Sfidat e qeverisë së re dhe pritshmëritë e publikut

Nga Nertil Jole, botuar në gazetën Shqip, 8 gusht 2013

Besimi i madh që i dhanë shqiptarët qeverisë së re të mandatuar që po ulet në karriget e drejtimit të vendit, është shprehje e nevojës për ndryshim rrënjësor dhe pritshmërive të tyre shumë të mëdha. Qytetarët e mbyllën kapitullin me të shkuarën e hidhur të një kryeministri dhe një qeverie, që po lë pas një “tokë të djegur”, ku ekonomia nuk reflekton treguesit e duhur për të garantuar evitimin e një krize të mundshme dhe ku shumica e shqiptarëve përjetojnë varfëri, papunësi dhe u mungojnë promotorët që do t’i jepnin hov europianizues standardit të tyre të jetesës.

Reformat që duhet të marrin jetë tani e tutje nuk janë aspak të lehta. Ato kërkojnë një vullnet maksimal nga qeveria dhe administrata shtetërore, për të punuar dhe zgjidhur problemet në mënyrë sistematike. Koha është një tjetër pritshmëri dhe ajo nuk pret, kusht që e bën akoma më kompleks realizimin e këtyre përgjegjësive nga autoritetet e reja vendimmarrëse.

Vendosja e rendit publik, duke filluar me kthimin e Policisë së Shtetit nga një institucion i mbushur me militantë partie-shërbëtorë të pushtetit, në një institucion në shërbim të garantimit të jetës dhe mbrojtjes së qytetarëve, është një sfidë që do të testojë vullnetin real të qeverisë për t’i qëndruar besnike profesionalizmit dhe jo rekrutimeve partiake.

Auditi ndërkombëtar që pritet të zbardhë të vërtetat e fshehura nga qeveria nëpërmjet INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë (deri dje), është një hap i mirë drejt transparencës së munguar të gjithë këtyre viteve, ku propaganda dhe jo vullneti për t’u përballur me realitetin, yshtën qeverinë në ikje të ndërmarrë iniciativa të kundërshtuara fort edhe nga FMN-ja, që patën pasoja mbi ekonominë e vendit. Rënia drastike e të ardhurave buxhetore, rritja e shpenzimeve për interesa borxhi, deficiti i madh buxhetor, rritja e kufirit të borxhit në nivelin e 64% (me gjasë edhe më tepër), investimet e pabalancuara në sektorë të ndryshëm të realizuara me kreditime aforfe, borxhet ndaj biznesit, të cilat raportohen në nivelin e 400 milionë dollarëve, kriza e likuiditetit në sektorët energjetikë, keqpërdorimi i fondeve në funksion të fushatës elektorale etj., janë disa nga politikat me impakt që do të ketë risk dhe kosto për ekonominë dhe financat e qytetarëve në të ardhmen e afërt dhe atë afatmesme.

Arsimi është një tjetër sfidë madhore, një sektor ky tej mase i nëpërkëmbur dhe përdorur politikisht nga pushteti i vjetër. Përshtatja e politikave dhe kurrikulave që nxisin edukim cilësor duke forcuar dhe privilegjuar së pari arsimin publik, duke kryer mbi bazë meritokracie rekrutimet e dhënësve të dijes në çdo nivel të hierarkisë mësimdhënëse, është një mision dhe një politikë me impakte afatgjata që do i shërbente shumë shoqërisë në të tashmen dhe të ardhmen.

Po sjell një shembull simbolik dhe shumë domethënës; tri ishin premtimet kryesore që kryeministri Tony Blair u premtoi britanikëve kur erdhi në pushtet, dhe ato renditeshin: 1) Education; 2) Education; 3) Education. Sepse arsimimi është investimi më sublim i çdo shoqërie që priret të avancojë dhe marrë në dorë fatet e veta. Gjithashtu, premtimet për të rishikuar kriteret mbi bazën e të cilave u janë dhënë licenca universiteteve private do ta minimizonte shumë inflacionin e diplomave që derdhen lumë në tregun e punës, pa asnjë efikasitet.

Një detyrë tjetër e qeverisë në këtë drejtim duhet të jetë të prezantojë nevojat e fushave profesionale dhe ekspertizave që i mungojnë vendit, me politika që plotësojnë vakuumet në drejtime të ndryshme profesionale të profilizuara, për të nxitur dhe kthjelluar më shumë studentët e “çoroditur” nga padija që të mund të gjykojnë drejt se cilat degë të përzgjedhura do u vlejnë më shumë dhe do u garantojnë punësim nesër.

Konferencat e mbajtura si ajo për “Shqipërinë e gjeneratës së re”, janë padyshim shumë të mirëpritura për të imponuar dhe përçuar frymën e një mendimi të integruar, që kombinon në qeverisje faktorët makro dhe mikro, që do të transformojnë dhe përshtatin modelin ekonomik duke shfrytëzuar në mënyrë efikase potencialet e Shqipërisë, në harmoni me konservimin dhe ruajtjen e pasurive natyrore, e cila duhet të jetë një nga prioritetet më primare të qeverisë së re.

Sistemi rregullator mbi territorin dhe planifikimin urban, ishte një tjetër temë e prekur nga konferenca në fjalë. Idetë dhe fryma konceptuale sesi ky transformim duhet të marrë jetë, ishin shumë të vlefshme dhe motivuese, por kjo nuk mjafton nëse implementimi i tyre nuk shihet qartë nga qytetarët me shembuj konkretë. Me këtë nuk kam parasysh vetëm zbatueshmërinë e forcës së ligjit për të prishur ndërtimet pa leje që janë kthyer në një gangrenë, jo vetëm infrastrukturore, por edhe sociale. Kam parasysh edhe nevojën imediate për hartimin e planeve të integruara urbane dhe hartave të administrimit territorial që nuk funksionojnë të parcelizuara, në vasalitet të juridiksionit të autoriteteve lokale respektive dhe ku duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhënia e lejeve në mënyrë individuale e sporadike, sipas oreksit të kryetarëve të komunave apo bashkive. I gjithë ky zhvillim duhet të funksionojë si një trup organik që shpërndan urbanizim harmonik dhe vizion modern me fokus edhe trashëgiminë për brezat që do të vijnë. Në vlerësimin tim, kjo iniciativë ka interes të jashtëzakonshëm publik dhe do të instalojë një frymë shumë të madhe besimi te qytetarët, nëse qeveria tregon vullnet të hekurt për të mos toleruar askënd që deri sot ka abuzuar në dëm të territorit dhe pasurive publike. As familjarët e kryetarit të emëruar të opozitës që kanë ndërtuar “përbindësha” mbi det. Një politikë e tillë do të mundësonte edhe një evidentim shumë herë më të mirë të aseteve të trashëgimisë sonë kulturore, deri sot të sfumuara dhe dëmtuara rëndë nga interesat klienteliste të qeverisë së ikur.

Një tjetër aspekt, i cili do të rriste shumë besimin qytetar te shteti dhe ligji, është investigimi që kryeministri dhe ministrat e rinj duhet t’i bëjnë punës së paraardhësve në dikasteret që do të drejtojnë. Vota masive e shqiptarëve nuk duhet parë vetëm si shprehje e shpresës së tyre për të ndryshuar qasjen e qeverisjes në raport me ta dhe duke harruar të shkuarën, por edhe si premisë për të instaluar kulturën e ndëshkueshmërisë, ose më saktë “frikën ndaj ligjit”. Qeveria e Sali Berishës asgjësoi “frikën ndaj ligjit” nëse bëje korrupsion, vidhje apo vrisje në emër të familjes, dhe vendosi terrorin e “ligjit” ndaj kundërshtarëve të politikave të tij oborrtare, opozitarëve dhe medias së lirë.

Është koha që qeveritë, të majta apo të djathta qofshin, të krijojnë kushtet e nevojshme për të mbledhur dhe çuar në prokurori të gjitha rastet e shkeljes së ligjit në çdo nivel hierarkie shtetërore, duke filluar nga ish-ministrat e papërgjegjshëm. Kjo shumicë e cilësuar ka shansin historik të reformojë sistemin gjyqësor duke e pavarësuar atë nga politika dhe korrupsioni. Ky duhet të jetë një zotim kombëtar i çdo qeverie në fakt, sepse thjesht zëvendësimi i qeverive dhe riciklimi i politikanëve fajtorë si shkelës të ligjit, do ta mbajë Shqipërinë vazhdimisht larg standardeve të vendeve me demokraci dhe drejtësi të konsoliduar.

Injorimi që përfaqësuesit e kabinetit të ri po u bëjnë qeveritarëve në ikje, të cilët dëshpërimisht përpiqen të baltosin qeverinë që ende nuk ka nisur punë, është një fillim i mbarë për të shtensionuar konfliktin politik të mbjellë nga regjimi “Berisha” dhe për të moderuar komunikimin në skenën politike. Megjithatë, paralelisht duhet të mos ndalen rrugët institucionale të vënies para përgjegjësisë të gjithë abuzuesve që kanë keqpërdorur detyrën. Këtu nuk kam parasysh vetëm vendimet e turpshme dhe antiligjore që qeveria e PD-së ka kryer tre muajt e fundit, dëshmi flagrante që treguan fytyrën e vërtetë për të plaçkitur gjithçka si të ishin pushtues e jo shqiptarë, por për të gjitha aferat korruptive që janë kryer gjatë viteve të fundit, me shembuj ndëshkueshmërie, që rrënjosin jo shpresë, por bindjen, për mospërsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Për të lartësuar njëherë e mirë standardin e marrëdhënies së shërbëtorëve të përkohshëm të pushteteve me zgjedhësit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi