Aspekti detyrues i procedurave parlamentare

Philip Norton – (Lordi Norton nga Louth) është Profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Hull-it. Ky artikull përbën një version të rishikuar të një kreu. “Procedurat Parlamentare: Fuqia e fshehtë?”. 

Procedura Parlamentare, në të shumtën e rasteve, nuk është konsideruar si  detyruese për Qeverinë. Zhvillimet politike në Mbretërinë e Bashkuar dhe përqendrimi skolaresk (i diskutuar) tek institucionet sigurojnë bazën për rivlerësimin e pasojave të procedurave në Parlamentin Britanik. Procedura në të dy Dhomat e Parlamentit ka rrënjë të thella dhe është e institucionalizuar. Mundësia e rregullave procedurale për të penguar qeverisjen ilustrohet nëpërmjet shembujve empirikë. Teoria e zgjedhjeve racionale dhe institucionalizmi historik përdoren për të shpjeguar përse rregullat jetojnë gjatë, pavarësisht faktit se Qeveria i ka burimet politike për t’i ndryshuar ato. “Çmimi” i ndryshimit mund të jetë tejet i lartë për Qeverinë nga pikëpamja e kohës dhe burimeve intelektuale, nga pikëpamja e çmimeve që duhet të paguajë në të ardhmen dhe legjitimitetit. Si rrjedhojë, procedura është e rëndësishme.

Sër Kenneth Pickthorn ishte anëtar i Dhomës së Komunave në Britani nga viti 1935 deri më 1966. Ai ishte një studiues, karriera politike e të cilit arriti kulmin gjatë kohës kur qe ministër i ri në Ministrinë e Arsimit për tre vjet. Arsyeja kryesore që e bëri të famshëm ishte një koment i tij kur foli në Dhomën e Komunave më 8 shkurt 1960. “Procedura” tha, “është gjithçka që ka britaniku i varfër tani kur çdo Qeveri, që ka në dorë 51 për qind të votave në Dhomën e Komunave, mundet që, në çdo çast, të bëjë çfarë të dojë me qëllime retrospektive ose perspektive.”1

Ai futi një të vërtetë thelbësore në sistemin politik britanik, por që nuk është vlerësuar kurrë si duhet. Ndërsa është pranuar si një aksiomë fakti që një Qeveri, e sigurt në shumicën Parlamentare, mund të mobilizojë shumicën për të mbështetur propozimet e saj legjislative, rrallë janë vënë në pah pasojat që kanë procedurat për ta penguar Qeverinë të arrijë rezultatet që dëshiron.

Me këtë nuk dua të them se procedurat janë neglizhuar në studimin e Parlamentit, ndonëse janë parë përgjithësisht nga këndvështrimi i përshtatshmërisë. Pra, procedurat janë përshtatur, zakonisht për t’u bërë ballë trusnive nga jashtë institucionit. Kështu, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, rritja e elektoratit krijoi trysni që sollën një kohezion më të madh votues midis partive parlamentare, një opozitë më të organizuar dhe përshtatjen e procedurave për të lehtësuar sundimin e ekzekutivit.2 U fut procedura e mbylljes, për të bërë të mundur përfundimin e debateve, po ashtu, u futën edhe mocionet e afatit kohor (gijotinës). U forcuan të drejtat disiplinore të Kryetarit të Parlamentit. U bënë ndryshime të tjera që patën efektin e kufizimit të mëtejshëm të pushtetit të individit ose të grupeve të vogla të anëtarëve, për të ngritur ose ndjekur çështje. Shumë prej ndryshimeve u bënë për të kundërshtuar pengesat që krijonin anëtarët irlandezë nacionalistë – siç ka vënë në dukje Josef Redlich – ndonëse veprimet e anëtarëve irlandezë ndihmuan për përshpejtimin e reformave, megjithatë, ata nuk qenë shkaku i vërtetë për to: “Forca e vërtetë shtytëse vinte nga ndryshimet në vetë natyrën e Qeverisë Britanike’.”3

Reforma të tjera pasuan, por ato më të rëndësishmet ndodhën më 1888 (standardizimi i reformave), më 1902 (të dhënit përparësi programit të punës së Qeverisë, me përjashtim të momenteve të caktuara) dhe më 1907 (dërgimi i projektligjeve, gjatë fazës së komisioneve, në komisionet e përhershme ad hoc, si normë e përhershme, përveç rasteve kur Dhoma votonte ndryshe). Në fillim të shekullit të njëzetë, Redlich mundi të vërejë tri prirje të qarta në çerekshekullin e shkuar. Këto ishin forcimi i pushtetit të Kryetarit të Parlamentit, zgjerimi i vazhdueshëm i të drejtave të Qeverisë në drejtimin e të gjithë veprimtarisë parlamentare, dhe shtypja e anëtarëve private, si për sa i përket nismës ligjvënëse, ashtu edhe gamës së veprimit që lejonte rregullorja. “Asnjëra prej të trijave nuk është rrjedhojë e ndonjë përpjekjeje të qëllimshme; të gjitha erdhën si rrjedhojë e kërkesave politike.”4

Studimet kanë qenë të vlefshme dhe të rëndësishme – Redlich ishte një prej vëzhguesve më të vëmendshëm të ndryshimeve Parlamentare – por kanë anuar nga përforcimi i perceptimeve të shekullit të njëzet për “dobësimin” parlamentar. Tiparet kryesore të modelit të Westminster-it për qeverisjen, që rridhnin nga pasojat e Revolucionit të Lavdishëm të vitit 1688-89 dhe krijimit të një zgjedhësi masiv në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e bënë më të lehtë sundimin e Qeverisë. Për sa kohë që partia në pushtet ka shumicën në Dhomën e Komunave, në një masë të madhe është e lirë të bëjë si të dojë. Kjo ishte baza e tezës së Lordit Hailsham për diktaturën me zgjedhje.5  Nga ky këndvështrim, mendohet se procedurat parlamentare kryesisht i shërbejnë partisë në pushtet. Qeveria mund të mobilizojë shumicën për të ndryshuar Rregulloren e Dhomës ose për të miratuar mocione për deklarimin të pavlefshme të dispozitave të caktuara të rregullores. Korrigjimet nuk mund të bëhen nga jashtë për faktin se ligji i Parlamentit është punë e vetë Parlamentit. Gjykatat, sipas doktrinës së sovranitetit parlamentar, e bëjnë të detyrueshëm zbatimin e atyre që miraton Parlamenti – kurse tani, në rrethana të kufizuara, gjykatat mund të shohin përtej procesverbaleve, për të kuptuar qëllimet e Parlamentit6 – megjithatë, ato nuk pranojnë të shqyrtojnë procedurat e përdorura nga Parlamenti gjatë miratimit të një propozimi legjislativ.

Edhe perceptimi për dobësimin parlamentar në shekullin e njëzetë lidhet me vëmendjen e studiuesve kushtuar Parlamentit. Gjatë gjysmës së parë të këtij shekulli, disiplina e shkencave politike në Britani nuk ishte aq e zhvilluar.7 Në të vërtetë, nga pikëpamja institucionale pothuaj nuk ekzistonte. Madje, edhe vetë natyra e kësaj shkence vihej në diskutim, parapëlqehej termi “studime politike”, ose thjesht “politika” ndaj “shkencave politike”. Me gjithë zhvillimin e kësaj disipline në vitet ‘69 dhe ‘70, Parlamenti – dhe si rrjedhojë edhe procedurat e tij – nuk zinin ndonjë vend të madh në studimet e bëra. Për ata që merreshin me studime politike, Parlamenti kishte pak rëndësi. Sipas Richardson-it dhe Jordan-it, që kanë shkruar në 1979, “Rëndësia e Parlamentit… qëndron pikërisht te parëndësia e tij.”8  Politikëbërja ishte detyrë vetëm e Qeverisë. Roli i Parlamentit ishte të jepte miratim për politikat, kështu që shumica e një partie bënte çmos të siguronte që miratimi të mos mungonte. Mekanizmi i dhënies së miratimit kishte pak rëndësi.

Ata që merren me analiza politike e përqendronin vëmendjen tek ajo që ndodhte para debatit Parlamentar. Për juristët konstitucionalistë, rëndësi kishin ato që miratonte Parlamenti. Gjykatat i bënin të zbatueshme aktet e Parlamentit. Por, pikërisht këto akte, sipas përshkrimit që i bën Dicey sovranitetit Parlamentar, nuk mund të anuloheshin nga asnjë organ tjetër përveç vetë Parlamentit.

Gjithsesi, mospërfillja e Parlamentit ka qenë e pjesshme, jo e plotë. Strukturat dhe procedurat e Parlamentit nuk kanë qenë krejtësisht jashtë vëmendjes së studiuesve, të cilët janë përqendruar vetëm tek të përsiaturit e tyre. Gjatë viteve ‘60, u rrit numri i politikanëve dhe akademikëve që kritikonin kapacitetin e kufizuar të Dhomës së Komunave, për të vepruar si organ kritik kontrolli. Dhoma u vu në qendër të një fryme të përgjithshme skepticizmi, që u përgjithësua në një seri librash Pinguin të titulluar “What is wrong with [Cfarë nuk shkon në]…” Seria për Parlamentin, What is Wrong with Parliament, u shkrua me pseudonime nga dy sekretarë të Parlamentit.9 Gjysma e dytë e dekadës qe dëshmitare e reformave të ndryshme të procedurave, të quajtura Reformat Crossman, sipas emrit të Kryetarit të Dhomës, Richard Crossman. Reformat u përpoqën të vendosnin një ekuilibër midis masave që kishin për qëllim t’i jepnin mundësi Qeverisë të mbaronte punë më shpejt dhe atyre që synonin t’i jepnin mundësi Dhomës ta kontrollonte Qeverinë në mënyrë të vazhdueshme dhe të informuar.10 Ndër këto të fundit ishte edhe eksperimenti për krijimin e komisioneve të posaçme hetimore. Dekada që vijoi qe dëshmitare e zhvillimeve më të rëndësishme në strukturën e komisioneve me krijimin e komisioneve të posaçme ministeriale më 1979.11 Ngritja e komisioneve përbënte reformën më të rëndësishme të shekullit. Më pas pati ndryshime në organizimin e mbledhjeve të Dhomës12 dhe në rregulloren e sjelljes së anëtarëve.13 Ka pasur kërkesa të tjera për reforma, sidomos në mënyrën se si i trajton ligjet Dhoma e Komunave.14 Më 1997, Dhoma pranoi një raport nga Komisioni i Posaçëm për Modernizimin, që kish për qëllim përmirësimin e kontrollit Parlamentar të legjislacionit.15

Gjeneza e reformave të Dhomës, sidomos në vitet e para, rrjedh nga shkrimet dhe trysnitë e një numri akademikësh dhe sekretarësh, që u bashkuan për të krijuar Grupin e Studimit të Parlamentit (SPG).16 Grupi është i pazakontë në atë që bashkoi studiues dhe profesionistë. Gjithashtu, ai tregon se numri i akademikëve të angazhuar në studime parlamentare ishte relativisht i vogël dhe, në rastin e akademikëve, për të cilët një studim i tillë përbënte objektivin parësor, në të vërtetë numri ishte fare i vogël. SPG u përpoq të ekzistonte si një ishull i vogël në oqeanin e shkencave politike. Vetëm gjatë viteve të fundit, mund të shihet një interes në rritje dhe më i gjerë për Parlamentin dhe procedurat parlamentare. Një pjesë e arsyes për këtë zhvillim mund të gjendet në politikën britanike; ai rrjedh nga anëtarësia e Britanisë në Bashkimin Europian dhe lidhet me debatin për natyrën e sovranitetit kombëtar dhe parlamentar. Ky debat më i gjerë është përpjekur të errësojë interesin e studiuesve për mënyrën se si Parlamentet kombëtare i janë përshtatur anëtarësimit në BE dhe lëvizjeve drejt integrimeve të mëtejshme,17 por vjen edhe për shkak të Qeverisë së zgjedhur në 1997, që ishte e angazhuar për reforma kushtetuese. Me futjen e masave të ndryshme dhe me diskutimin në Qeveri të propozimeve të ndryshme, është kuptuar gjithnjë e më mirë rëndësia e procedurave Parlamentare. Ministrave iu është dashur të drejtojnë propozime të rëndësishme për ndryshime kushtetuese nëpërmes procesit Parlamentar, i cili ka qenë larg të qenurit pa probleme. Ndonëse politikanët e kanë pranuar përshtatshmërinë e procedurave, ndonjëherë e kanë pasur të vështirë të kuptojnë premisën prej nga rrjedh përshtatshmëria; që do të thotë, se procedurat e detyrojnë Qeverinë.

Arsyeja tjetër për rritjen e interesit për procedurat është kryesisht e jashtme. Ka një interes më të madh për Parlamentin dhe procedurat e tij për shkak të një interesi të ri të studiuesve për institucionet. Institucionalizmi ka qenë subjekt i një numri në rritje veprash. Termi përfshin përqasje të ndryshme ndaj ndryshimeve institucionale (zgjedhje historike, sociologjike, dhe racionale),18 megjithatë, secila shërben të paktën për t’i vendosur institucionet përsëri në qendër të studimeve. Një pjesë e letërsisë e bazuar në zgjedhjet racionale – sidomos ajo që lidhet me përgatitjen e kalendarëve të punës së Parlamentit, rëndësinë e kohës, ndërveprimin e kufizimeve institucionale, dhe zgjedhjet e bëra nga aktorët politikë – ka qenë me rëndësi për të shpjeguar pasojat institucionale.19 Letërsia që përqendrohet në aspektet formale të institucioneve, pasojat e procedurave të vendosura, ka qenë relativisht e pakët. Megjithatë, pranohet se forma që merr një institucion nga pikëpamja e rregullave, procedurave, normave, përshtatshmërisë, dhe zbatimit të rregullave, sikurse edhe autonomia që gëzon krahasuar me institucione të tjera, ndikon në rezultatet e politikës.20

Zhvillimet politike në Mbretërinë e Bashkuar dhe përqendrimi më i madh – edhe pse pranohet se është i diskutueshëm – i studiuesve tek institucionet, sigurojnë bazën për shqyrtimin e ndikimit të procedurave Parlamentare si detyruese për Qeverinë. Teza ime është se procedurat kanë rëndësi. Procedurat mund të ndryshohen – përshtaten – për të mirën e Qeverisë, por vetë fakti i ndryshimit nënkupton se, ajo që ka ekzistuar më parë, ka qenë kufizuese për Qeverinë. Natyra e sistemit politik britanik dhe e legjislaturës së “institucionalizuar” e kufizon shkallën deri sa procedura mund të ndryshohet për të mirën e partisë në pushtet. Procedura mund të jetë gjithçka që ka britaniku i varfër, por në fakt është një armë mjaft e fuqishme.

PUSHTETI I PARLAMENTIT

Procedura është themelore për shkak se është pjesë përbërëse e sistemit Parlamentar britanik. Procesi i jep mundësi një partie të kthehet në pushtet dhe të sundojë Dhomën e Komunave. Hegjemonia e një Qeverie të zgjedhur, të sigurt në shumicën parlamentare, e kufizon Parlamentin për sa i përket vendimmarrjes, sepse deputetët kanë pak mundësi të jenë të pavarur e, si të tillë, të ndikojnë rezultatet. Gjithsesi, vetë fakti që një parti duhet të ketë shumicën në Parlament, për të zbatuar programin e saj, po ashtu e bën atë të varur nga ai institucion. Arsyeja që një parti në pushtet është e fuqishme vjen për shkak se Parlamenti i jep legjitimitet asaj dhe veprimeve të saj. Siç vë në dukje Ralph Liliband, fakti që Dhoma e Komunave zgjidhet, e bën çdo alternativë radikale të paligjshme, “sepse sugjeron se ajo që nevojitet, për të bërë një ndryshim themelor, është shumica në Dhomën e Komunave.”21

Parlamenti është, pra, i fuqishëm nga pikëpamja e këndvështrimit të tretë të Lake për pushtetin.23 Njerëzit e pranojnë legjitimitetin e sistemit Parlamentar: Qeveria zgjidhet përmes Parlamentit dhe, po përmes tij, realizon objektivat e saj. Qeveria është e fuqishme në lidhje me përcaktimin e rezultateve të politikave – dhe kjo është e qartë – por kufizohet për faktin se duhet të veprojë nëpërmjet Parlamentit.

Për më tepër, Britania, si rast tipik, dallohet për shkallën në të cilën sistemi demokratik i përfaqësimit i ka zëvendësuar ose përforcuar metodat e mëparshme të përfaqësimit. Siç ka thënë David Judge, karakteristikat jetëgjata të traditës Parlamentare në Britani janë krijuar nga kërkesat praktike dhe pasojat e procesit të përfaqësimit dhe jo nga pjesëmarrja popullore23. Tradita Parlamentare ka qenë ajo e kalimit të mendimeve nga kombi politik tek ekzekutivi.

Nëpërmes këtij procesi të thjeshtë transmetimi, janë kontrolluar qeveritë, janë miratuar veprimet ekzekutive nga përfaqësuesit e “kombit politik”, është legjitimuar të ndryshuarit e qeverive. Këto janë tiparet tradicionale të shtetit britanik. Këto janë tiparet që i kanë rezistuar kohës dhe përbëjnë themelin e shtetit modern. Ajo që ka rëndësi themelore është fakti se kanë mbijetuar në formën institucionale të Parlamentit dhe, siç vë në pah Haskins tek The Growth oof English Representative Goovernment “fenomenet më jetëgjata … janë, në përgjithësi, ato më të rëndësishmet.”24

Si mjeti i këtij transmetimi, Parlamenti është, si rrjedhojë, një tipar i rrënjosur i sistemit politik që paraprin zhvillimin e politikës së masave. Parlamenti nuk është as krijesa e një regjimi të caktuar, as faza më e vonë e historisë britanike, kurse procedurat e tij janë pjesë e brendshme e formës institucionale të Parlamentit.

Shumë nga procedurat e qenësishme që vazhdojnë të përdoren nga Parlamenti, e kanë zanafillën në shekujt e parë të ekzistencës së tij. Siç ka vënë në dukje Redlich, “Asnjë njeri që shkruan për procedurën historike të Dhomës së Komunave, nuk mund të mos vërejë veçorinë më të dukshme të saj – lashtësinë e madhe të formave dhe rregullave mbi të cilat mbështetet.”25 Shekujt e trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë kanë parë një shkallë të konsiderueshme të “artikulimit organizativ”26, duke përfshirë zhvillimin e dy Dhomave të veçanta. Redlich përcakton tri periudha deri tek Akti i Reformave të vitit 1832. Periudha e dytë mbulon sundimin e Elizabetës dhe katër sovranët e parë të dhomës së Stjuartëve. Në këtë periudhë:

– Parlamenti nisi të mblidhet me rregull, krijohet kalendari i punës së tij dhe procedurat në tërësi shfaqen në vijat e tyre themelore të përhershme… Kësaj periudhe mund t’ia atribuojmë edhe krijimin e të gjithë kalendarit historik të punës parlamentare në bazë të praktikës së Dhomës së Komunave. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se pjesa më e madhe e elementeve themelore të procedurave daton shumë më herët se ajo që dimë për procedurat e Dhomës, me fjalë të tjera, lindja dhe zhvillimi më i hershëm i tyre i takojnë periudhës sonë të parë.27

Parlamenti e përdori pushtetin e tij mbi financat për të siguruar që Mbreti të pranonte peticionet publike. Ai bëri që dhënia e votave të varej nga plotësimi i ankesave (rasti i parë i njohur është ai i vitit 1309).28 Nga këto peticione u krijuan ato që u njohën me emrin statute dhe për të cilat kërkohej miratimi i Mbretit, lordëve dhe anëtarëve të Dhomës së Komunëve, që, si rrjedhojë, dalloheshin nga urdhrat që jepeshin vetëm nga Mbreti. Ligji i statuteve shpejt i zëvendësoi urdhrat si forma më e zgjeruar i ligjit të shkruar dhe, në shekullin e pesëmbëdhjetë, detyra e të shkruarit të statuteve u kalua nga shkruesit e Mbretit, te Dhoma e Komunëve. Praktika e tri leximeve pas paraqitjes së një projektligji, duket se ka qenë një zhvillim i hershëm. Në procesverbalet e para të Lordëve dhe Komunave në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, “Kjo masë duket se është një praktikë e vjetër.”29 Të caktuarit e komisioneve për studimin e hollësishëm të projektligjeve, po ashtu është një praktikë e vjetër. Fillimisht projektligjet u jepeshin ndonjëherë për shqyrtim anëtarëve të veçantë (“Projektligji është caktuar të shqyrtohet nga Z.Fitzchamberylyn”)30 Referenca e parë zyrtare për dhënien e një projektligji për shqyrtim një komisioni të Dhomës është e vitit 1571.31

Kështu u vendosën procedurat, megjithatë ato krijonin hapësira të mëdha për anëtarët. Kishte gjithnjë shumë ligje për t’u miratuar dhe, siç do ta vinte në dukje Ronald Butt, orari i punës i lihej rastësisë, kështu që anëtarët kishin gjithnjë shumë mundësi për të ndërhyrë.32 Siç e kemi parë, u desh që procedurat të përshtateshin në shekullin e nëntëmbëdhjetë për të plotësuar kërkesat e një ere të re, gjatë së cilës Dhoma e zotëruar nga shumica qeverisëse duhej të miratonte një vëllim më të madh propozimesh të Qeverisë. Ky vëllim u zgjerua shumë si nga pikëpamja sasiore, ashtu edhe nga ajo cilësore në shekullin e njëzetë, dhe projektligjet u bënë më të gjata dhe më komplekse. Megjithatë, qëllimi kryesor që kemi këtu nuk është të vemë në dukje se procedurat u përshtatën për të plotësuar kërkesat e reja, por që procedurat ndërkohë ishin vendosur. Me fjalë të tjera, qeveritë e ndryshme që vinin në pushtet duhet të përballeshin me masa komplekse institucionale. Pikënisja e tyre duhet të ishin pikërisht këto masa, sado të pakëndshme që mund t’u dukeshin.

Shkalla e këtyre masave duket qartë po të shohim tiparet kryesore të institucionalizimit. Patterson ka nxjerrë në pah pesë tipare nga literatura për institucionalizmin – autonomia, universalizmi, kompleksiteti, koherenca dhe përshtatshmëria.33 Nga to, tri të parat lidhen veçanërisht shumë me qëllimet tona.

AUTONOMIA

Ndonëse kritikët theksojnë mungesën e autonomisë në lidhje me partinë në pushtet, Parlamenti është autonom në atë që është një organ i pavarur, me rregullat dhe rregulloret e tij. Ai është, gjithashtu, përgjegjës për përcaktimin e procedurave. Duhet bërë një dallim midis procedurave dhe veprimeve procedurale. Procedurat përmbledhin ato rregulla dhe mekanizma që Dhoma përdor për të bërë punën. Veprimet procedurale përfshijnë mënyrën se si anëtarët e bëjnë punën. Të dyja hyjnë në atë fushë veprimtarie që Dhoma e quan tërësisht të sajën. Çdo përpjekje nga organe të jashtme, duke përfshirë edhe gjykatat, për të ndërhyrë në secilën prej këtyre dy sferave, do të shkelte privilegjin e Dhomës. Ndonëse, siç kemi përmendur, për të përcaktuar qëllimin e Parlamentit, kur ka miratuar një masë të caktuar, tani gjykata mundet, që në rrethana të kufizuara, të studiojë atë që është thënë në Parlament, megjithatë, Dhoma nuk ka hequr kurrë dorë nga qëndrimi i saj se ndërmarrja e veprimeve ligjore nga gjykatat, me qëllim vënien në pikëpyetje të procedurave të saj, përbën në vetvete një shkelje privilegji.

Edhe pse një parti në pushtet mund të ketë (dhe zakonisht ka) shumicën, çështje që kanë të bëjnë me procedurat konsiderohen si “Çështje të Dhomës së Komunëve”, që do të thotë, çështje për të cilat nuk përdoren kamxhikët. Në rast se, në rrethana të veçanta, përdoren kamxhikët, për t’u mbrojtur, anëtarët e rinj disidentë të Parlamentit mund të përdorin pretendimin se këto janë çështje që historikisht i ka zgjidhur vetë Dhoma. Kryesorja këtu është se qeveri të ndryshme janë pajtuar me idenë se çështjet e procedurave kryesisht nuk janë punë e tyre, edhe pse njëri nga përfaqësuesit e tyre – Drejtuesi i Dhomës – ka përgjegjësinë t’i bëjë Dhomës propozime.

Autonomia është, po ashtu, e dukshme në formën e kryesisë. Posti ka kohë që është krijuar dhe, në vitet e para, ka qenë një problem i madh që diskutohej midis Mbretit dhe Parlamentit. Edhe pse partitë kanë rënë dakord paraprakisht se kush do të jetë në këtë post, ka pasur raste kur kjo është vendosur me votimin e Dhomës dhe kur votimi ka rezultuar (siç ka ndodhur më 1983, 1992, dhe 2000) në zgjedhjen e një kandidati që nuk e ka pëlqyer Kryeministri. Pasi vjen në detyrë, Kryetari i Parlamentit është një figure asnjanjëse, një tipar ky i dallueshëm i Parlamenteve të Westminster-it,34 duke lënë mënjanë anëtarësinë në parti dhe, në rast se kërkon të rizgjidhet, e bën këtë si “Kryetari i Parlamentit që kërkon të rizgjidhet”. Kryetari ushtron të drejta autonome për çështje disiplinore dhe për të zgjedhur amendamentet që do të debatohen dhe votohen. Por Kryetari nuk është i vetmi punonjës i Dhomës. Kryetari i Komisionit të Buxhetit – një post që daton në shekullin e shtatëmbëdhjetë – tani është edhe zëvendëskryetar, por ka edhe dy zëvendës kryetarë të tjerë, dhe që të gjithë kanë të drejtë të ushtrojnë pjesën më të madhe të të drejtave të Kryetarit; edhe Kryetari i Komisionit të Buxhetit ushtron disa të drejta të pavarura në lidhje me ligjet private35. Kushdo që ka postin e Kryetarit bën të detyrueshme zbatimin e rregullave të Dhomës.

UNIVERSALIZMI

Rregullat e Dhomës janë të zyrtarizuara dhe vlejnë për të gjithë anëtarët e Dhomës. Ministrat gëzojnë disa të drejta meqenëse janë ministra, për shembull, mocione të caktuara mund të propozohen nga një ministër i mbretërisë – kurse drejtuesve të partive politike dhe ministrave që rrijnë në rreshtat e para u jepet kohë për të folur, që nuk u jepet anëtarëve më të rinj. Tradicionalisht, anëtarët këshilltarë të Qeverisë kanë gëzuar përparësi ndaj atyre jokëshilltarë, për t’i tërhequr vëmendjen Kryetarit të Dhomës. Të gjithë anëtarët janë të barabartë në atë që secili ka vetëm një votë dhe i nënshtrohet të njëjtave rregulla të sjelljes. Një anëtar që shkel rregullat, i nënshtrohet masave disiplinore të Kryetarit, pavarësisht nëse është ministër i vjetër, ose anëtar i ri modest i Dhomës.

KOMPLEKSITETI

Procedurat e Dhomës nuk janë dalluar përherë për thjeshtësi, megjithatë, në vend që të thjeshtëzohen, rregullat, strukturat dhe burimet e Dhomës janë bërë më komplekse në shekullin e njëzetë. Një tregues i rëndësishëm i pranimit të këtij kompleksiteti u bë i njohur në shekullin e nëntëmbëdhjetë me botimin në 1844 nga Thomas Erskine i A Treatise on the Law, Proceedings and Usage of Parliament. Në kohën e botimit të tij kishte 14 urdhra të përhershëm të Dhomës; në fund të shekullit, kishte 97, ndonëse vepra e May-it ishte botuar për të dhjetën herë. Rregullat u zhvilluan më tej në shekullin e njëzetë, kurse botimi i njëzetë e dy-të i librit të Erskine May-it doli më 1998.

Kompleksiteti nuk vlerësohet vetëm nga rregullat, praktikat dhe procedurat e Dhomës. Ai duket edhe nga shkalla e burimeve. Burimet që ka në dispozicion Dhoma dhe anëtarët e saj janë rritur në mënyrë të konsiderueshme gjatë 30 vjetëve të fundit.36 Anëtarët kanë në dispozicion staf, bibliotekën, dhe shërbimin kërkimor, që më parë ose nuk ekzistonte, ose u vihej në dispozicion në një shkallë tepër të kufizuar. Përdorimi i teknologjisë së informacionit po ashtu i ka shtuar një përmasë të re burimeve parlamentare. Dhoma ka një infrastrukturë shumë më komplekse, për sa i takon komisioneve. Njëzetë vjetët e fundit kanë qenë dëshmitarë të një ndryshimi të madh në kalimin e theksit nga Dhoma në komisione; gjithashtu, Dhoma është bërë një organ më i specializuar dhe shumë më profesional. Stafi i Dhomës punon në njërin prej gjashtë departamenteve, kurse organizimi i Dhomës është bërë më i strukturuar. Tani Dhoma ka një Komision të Financës dhe të Shërbimeve, sikurse edhe katër komisione të brendshme.

Gjithashtu, Dhoma shfaq koherencë dhe përshtatshmëri si tipare të institucionalizmit të saj. Këto tipare mund të shihen si tipare që favorizojnë qëndrimin e Qeverisë, meqë ajo ka shumicën partiake në Dhomë, kështu që procedurat mund të përshtaten për të plotësuar nevojat e ekzekutivit. Megjithatë, koherenca mund të merret edhe si diçka që përfshin marrëveshje të përgjithshme për rregullat e lojës – një pikë që do t’i kthehemi – kurse të përshtaturit e procedurave është i nevojshëm për ta detyruar Qeverinë, por në të njëjtën kohë, mund të kthehet në një përfitim të mundshëm për Qeverinë.

Pika kryesore është se Dhoma e Komunave është një institucion i zhvilluar, e cila, edhe pse mund të mos ketë autonominë ose kompleksitetin e disa legjislaturave të tjera, ka veçori institucionale që nuk mund t’i hiqen kollaj.

PASOJAT

Procedurat Parlamentare dhe normat që u kanë dhënë formë atyre janë, pra, siç shihet, tipare të rrënjosura thellë të sistemit politik britanik. Të thuash se procedurat dhe normat janë të rrënjosura thellë, nuk do të thotë të provosh se ato e detyrojnë Qeverinë. Për të parë si realizohet kjo gjë, duhet të përcaktojmë mënyrat, nëpërmes të cilave procedurat e detyrojnë Qeverinë, dhe këto janë tre.

Së pari, procedurat kushtëzojnë mënyrën e sjelljes së një Qeverie. Ministrat zbatojnë kërkesat që rrjedhin nga procedurat zyrtare të Dhomës. Të marrim “kohën e pyetjeve”. Kjo nuk është shpikje e Qeverisë; ajo u krijua pas një pyetje që bëri Konti Cowper në Dhomën e Lordëve në 1721 dhe tani është bërë një pjesë tejet e institucionalizuar e jetës parlamentare.37 Katër ditë të çdo jave, kur Parlamenti është i mbledhur, mbahet një “kohë pyetjesh”. Nuk ka ndonjë kërkesë ligjore që ministrat të jenë të pranishëm për t’iu përgjigjur pyetjeve, por ata marrin pjesë dhe këtë e bëjnë më masë: pra, Sekretari i Shtetit paraqitet i shoqëruar nga ministrat e rinj të departamentit. Pjesëmarrja rrjedh nga procedurat e Dhomës, të cilat hamendësojnë që ministrat të jenë të pranishëm për të dhënë përgjigje. Praktika e pjesëmarrjes është tepër e rrënjosur për t’u vënë në diskutim. Në një rast, gjatë Qeverisë së Thatcherit, një ministër të ri, që kish frikë se mos bëhej vonë për në seancën e pyetjeve, e panë duke vrapuar nëpër korridorin e Dhomës së Komunëve që të ishte në kohë në sallë. Fakti që Qeveria e tij kishte shumicën në Parlament nuk kishte fare rëndësi.

Së dyti, ato detyrojnë programin e Qeverisë. Procedurat që drejtojnë kalimin e një projektligji janë relativisht të drejtpërdrejta, por kërkojnë edhe shumë kohë. Në rrethana tepër të veçanta, në rast se të gjitha partitë bien dakord, një projektligj mund të kalohet në Parlament brenda disa orësh. Në shumicën e rasteve, të gjitha partitë nuk bien dakord, kështu që duhet të gjendet një vend bosh në programin e zakonshëm të Qeverisë në një seance për të diskutuar propozimet legjislative. Çdo vit, ministrat paraqesin propozime për më shumë projektligje se sa mund të përballojnë punonjësit e Qeverisë. Përse nuk mund të shqyrtohen dhe miratohen të gjitha projektligjet që duan të kalojnë departamentet e Qeverisë, sidomos po të kemi parasysh praninë e shumicës Parlamentare të saj? Çdo projektligj duhet t’i nënshtrohet procedurave në Parlament, të cilat zënë një kohë të mirë të seances Parlamentare. Një projektligj i gjatë dhe i diskutueshëm mund të zërë një pjesë të mirë të kohës Parlamentare. Në seancën e vitit 1992-1993, projektligji për Komunitetin Europian (Amendamenti) – që njihet më shumë si projektligji i Maastrichtit – zuri rreth 163 orë pune komisioni në seancën plenare të Dhomës së Komunave. Duke ditur se një projektligj i gjatë mund të hajë një kohë të gjatë Parlamentare, ka të ngjarë që të ndikojë në planifikimin e seancës nga punonjësit që merren me kalendarin.

Programi i Qeverisë po ashtu kushtëzohet nga një aspekt tjetër i procedures Parlamentare, ndonëse kjo nuk përfshihet zyrtarisht në rregullore. Të gjitha propozimet legjislative që nuk janë miratuar deri në fund të seances Parlamentare bien, dhe sesioni i ri nis nga fillimi. Në fund të sesionit, Parlamenti ndërpret punën dhe Mbretëresha pastaj çel sesionin e ri me një fjalim, ku përshkruhet me hollësi programi i Qeverisë për sesionin e ri. Pra, programi i Qeverisë i përshtatet organizimit sezonal. Pjesa më e madhe e projektligjeve duhet të jenë hartuar dhe të gatshëm për t’u paraqitur në fillim të sesionit dhe, në rastin e mosrealizimit të programit ose të një programi të rënduar legjislativ, disa projektligje mund të kalohen në fund të sesionit: Projektligji i Hekurudhave në sesionin e vitit 1992-1993 u kalua vetëm dy orë përpara përfundimit të sesionit. Teknikisht, nuk ka arsye përse projektligjet të mos kalohen nga një sesion në tjetrin – siç ndodh me projektligjet private – dhe në 1997 Komisioni i Posaçëm i Dhomës së Komunëve për Modernizimin rekomandoi që disa projektligje të identifikoheshin, për t’i mbartur nga një sesion te tjetri. E bëri këtë në kushte shumë të ngjashme me ato që u përdorën nga Komisioni i Procedurave në 1946, për të cilin nuk u ndërmuar asnjë veprim. Edhe pse gjatë kësaj kohe raporti u pranua, në fund të Parlamentit të 1997-2001, vetëm një projektligj u mbart nga një sesion te tjetri.

Shkalla deri sa procedurat mund ta detyrojnë programin e Qeverisë nuk është e matshme, meqenëse mund të pranohet se ato përmbajnë një fare elementi të mosvendimmarrjes.38 Meqenëse ministrat dhe punonjësit që merren me kalendarin e punës janë në dijeni të kufizimeve që i vihen Qeverisë nga procedurat Parlamentare, ata mund të mos marrin as mundimin të artikulojnë propozime, të cilat mund të mos jenë kandidatë për t’u përfshirë në programin e Qeverisë.

Së treti, ato mund të rezultojnë në ndryshime të programit që Qeveria ka ndërmend të paraqesë. Këtu kalojmë nga mosvendimmarrja në vendimmarrje. Qeveria mund të paraqesë një propozim i cili pastaj mund të dështojë për shkak të shfrytëzimit të procedurave nga kundërshtarët. Në rast se anëtarët nuk do të kishin shfrytëzuar procedurat, kuadri kushtetues i Britanisë do të kish ndryshuar shumë më tepër se sa ndryshoi gjatë viteve ’60-të dhe ’70-të.

Projektligji i Parlamentit (nr.2), për të reformuar Dhomën e Lordëve, u paraqit në 1968 dhe siguroi një shumicë të madhe gjatë leximit të dytë, megjithatë, Qeverisë iu desh ta tërhiqte. Si një projektligj që prekte shumë Kushtetutën, faza e komisioneve u diskutua në seancë plenare të Dhomës: kundërshtarët e mbajtën gjallë debatin deri sa mbështetësit e tij e humbën interesin dhe nuk ishin të gatshëm të qëndronin gjatë gjithë natës për të siguruar praninë e 100 anëtarëve, për të kaluar mocionin e mbylljes së debatit. Kundërshtarët e shfrytëzuan këtë për të mbajtur fjalime të stërgjata dhe më në fund Qeveria u dorëzua dhe tërhoqi një projektligj për të cilin në fakt nuk kish humbur asnjë votë.

Qeveria Laboriste e James Callaghan-it humbi një votë për propozimin e saj më të rëndësishëm kushtetues, Projektligjin për Skocinë dhe të Welshin në 1977, por kjo ndodhi për shkak të një mocioni procedure, dhe humbja në të vërtetë e shkatërroi projektligjin. Për të siguruar kalimin e tij, Qeveria paraqiti një mocion për afatin kohor (gijotinë): 22 anëtarë Laburistë votuan me konservatorët, për ta rrëzuar mocionin dhe 21 të tjerë abstenuan (mocioni humbi me 312 vota kundër 283). Duke parë se pa një gijotinë, projektligji do të pengohej, Qeveria vendosi të mos vepronte më tej. Përkundrazi, më pas paraqiti dy projektligje të veçanta për Skocinë dhe Welshin, ndonëse edhe këto u ndryshuan me votim parlamentar.39 Nëpërmjet këtyre votimeve, Parlamenti vendosi kërkesën për një prag në referendumet në Skoci dhe Welsh, një prag që nuk u kalua.

Njohja e detyrimeve të diktuara me procedura parlamentare u pa edhe gjatë kthimit të Qeverisë Laburiste në maj të 1997. E zgjedhur në bazë të një platforme ndryshimesh kushtetuese, ajo futi disa nga propozimet e saj legjislative, por qe e kujdesshme për sa i përket propozimeve të tjera. Ndikimet e këtyre propozimeve në orarin e punës së Parlamentit duket se janë me karakter material. Ngurrimi i Qeverisë, për të paraqitur një projektligj për reformimin e Dhomës së Lordëve, dukej se është ndikuar nga koha që kërkonte shqyrtimi i një propozimi të tillë legjislativ, sidomos në Dhomën e Lartë, e cila nuk do të ishte e predispozuar, për të shqyrtuar një masë të tillë. Edhe pse Qeveria e dinte se mund të përdorte dispozitat e Akteve të Parlamentit për të arritur miratimin e një propozimi të tillë ndaj kundërshtimeve të Dhomës së Lordëve, përsëri ajo ngurroi para se ta paraqiste projektligjin dhe, pasi e bëri këtë, pranoi një amendament me anë të të cilit mbajti 92 lordë të trashëguar për të lehtësuar kalimin e tij dhe për t’i penguar ata të shkaktonin probleme në kalimin e masave të tjera.

Procedurat po ashtu krijojnë kufizime të rëndësishme për ligje të paraqitura nga anëtarë privatë. Në rast se paraqitësit e një ligji nuk mund të sigurojnë 100 mbështetës, çdo të premte në orën 0230, për të miratuar mbylljen e seancës kundër kundërshtarëve të tij, atëherë projektligji është i vdekur. Në rast se në fillim projektligji nuk vihet në radhë pritje, kundërshtarët mund të vazhdojnë të diskutojnë për projektligjin para tij, duke i mohuar propozimit legjislativ kohën për diskutim. Në rast se ai arrin fazën e raportit, kundërshtarët mund të paraqesin amendamente pa fund. Numri i shumicës gjatë leximit të dytë të një projektligji nuk ka rëndësi, kur në Dhomë ka anëtarë të vendosur. Kjo gjë ilustrohet me disa shembuj të njohur, më i fundit është ai i Projektligjit të Gjitarëve të Egër (Të gjuajturit me langonj) në sesionin 1997-1998. Projektligji u mbështet nga një shumicë absolute anëtarësh gjatë leximit të dytë, por humbi kur kundërshtarët filluan të përdorin procedurat. Një shembull nga Parlamenti i mëparshëm ishte ai i projektligjit të të Drejtave Civile (Persona me Paaftësi). Siç do të shkruante paraqitësi i projektligjit:

shohim të konfirmohet fakti i mirënjohur se Qeveria gjithnjë mund të përdorë mjete procedurale për të bllokuar një projektligj të një anëtari privat. Kjo mund të bëhet edhe kur projektligji ka mbështetjen e qartë të shumicës dhe kur asnjë votë nuk është hedhur kundër tij – siç ndodhi në këtë rast.40

Pasojat e procedurave për anëtarët e rinj të Parlamentit, që mezi presin të ngrenë çështje, nuk janë krejtësisht negative. Procedurat mund të krijojnë mundësi, por edhe probleme; në të vërtetë anëtarët e rinj mund t’i përdorin procedurat si një armë në përcaktimin e kalendarit të punës. Në rastin e Projektligjeve Private, të futurit në votim është njëra mënyrë për të shtyrë përpara një propozim legjislativ, kurse shanset për të kaluar me sukses janë të pakta, sepse pjesëmarrja të premteve është e vogël, madje gati e papërfillshme. Një mënyrë alternative e sjelljes së një çështje për diskutim në seancë plenare me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, është të presësh deri sa Qeveria të paraqesë ndonjë projektligj të madh – mundësisht, duke pasur parasysh titullin e tij, një roman të tërë dhe pastaj të paraqesësh amendamente për të. Mbështetësit e uljes së moshës së lejuar për martesat e homoseksualëve e mësuan rëndësinë e kësaj në vitet 90-të dhe, në vend që të përpiqeshin të fusnin një projektligj privat për këtë temë, pritën deri sa erdhi për diskutim projektligji tejet i gjatë i të Drejtës Penale, të cilit mund t’I shtohej një amendament i përshtatshëm.41

PËRSE RREGULLAT JETOJNË GJATË

Me sa shohim deri tani, kemi të bëjmë me një paradoks. Procedurat i detyrojnë Qeveritë. Qeveria ka burimet politike për t’i ndryshuar procedurat. Atëherë përse rezistojnë procedurat që e detyrojnë Qeverinë? Ka disa përqasje që kërkojnë të shpjegojnë ndryshimet institucionale ose mungesën e tyre. Dy përqasje të nxjerra nga literatura për institucionalizmin i përshtaten diskutimit tonë. E para, e marrë nga teoria e zgjedhjeve racionale, përdor çmimet që paguhen. E dyta, e nxjerrë nga institucionalizmi historik, përdor idetë.

Një shpjegim për zgjedhjen racionale të ndryshimeve institucionale, i paraqitur nga Douglas North, është se ndryshimi ndodh kur ndryshojnë çmimet që paguhen: që do të thotë, kur ka një stimul për ata që punojnë në institucione dhe ndonjëherë edhe për ata jashtë tyre, për të negociuar edhe një here kushtet e pjesëmarrjes dhe për të ndryshuar rregullat institucionale dhe procedurat e zbatimit.42 Për sa i përket procedurës parlamentare, mund të thuhet se çmimet në të vërtetë ndryshojnë. Në kohë të ndryshme, qeveritë kanë pasur motive nxitëse të përdorin shumicën parlamentare për ndryshimin e procedurave, në mënyrë që të sigurojnë kalimin e vëllimit në rritje të propozimeve komplekse legjislative.

Teza ime në këtë artikull nuk është se çmimet kanë qëndruar të pandryshuara, as se ka pasur ndonjë “rënie” të Parlamentit në lidhje me aftësinë e tij për ta detyruar Qeverinë. Zhvillime të ndryshme, që ndodhin pavarësisht nga njëri-tjetri dhe në kohë të ndryshme, e kanë ulur aftësinë e Parlamentit për ta detyruar Qeverinë.43 Çmimet kanë ndryshuar dhe qeverive u ka shkuar për shtat jo vetëm t’i përdorin rregullat e lojës në të mirë të tyre, por edhe t’i ndryshojnë ato herë pas here. Qeveria Laburiste e Tony Blairit është dalluar për nxitjen e ndryshimeve të ndryshme që kanë përshpejtuar kalimin e propozimeve të Qeverisë. Këto kanë përfshirë përdorimin e rregullt të “mocioneve të programit” (në të vërtetë, të gijotinave) pra, kalimin e projektligjeve dhe për të lejuar që votimet në mbrëmje, për çështje të caktuara, të bëhen të mërkurën pasdite.

Gjithsesi, çmimet nuk kanë ndryshuar aq sa procedurat të bëhen vegla, të cilat Qeveria mund t’i kontrollojë sipas dëshirës. Qeveria ka punuar në bazë të procedurave, të cilat herë pas here është rrekur t’i ndryshojë për shkak të kostos ose të çmimit të të vepruarit ndryshe. “Çmimi” i ndryshimit mund t’i kushtojë shumë Qeverisë nga pikëpamja e kohës dhe e burimeve intelektuale, çmimeve të ardhshme dhe legjitimitetit.

Megjithatë, siç e kemi parë, procesi parlamentar është rrënjosur thellë gjatë zhvillimit të historisë dhe është bërë kompleks. Qeveritë që vijnë në pushtet gjenden përballë një grupi rregullash dhe procedurash që janë tepër të institucionalizuara. Përpjekja për t’i ndryshuar këto procedura ka një kosto të menjëhershme politike. Të ndryshuarit e rregullave kërkon kohë. Qeveritë duhet të punojnë brenda kuadrit të rregullave për t’i ndryshuar ato. Mund t’u duhet të investojnë kohë për t’i bindur aktorët e tjerë – dhe ka disa syresh – për të mbështetur ndryshimet. Gjithashtu, ajo duhet të investojë burime intelektuale – duhet t’i njohësh rregullat për t’i ndryshuar ato.

Anëtarët e Parlamentit rrallë janë të përgatitur për të investuar burime intelektuale, për t’i mësuar me hollësi rregullat dhe procedurat që drejtojnë punimet e tij ose logjikën mbi të cilën mbështeten. Botimi i njëzetë e dy i Erskine May-t ka 1095 faqe. Ata të paktë parlamentarë që kanë shfaqur interes për procedurat, siç është Sër Robin Maxwell-Hyslop44 dhe Eric Forth45 i kanë krijuar telashe Qeverisë, por këto raste janë të veçanta. Për anëtarët e Parlamentit, të punuarit brenda procedurave ekzistuese është një veprimtari e zakonshme, plotësisht racionale. Aftësia e tyre për të përpunuar informacion është e kufizuar dhe mund të jetë e kushtueshme nga pikëpamja e kohës dhe e burimeve të tjera. Siç ka vënë në dukje Herbert Simon, “Zakoni” mundëson ruajtjen e përpjekjeve mendore, duke hequr nga fusha e mendimit të ndërgjegjshëm ato aspekte të situatës që përsëriten.”46 Duke pranuar procedurat ekzistuese, ata janë në gjendje t’ua kushtojnë energjitë e tyre intelektuale çështjeve që plotësojnë më drejtpërdrejtë nevojat e tyre politike dhe zgjedhore.

Zakonisht janë ministrat ata që nuk investojnë burime të mëdha intelektuale për çështjen e procedurave. Ndonëse Drejtuesi i Dhomës dhe Kamxhikët i njohin procedurat dhe mund të bëjnë rekomandime për ndryshime, rrallë ndodh që të ketë një kuptim të gjerë konceptual të procedurave, dhe të asaj që përfaqësojnë ato, dhe njohuri të hollësishme të të gjitha rregullave dhe precedentëve. Detyra e tyre është të kalojnë propozimet legjislative. Madje edhe Crossman, një intelektual i njohur, dukej se nuk e kuptonte plotësisht rëndësinë e procedurave. Kur më 1997, 30 vjet pas Reformave të Crossmanit, u caktua një Komision i Posaçëm për Modernizimin, nuk pati ndonjë deklaratë zyrtare për kuptimin e fjalës “modernizim” ose për qëllimin përse duheshin “modernizuar” procedurat.

Mungesa e njohurive nga ana e anëtarëve në lidhje me rëndësinë e procedurave shërben për të përforcuar fuqinë e procedurave në diktimin e mënyrës së sjelljes, sepse ato tregojnë që, në rolin e tyre kontrollues, parlamentarët nuk janë politikanë, por vetëm ata njerëz që kanë zënë karriget dhe që ndihmohen nga sekretarët. Sekretarët janë përgjegjës për botimet e reja të Erskine May dhe janë ata që informojnë kryesinë – qoftë në seancë, qoftë në komisionet e përhershme – për atë që e lejojnë ose jo rregullat. Ky aspekt i kontrollit është kuptuar nga Crossman-i. Kur u bë drejtuesi i Dhomës, ai tha:

Freddie [Warren] dhe sekretarët në tryezë janë ata që drejtojnë programin legjislativ të Qeverisë gjatë një dite, një javë dhe gjatë gjithë sezonit. Ata drejtojnë edhe Kryetarin e Parlamentit dhe, në një farë mase, edhe opozitën. Nuk e di nëse përshtypja ime do të konfirmohet nga përvoja e mëpasme. Vërtet këtu në Pallatin Westminister-it punët bëhen nga zyrtarët që punojnë së bashku, ndërsa politikanët shkojnë e vijnë.47

Anëtarët, qoftë Kryeministri, qoftë anëtarët e porsazgjedhur, rrallë mund të venë në diskutim deklaratat e kryesisë, jo vetëm sepse nuk kanë pushtet për ta bërë këtë, por edhe sepse u mungojnë njohuritë për ta mbështetur një sfidë të tillë. Edhe nëse ministrat do të ishin të prirë për të paraqitur një sfidë të tillë dhe ndodh që, ndonjëherë, disa syresh – të trimëruar nga arroganca e pushtetit – guxojnë të futen në këtë territor, kjo, siç do ta shohim, mbart me vete rreziqe.

Investimet në kohë dhe mendimet nuk nxiten edhe për shkak të një tipari të veçantë të sistemit parlamentar, veçanërisht atij të Westminister-it. Anëtarët e Parlamentit u përshtaten procedurave ekzistuese. Rishtarët e një legjislature, siç kanë treguar studime të ndryshme, kalojnë një periudhe të mësuari dhe të nxënuri, një proces që u ngulit fort të mbështeturit e rregullave institucionale.48 Mund të thuhet se sa më e gjatë të jetë përvoja e procedurave të vendosura, aq më konservatorë bëhen anëtarët ndaj propozimeve për ndryshime. Deputetët britanikë dallohen për kohëzgjatjen e shërbimit të tyre parlamentar.49 Për më tepër, ministrat dalin nga Parlamenti dhe qëndrojnë në radhët e tij. Tradicionalisht, duhet të mësojnë një here zanatin në Parlament, pastaj të marrin poste në Qeveri. Ministrat e lartë të Qeverisë zakonisht kanë punuar për dhjetë ose më shumë vjet në Parlament përpara se të futen në kabinet. Kështu që mësohen me procedurat, me të cilat do të punojnë si ministra në bazë individuale ose kolektive.

Ka edhe një kufizim perspektiv ose që mund të quhet çmim i ardhshëm, që do të thotë, të kuptuarit nga ana e partisë në pushtet se mund të mos qëndrojë në pushtet përgjithmonë. Ndonëse disa parti kanë qenë në pushtet për periudha të konsiderueshme kohe, të ndryshuarit e pushtetit sa nga njëra parti politike te tjetra, ka qenë një tipar i politikës moderne britanike. Edhe kur partitë kanë qenë në pushtet për një dekadë ose më gjatë, jo gjithnjë kanë qenë të sigurta se do të rizgjidhen. Pak parti kanë qenë të sigurta se do të fitonin zgjedhjet e tjera ose zgjedhjet që vijnë pas atyre që fituan. Opozita përpiqet të veprojë si Qeveri alternative. Ajo që komentohet më pak është fakti se Qeveria është opozita alternative dhe, si rrjedhojë, mund të mos jetë e gatshme të fusë rregulla të reja që më pas, po të ndryshojë fati i saj politik, mund të jenë në disfavor të saj. Ky ngurrim rrallë shprehet, edhe pse ndonjëherë del në sipërfaqe. Më 1986, për shembull, Drejtuesi i Dhomës së Komunëve, John Biffen, kundërshtoi një propozim për vënien e afateve kohore për projektligjet, me arsyen se kjo gjë kufizonte të drejtat e opozitës për t’i shtyrë gjërat. Ka edhe një çmim për sa i përket legjitimitetit. Teoricienët e zgjedhjes racionalë presupozojnë një ekuilibër midis aktorëve. Siç ka treguar Anthony King, në artikullin e tij krijues për marrëdhëniet legjislativ-ekzekutiv, nuk ka asnjë marrëdhënie të vetme midis ekzekutivit dhe legjislativit, por ka marrëdhënie midis entiteteve të ndryshme.50 Procedurat e qëndrueshme rrjedhin nga drejtpeshimi në marrëdhëniet midis Qeverisë dhe opozitës, midis Qeverisë dhe deputetëve të rinj, dhe midis Qeverisë dhe mbështetësve të saj.

Qeveria dëshiron të bëjë punën e saj. Opozita e pranon se Qeveria ka të drejtë të bëjë punën. Të pranuarit e këtij fakti paradaton zhvillimin e demokracisë së masave, por ardhja në pushtet e Qeverive të zgjedhura nga populli e përforcon pretendimin e Qeverive për t’i kaluar propozimet e tyre legjislative. Qeveria, nga ana e saj, e pranon se edhe partitë e opozitës duhet të dëgjohen. Kjo nuk është vetëm një konsideratë etike, por edhe praktike. Parlamenti funksionon, në një shkallë të madhe, në bazë konsensusi. Partitë e opozitës punojnë në bazë të rregullave të lojës. Është në të mirën e tyre të veprojnë kështu. Qeveria (zakonisht) ka shumicën, të cilën mund ta përdorë për t’i kufizuar mundësitë e tyre. Po ashtu edhe partitë e opozitës nga ana e tyre mund të kërcënojnë se nuk do t’i marrin parasysh rregullat e lojës. Në disa forma qeverisje, partitë e opozitës ndonjëherë i bojkotojnë punimet Parlamentare. Në disa Parlamente, ka shpërthyer edhe dhunë fizike. Në rast se prishen marrëdhëniet dhe nuk pranohet të bashkëpunohet, Qeveria mund ta ketë të vështirë të bëjë punën. Ky drejtpeshim është kryesisht një drejtpeshim legjitimiteti. Secili pranon legjitimitetin e tjetrit në atë qe kërkon të bëjë. Në rast se secila palë e prish ekuilibrin, kjo gjë e çligjitimon rolin e saj dhe kërcënon të destabilizojë procesin Parlamentar dhe atë që ata përfitojnë prej tij.

Ka, gjithashtu, një ekuilibër midis Qeverisë dhe anëtarëve të rinj të Parlamentit, në përgjithësi. Qeveria dhe opozita kanë vendosur kanale (“Kanalet e zakonshme”) për të bërë marrëveshje. Këto marrëveshje mund të përjashtojë interesat e anëtarëve të rinj në të dy krahët. Ashtu si partitë e opozitës mund të refuzojnë të bashkëpunojnë, të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe anëtarët e rinj. Një deputet i pabindur mund të mos shkaktojë shumë probleme, por mendimet e disa deputetëve se rregullat e lojës po kthehen kundër tyre ose se po përdoren padrejtësisht, ose ndryshohen, mund të krijojë probleme për Qeverinë.

E njëjta gjë mund të thuhet veçanërisht për marrëdhënien midis Qeverisë dhe mbështetësve të saj. Qeveria zakonisht mund të mbështetet te përkrahja e përgjithshme e anëtarëve të rinj, e cila është e mundur, por jo e sigurt. Anëtarët e rinj duhet të marrin parasysh çmimin e një ndryshimi në rregullore. Anëtarët e rinj të Qeverisë zgjidhen nën emrin e partisë. Por, ka të ngjarë që ata të dëshirojnë të marrin poste në Qeveri. Kjo gjë zakonisht është një faktor që i nxit të jenë besnikë. Megjithatë, anëtarët e rinj janë, po ashtu, anëtarë të një institucioni që ekziston për t’ia nënshtruar Qeverinë një kontrolli dhe mbikëqyrjeje të vazhdueshme dhe të rëndësishme. Deputetët duhet të balancojnë rolin në parti, me rolin e tyre në Parlament. Zakonisht, ata i japin përparësi rolit në parti, sepse kjo është në interesin e tyre. Megjithatë, disa deputetë dëshirojnë të ushtrojnë një rol mbikëqyrës ose të shfrytëzojnë procedurat për të ndikuar në politikën publike. Donald Searing, në studimin e tij të hollësishëm të Parlamentarëve në vitet ’70, gjeti një përqindje çuditërisht të lartë deputetësh që ishin “avokatë politikash”, pra, që donin të ndikonin në politikën publike. Nga 334 deputetë që futeshin në kategorinë e të rinjve, numri më i madh – 136 (40.5 për qind) ishin avokatë politikash. Vetëm 82 deputetë (24.5 për qind) klasifikoheshin si “aspirantë për ministra”51. Qeveria varet nga mbështetja me vota e anëtarëve të saj në Dhomë dhe prandaj është e interesuar të ruajë dashamirësinë e anëtarëve. Në rast se ndryshimet procedurale i antagonizojnë disa prej mbështetësve të saj dhe, në këtë mënyrë, kërcënojnë ekuilibrin e qenësishëm midis nevojave të saj dhe parapëlqimeve të mbështetësve, Qeveria mund të mendohet dy herë përpara se të përpiqet t’i bëjë ato.

Pra, në këtë mënyrë, siç mund të nënkuptohet nga terminologjia, ka një bazë racionale në të pranuarit nga ana e Qeverisë të procedurave që e detyrojnë sjelljen e saj. Ka edhe një shpjegim që kombinon përqasjet e zgjedhjeve racionale dhe institucionalizimin historik. Ka, siç mund të thuhet, një çmim të brendshëm për sa i përket legjitimitetit. Politikanët i tremben kostos politike që ka të mosluajturit sipas rregullave të lojës. Gatishmëria për t’iu përmbajtur rregullave të lojës ka edhe një bazë etike. Politikanët detyrohen për shkak të një sistem besimesh, por edhe të një vlerësimi thjeshtë racional të kostos politike. Siç ka treguar Searing, marrëveshja për rregullat e lojës nuk është universale.52 Ka edhe dallime partiake – partitë i gjykojnë rregullat nga ajo që marrin prej tyre – por ka një masë të madhe mirëkuptimi. “Politikanët janë të ndarë dhe mjaft të paragjykuar për shkak të konsideratave partiake, megjithatë, në fusha të caktuara, shfaqin konsensus dhe ndihen të detyruar nga që besojnë se është më mirë të jesh i bindur, dhe nga që e dine se një aventurë oportuniste mund edhe t’i bëjë të dështojnë.53 Politikanët e pranojnë se është e drejtë, por edhe e nevojshme të respektojnë rregullat dhe këtu kanë të njëjtën paradigmë politike54, siç e ka quajtur Hall.

Partitë politike të përfaqësuara në Parlament janë kryesisht parti “kushtetuese”, si për shkak të filozofisë, ashtu edhe për shkak të detyrimit zgjedhor. Për laburistët, shteti është asnjanjës dhe kjo shpjegon edhe nevojën për të kontrolluar shumicën parlamentare. Edhe socialistët si Tony Blaire kanë argumentuar se demokracia parlamentare është një agjent i fuqishëm në transformimin e shoqërisë. Ky transformim mund të arrihet në mënyrë paqësore, nëpërmes zgjedhjes së një Qeverie me shumicë në Dhomën e Komunëve e cila “pastaj mund të përdorë statutin dhe makinerinë e shtetit për të realizuar transformime me dashje.”55 Ndonëse manifesti socialist për ndryshime përfshin reforma të rëndësishme kushtetuese, ai duhet realizuar nëpërmjet një procesi të vendosur parlamentar. Kur është parë se deputetët laburistë e kundërshtojnë këtë proces, ose edhe më keq, se nuk po i binden rregullave të Dhomës, janë qortuar prej drejtuesve të tyre:

Rrëmuja e shkaktuara nga deputetë laburistë nuk ishte thjesht një shkak për shqetësim vetjak për drejtuesit laburistë, as një karshillëk ndaj tyre personalisht, por përbënte edhe një sfidë për veprimtarinë e Qeverisë së Partisë, në përgjithësi, dhe shihej si një kërcënim për të ardhmen zgjedhore të Partisë Laburistë, në veçanti… Drejtuesit laburistë ndanin me kundërshtarët e Partisë së tyre mendimin se zgjedhësit priste të shihnin një sjellje të duhur kushtetuese te kundërshtarët kryesore.56

Trysni të ngjashme janë parë të ushtrohen gjatë viteve të fundit ndaj deputetëve konservatorë të cilët, për ironi, çuan në ndryshime të procedurave.  Më 1994, kur disa anëtarë konservatorë dukej se po binin nën standardet e sjelljes parlamentare që prisnin qytetarët – pranonin para nga organe të jashtme për ndërmarrjen e veprimeve të caktuara në Parlament – Kryeministri ngriti një komision për të rishikuar standardet e jetës publike (Komisioni Nolan), rekomandimet e të cilit më pas u miratuan nga Dhoma, me disa ndryshime, për të siguruar që rregullat të përputheshin me pritshmërinë publike të sjelljes së përshtatshme. Kur Kryeministri ngriti një komision hetimor të kryesuar nga një gjykatës, për të hetuar sjelljen e ministrave në lidhje me shitjen e një pajisjeje të dyfishtë në Irak, kjo u mbështet pjesërisht në llogaridhënien e ministrave para Parlamentit.57 Botimi i raportit në janar 1995 i bëri ministrat të lëviznin menjëherë dhe të thoshin se nuk e kishin mashtruar Dhomën e Komunëve. Kur njeri prej ministrave i përfshirë në këtë punë, kish pranuar më parë se, në rrethana të caktuara, ministrat nuk mund t’i thonë gjithë të vërtetën Parlamentit, reagimi ndaj kësaj deklarate ishte shokues. Nocioni, se ministrat nuk gënjejnë para Dhomës, ishte tejet i ngulitur.

Për ministrat, çmimi i ndryshimeve institucionale, si në politikë, ashtu edhe nga pikëpamja etike, mund të jetë shumë i lartë. Me raste, çmimi mund të jetë i pagueshëm – dhe siç e kemi parë, Parlamenti i është nënshtruar ndryshimeve procedurale gjatë gjithë historisë – por nxitja për të kërkuar ndryshime mund të kundërbalancohet nga kostoja.

PËRFUNDIME

Një Qeveri mund dhe arrin të bëjë ndryshime në procedurën parlamentare. Këto ndryshime mund të prishin ekuilibrin midis Qeverisë dhe aktorëve të tjerë parlamentarë dhe të kontribuojnë në “rënien” e aftësisë së Parlamentit për ta detyruar Qeverinë. Megjithatë, rregullat dhe procedurat e të dy Dhomave të Parlamentit janë të rrënjosura thellë dhe të gjera, dhe njihen më tepër për vazhdimësinë e tyre se për ndryshimet. Rregulloret e Përhershme të dy Dhomave përfshijnë rregulla për të cilat është rënë dakord në kohëra të ndryshme, dhe jo vetëm gjatë dekadave të kaluara, por sidomos në Dhomën e Lordëve gjatë shekujve të shkuar.58 Qeveritë mund të arrijnë të bëjnë disa ndryshime në këto rregulla, por pjesa më e madhe e rregullave që trashëgohen vazhdojnë të jenë në fuqi kur ato largohen nga pushteti. Këto rregulla i detyrojnë qeveritë. Ato mund të mos e detyrojnë Qeverinë aq sa do të donin Parlamentarët, duke përfshirë edhe këtë shkrimtar, por megjithatë janë detyruese për të. Shkurt, procedura ka rëndësi. Vëmendja ndaj hollësive është e rëndësishme, por ashtu është edhe të njohurit e pasojave që kanë procedurat. Për “britanikun e varfër” në të vërtetë procedurat janë mjaft të rëndësishme.

Shënime

1. House of Commons Debates, Seria e pestë, Vëll 617, Kol 70.

2.  Shih G.Cox, The Efficient Secret: The Cabinet and the Development of Political Parties in Victorian England (Cambridge: Cambridge University Press, 1987

3. J.Redlich, The Procedure of the House of Commons (Londër: Archibald Constable, 1908) Vëll. 1, f. 210.

4. Redlich, The Procedure in the House of Commons, f. 206, cituar nga P.Norton te “Old Institutions, New Institutionalism? Parliament and Government in the United Kingdom”, te P. Norton (red), Governments and Parliaments in Western Europe and Portland, OSE: Frank Cass, 1998, f. 20.

5.  Lord Hailsham, Elective Dictatorship (Londër: BBC, 1976).

6.  Shih K. Mullan, “The Impact of Pepper v. Hart” te B. Dickson dhe P. Carmichael (red), The House of Lords: Its Parliamentary and Juridical Roles (Londër: Hart, 1999), ff.213-238.

7.  Shih P.Norton dhe J. Hayward, “Retrospective Reflections,” nga J. Haywards dhe P.Norton (red) tek The Political Science of British Politics (Brighton: Wheatsheaf Books, 1986), ff 202-218.

8. J.Ricahrdson and G.Jordan, Governing Under Pressure (Oxford, Martin Robertson, 1979). f.121.

9.  A. Hill and A.Wichelow, What is Wong with Parliament? (Londër,: Penguin, 1964),

10. Shih P.Norton, The Commons in Perspective (Oxford: Martin Robertson, 1981), ff, 203-206.

11. Shih G.Drewry (ed), The New Select Committees (Oxford: Clarendon Press, Revised Editions), 1989).

12 Report from the Select Committee on Sittings of the House (The Jopling Committee, Sesioni 1991-92, House of Commons 20. Raporti u miratua në Dhomë në 1994 dhe u zbatua në 1995.

13. Committee on Standards in Public Life (the Nolan Committee (Vëll. 1: Report, Cm 2850-I (London, HMSO, 1995).

14. Shih veçanërisht Making the Law: The Report of the Hansard Society Commission on the Legislative Process (London Hansard Society, 1993) dhe Strengthening Parliament: the Report on the Commission to Strengthen Parliament (Londër: The Conservative Party, 2000).

15. The Legislative Process: First Report from the Select Committee on the Modernisation of the House of Commons, Sesioni 1997-98, House of Commons 190.

16. Shih D. Englefield, The Study of Parliament Group: The First Twenty-One Years (London: The Parliament Group, 1995).

17. Shih P. Norton (red), A National Parliament and the European Union (London dhe Portland. OR: Frank Cass, 1996); E. Smith (red), National Parliaments as Cornerstones of European Integration (Londër: Kluwer Law International, 1996).

18. M.J.Gorges, :New Institutionalist Explanations for Institutional Change: A Note of Caution”, Politics, 21 (2001) ff.137-145

19. Shih, për shembull, H.Doring, “Times as a Scarce Resource”, tek H. Doring (red) Parliament and Majority Rule in Western Europe (New York: St. Martin’s Press, 1995), ff.233-247; G. Tsebelis, “The Power of the European Parliament as a Conditional Agenda Setter,” American Political Science Review, 88 (1994), ff.128-142; G .Tsebelis, “Conditional Agenda-Setting and Decision-Making Inside the European Parliament,” Journal of Legislative Studies, I (1995) ff.65-93.

20. Shih, për shembull. B.R. Weingast, “A Rational Choice Perspective on Congressional Norms”, American Journal of Political Science, 23 (1979), f.245-262; K.A.Shpesle dhe B.A Weingast, “When Do Rules of Procedure Matter?” Journal of Politics, 46(1984), f.206-221; K.A.Shepsle dhe B.A.Weingast, “The Institutional Foundation of Committee Power”, American Political Science Review, 81 (1987), ff.85-104.

21. R.Miliband, Capitalist Democracy in Britain (Oxford: Oxford University Press, 1984), f.20.

22. S.Lukes, Power: A Radical View (Londër: Macmillan, 1974).

23. D.Judge, The Parliamentary State (Londër: Sage, 1993). f.27.

24. Judge, The Parliamentary State, f.27.

25. Redlich, The Procedure of the House of Commons, Vëll. I, f.3.

26. G.Pridham, “Political Parties, Parliaments and Democratic Consolidation in Southern Europe: Empirical and Theoretical Perspectives” te U. Liebert dhe M. Cotta (red). Parliament and Democratic Consolidation in Southern Europe (Londër: Pinter, 1990), f. 228.

27. Redlich, The Procedure of the House of Commons, f.5.

28. A.B. White, The Making of the English Constitution, 449-485 (Londër: G.B. Putnan’s Sons, 1908) f.369.

29. Redlich, The Procedure of the House of Commons, f.22

30. G.F.M. Campion, An Introduction to the Procedure of the House of Commons (Londër, Philip Allen, 1929), f.20.

31 Redlich, The Procedure of the House of Commons, Vëll. II, f.204.

32 R. Butt, The Power of Parliament, (Londër: Constable, 1967), f. 54.

33. S.C. Patterson, “Legislative Institutions and Institutionalism in the United States”, Journal of legislative Studies, I (1995), ff.15-18.

34. Kjo ilustrohet në kontekstin europian në Konferencën e Kryetarëve të Parlamentëve, e cila mblodhi drejtuesit e legjislaturave të vendeve anëtare. Kryetari i Parlamentit të Dhomës së Komunave dhe Lord Kancelari- si zyrtari kryesues i Dhomës së Lordëve – janë në një pozitë të vështirë në atë që, ndryshe nga të gjithë pjesëmarrësit, ata nuk mund të shprehin një pikpamje politike.

35. Shih M. Seward, “Unsung Heroes? The deputy Speakers in the British House of Commons”, Journal of legislative Studies, 3(1997), ff.39-57.

36. Shih M. Rush (red), The House of Commons: Services and Facilities, 1972-1982 (London Policy Studies Institute, 1983); dhe, për një studim të kohëve të fundit dhe më krahasues, M.Rush, “The Pay, Allowances, Services and Facilities of Legislators in Eighteen Countries and the European Parliament: A Comparative Study”, te Organi i Kontrollit të Pagave të Larta [Review Body on Senior Salaries]: Report no.38: Review of Parliamentary Pay and Allowances, Vëll.2: Surveys and Studies, Cm 3330-II, 1996, ff.38-68.

37. Shih M.Franklin dhe P.Norton (red), Parliamentary Questions (Oxford Clarendon Press, 1993).

38. Shih P.Bachrach dhe M.Baratz, “Two Faces of Power”, American Political Science Review, 56 (1962). ff.947-952.

39. Shih P. Norton, Dissention in the House of Commons, 1974-1979 (Oxford, Clarendon Press, 1980).

40. Shih R.Berry, “A Case Study in Parliamentary Influence: The Civil Rights (Disabled Persons) Bill”, Journal of Legislative Studies, 2. (1996), f. 144.

41. Shih M.Brown, “The Age of Consent: The Parliamentary Campaign in the UK to Lower the Age of Consent for Homosexual Acts”, Journal of Legislative Studies, 2 (1996) ff.1-7.

42. D.North, Institutions, Institutional Change and Economic Performance (Cambridge: Cambridge University Press, 1990), ff.84-85, cituar nga George tek “New Institutionalist Explanation for Institutional Change”, f.138.

43. Shih për shembull: The Commission to Strengthen Parliament, Strengthening Parliament (Londër: The Conservative Party, 2000), ff.10-19.

44. Anëtar konservator i Tiverton 1960-1992. Njohuritë e tij për procedurat bënë që në 1976, Projektligji për Industritë e Aviacionit dhe të Ndërtimit të Anijeve të deklarohej një projektligj hibrid, duke vonuar tepër mratimin e tij.

45. Anëtar konservator që nga viti 1983.Që kur hyri në opozitë në 1997, ka qenë tejet aktiv për të bllokuar projektligjet e anëtarëve private dhe për ta detyruar Dhomën të punojë deri vonë për të miratuar masat e propozuara nga Qeveria.

46. H.Simon, Administrative Behaviour (New York: The Free Press, edicioni i tretë, 1976), f.88. Shih edhe T.Saalfeld, “Rational-Choice Theory in Legislative Studies: Models of Politics without Romanticism”, Journal of Legislative Studies, I, (1995), ff.44-45.

47.R.H.S. Crossman, The Diaries of a Cabinet Minister (Londër: Hamish/Hamilton/Jonathan Cape, 1976), Vëll. 2, f.23.

48. E.Crowe: “Consensus and Structure in Legislative Norms” Party Discipline in the House of Commons”, Journal of Politics, 45 (1983), f.923.

49. Shih, për shembull, A.Somit dhe A.Roemmelle, “The Victorian Legislative Incumbent as a Threat to Democracy: A New National Study”, American Political Science Association: Legislative Studies Section Newsletter, 18 (1976), f.10.

50. A.King, “Modes of Executive-Legislative Relations: Great Britain, France and West Germany”, Legislative Studies Quarterly, I, (1976) ff.11-34.

51. D.Searing, Westminster’s World (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1994).

52. D.D.Searing, “Rules of the Game in Britain: Can the Politicians be Trusted?” American Political Science Review, 76 (1982), ff.239-258.

53. Searing, “Rules of the Game in Britain”, f.256.

54. P.A.Hall, “Policy Paradigms, Social Earning. and the State: The Case of Economic Policy-making in Britain”, Comparative Politics, 25 (1993), ff.275-296.

55. T.Bem, Fighting Back: Speaking Out for Socialism in the Eighties (Londër: Hutchinson, 1988), f.246. Cituar nga Judge në The Parliamentary State, f.92.

56. Judge, The Parliamentary State, f.92.

57. Report of the Inquiry into the Export of Defense Equipment and Dual-Use Goods to Iraq and Related Prosecutions (Londër: HMSO, 1996).

58. Shih sidomos, M. Wheeler-Booth “Procedure: A Case Study of the House of Lords”, Journal of Legislative Studies, 7, (2001), ff.75-90.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan