BB: Kreditë e këqija mund të frenojnë rritjen ekonomike, zgjidhje për energjinë

Intervistë e drejtoreshës së Bankës Botërore për Europën Juglindore, Ellen Goldstein, 30 gusht 2013

Drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Ellen Goldstein, në një intervistë për “Top Channel” ka deklaruar se ka dy sektorë, ku qeveria e re duhet të përqendrohet për të mos lejuar që vendi të bjerë në krizë. “Ka dy fusha që u duhet kushtuar rëndësi nga qeveria e re, e para është sektori i energjisë, i cili është në probleme të thella prej kohësh. Nëse ky sektor nuk do të menaxhohet siç duhet, mund të shkohet në një situatë që do të ishte shumë fatkeqe për qytetarët deri në kufizime energjie. Fusha tjetër është sektori financiar. Bankat në Shqipëri janë të mirëkapitalizuara dhe kanë fonde rezervë të mjaftueshme, për të mos u prekur nga kriza të shpejta. Por vitet e fundit kemi parë një rritje shumë të shpejtë të kredive të këqija, të cilat janë rritur nga 5 në 25 për qind. Nëse shtojmë edhe kategorinë tjetër të kredive të rrezikuara, një e treta e portofolit të kredive në Shqipëri është nën standarde”, tha Goldstein. Zyrtarja e BB-së mendon se përkeqësimi i cilësisë së kredive, e kombinuar me sjelljen fiskale të qeverisë gjatë viteve të fundit, mund të frenojë rritjen ekonomike. “E kombinuar me nivelin e lartë të huamarrjes publike gjatë viteve të fundit, kjo ka bërë që kredia për ekonominë të ngadalësojë në mënyrë dramatike. Dhe nëse duam që ekonomia të rikthehet sërish në rritje, kredia është element kyç”, pohon Goldstein.

Ajo thotë se kjo situatë është rezultat i problemeve të hershme të pazgjidhura në vite, të cilat tani kërkojnë ndërhyrje urgjente. Për sektorin financiar, veç forcimit të mbikëqyrjes ajo propozon një sërë masash të shpejta. “Duhet që qeveria të paguajë detyrimet e prapambetura ndaj biznesit, sepse ky është një nga shkaqet e rritjes së kredive të këqija. Po kështu, ajo duhet të hartojë një plan realist të shlyerjes së këtyre detyrimeve dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse, së pari, do të provonte që qeveria është e përkushtuar të mbajë angazhimet e saj dhe së dyti për të mbështetur komunitetin e biznesit e për të ndihmuar ekonominë shqiptare të rritet më shpejt”, sqaron Goldstein.

Ndërsa për krizën energjetike kërkohet një ndërhyrje e dyfishtë me masa urgjente, por dhe një plan afatmesëm për të nxjerrë sektorin përfundimisht nga kriza shumëvjeçare. “Së pari, duhet të ketë disa ndërhyrje afatshkurtra. Fillimisht duhet të sigurohet energjia për sezonin tjetër përmes prodhimit vendas dhe importeve që mund të nevojiten. Së dyti, qeveria duhet të lëvizë shumë shpejt për të hartuar një plan për reduktimin e humbjeve në shpërndarje dhe për të përmirësuar arkëtimet. Së treti duhet të paguhen të gjitha detyrimet e institucioneve publike ndaj kompanive energjetike që ato të jenë më mirë financiarisht. Në periudhën afatgjatë duhen shumë më tepër reforma për t’u siguruar që Shqipëria të ketë një sektor energjetik të qëndrueshëm financiarisht dhe që të jetë i aftë të investojë për të rritur burimet”, thotë Goldstein. Sektori energjetik në Shqipëri është zhytur në një zinxhir të ngatërruar borxhesh që arrijnë deri në dhjetë për qind të prodhimit kombëtar, veçanërisht në tre vitet e fundit, pasi qeveria privatizoi kompaninë e shpërndarjes.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi