Modeli i taksave dhe zvogëlimi i diferencave sociale

Nga Ardian Civici, botuar në MapoOnline, 4/05/2013

Sa herë që ka një krizë, ekonomike apo financiare, gjendet gjithmonë dhe një pakicë “fajtore” që ka përfituar shumë nga sistemi dhe që duhet të shtrëngohet të paguajë më shumë në emër të barazisë sociale dhe reduktimit të “varfërisë” së shumicës. Në etikën e zhvillimit të shoqërisë dhe modeleve sociale që në themel kanë humanizmin dhe mbështetjen sociale, po t’i referohemi konceptit të Adam Smithit, “kapaciteti kontribues” i individëve duhet të jetë i ndryshëm në funksion të të ardhurave dhe shkallës së pasurisë së tyre. E “përkthyer” në gjuhën e debatit të sotëm, “taksa progresive apo rritja progresive e kontributit, nga njëra anë lehtëson njerëzit me të ardhura më të pakta dhe nga ana tjetër rrit kontributin e atyre me të ardhura më të larta”. Por, a mjafton vetëm kjo masë, pra vetëm taksa progresive, që të realizohet një barazi më e madhe sociale?…A është ajo, instrumenti magjik që redukton varfërinë dhe krijon barazinë? Konceptet bashkëkohore mbi varfërinë dhe pabarazinë sociale i trajtojnë ato “jo thjesht dhe vetëm si çështje të ardhurash, por mbi të gjitha si një mundësi apo pamundësi për të pasur akses në shërbimet publike si shëndetësia, arsimi, transporti, strehimi, kompensimet monetare publike etj”.

Në këtë këndvështrim, flasim, preokupohemi shumë për çështjen delikate të diferencave sociale që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare duke kërkuar zgjidhjet më optimale. Natyrshëm, në thelbin e shumë politikave tona ekonomike e sociale tentojmë të kemi si objektiv apo indikator kryesor vlerësimin: “reduktimin e varfërisë dhe pabarazive sociale”. Në tërësinë e arsenalit të masave dhe koncepteve që diskutohen, aq më tepër në këtë fushatë të nxehtë elektorale, janë edhe disa pikëpyetje apo dilema të tipit “a e ndihmojnë mirëqenien e të varfërve paratë dhe të ardhurat e larta të shtresës së pasur të popullsisë?”, “a duhet të bëjmë ç’është e mundur që të kufizojmë/taksojmë të ardhurat e larta në mënyrë që të kemi mundësi të shtojmë ato të ulëta, sidomos kur bëhet fjalë për politikat e pagave?”; “a duhet të synojmë më shumë shtimin e të ardhurave direkte, apo duhet të shtojmë transfertat dhe mbështetjen sociale për shtresat në nevojë?”, “a duhet të guxojmë ta cilësojmë pabarazinë si pozitive nëse ajo kontribuon për përmirësimin e gjendjes dhe rritjen e mundësive për mirëqenie të shtresave vulnerabël?”.

Pyetje jo fort të lehta për t’u dhënë një përgjigje a priori, aq më tepër që pas tyre qëndrojnë dy shkolla apo linja të qarta të doktrinave ekonomike, keynes-ianizmi dhe “liberalizmi versus konservatorizmi”; aq më tepër që prapa tyre qëndrojnë gjithashtu dy sisteme e praktika konkrete: ajo e vendeve anglosaksone që si zgjidhje preferojnë rritjen direkte të pagave, dhe ajo e vendeve të modelit socialdemokrat që preferojnë transfertat neto në favor të këtyre shtresave. Megjithatë, aktualisht ky është një debat mjaft prezent në shumë vende të botës, debat që përtej “ndeshjes” akademike, ideologjike apo doktrinale, shtrihet e konkretizohet në politikat ekonomike e sociale të këtyre vendeve, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Tashmë është fakt evident, se pothuajse kudo në botë, në vendet e pasura, të varfra apo në zhvillim, pabarazitë në të ardhura janë shtuar, në vend që të ngushtohen. Në vendet e OCDE, 10% e familjeve që konsiderohen si më të pasurat kanë një të ardhur 9-10 herë më të lartë se 10% e familjeve që konsiderohen si më të varfrat. Bëjnë dallim vendet skandinave ku kjo diferencë është 6 herë, ndërkohë që në SHBA është 15 herë, në Meksikë 27 herë etj. Natyrisht që diferencat dhe rritmi i rritjes së tyre është i ndryshëm. Në vendet anglo-saksone, sidomos mbas viteve ‘90 të shek. XX, diferencat kanë ardhur duke u shtuar, ndërkohë që në vendet me orientim dhe tradita më të forta social-demokrate, shtimi i pabarazive sociale ka qenë më i moderuar, por gjithsesi mjaft prezent. Indikatori më i përdorur sot në botë për të bërë vlerësimin e pabarazive në të ardhura është “pjesa e të ardhurave totale dhe transfertave të përftuara në raport me madhësinë e të ardhurave më të larta që ka në vend për një vit të caktuar (që e përfiton të paktën 1% e popullsisë e konsideruar si më e pasura)”. Në 25-30 vitet e fundit, ky indikator ka shkuar nga 6% në 14.3% në Britaninë e Madhe, nga 7.7 në 18.3% në SHBA, nga 7 në 8.2% në Francë, nga 4 në 6.6% në Suedi,etj. Por, a konsiderohet kjo detyrimisht si një fenomen negativ apo «gjë e keqe» për shoqërinë në përgjithësi apo dhe për shtresat e varfra në veçanti? Thatcher përsëriste shpesh se për të, individi është më i rëndësishëm se sistemi..se shteti duhet t’u krijojë individëve hapësirën e nevojshme që të zhvillohen..se social-demokratët dëshirojnë që të varfrit të bëhen akoma më të varfër dhe të pasurit më pak të pasur…ne mendojmë se pabarazitë janë të pranueshme kur kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit. Ndërkohë, ky paradoks plotësohet me rastin e Kinës, ku siç shprehet një ekspert i çështjeve aziatike, gjatë 30 viteve të fundit, ishte varfëria e një pjese të popullsisë ajo që i linte pa gjumë politikanët kinezë…ndërkohë që sot, është pasuria dhe sjellja ekonomike e të pasurve kinezë ajo që i lë pa gjumë drejtuesit e saj.

Sipas këndvështrimit më liberal apo konservator, në një sistem ekonomik kapitalist e politikisht demokratik, të pasurit kanë të drejtë të fitojnë e pasurohen normalisht nëse çdolloj veprimtarie apo të ardhure e përftojnë dhe e kanë konform ligjeve e rregullave publike, nëse fitimet e tyre nuk prekin abuzivisht fitimet e të tjerëve, nëse gjithçka është transparente dhe jo informale. Më shumë se kaq, fitimet e atyre që konsiderohen të pasur, mund të shikohen dhe si të favorshme për nxitjen e rritjes ekonomike, shtimin e kërkesës dhe konsumit, inkurajimin e inovacioneve dhe investimeve të rëndësishme etj. Pra, me fjalë të tjera, mund të shihen si elemente përfitimi edhe për shtresat e tjera të shoqërisë. Tashmë, të gjithë e njohin argumentin e famshëm të filozofit amerikan John Rawls, i cili në librin e tij Teoria e së drejtës nënvizonte se “pabarazitë janë të supozuara si të ‘drejta’ kur ato kontribuojnë në përmirësimin e jetesës së shtresave vulnerabël të shoqërisë”, në rast të kundërt, ato duhet të luftohen me çdo kusht.

A përputhet me realitetin ky konkluzion? Për t’iu përgjigjur një pyetjeje të tillë duhet të bazohesh në radhë të parë te niveli dhe shpërndarja e të ardhurave të shtresave që konsiderohen të varfra në një shoqëri apo shtet të dhënë. Në këtë këndvështrim, Lane Kenworthy, profesor në Universitetin e Arizonës, SHBA, ka bërë një studim interesant të shtrirë në shumë vende të botës, ku analizon lidhjet dhe ndikimet e ndërsjella ndërmjet të ardhurave në total dhe të ardhurave nga pagat në raport me ecurinë e pabarazive sociale. Duke analizuar të dhënat për periudhën 1979-2008, për lidhjen që ekziston ndërmjet ecurisë së pabarazive dhe “mirëqenies” së shtresave të varfra, Kenworthy konstaton se ndërmjet tyre nuk evidentohet ndonjë lidhje e konsiderueshme shkak-pasojë. Duke përjashtuar vende atipike në sigurimin e PBB të tyre, si p.sh Norvegjia, si pasojë e rezervave të naftës, apo Irlanda, si pasojë e bumit të investimeve të huaja, për vendet e tjera të marra në analizë, evolucioni i të ardhurave të shtresave të varfra nuk ka lidhje direkte me të ardhurat e larta të shtresave të konsideruara të pasura apo me sistemin e taksimit që aplikohet në këto vende.

Kenworthy konkludon se “fitimet dhe të ardhurat e larta të shtresave të pasura nuk janë as të favorshme dhe as negative për fatin dhe mirëqenien e të varfërve”. Koncepti se “ju jeni të varfër sepse ata janë të pasur…apo, do t’ua marrim atyre që janë të pasur që ju të mos jeni më të varfër…nuk qëndron”. Sipas tij, politikat populiste që shpallin gjithnjë fajtor të ardhurat e larta të shtresave të pasura si shkaku i fatkeqësisë për shtresat e varfra apo në nevojë nuk kanë sens, aq më tepër koncepti tjetër populist se “duke taksuar më shumë të pasurit dhe duke ulur taksat për më të varfrit, problemi i pabarazive sociale do të zgjidhet menjëherë e në mënyrë të qëndrueshme”.

Por, përtej këtij konkluzioni të përgjithshëm, më interesante është analiza specifike e zhvillimeve sipas vendeve të veçanta, dhe sidomos dallimi i qartë ndërmjet dy burimeve të të ardhurave që kanë shtresat në nevojë: të ardhurat primare ku vendin kryesor e zënë pagat dhe transfertat neto që ata përfitojnë, ku futen ndihmat sociale, pagesat për papunësinë, pensionet, kompensimet e ndryshme për shërbime të caktuara, mbrojtja sociale, mbulimi i shërbimeve shëndetësore, arsimore, strehimit etj. Në vendet tipike anglo-saksone si Anglia, Irlanda, SHBA, etj., preferohet më shumë rritja direkte e pagave për shtresat e varfra e kombinuar kjo me shtimin e peshës specifike të transfertave, ndërkohë që në vende si Suedia, Gjermania, Australia, Kanadaja etj., është preferuar shtimi masiv i transfertave neto duke u lënë më pak rol diferencave në taksa dhe paga, duke e gjykuar këtë si rrugën më të mirë të reduktimit të varfërisë dhe pabarazive sociale. Në lidhje me modelin e efektit të transfertave drejt më të varfërve mund të evidentohen shifrat e mëposhtme: në SHBA, kategoritë e pafavorizuara (15% e popullsisë) përfitojnë rreth 42% të transfertave në total, në Francë dhe Gjermani, rreth 35-36% të tyre, ndërkohë që të pasurit në SHBA përfitojnë vetëm 20% të tyre, në Francë e Gjermani, vetëm 25% të tyre.

Pra, evolucioni i nivelit të të ardhurave të shtresave të varfra shpjegohet esencialisht në funksion të ndryshimeve të transfertave neto dhe jo thjesht e vetëm në funksion të të ardhurave primare si pagat apo lehtësitë nga taksat. Parë në tërësi, arrihet në konkluzionin se “janë politikat rishpërndarëse të të ardhurave dhe masa e mbrojtjes e mbështetjes sociale ato që ndikojnë më shumë në reduktimin e varfërisë, ndërkohë që rritja e pagave apo diferencat në taksat kanë efekte më minimale”. Në Suedi, Gjermani, Holandë, Slloveni etj., ndërkohë që të ardhurat primare për shtresat e varfra kanë njohur një zvogëlim vitet e fundit, ka qenë rritja e transfertave ajo që ka kompensuar, bile dhe e ka shtuar, nivelin total të të ardhurave të këtyre shtresave.

Në këto vende, shtuar këtu dhe vendet baltike, Anglinë, Rumaninë, Poloninë, Hungarinë, Japoninë, Rusinë, Republikën Çeke, Spanjën etj., po pranohet çdo ditë e më tepër dhe ekzistenca e një “sistemi dual”, sipas të cilit, të njëjtat shërbime publike ofrohen si nga struktura publike ashtu dhe nga struktura private. Shtresat e pasura mund të paguajnë më shumë dhe më direkt në sistemin privat duke u përjashtuar “me ligj” nga mjaft transferta publike, ndërkohë që shtresave vulnerabël iu garantohet një shërbim shumë i lirë ose falas në strukturat publike. Pozicionet ekstreme të tipit: “sisteme tërësisht private..tregu mbi gjithçka”, “tërësisht publike..shteti mbi gjithçka” apo “barazi dhe kushte të njëjta për të gjithë”, në fakt krijojnë diferencime të papranueshme për shoqërinë duke mos e zgjidhur problemin në thelbin e tij. E rëndësishme është të kuptohet se në rastet kur transfertat neto financohen kryesisht prej taksave dhe tatimeve, ku një vend kryesor zënë pagat dhe të ardhurat e tjera të larta, atëherë, pagat apo fitimet e larta nuk bëjnë gjë tjetër, përveçse ndikojnë pozitivisht në rritjen e portofolit të transfertave neto që shkojnë në favor të të varfërve apo shtresave të tjera në nevojë. Por, kur transfertat financohen kryesisht nga burime apo të ardhura të tjera, atëherë është e rekomandueshme që të mos insistohet shumë në taksa të larta për më të pasurit dhe përjashtime nga taksat për shtresat në nevojë sepse kjo mund të nxisë dy sjellje të dëmshme: parazitizmin dhe frenimin e përpjekjeve për të investuar e fituar më shumë. E rëndësishme është që të konceptohen dhe aplikohen politika rishpërndarëse sa më efektive.

Nga ky këndvështrim, pyetjes se “a duhet t’i kufizojmë, shqetësohemi apo taksojmë detyrimisht të ardhurat e larta në mënyrë që të kemi mundësi të shtojmë ato të ulëta, dhe reduktojmë varfërinë”, mendoj se i duhet dhënë përgjigje shumë relative në funksion të kushteve konkrete e politikave që aplikojnë vende të ndryshme.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi