra kub gaz në vit. Rruga direkte e TAP dhe përdorimi i tubacioneve me diametër të madh lehtëson rritjen e kapacitetit për të transportuar volume shtesë në masën dhe kur të lindë nevoja. Rritja e kapacitetit të gazsjellësit bëhet e mundur me shtimin e numrit të stacioneve të kompresimit.

 TAP ka përfunduar tashmë projektin inxhinierik fillim-mbarim (FEED), dhe ka filluar procesin e para-kualifikimit për tubacionet e çelikut dhe shërbimet e shtruarjes së gazsjellësit. TAP do të fillojë në afërsi të Kipoi-t që gjendet në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku do të lidhet me TANAP. Prej këtej TAP do të kalojë nëpër territoret tokësore të Greqisë dhe Shqipërisë nga lindja në perëndim deri në brigjet e Adriatikut. Seksioni i gazsjellësit që do të kalojë nëpër det fillon në afërsi të qytetit të Fierit në Shqipëri dhe kalon nën detin Adriatik për të dalë në tokë në Rajonin e Pulias në Itali, ku do të lidhet me rrjetin e transportit të gazit në Itali, operator i të cilit është Snam Rete Gas. Gjatësia totale e gazsjellësit do të jetë rreth 870 km prej të cilave 550 km kalojnë nëpër Greqi, 210 km nëpër Shqipëri, 100 km nën Detin Adriatik dhe ato pak kilometra të mbetur në Itali.

 Nëpërmjet Procesit të Vlerësimit të Ndikimit Social dhe Mjedisor të tij (Environmental and Social Impact Assessment Process), TAP po identifikon, jep përgjigje, menaxhon në mënyrë të gjithanshme dhe sistematike ndikimet potenciale sociale e mjedisore dhe mundësitë që lindin përgjatë këtij segmenti të Korridorit Jugor. TAP po përgatit vlerësimet e ndikimit social dhe mjedisor në secilin vend në përputhje me ligjet kombëtare në fuqi dhe me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian, dhe në përputhje me politikën sociale dhe mjedisore të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që njihet si pikë referimi për praktikat më të mira ndërkombëtare.

Si pjesë e këtij procesi, TAP ka identifikuar dhe është konsultuar me individë, familje dhe komunitete që mund të ndikohen nga projekti, si edhe me subjekte të tjera të interesuara duke përfshirë organe rregullatore, organe të pushtetit vendor dhe organizata joqeveritare (OJQ). TAP është në vazhdën e mbledhjes së reagimeve dhe dhënies së përgjigjeve për shqetësimet e palëve të interesuara në këtë projekt.

Aksionerët e TAP janë shoqëri energjetike udhëheqëse në industri. Aksionerëve të parë, zviceranët e “Axpo”, norvegjezët e “Statoil” dhe gjermanët e E.ON, u janë bashkuar azerët e “Socar”, francezët e “Total”, belgët e “Fluxys” dhe britanikët e BP. Këto shoqëri kanë rezultate për t’u pasur zili në ndërtimin dhe menaxhimin e gazsjellësve.

 Deri më sot TAP ka gjetur mbështetje të konsiderueshme nga qeveritë e Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, si edhe nga organet rregullatore kombëtare të të tria vendeve dhe të Komisionit Europian. Më 12 shkurt 2013, të tria qeveritë nënshkruan një marrëveshje ndërqeveritare që njeh rëndësinë strategjike të TAP për të tria vendet. TAP është njohur gjithashtu si një “projekt me interes të përbashkët” europian dhe deri tani ka përfituar nga BE dy grante për zhvillimin e infrastrukturës. Puna e qeverive, e enteve rregullatore kombëtare të energjisë dhe e Këshillit Europian (KE) përforcon sigurinë e investimeve në këtë projekt të ri madhor të infrastrukturës dhe jep një kuadër rregullator stabël për furnizimin afatgjatë të qëndrueshëm nëpërmjet sistemit të TAP-it.

Të tria organet kombëtare rregullatore të energjisë të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, me mbështetjen e KE-së, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e projektit. Miratimet rregullatore ishin një detyrë madhore falë kompleksitetit të TAP dhe të zinxhirit të infrastrukturës së integruar nga Azerbajxhani në Europë, gjë që kërkoi një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet tri organeve rregullatore dhe të Komisionit Europian për të hapur shtegun drejt shembullit të parë të suksesshëm në përputhje me rregulloret aktuale të energjisë. Të tria organet vazhdojnë të jenë të përfshira në projekt dhe bashkëpunimi ndërmjet të të gjitha palëve përkatëse të interesuara në kërkesat rregullatore mbetet i fortë.

TAP synon të sjellë përfitime të mëdha për Europën

TAP synon t’i sjellë Europës përfitime të mëdha. Përfitimet që rrjedhin nga realizimi i TAP mund të kategorizohen si më poshtë:

•    Diversifikimi i furnizimeve të gazit natyror

Kërkesa për furnizime të reja gazi përgjatë rrugës së TAP është e lartë. Italia, tregu i tretë më i madh i gazit në Europë, është tregu kryesor i synuar për TAP. Sipas shqyrtimit statistikor të BP për 2013-n të energjisë botërore, konsumi aktual i gazit natyror në Itali është rreth 71 miliardë metra kub gaz në vit dhe kryesisht plotësohet nga importet. Gjatë dekadës së fundit, prodhimi i brendshëm i Italisë ka pësuar rënie të vazhdueshme që do të thotë se do të vazhdojë nevoja për importe të mëtejshme. Shumë ekonomistë parashikojnë që, në dekadën e ardhshme, kërkesa për gaz në Itali të rritet gradualisht ose të paktën të mbetet e stabilizuar. Sipas strategjisë së saj kombëtare të energjisë, Italia synon të transformohet në qendrën e gazit për Europën Jugore dhe në një treg edhe më likuid. Kështu, futja e burimeve të reja të furnizimit nëpërmjet TAP është një mundësi për Italinë për sigurimin e diversifikimit të furnizimeve të saj dhe për rritjen e likuiditetit të tregut të saj të energjisë.

Hapja e një burimi të ri gazi për tregun grek është po aq e rëndësishme, pasi Greqia është aktualisht shumë e ekspozuar ndaj importit me gazsjellës nga një furnizues i vetëm (rreth 58% e importeve totale në 2012-n) dhe furnizimeve me gaz natyror të lëngshëm (LNG). Përveç kësaj, kapaciteti i TAP për ndryshimin e drejtimit të rrjedhjes bën të mundur që gazi të kalojë nga Italia drejt Shqipërisë dhe Greqisë, duke krijuar kështu mundësinë për marrjen e gazit nga burime të tilla si Afrika e Veriut. Kjo gjë jo vetëm rrit konkurrencën në tregun grek, por rrit edhe sigurinë e furnizimit në rast të ndonjë ndërprerjeje të furnizimit.

TAP krijon gjithashtu një mundësi unike për Shqipërinë për zhvillimin e industrisë së saj të gazit dhe për arritjen në të ardhmen të një eficience më të lartë në prodhimin e energjisë elektrike duke përdorur gaz natyror. TAP vazhdon të mbështesë qeverinë shqiptare në misionin e saj për përdorimin e gazit si një burim të rëndësishëm energjie.

•    Zgjerimi i integrimit të tregut

TAP synon të zgjerojë integrimin e tregut në Europë duke krijuar lidhje të transportit të gazit ndërmjet Europës Juglindore dhe Perëndimore nëpërmjet Italisë. Me rrjetet ekzistuese, si edhe me zgjerimin e planifikuar të tyre, Italia ofron potencial të madh për transportimin e gazit natyror më tej në Europën Perëndimore. Në pikën e mbërritjes së tij në Italinë e Jugut, TAP lidhet me rrjetin kombëtar italian me operator Snam Rete Gas. Paskëtaj gazi do të jetë në gjendje të arrijë pikën qendrore të tregtimit në Itali, prej së cilës mund të qasen gazsjellësit Transitgas (kthimi mbrapsht fizikisht i rrjedhjes së gazit pritet të realizohet kur TAP të fillojë operimin) dhe Trans Austria Gas (TAG). Bashkëpunimi me Transitgas mund të forcohet si rezultat i pozicionit të pronësisë që Fluxys mban në atë gazsjellës. Këta gazsjellës kanë potencialin për të bërë ndërlidhjen e sistemit të transmetimit italian me Zvicrën dhe Austrinë, e prej këtej me Francën, Gjermaninë, Belgjikën, dhe madje edhe me Mbretërinë e Bashkuar. Projekti TAP mund kështu të transportojë gaz më tej në vende të tjera europiane dhe të mbështesë BE-në në krijimin e një tregu europian energjie plotësisht funksional dhe konkurrues.

•    Përmirësimi i ndërlidhjes në Europën Juglindore

Ne gjithashtu besojmë se TAP do të mundësojë rritjen e bashkëpunimit rajonal në Europën Juglindore. Ndërtimi i infrastrukturës shtesë në vendkalimet kufitare do të bëjë të mundur që gazi Kaspik të arrijë tregjet në zhvillim në Ballkan dhe më tej. Zhvillimet e infrastrukturës së mundshme përfshijnë:

– Gazsjellësin Jonian Adriatik (IAP) që mund të dërgojë gaz në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, si edhe në projektet e Unazës së Ballkanit Perëndimor. Realizimi i TAP dhe gazsjellësit Jonian Adriatik (IAP) është mbështetur më tej nga memorandumi ndërqeveritar i mirëkuptimit të 23 majit 2013 i nënshkruar nga Kroacia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe i njohur nga Këshilli i Jonit dhe Adriatikut më 27 maj 2013.

– Lidhjen me Bullgarinë: mund të bëhet e mundur që gazi të transportohet nga Greqia në Bullgari si nëpërmjet ndërlidhësit Greqi-Bullgari (NGB) ashtu edhe duke kthyer mbrapsht rrjedhjen e gazit nëpërmjet pikave ekzistuese ndërlidhëse ndërmjet Kula-s dhe Sidirokastro-s. Opsioni i fundit është përdorur në vitin 2009 për të furnizuar gaz natyror nga terminali grek i gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Revythoussa.

Konsorciumi Shah Deniz e ka demonstruar besimin që Korridori Jugor do të shtrihet deri në Europën Juglindore duke rënë dakord për termat për shitjet e reja të gazit konsumatorëve në Bullgari. Ne jemi shumë të kënaqur tek shohim rolin udhëheqës që qeveria e Azerbajxhanit po ndërmerr me kërkesën për rritjen e furnizimeve nga deti Kaspik në gjithnjë e më shumë vende të ndryshme të Europës Juglindore. Ne i jemi gjithashtu mirënjohës KE-së për mbështetjen e vazhdueshme të këtyre planeve të shitjeve.

•    Mbështetja e energjisë më të pastër

Shah Deniz përfaqëson një burim të ri të rëndësishëm të gazit të pastër natyror për Europën. Duke e lëvizur balancën e energjisë mikse në Europë drejt gazit natyror, karburanti fosil djegës më i pastër, ne mund të ndihmojmë vendet për të reduktuar emetimet e tyre të dioksidit të karbonit. Në fakt, gazi natyror prodhon 43 për qind më pak emetim karboni në krahasim me qymyrin, dhe nivele shumë më të ulëta të oksideve të nitrogjenit dhe dioksideve të sulfurit.

Operatorët e gazsjellësve të Korridorit Jugor synojnë standarde të larta mjedisore të njohura ndërkombëtarisht për ndërtim dhe operim. Gjatë dekadave, gazsjellësit kanë provuar se janë metoda të sigurta, të pazhurmshme dhe ndonjëherë pothuaj të padukshme për transportin e gazit, si kur kalojnë nëpër dete, ngjiten nëpër male apo mbulohen thellë nën tabanët e qyteteve dhe fshatrave. Ato gjithashtu emetojnë më pak karbon se format e tjera të transportit të gazit: gazsjellësit kërkojnë përgjithësisht më pak përdorim intensiv energjie se sa gazi natyror i lëngshëm, që përfaqëson alternativën kryesore për transportin e gazit.

•    Nxitja e zhvillimit ekonomik

TAP synon të sjellë investime të reja thelbësore në Shqipëri, Greqi e Itali dhe të krijojë vende të reja pune në ndërtim në këto vende. Mirëmbajtja dhe operimi i gazsjellësit do të ketë nevojë për burime financiare dhe njerëzore për dekada.

TAP mendohet të jetë investitori i drejtpërdrejtë më i madh i huaj që ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri. Pritet që ky projekt të nxitë veprimtarinë ekonomike duke krijuar vende të reja pune dhe zhvilluar aftësitë profesionale dhe mundësitë në vend. Me fillimin e operimit, TAP mund gjithashtu të krijojë të ardhura vjetore të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Gjithashtu, shpresojmë që gazsjellësi të ndihmojë Shqipërinë në procesin e integrimit në Europë nëpërmjet rritjes së rolit të saj gjeostrategjik dhe rajonal dhe nxitjes së stabilitetit të vazhdueshëm.

Në Greqi, veçanërisht, kosto e TAP llogaritet të jetë 1.5 miliardë euro. Projekti pritet gjithashtu të krijojë rreth 2000 vende pune që lidhen direkt me projektin dhe 10000 vende pune që lidhen indirekt me të. Ne besojmë që investimet e TAP mund të japin një sinjal pozitiv për investitorët e huaj dhe mbështetje për rritjen e besimit të biznesit në vend.

TAP parashikon të sjellë përfitime thelbësore edhe për Italinë. Në një studim të kohëve të fundit të ndërmarrë nga konsulentë të pavarur, kontributi potencial direkt dhe indirekt i TAP në rajonin e Pulias gjatë ndërtimit të gazsjellësit është llogaritur të jetë 290 milionë euro. Përveç kësaj, mund të krijohen disa qindra vende pune. Përfitimet financiare mund të vazhdojnë edhe kur projekti të vihet në punë. Dhe këto shifra nuk përfshijnë investimet që Snam Rete Gas, operatori italian i rrjetit të gazit, duhet të bëjë për të rritur kapacitetin e rrjetit të tij në mënyrë që të përballojë transportin e gazit shtesë që vjen nga TAP.

Një përfitim i fundit i rëndësishëm potencial për të gjitha vendet që marrin gaz nga Shah Deniz ka të bëjë me konkurrencën në furnizim. Ndërkohë që volume gjithnjë e më të mëdha gazi nga një burim krejt i ri mbërrijnë në Europë, pritet që konkurrenca të rritet. Kjo konkurrencë, dhe efekti i saj në çmimet e energjisë, mund të sjellin përfitime të mëdha për familjet, bizneset dhe industrinë.

Kështu, TAP ka potencial të japë një kontribut të ndjeshëm në rritjen ekonomike të këtyre vendeve dhe të rolit të tyre si hallka të qëndrueshme dhe të forta në Korridorin Jugor me rëndësi strategjike.

***

Ne besojmë që TAP do të sjellë përfitime si për vendet nëpër të cilat kalon ashtu edhe për Europën në tërësi.

Nëse historia është udhërrëfyese për të ardhmen, TAP përfaqëson vetëm hapin e parë në zhvillimin e Korridorit Jugor. Hapja e një rruge të re të parë transporti gazi, pasohet me zhvillim të mëtejshëm të tregut, me infrastrukturë dhe gaz shtesë. Ne besojmë që burimet shtesë të gazit në Azerbajxhan do të shtojnë në të ardhmen eksportet e gazit në Europë. TAP do të jetë në gjendje të përballojë këto furnizime nëpërmjet rritjes së kapacitetit të tij, edhe në rast se rrugë të tjera gazsjellësi do ta çojnë gazin e Kaspikut në tregje të reja.

 Zgjedhja e gazsjellësit TransAdriatik përfaqëson një hap madhor drejt vendimit përfundimtar të investimit në projektin e Fazës 2 të Shah Deniz. Kjo gjë do të lejojë fillimin e ndërtimit të Korridorit Jugor. TAP ka kaluar nëpër procesin e vështirë të konkurrencës për të arritur deri në këtë pikë dhe ka fituar mbështetje të madhe nga aksionerët e tij, Komisioni Europian, qeveritë dhe entet rregullatore të vendeve të përfshira në të, gjë që është thelbësore në kryerjen me sukses të projektit. Mbetet akoma shumë punë për të bërë para se gazi natyror të rrjedhë për herë të parë direkt nga Kaspiku në Europë. Pronarët e secilit komponent të Korridorit Jugor – Shah Deniz, gazsjellësi i Kaukazit Jugor, gazsjellësi Trans Anatolian dhe vetë TAP – duhet të marrin vendimin përfundimtar të investimit në projektet e tyre. Dhe vetë ndërtimi do të përfaqësojë një nga projektet më të mëdha të energjisë që bota ka parë deri më sot. Por zgjedhja e suksesshme e TAP në qershor të këtij viti në vetvete përbën një arritje të madhe dhe ne duhet të vlerësojmë dhe përgëzojmë të gjitha qeveritë, entet rregullatore dhe shoqëritë, të mbështetura nga Komisioni Europian, që punuan pa u lodhur së bashku për ta bërë të mundur këtë zgjedhje.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi