Maxhoranca e re dhe institucionet e pavarura

Nga Skender Minxhozi, botuar në Java, shtator 2013

Në mes të korrikut, atëhere kur zgjedhjet kishin mbaruar dhe palët ishin pajtuar me fatin e tyre respektiv, kreu i shtetit thirri në një takim në Presidencë shefat e institucioneve kryesore të pavarura. Bujar Nishani dëshëronte të jepte një mesazh të rëndësishëm: qëndroni përballë revanshit që po vjen nga fitimtarët e 23 qershorit! Fjala “revansh” ishte përfshirë në deklaratën e shtypit që Presidenca shpërndau për mediat dhe ishte pikërisht ky term që lëshonte sinjalin e parë për qëndrimin që presidenti do të mbante ndaj shumicës së re, e që javë më pas do të përmbyllej me frazën fataliste dhe absurde të bashkëshortes së tij, për heqjen nga puna prej ministrave të rinj të Edi Ramës…

Përtej raporteve të vështira që pritet të ketë vetë Bujar Nishani me Ramën, Metën dhe maxhorancën që ata përfaqësojnë, një rebus jo të thjeshtë për t’u zgjidhur përfaqësojnë marrëdhëniet e qeverisjes që pritet të ngjitet në podium, me institucionet kryesore të pavarura. Pikërisht me atë grusht burrash e grash që Bujar Nishani i kishte paralajmëruar në mes të korrikut. Pak ditë pas zgjedhjeve, atëhere kur u duk qartë se varka e Berishës ishte mbytur nën peshën e një milion votave, një pjesë e drejtuesve të institucioneve në fjalë, nisën të japin shenja se e kishin lexuar me shumë kujdes rezultatin e zgjedhjeve. Qëndrimet zyrtare që kishin mbajtur, pozicionimi ndaj situatave apo çeshtjeve konkrete, daljet më të shpeshta publike apo ekspozimi përkrah Ramës e të tjerëve pranë tij – të gjitha këto janë shenja se krerët e institucioneve të pavarura ndodhen në një zgrip delikat për të ardhmen e tyre.

Natyrshëm më aktivi dhe më i lexueshmi ndër të gjithë është guvernatori Fullani. I anatemuar për qëndrimet që ka mbajtur ndaj krizës ekonomike e financiare, por edhe për mënyrën sesi u rizgjodh apo për flirtet e dukshme e të padukshme me qeverinë e Berishës, Adrian Fullani ishte ndër ata drejtues institucionesh të larta, që u investua më së shumti për t’i bërë një “lifting” të përgjithshëm imazhit të tij publik. Ashpërsoi gjuhën dhe shifrat, takoi me zell Ramën në çdo dalje publike të këtij të fundit dhe nisi të atakojë direkt apo tërthorazi politikat ekonomike të qeverisë në ikje. Shkurt, bëri atë që kishte bërë për tetë vjet rresht – e mbajti mirë me shefin e rradhës.

Kjo qasje pragmatike, për përdorur një term shumë të butë, shtron në fakt edhe n jë herë më shume, problemin e marrëdhënieve të politikës me sferën e institucioneve të pavarura të shtetit. Problem i nxehtë dhe shumë i debatuar nën qeverisjen e Sali Berishës, kjo temë mbetet ende aktuale edhe për qeverisjen që po ngjitet në skenë. Dhe arsyet janë parimore, por edhe personale.

Gjatë tetë vjetëve, qeverisja e djathtë u kritikua më së shumti për një pushtim gradual të jetës institucionale të vendit, përmes infliltrimit të kandidaturave “mike” në krye të institucioneve të pavarura, por edhe përmes presionit të hapur politik ndaj tyre, apo nëpërmjet tkurrjes e shkurtimit arbitrar të kompetencave që ato kanë. Berisha e mbylli mandati e dytë qeverisës, me një bilanc dëshpërues, në fushën e respektimit të institucioneve të pavarura. Relativizoi dhe goditi pa mëshirë presidencën (kur atë e drejtuan Moisiu dhe Topi), sulmoi me të gjitha bateritë prokurorinë e përgjithshme (nën Sollakun dhe Ina Ramën), futi gradualisht mbështetësit e tij në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese e Gjykatën e Lartë, përdori si oborrin e pasëm të shtëpisë Bankën e Shqipërisë, shpërfilli Kontrollin e Lartë të Shtetit e Avokatin e Popullit dhe la në një cep të harruar Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive.

Pas tetë vjetësh Shqipëria përjeton një situatë të mjerueshme, sa i përket institucioneve të pavarura të saj. Të cilat sot janë gjithçka, por jo të pavarura. Në këtë mjedis toksik dhe të politizuar rëndë, shumica e re vjen me ambicjen për të bërë reforma të mëdha dhe për të rikthyer në fuqi respektin për ligjin dhe institucionet. Dilema e madhe që ngrihet sot në tryezën e punës të Edi Ramës, është se çfarë do të bëjë me trashëgiminë aspak rozë që i ka lënë në derë paraardhësi i tij.

Kur i hedh një sy institucioneve të pavarura, kupton në fakt se ku është pengesa më e madhe pikërisht drejt atyre reformave të shtetit, që maxhoranca e re kërkon të ndërmarrë. Si mund të kurohet drejtësia që nuk jep drejtësi pa marrë ryshfet nën dorë, si mund të kthehen pronat, si mund të zbatohet rigorozisht ligji dhe rregullat, si mund të luftohet korrupsioni, si mund të disiplinohet krimi, si mund të prishen qindra mijë ndërtime pa leje, si mund të luftohet abuzivizmi i kudondodhur dhe më në fund, si mund të ndërtohet ashtu siç duhet shteti, kur në krye të tij ndodhet një listë personash që e kanë marrë postin kryesisht për shkak të valencës politike që mbajnë në jakën e xhaketës, apo të flirteve të ndyra që kanë bërë me politikën në një moment të caktuar?!

Ambicja e kuptueshme e shumicës së 23 qershorit, për t’i dhënë një rrugë të re zhvillimit të ngjarjeve në këtë vend, pas më shumë se dy dekadash rotacioni, do të përplaset shumë shpejt me rezistencën konservatore të institucioneve, që në fakt kanë qenë në shumicën e kohës, garantët e fshehur apo të hapur të qeverisjeve politike. E kjo është një sfidë që mund ta bëjë të dështojë e të mpaket çdo vullnet politik, sado i fortë qoftë ai. Apeli i presidentit të republikës, qysh në mesin e verës, “për të rezistuar” ndaj të rinjve që po vinin në pushtet, ka brenda diçka nga surrealizmi i damave plaka të Kadaresë te “Radiostacioni”, që shëtisnin natën rrugëve, për t’u shpëtuar syve të fitimtarëve të rinj. Çeshtja që shtrohet në raport me këtë listë personash, është mjaft e thjeshtë: a mund të jetën ata interpretë të paanshëm të një nevoje të përgjithshme për ndryshimin e punëve në këtë vend, apo do të vijojnë të fusin gurë nën rrota? Qoftë edhe duke e interpretuar si shkelje të pavarësisë së institucioneve?! Këtë bejetë e kemi parë dikur të zhvillohet mes Berishës dhe Moisiut, Topit, Sollakut apo Ina Ramës. Në fakt ajo zhvillohej për arsye të tjera, të cilat i pamë të shpaloseshin në vitet që pasuan. Mbetet të shohim se cilat do të jenë tani motivet që palët e reja në lojë do të hedhin mbi tryezë dhe cili do të vijimi i një marrëdhënieje e cila qysh tani parashikohet si komplekse dhe jo e lehtë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi