McCormack: Fushata, shteti duhet të ndahet nga partia

Intervistë për Deutsche Welle e shefes së misionit vëzhgues ndërkombëtar të OSBE/ODIHR

Kryesuesja e misionit vëzhgues ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, Conny McCormack deklaroi dje se çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon shumicë të cilësuar prej 5 anëtarësh në KQZ. Në një intervistë për Deutsche Welle, McComarck theksoi se situata në KQZ po ndikon në vendimarrjen e deritanishme, pasi sipas saj disa vendime, në bazë të ligjit, duhet të merren me pesë anëtarë që bien dakort ose ndryshe të merren me shumicë të cilësuar dhe jo me një shumicë të thjeshtë.

Znj.McCormack, a janë zbatuar ligjet deri tani? Mund të ilustroni opinionin tuaj me gjetjet nga misioni vëzhgues? 

Ka një lloj mjegullimi të kufinjve, të përcaktuara me ligj, në marrdhëniet mes politikes dhe shtetit. Kuadri ligjor përfshin të gjitha aspektet e zgjedhjeve. Në pjesën e tyre më të madhe, në përgjithësi, ato po ecin mirë. Por ka disa që nuk ecin dhe mendoj që disa herë njerëzit përqëndrohen pikërisht tek ato, por nuk duhet humbur “pamja” si një e tërë , “peisazhi” në tërësi, pasi ajo ka rëndësi në kuptimin e procesit.

Pra, kuadri ligjor për zgjedhjet në përgjithësi po zbatohet?

Në kuptimin e çuarjes para të procesit zgjedhor ka disa afate ligjore që nuk janë respektuar dhe kjo nuk është në përputhje me ligjin. Por në përgjithësi mund të them që procesi zgjedhor duket se po shkon përpara brenda një kuadri ligjor të arsyeshëm.
Misioni juaj ka shprehur shqetësim për situatën në KQZ, konkretisht lidhur me aftësinë e tij për të administruar zgjedhjet sipas ligjit apo për raste kur vendimeve të tij u mungon një “motivim i saktë ligjor”. A mund të ndikojë kjo situatë në besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe standardet për zgjedhje demokratike, të cilat për Shqipërinë janë kushti kryesor për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE?

Situata në KQZ është në mendjen e të gjithëve dhe në media prej shumë javësh por ajo nuk ka ndryshuar: në vend të 7 anëtarëve që duhet të ishin janë vetëm katër që i përkasin të njëjtës parti politike. Kjo situatë, ashtu si e kemi vënë në dukje, po ndikon në vendimarrjen e deritanishme, pasi disa vendime, në bazë të ligjit, duhet të merren me pesë anëtarë që bien dakort ose ndryshe të merren me shumicë të cilësuar dhe jo me një shumicë të thjeshtë. Në raportin tonë paraprak, kemi theksuar se kjo kërkesë e ligjit nuk është zbatuar disa herë pasi KQZ nuk ka pesë anëtarë dhe ka marrë vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar duke përdorur justifikime racionale sipas të cilave është në rregull marrja e vendimeve me 4 anëtarë. Gjithsesi ligji është shumë i qartë dhe mendoj që çështja për ne dhe këdo tjetër është që zgjedhjet po afrohen dhe vendimi se kush do t’i fitojë ato, çertifikimi i rezultatit kërkon qartësisht një shumicë të cilësuar prej pesë anëtarësh. Ky është thelbi i çështjes. Pra, ka disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar prej pesë votash por më i rëndësishmi prej tyre, që është në mendjen e gjithkujt, është çertifikimi i rezultatit. Ndërsa lidhur me rastet kur vendimeve të KQZ u mungon motivimi ligjor dëshëroj të sjell si shembull rastin e vendimit për rikompozimin e 89 KZAZ-ve. Ligji është i qartë, ai parashikon një listë të gjatë arsyesh për të ndryshuar anëtarësinë e këtyre komisioneve. Por aty nuk përfshihet asnjë arsye ligjore për rikompozim të Parlamentit. Por Parlamenti u rikompozua kur Lëvizja Socialiste për Integrim kaloi në koalicionin tjetër. 9 KZAZ me urdher të KQZ u rikompozuan dhe anëtari i Partisë për të Drejtat e Njeriut u largua dhe u zëvendësua me një anëtar nga Partia Republikane. Ky është një shembull i një vendimi që nuk ka motivim ligjor dhe që tregon se pas tij ka motive politike. Natyrisht që KQZ duhet të funksionojë, askush nuk dëshëron që ky komision të ndalojë së funksionuari, ju doni të bëhen zgjedhjet dhe ato nuk mund të bëhen pa një strukturë drejtuese si KQZ, për këtë nuk ka alternativë tjetër. Por misioni ynë ka paraqitur faktin që KQZ ka marrë disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe po ecën drejt skadimit të disa afateve të tjera ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar. Dhe nuk do të arrijë t’i kapë këto afate nëse kompozimi i KQZ nuk përshpejtohet në kohën që ka mbetur deri në 23 qershor.

Veç situatës në KQZ, misioni juaj ka gjetur shqetësuese në raportin paraprak edhe polarizimin politik apo mungesën e besimit mes dy partive kryesore PD-PS. Të gjitha së bashku a mund të çojnë përsëri në kontestim të rezultatit të këtyre zgjedhjeve?

Shqipëria ka një histori zgjedhjesh me rezultat të ngushtë, me një diferencë të ngushtë mes palëve dhe natyrisht, mendoj që kjo krijon një atmosferë tjetër nga ajo kur fitorja është e qartë. Pra kërkon të thuash që në kushtet e një KQZ, jo të plotë, me vetëm 4 anëtarë, njerëzit nuk do të besojnë rezultatin e shpallur prej tij? Por rezultati nuk është vetëm në dorë të KQZ; ai varet edhe nga ajo se çfarë do të ndodhë në procesin e numërimit, si do të shkojë ky proces. Ndërkohë që procesi i numërimit në Shqipëri është shumë i hapur, lejon vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë, askush nuk mundohet të mohojë aksesin e tyre, që mendoj se është një komponent kyç i besueshmërisë së publikut. Gjithë qendrat e votimit kanë kamera TV, ekrane që tregojnë se si ecën votimi, nëse vota është hedhur. Në kuptimin e transparencës procesi është jashtëzakonisht i mirë, këtë shumë vende nuk e kanë, përfshirë edhe vendin tim, SHBA. Kontestim i zgjedhjeve ndodh në të gjitha ato vende ku rezultati i zgjedhjeve është shumë i ngushtë. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë më 23 qershor

Përkufizimi “zgjedhje të lira dhe të ndershme” do të thotë përmbushje e standarteve të OSBE-së dhe atyre ndërkombëtare për zgjedhje dermokratike, apo jo? Cilat janë këto standarte? 
Një nga kriteret që OSBE/ODIHR-i ka vënë në dukje në raportin paraprak është aksesi pa pengesë i medias në procesin zgjedhor. Kemi vënë në dukje p.sh. që media lejohet të pasqyrojë një takim elektoral, por nuk lejohet të futet në ndërtesa ku ndodh një aktivitet i tillë, apo dhënia tek media e kasetave të gatshme. Është e qartë që të tilla episode nuk përmbushin standartet, kriteret. Një tjetër standart është ndarja e qartë e shtetit nga partitë politike. Në fushatën elektorale të deritanishme kemi vërejtur raste kur kjo nuk është përmbushur, kur në inagurime rrugësh dhe objektesh slogane të fushatës, flamuj të partive janë bërë pjesë e një ngjarjeje zyrtare, qeveritare

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi