Një shënim mbi debatin: Detyrime vs Borxh

Nga NEZIR HALDEDA, Doktor i Shkencave, zv.ministër i Financave, botuar në Panorama Online, 16 Gusht 2013

Është diskutuar shumë dhe vazhdon të diskutohet për pagesën e detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve për punët publike të kryera. Është më se normale që pranohet se këto detyrime duhet të likuidohen, por pak flitet pse ndodhin dhe si mund të shmangen në të ardhmen. Nëse nuk analizohen shkaqet, është vështirë të kemi zgjidhje, pasi problemi nuk është i ri. Ai ka ekzistuar edhe para shume vitesh, dhe do të mund të jetë prezent përsëri nëse nuk atakohet atje ku origjinon – përgjegjshmëria… në marrëdhëniet kontraktuale, menaxhimi i angazhimeve. Vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi të shohim të plotë tablonë e problematikës. Me këtë dua të sjell në vëmendje që nuk janë të vogla edhe detyrimet e papaguara të kompanive njëra me tjetrën apo detyrimet e tjera që s’kanë të bëjnë me punët publike, por lihen jashtë diskutimit për arsye nga me të ndryshmet, në varësi nga këndvështrimi i personit/subjektit që diskuton për këtë.

Duhet të kemi parasysh se shumica e këtyre detyrimeve janë akumuluar dy vitet e fundit me reduktimet në buxhet (ndërkohë që në vitet e mëparshme kishim buxhete shtesë) dhe përgjatë këtyre dy viteve janë paguar shumë prej tyre, saqë në buxhetin e njësive publike (institucioneve kontraktuese) në të shumtën e rasteve projektet në vazhdim zënë 90 për qind të buxhetit të investimeve. Për më tepër, shumë institucione kanë bërë axhustimet e mundshme, por jo të gjitha dhe jo në masën e duhur.
Detyrimet ende të pashlyera duhet të shlyhen dhe për këtë të gjitha zgjidhjet do të rezultojnë në dy opsione: a) duke i bërë pjesërisht këto detyrime pjesë të buxhetit të shpenzimeve kapitale për vitin/periudhën e ardhshme; b) duke rritur huamarrjen e huaj/brendshme, pra duke i mbuluar me huamarrje shtesë. E thënë në mënyrë të përmbledhur, çdo zgjidhje do të rezultojë në njërën nga këto mënyra të përmendura më lart dhe optimumi do të ishte kombinimi i të dyjave dhe shtrirja në kohë në të paktën në dy vite buxhetore. Kjo në të mirë të neutralizimit/zbutjes se efekteve anësore që mund të shoqërojë këtë proces.
Gjykoj që shqetësimi duhet të shkojë tej zgjidhjes së momentit/rastit, por të bëhen hapa për zgjidhjen afatgjatë në sistem brenda ambientit të të bërit biznes. Këtu kam parasysh çështje të tilla madhore për t’u adresuar dhe ku secila prej tyre mund të zbërthehet në më shumë veprime/masa, por kryesisht ato të karakterit ligjor, duke forcuar më shumë zbatimin e praktikave më të mira, përgjegjshmërisë menaxheriale, përmirësimin e respektimit të marrëdhënieve kontraktuale. Duhet thënë që këto çështje përbëjnë një problematikë që hasim shumë dhe është një nga indikatorët ku vendi ynë renditet jo mirë në raportet/indekset e doing business etj. Pra, këtu qëndron dhe problemi afatgjatë për t’u atakuar dhe që është një element i përmirësimit të klimës së biznesit në tërësi. Me fjalë të tjera, sektori publik është pjesë e së tërës, pjesë e klimës së biznesit, që ka nevojë të përmirësohet.
Në Shqipëri, si në çdo vend tjetër, çdo projekt publik i shpenzimeve kapitale ndjek një procedurë të caktuar dhe të standardizuar në përgjithësi, por sidoqoftë, njësitë tona publike, institucionet (universitetet, spitalet, njësitë vendore etj.) kanë pavarësi në aktivitetin e tyre dhe rrjedhimisht edhe në programimin e projekteve kapitale. Gjithashtu, kanë një pavarësi të madhe edhe në aspektin mbikëqyrës të tyre. Përmendim këtu pushtetin vendor dhe universitetet janë totalisht të pavarura edhe në aspektin mbikëqyrës (Këshilli i Njësisë Vendore, Këshilli Administrativ etj.), pra qeveria qendrore në shumicën e rasteve nuk ka kontroll mbi masën e marrëdhënieve kontraktuale (angazhimeve), që këto njësi nënshkruajnë. Kjo dukuri sjell pasoja të rënda kur institucioni apo njësia vendore ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale tej çdo lloj mundësie/buxheti dhe shpeshherë kur titullarët e rinj vijnë në krye të institucioneve gjejnë një mase detyrimesh që duan vite t’i shlyejnë.
Pa e zbehur rëndësinë e respektimit, përgjegjshmërisë e marrëdhënieve kontraktuale, është gjerësisht e pranuar tashmë që projektet publike në sektorin publik mbartin gjithmonë një risk të shtuar dhe që vihet re në shumë vende dhe për shumë kohë vazhdon të evidentohet duke dhënë kështu mesazhe për gjetje zgjidhjesh më optimale.  Do të ishte me vlerë përmendja e një shembulli: Më pak se dy vite më parë NAO (National Audit Office) në Angli, një institucion (homolog me KLSH-në) që është referencë në shkallë botërore në këtë fushë, ndërmori një auditim shumë interesant për Anglinë. Nga shqyrtimi i të dhënave për disa vite në raportin përfundimtar për një periudhë disavjeçare rezultoi se 75 për qind e  projekteve të investimeve publike të përfunduara rezultonin me kosto shtesë ndaj asaj që ishte projektuar/buxhetuar. Po ashtu, 70 për qind e projekteve rezultonin me kohë shtesë për t’u përfunduar ndaj asaj të planifikuar. Ndërsa në projektet ku kishte PPP (public privat partnership), treguesi i shpenzimeve dhe kohës shtesë ishte vetëm 20 për qind. Mbi këtë bazë NAO formuloi disa rekomandime për qeverinë dhe ku më kryesori ishte që të përdorej sa më shumë përfshirja e sektorit privat në projektet publike.
Ky shembull është vetëm një ilustrim që mund të mos replikohet plotësisht në kushtet e ekonomisë sonë, por tregon në një lexim të thjeshtë, veç të tjerash, se risku/dukuria i atribuohet në masë të madhe sektorit publik edhe në vende të tilla të zhvilluara. Sigurisht, çështja e kontratave shtesë në Shqipëri është e përhapur, dhe kjo ka jo pak kontribut në volumin e detyrimeve të prapambetura. Me këtë nuk mund të themi që nuk duhen bërë kontratat shtesë, por konkluzioni është që sektori publik ka gjithmonë këtë risk të shtuar për një mori arsyesh.
Në kushtet kur si çdo lloj risku, edhe ky nuk mund të eliminohet, çështja është si mund të minimizohet, nga ana tjetër të matet e të rritet përgjegjshmëria e agjencive publike dhe organeve/këshillave që mbikëqyrin duke bërë axhustimet e nevojshme në kohë. Menaxhimi i angazhimeve, me pak fjalë, është proces i cili duhet të bëhet pjesë e detyrueshme e agjencive publike dhe që kërkon bashkëpunimin, pranimin dhe vullnetin e të gjithëve.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan