Ku duhet të shkojmë?

Një krahasim midis sistemit amerikan dhe atij evropian në fushën e arsimit të lartë

Nga Prof. As. Artur Elezi Universiteti Amerikan, Washington DC, USA, botuar në gazetën Tema, 8 gusht 2013

Në një shkrim të titulluar “Disa mendime mbi arsimin e lartë”, botuar më 28 korrik të këtij viti në gazetën Tema, paraqita disa mendime mbi zhvillimin e arsimit të lartë. Në atë artikulli hodha idenë se shkëputja nga politika nëpërmjet pavarësisë institucionale dhe konkurrenca e universiteteve sipas modelit amerikan përbëjnë bazën e një zhvillimi cilësor te sistemit të arsimit të lartë dhe minimizojnë efektet korruptive të këtij sistemi.

Në vazhdim të kësaj ideje, më poshtë paraqes një analizë krahasuese të sistemeve universitare europiane dhe amerikane duke konkluduar në epërsinë e këtij të fundit. Motivimi për idetë e paraqitura në këto dy shkrime buron nga premisat e mëposhtme, të cilat shpresoj se lexuesit i pranojnë:

-Sistemi universitar shqiptar ka nevojë minimalisht për një “shkundje” dhe idealisht për një rikonceptim themelor.

-Nëse mendojmë dhe ëndërrojmë me guxim dhe përkushtim për të zgjedhur rikonceptimin, atëherë është logjike që të frymëzohemi dhe të përshtasim sistemin më të suksesshëm.

Dëshiroj të theksoj se konkluzioni mbi epërsinë e sistemit amerikan, nuk nënkupton as nënvlerësim e aq më pak mungesë respekti ndaj sistemit europian të arsimit të lartë – është absurde për këdo që të marrë përsipër një opinion të tillë! Përkundrazi, traditat dhe arritjet e këtij sistemi janë një thesar i qytetërimit botëror. Ishte Europa ajo që i dha jetë universitetit të parë në Bolonjë në 1088. Që nga ajo kohë, universitetet europiane kanë qenë dhe mbeten shtylla të mendimit akademik, të ideve të mëdha për zhvillimin ekonomik botëror dhe të emancipimit qytetar. Krahasojmë pra, dy sisteme mjaft të zhvilluara e të sofistikuara.

1. Pak histori – diferencat konceptuale në themelimin e universiteteve. Historia e hulumtimit shkencor e ka zanafillën në Greqinë e lashtë me Akademinë e Sokratit dhe Platos në Athinë. Zyrtarisht Europa mori autorësinë e krijimit të universitetit të parë modern si institucion i arsimit të lartë me themelimin e Universiteteve të Bolonjës rreth vitit 1088 dhe Oxford-it në 1096. Kurrikula fillestare universitare përbëhej nga shtatë “artet e lira”: gramatika, logjika, retorika, aritmetika, gjeometria, muzika dhe astronomia. Misioni i universiteteve ishte edukimi i studentit me virtyte dhe njohuri të përgjithshme, të denjë për të marrë pjesë në jetën civile dhe shoqërore.  Eksperienca universitare u konceptua më tepër si zhvillim intelektual i subjektit (studentit) sesa si studim dhe njohje utilitare e realitetit. Natyrisht pra, koncepti europian i universitetit në themelim dhe për një kohë të gjatë ishte elitar, pra për të edukuar elitën e shoqërisë. Duke lëvizur kronologjikisht: Anglia krijoi të parat universitete (Oxford dhe Cambridge)mbi bazën e “kampusit” – qendra të vogla komunitare ku akademikët grumbulloheshin për të bashkëpunuar e debatuar në sipërmarrjet e tyre shkencore ndërsa Gjermania i hapi udhën modelit të universitetit “shkencor” – ku në ndryshim nga modeli anglez, aktiviteti i mirëfilltë shkencor mori përparësi në raport me edukimin e studentëve.

Sistemi amerikan i arsimit të lartë është relativisht i ri krahasuar me analogët e tij europianë. Me ndërtimin e mëvonshëm të këtij sistemi, USA shfrytëzoi traditën europiane dhe e kombinoi atë me prakticitetin dhe utilitarizmin amerikan. Ndërsa Europa e filloi traditën universitare mbi bazën e elitizmit, qasja amerikane ndaj arsimit të lartë e konsideroi si thelbësor edhe demokratizimin e aksesit në këtë sistem për masat e gjëra. Krahas universiteteve te ngritura mbi bazën e stilit europian, në një seri aktesh të tipit “Land-Grant”, pra “Falje Toke”, të Kongresit Amerikan gjatë shekullit të 19-të, qeveria federale u dhuroi shteteve të konfederatës amerikane hapësira tokësore të caktuara për krijimin e universiteteve me degë studimi të praktikës së përditshme si p.sh. bujqësi, blegtori, teknologji, industri etj. Nga vetë mënyra e konceptimit,degët e studimit që ofronin këto universitete ishin më afër realitetit të përditshëm dhe për pasojë u shërbenin direkt masave të gjëra punonjëse amerikane.

Si kuriozitet, identifikimi i universiteteve që u krijuan mbi bazën e akteve të mësipërme mund të bëhet përgjithësisht nga emri. i tyre. P.sh. shteti i Floridës midis të tjerash ka edhe dy universitete të emërtuar Universiteti i Floridës dhe Universiteti Shtetëror i Floridës. E pra, ky i fundit është themeluar pikerisht mbi bazën e akteve të tipit “Land-Grant”.

Një nga konditat e përfitimit nga këto akte federale ishte demonstrimi nga ana e shteteve përkatës se raca nuk përbënte asnjë faktor në pranimin e studentëve në këto universitete, madje dhe më mirë: disa nga universitetet e ngritura në tokat e falura federale duhej t’i shërbenin ekskluzivisht racave apo minoriteteve të caktuara. Që në fillim, pra, hartuesit e sistemit të arsimit të lartë amerikan  u përkujdesën që ky sistem të ishte jo vetëm cilësor por edhe i hapur ndaj gjithë shtresave, racave dhe minoriteteve të ndryshme.

Gjithsesi, për një kohë të gjatë deri në luftën e dytë botërore universitetet europiane mbetën idhulli i modelit të zhvillimit të arsimit të lartë qoftë nga mënyra e administrimit ashtu dhe nga reputacioni shkencor në radhët e akademikëve.

2. Ekonomia e informacionit dhe roli i universiteteve – Europa humbet statusin e kryesuesit në fushën e arsimit të lartë. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos gjatë tre dekadave të fundit ka një tranzicionin gradual nga ekonomia e burimeve materiale natyrore, bujqësisë apo punës së krahut drejt ekonomisë së diturisë dhe informacionit në kushtet e globalizimit masiv botëror. Kjo ekonomi e re, kërkon jo vetëm një angazhim të madh shkencor cilësor për të shtyrë kufijtë e njohjes dhe informacionit por edhe edukimin e gjerë të kapacitetit punëtor që operon ne këtë ekonomi informacioni. Për pasojë, si lokomotiva udhëheqëse të kësaj ekonomie të re,sfida e universiteteve është që jo vetëm të jenë në krye të zhvillimeve shkencore, por edhe të rrisin aksesin universitar të shtresave të gjera të popullsisë me qëllim aftësimin  e tyre në përputhje me kërkesat e tregut të punës në këtë ekonomi të re. Si ju përshtatën sistemet universitare europiane dhe amerikane kërkesës për cilësi dhe masivizim të këtij tranzicioni ekonomik?

1. Cilësia e kërkimit shkencor. Te tre klasifikimet profesionale që pranohen dhe citohen gjerësisht tregojnë se sistemi universitar amerikan është më i avancuar për nga cilësia e kërkimit shkencor në përballimin e sfidave të ekonomisë së informacionit.

Instituti i Arsimit të Lartë pranë Universitetit Jiao Tong të Shangha-it rendit universitetet mbi bazën e disa kritereve objektive si numri i fituesve të çmimit Nobel, përqindja e artikujve shkencore në revistat me reputacion ndërkombëtar, frekuenca e referimit të artikujve të publikuar, etj. Në klasifikimin e vitit 2012,universitetet amerikane zënë 17 nga 20vendet e para ndërsa ato europiane vetëm 2, po kështu 36 universitete amerikane renditen midis 50 më të mirëve ne krahasim me 10 universitete Europiane. Rezultate të ngjashme paraqiten edhe në klasifikimet e “Times Higher Education” dhe ”Quacquarelli Symonds”, që së bashku me atë të cituar më lart përbëjnë tre klasifikimet më të cituar. Në renditjen universitare të vitit 2009 hartuar nga “Wall Street Journal” mbi bazën e numrit të përgjithshëm të fituesve të cmimit Nobel, universitetet amerikane zënë 8 nga 10 vendet e para, 2 të tjerat janë europiane. Përsa i përket gjendjes aktuale: midis fituesve të çmimit Nobel që ende jetojnë, rreth 70% e tyre e zhvillonin aktivitetin shkencor në universitetet amerikane në kohën e fitimit të këtij titulli. Rreth 30% e artikujve në fushat e shkencave ose inxhinierike dhe rreth 44% e artikujve me referim më të madh kanë për autorë studiues që punojnë në universitete amerikane.

Diferenca në krijimtarinë dhe produktivitetin shkencor midis universiteteve amerikane dhe atyre europiane është pra e qartë.

2. Masivizimi i prurjes studentore. Epërsia cilësore e sistemit amerikan të arsimit të lartë është arritur pa hequr dorë nga masiviteti, përkundrazi. Le t’u referohemi statistikave – gjë e cila nuk eshtë kaq e thjeshtë sepse ato janë të shumta dhe zgjedhja e statistikave më domethënëse është problem thelbësor dhe i vështirë.  Sidoqoftë, sipas Zyrës së Statistikave të Punës në Shtet e Bashkuara, rreth 66% e atyre që mbaruan shkollën e mesme në vitin 2012 janë regjistruar në universitete. Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi se 57% e popullsisë mbi 25 vjeç kanë përfunduar një pjesë të studimeve universitare, rreth 31% zotërojnë një diplomë universitare, ndërsa rreth 11% zotërojnë një diplomë pasuniversitare. Në raportin vjetor të vitit 2010 të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), rreth 40% e moshës aktive 25-64 vjeç në SHBA zotëron një diplomë dy apo katër vjeçare universitare, shifër kjo më e lartë se e çdo vendi europian. Sipas të njëjtit raport, përqindja e grupmoshës 55-64 vjeç me diplomë dy apo katër vjeçare universitare është rreth 40%, përsëri më e lartë se ajo e cdo vendi europian. Ndërsa sipas statistikave të vitit të kaluar, për grupmoshën 25-34 vjec, kjo përqindje për USA është 32.8%, vetëm Norvegjia dhe Anglia kanë përqindje më të larta. Këto të dhëna dëshmojnë se sistemi amerikan i arsimit të lartë është përgjithësisht më i suksesshëm në hapjen e dyerve të universiteteve për shtresat e gjëra të popullsisë.

3. Mënyra e organizimit – çelësi i suksesit të sistemit amerikan të arsimit të lartë. Cilat janë arsyet që e bëjnë arsimin e lartë amerikan kaq të suksesshëm si në cilësi ashtu edhe në masivizim?

(a)  Sigurisht shpenzimet financiare për këtë sektor janë një faktor i rëndësishëm. USA shpenzon rreth dy herë më shumë se vendet e tjera të OECD-së (22,000 dollarë për student krahasuar me rreth 10,000 në vitin 2001). Sidoqoftë, shkalla e shpenzimeve ndihmon por nuk i zgjidh të gjitha problemet.

(b)Vlerësimi dhe pasioni i shoqërisë për edukim gjithashtu është i rëndësishëm. Vlen të kujtojmë se Kolegji i Harvardit u themelua në 1636, më pak se dy dekada pas mbërritjes së Pelegrinëve dhe Puritanëve të parë në Amerikën Veriore!

(c) Faktori më i rëndësishëm mbetet mënyra e organizimit dhe e financimit të sistemit te arsimit të lartë amerikan.

Universitetet publike europiane financohen kryesisht nga qeveritë respektive të cilat ushtrojnë kontroll të madh mbi aktivitetin e tyre. Në disa vende si p.sh. Francë dhe Gjermani, akademikët konsiderohen ligjërisht si nëpunës civilë me të drejtat por edhe kufizimet e këtij statusi! Arsimimi i lartë ofrohet pothuajse falas, pjesë kjo e konceptit europian për rritjen e aksesit dhe mundësimin e masivitetit në arsimin e lartë. Sigurisht edukimi falas çon në masivitet por shoqërimi i këtij të fundit me cilësi kërkon medoemos lëvrimin e fondeve përkatëse të mjaftueshme për këtë qëllim. Kufizimet buxhetore qeveritare, sidomos në kohërat e krizave ekonomike sjellin stresimin e sistemit, gjë që zakonisht rezulton në mikromenaxhimin akoma më të lartë të universiteteve nga ana e qeverisë dhe shtetit.

Në dallim nga ky organizim, autonomia institucionale, diversifikimi i financimit të universiteteve, dhe konkurrenca e lirë midis këtyre të fundit janë në themel të funksionimit të arsimit të lartë në US.

Universitetet amerikane përgjithësisht gëzojnë një autonomi institucionale nga pushteti qendror dhe politika në menaxhimin e tyre shkencor, pedagogjik dhe financiar. Janë vetë universitetet që zgjedhin ekipet e tyre drejtuese, identifikojnë dhe rekrutojnë projekte shkencore dhe burime private të financimit, rekrutojnë pedagogët dhe studentët, përcaktojnë rrogat e punonjësve, bëjnë shpërndarjen e brendshme të fondeve etj. Efekti i delegimit të kompetencave dhe përgjegjësive konsiston në rritjen e iniciativës dhe çlirimin e energjive krijuese të ekipeve drejtuese të universiteteve, në përkushtimin për politika zhvillimi që mbrojnë dhe avancojnë interesat strategjike të institucioneve përkatëse, në një fleksibilitet dhe zhdërvjelltësi më të madhe për t’iu përshtatur kushteve të ndryshueshme ekonomike.

Sistemi i arsimit të lartë amerikan karakterizohet nga një kapilarizim i konkurrimit të vazhdueshëm dhe për gjithçka: konkurrojnë universitetet midis tyre për rekrutimin e trupit pedagogjik dhe studentor, për tërheqjen e fondeve nga të gjitha burimet, për projekte të ndryshme qeveritare apo private etj. Konkurrojnë njësitë e ndryshme brenda universitetit për fonde, për hapjen e pozicioneve të reja pedagogjike, për pozicionimin strategjik të njësisë së tyre etj. Konkurrojnë pedagogët midis tyre për udhëheqjen e studenteve më të mirë, për futjen e lëndëve të reja, për idetë e tyre në zhvillimin e njësisë e kështu me radhë. Eshtë kjo konkurrencë dhe frika e ngeljes prapa që çliron kapacitetet më krijuese të administratorëve apo të trupës pedagogjike; në kushtet e autonomisë institucionale mbijetesa dhe destinacioni janë në duart e vetë institucioneve.

Struktura e arsimit të lartë amerikan ka formën e një piramide dinamike në kulm të së cilës qëndrojnë universitetet e kërkimit shkencor dhe në bazë kolegjet dy vjeçare komunitare. Çdo student potencial gjen vendin e tij në këtë piramidë, në përputhje me interesat dhe mundësitë financiare. Në brendësi të kësaj piramide ka marrëveshje, varësi e ndërveprim, që sigurojnë midis të tjerash navigimin e studentëve nga baza drejt majës. Kjo maksimizon identifikimin e talenteve, u mundëson atyre navigimin dhe u minimizon koston individuale të edukimit.

Burimet e financimit të arsimit të lartë amerikan janë mjaft më të diversifikuara. Një pjesë e mirë e financimit sigurisht vjen nga qeveria, por kompanitë private, shtresa e ish të diplomuarve, apo filantropët/dhuruesit individuale janë gjithashtu burime të rëndësishëm financimi. Eshtë me vlerë të përmendim këtu se në vitin 2011 vetëm kontributet individuale për institucionet e arsimit të lartë kapën shifrën 30.2 miliardë dollarë, me një vlerë mesatare prej rreth 9.4 milion dollarë për secilin prej 3200 institucioneve të tilla. Në dallim nga homologët europiane, universitetet amerikane janë me pagesë të konsiderueshme. Shoqëria ka krijuar bindjen se pagesa për shkollim është jo vetëm themelore për rritjen cilësore të universiteteve por edhe një investim kapital për të ardhmen. Sigurisht, në  kushtet e konkurrencës së fortë, ka presion dhe tendencë për rritjen e pagesave studentore. Ky është një fenomen që vitet e fundit është bërë shqetësues në USA megjithëse efektet e tij minimizohen deri diku nga format e ndryshme të asistencës universitare, federale, apo burimeve të tjera. Sidoqoftë, kjo është një çështje që kërkon kujdes dhe duhet patur parasysh nga vendet të cilat kërkojnë të adoptojnë sistemin amerikan të arsimit të lartë.

Në përfundim të këtij shkrimi theksoj një ide që mendoj se ka shumë rëndësi në kushtet aktuale të arsimit të lartë shqiptar. Diversifikimi i kompetencave, përgjegjësive, dhe burimeve të financimit jo vetëm që rrit konkurrencën e për pasojë cilësinë, por minimizon edhe mundësinë e shfaqjeve korruptive në sistem. Në fakt ky është një parim i përgjithshëm: korrupsioni si fenomen është më i mundur në sistemet ku ka përqendrim të madh të fuqisë menaxhuese dhe financiare në duart e një apo pak individëve apo institucioneve.

Në mbyllje të ciklit të ideve të këtyre dy shkrimeve, besoj se nuk është ndonjë surprizë e madhe të konkludoj që jam mbështetës i fortë i idealizmit të rikonceptimit të sistemit universitar shqiptar mbi bazën e modelit amerikan. Sidoqoftë,zbatimi me përpikmëri dhe me përkushtim i çdo modeli që mund të zgjidhet është shumë më i dobishëm sesa “shartimi” i pamenduar i elementëve të ardhur nga sisteme të ndryshme. Nuk kemi aspak kohë për eksperimentime, ky proces duhet mbaruar dje…


    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi