Mandati i Parlamentit nuk mund të zgjatet, as me vullnet politik

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 13 prill 2017

Edi Rama ndodhet përballë një ultimatumi të vendosur nga opozita, por ditët e fundit dhe nga aleati de jure i qeverisë, LSI. Kushti i vetëm që opozita të marrë pjesë në zgjedhje, si pasojë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, është ai i qeverisë teknike me qëllim realizimin e kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Një pretendim më se legjitim nga ana e opozitës, por që kërkohet me mjetet dhe në kohën e papërshtatshme duke vënë në dyshim qëllimin e vërtetë politik të saj.

Nëse do të realizohej kjo kërkesë e opozitës në këtë moment, atëherë qeverisë teknike apo të “besimit”, do t’i duhej një kohë relativisht jo e shkurtër për të realizuar të gjitha kushtet që ajo pretendon. Në këtë mënyrë do të shtyhej data e zgjedhjes dhe si pasojë mandati i Parlamentit aktual, i cili mbaron në 9 Shtator 2017. E vetmja mënyrë për të realizuar pretendimet e opozitës është zgjatja e mandatit të Parlamentit përtej kësaj date, nëse ky është qëllimi vërtet i çadrës dhe jo një avantazh paraelektoral që askush me një logjikë normale politike nuk do t’ia jepte kundërshtarit të tij.

Logjika e kësaj kërkese, e mbështetur dhe nga disa konstitucionalistë afër opozitës, merr të mirëqenë faktin se në një rend kushtetues, vullneti politik mund të bëjë dhe të ndryshojë çdo gjë. Një logjikë e cila vjen si pasojë e një sistemi politik që kemi patur deri më tani, që kujton se, funksionimi i institucioneve dhe Shtetit në tërësi varet nga dëshira ose jo e partive politike.

Regjimet e demokracive kushtetuese, kanë lindur pikërisht për të frenuar vullnetin politik të funksionimit të shtetit. Kjo është kriza e vërtetë e Shqipërisë. Nuk kemi arritur akoma të ndajmë partitë politike nga Shteti. Janë dy gjëra totalisht të kundërta.

Është pikërisht kjo, fitorja më e madhe e këtij sistemi, që mbarëvajtjen e demokracisë nuk e lë në dorë të dëshirës së një partie apo tjetre, por i fut ato nën shinat e shtetit i cili është dhe duhet të qëndrojë aty përtej çdo oreksi politik.

Kështu që, as zhvillimi i zgjedhjeve nuk varet nga dëshira e Lulzim Bashës dhe as zgjatja e Parlamentit nuk varet nga vullneti i Edi Ramës. Nëse do të ishte kështu, atëherë do të krijohej një precedent tejet i rrezikshëm në tentativën tonë për të krijuar një rend politik të qëndrueshëm.

Shpeshherë merren si shembull zgjedhjet lokale të vitit 2007, ku zhvillimi i tyre u shty me disa ditë. Por, një gjë është shtyrja e datës së zgjedhjeve dhe tjetër gjë kohëzgjatja e mandatit të kryetarit të Bashkisë, i cili në këtë rast nuk u zgjat as edhe një ditë më tepër.

Andaj, Edi Rama nuk ka asnjë rrugëzgjidhje, përveçse të zbatojë detyrimet kushtetuese nëse vërtet pretendon se po bën shtet. Mos i kërkoni të zgjasë mandatin e Parlamentit, nuk e ka në dorë aspak.

Nëse palët politike do të binin dakord të hiqnin të drejtën e pronës private në Shqipëri, a mund ta bëjnë dot?

Sigurisht që jo! Sepse ekzistojnë disa parime kushtetuese universalisht të njohura, një nga të cilat është edhe kohëzgjatja e mandatit parlamentar për aq kohë sa e ka vendosur populli, që nuk mund të ndryshohet as me vullnet politik.

Në këtë kuptim duhet të interpretohet dhe neni 66 i Kushtetutës sonë, në të cilin thuhet: “Mandati i Kuvendit zgjatet VETËM në rast lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo”. Sepse në kohë lufte, ka përparësi mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe vetëm atëherë mund të kalojë në plan të dytë legjitimiteti i pushtetit nga ana e popullit.

Qytetarët shqiptarë, e kanë mandatuar këtë parlament vetëm për katër vjet. Zgjatja e pushtetit të tij, qoftë edhe një ditë më shumë, përbën një pushtet të pavotuar dhe si pasojë shkel parimin thelbësor të një demokracie. Nuk do të ishte aspak e ekzagjeruar nëse një skenar i tillë do të ndodhtë të quhej puç shteti. Në fund të fundit, puç shteti do të thotë pushtet politik i palegjitimuar nga vota popullore.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi