Sistemi zgjedhor miks – Më i miri i dy botëve?

Nga Anjeza Xhaferaj, botuar në Mapo, 30 nëntor 2016

anjeza-xhaferrajÇ’është sistemi elektoral dhe kriteret për dizenjimin e tij

Kanë kaluar më shumë se pesëmbëdhjetë vite që kur Matthew Soberg Shugart dhe Martin P. Wattenberg botuan veprën seminale mbi sistemet zgjedhore, ku pas një analize mbi sistemet zgjedhore në vendet perëndimore konkluduan se sistemi zgjedhor miks është ai më i miri në botën e sistemeve zgjedhore. Natyrshëm mund të thuhet: po a nuk ishim vallë aty në ‘botën’ mikse prej nga ku pas pothuaj dy dekadash më në fund u larguam drejt sistemit proporcional? Pyetja është legjitime, e megjithatë e them me bindje se sistemi miks është ai më i përshtatshmi dhe jo vetëm në vendet e Evropës Perëndimore por edhe në Shqipëri.

Sistemi zgjedhor miks iu ofron votuesve mundësinë edhe për të përzgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesin/en e zonës së tyre zgjedhore, dhe në të njëjtën kohë ofron edhe elementin e përfaqësimit proporcional, që redukton deri diku padrejtësinë e votimit mazhoritar, i cili merr parasysh vetëm preferencën që ka fituar më tepër vota, duke çuar dëm një numër të madh votash të hedhura për kandidatë të tjerë. Ndër shtetet që kanë sistemin miks mund të përmenden Gjermania (që është edhe shteti i parë që e ka aplikuar), Italia, Japonia, Zelanda e Re, Skocia dhe Wellsi, si edhe pjesa më e madhe e vendeve post-komuniste, si: Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Lituania, Armenia. Në vitin 1998, Komisioni Mbretëror e rekomandoi zyrtarisht këtë sistem për të gjithë Britaninë. Edhe vende me traditë jo fort të gjatë demokratike si Meksika apo Venezuela kanë adaptuar versionin gjerman të sistemit miks. Po kështu edhe Izraeli, pavarësisht se nuk ka hequr dorë nga votimi proporcional për parlamentin, kryeministrin e zgjedh me votim të drejtpërdrejtë duke e bërë kështu sistemin miks.

Në këtë pikë është e rëndësishme të kujtohet se nuk ka asnjë sistem zgjedhor perfekt dhe çdo vend përzgjedh sistemin që i përshtatet më mirë, pra sistemin i cili në varësi të kontekstit favorizon prioritetet kryesore të vendit. Po kështu është me vend të thuhet se sistemi elektoral nuk mund të bëjë mrekulli: ai është në dorë të politikanëve të cilët përmes aleancash para dhe paszgjedhore, ujdish në skena dhe prapaskena mund të eliminojnë disa prej aspekteve të dëshirueshme të sistemit zgjedhor, duke e bërë kështu reformën zgjedhore të padobishme.

E megjithatë, pavarësisht rolit të pashmangshëm dhe shpesh deciziv që luajnë aktorët politikë, është e rëndësishme të përzgjidhet sistemi që më së shumti plotëson kriteret kryesore për një vend të caktuar. Konkretisht në përzgjedhjen e sistemit elektoral, dizenjuesit e tij duhet të jenë të qartë në lidhje me çështje të tilla, si: a është sistemi i qartë dhe i kuptueshëm; a është i përshtatshëm për vendin; a është marrë parasysh konteksti; a është gjithëpërfshirës; a perceptohet procesi i dizenjimit të sistemit si legjitim dhe rezultatet e zgjedhjeve a do të perceptohen si të tilla, pra legjitime; a evitohen maksimalisht votat e humbura; a ndihen votuesit të motivuar të marrin pjesë; a krijon mundësinë për një sistem konkurrues; dhe së fundmi, a ndihmon në zgjidhjen e konflikteve dhe jo në thellimin e tyre.

Sistemi elektoral përkthen votat e hedhura në zgjedhjet e përgjithshme në vende në parlament për partitë politike. Ajo çka duhet patur parasysh në dizenjimin e sistemit elektoral është formula zgjedhore e përdorur, struktura e fletës së votimit dhe madhësia e zonës zgjedhore. Me formulë zgjedhore kuptojmë nëse është përdorur sistem mazhoritar, proporcional apo miks dhe çfarë formule matematikore është përdorur për të përllogaritur shpërndarjen e vendeve në parlament. Me strukturë të fletës së votimit kuptojmë nëse zgjedhësi ka votuar për kandidatin apo partinë, dhe nëse ka shprehur një zgjedhje të vetme apo një sërë preferencash të renditura dhe me madhësi të zonës zgjedhore kuptojmë numrin e mandateve që prodhohen në këtë zonë.

Po Shqipëria? Çfarë nuk funksionoi?

Në Shqipëri vështirë se janë organizuar dy palë zgjedhje me të njëjtën formulë, shpërndarje zonash zgjedhore dhe madhësi të zonës elektorale. Dhe kjo e bën të vështirë të kuptohen dhe analizohen pasojat e sistemeve zgjedhore të përdorura deri më tash, sepse do të duhej që të organizoheshin disa palë zgjedhje me të njëjtin sistem zgjedhor për të kuptuar që pasojat nuk janë të momentit, por tipike dhe do të përsëriteshin sa herë që zgjedhjet do të organizoheshin me këtë sistem. Megjithatë, pavarësisht vështirësive që ekzistojnë, disa konkluzione kryesore gjithsesi mund të arrihen.

Zgjedhjet e vitit 1991 u zhvilluan sipas sistemit mazhoritar. Ato të vitit 1992 u zhvilluan sipas sistemit proporcional me mandate të përziera me dy raunde për aspektin mazhoritar dhe me pjesën proporcionale që synonte të korrigjonte ‘padrejtësitë’ e mazhoritarit. Zgjedhjet e vitit 1996 dhe 1997 u zhvilluan me sistemin miks paralel me dy raunde. Sistemi ndryshoi sërish në 2001 dhe 2005. U bë sërish një miks i mazhoritarit dhe proporcionalit, por në 2001 ai mbeti me dy raunde duke rimarrë aspektin kompensues dhe në 2005 u bë më i thjeshtë duke ruajtur aspektin kompensues të proporcionalit dhe duke e kthyer mazhoritarin në një raund. Së fundmi, sistemi ndryshoi sërish në vitin 2008 dhe zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2013 janë zhvilluar sipas sistemit proporcional rajonal me lista të mbyllura.

Nëse i referohemi shpërndarjes së vendeve në parlament, përgjithësisht, dy partitë kryesore kanë marrë më tepër se 80 për qind të vendeve në parlament. Vitet e vetme kur ato kanë marrë më pak janë vitet 2001 dhe 2005 ku ato kanë marrë respektivisht 75% dhe 71% të vendeve në parlament. Situata ndryshoi radikalisht në zgjedhjet e vitit 2009, ku pas ndryshimit të sistemit elektoral nga miks me mandate të përziera në proporcional me lista të mbyllura, PS dhe PD morën 96% të vendeve në parlament, duke eliminuar tërësisht ose pothuaj tërësisht nga skena politike të gjitha partitë e vogla me të cilat kishin lidhur aleanca më parë. Të mbijetuarit e vetëm ishin PR dhe LSI, që megjithatë patën shumë më pak vende se sa në zgjedhjet e mëparshme. Konkretisht PR nga 11 vende në parlament që kishte në vitin 2005, u reduktua në një vend në parlament dhe LSI nga pesë vende në vitin 2005 u reduktua në katër në vitin 2009. Zgjedhjet e vitit 2013 u dukën se ishin më fatlume për partitë e vogla, sepse PR kaloi në tri vende, PBDNJ u rishfaq sërish dhe LSI, fituesja e madhe, kaloi në 16 vende parlamentare duke u bërë kështu e domosdoshme që PS të arrinte të krijonte qeverinë dhe koalicioni PS-LSI të siguronte shumicën e vendeve në parlament.

Po cilat janë problematikat që kanë shoqëruar këto zgjedhje? Në rastin e sistemit miks me mandate të përziera kemi shfaqjen e asaj që gjerësisht në Shqipëri u njoh si fenomeni i ‘dushkut’ ku partitë e vogla orientuan mbështetësit e tyre, për të votuar në mazhoritar për partitë e mëdha, respektivisht PS dhe PD, ndërsa partitë e madha që nuk prisnin të merrnin vende nga pjesa proporcionale, orientuan mbështetësit e tyre të votonin për partitë e vogla aleate, duke denatyruar kështu tërësisht procesin elektoral. Kështu në vitin 2005, PD mori vetëm 7.67% të votave në proporcional edhe pse fitoi 56 vende në parlament. Ndërsa PS fitoi 8.89% të votave në proporcional edhe pse fitoi 42 vende në parlament. Sigurisht që vendet në parlament u siguruan nga votimi i drejtpërdrejtë në mazhoritar, ndërkohë që votimi në proporcional prodhoi vende në parlament për partitë e vogla, të cilat nuk do të kishin mundësi të siguronin vende përmes votimit të drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë, partitë e mëdha orientuan votën elektorale, jo sipas preferencave të elektoratit por sipas aleancave parazgjedhore dhe përllogaritjeve matematikore, gjë që do ju mundësonte marrjen ose ruajtjen e pushtetit. Por rirreshtimi elektoral ndodh vetëm kur partitë nuk performojnë mirë dhe votuesit zgjedhin të votojnë për një parti tjetër, apo kur struktura e elektoratit ka ndryshuar dhe për pasojë edhe prioritetet e tij ndryshojnë sikundër edhe për shkak të ndryshimit të hapësirës politike dhe propozimeve politike të bëra nga politikanët. Me pak fjalë, ndryshimi në sjelljen zgjedhore vjen si pasojë e një sërë faktorëve të hapësirës konkurruese siç janë përbërja e kësaj hapësire, strategjitë dhe premtimet dhe reagimi i zgjedhësve ndaj këtyre përbërësve. Çdo lloj ndryshimi që nuk ndodh për shkak të këtyre faktorëve është i manipuluar dhe konsiderohet i dënueshëm.

Fenomeni i ‘dushkut’ pati ndikim negativ edhe mbi vetë partitë e vogla, të cilat u ‘anatemuan’ si ato që përfitonin nga procesi zgjedhor dhe siguronin vende në parlament pa pasur mbështetje reale në shoqëri. Për më tepër ato shpesh u akuzuan si shkaktarët kryesorë të dështimit të partive të mëdha, përgjegjësi që, gjithmonë sipas akuzuesve, ato nuk e ndanin së bashku po ja faturonin gjithmonë partive kryesore. Pra, mungesa e llogaridhënies së partive të vogla, që shiheshin si përftuesit parazitarë të sistemit u pa si një e metë e madhe që sistemi miks prodhonte. Por do të shtoja, se ndoshta ndikimi më negativ që pati fenomeni i ‘dushkut’ mbi partitë e vogla, është se ai hoqi incentivat që partitë të organizoheshin territorialisht dhe të mobilizonin elektoratin. Kështu nga njëra palë zgjedhje në tjetrën ato filluan gjithmonë e më tepër të humbnin terren duke mbetur pa bazë të vërtetë elektorale. Sidomos në zgjedhjet e fundit të zhvilluara sipas sistemit miks, duke bërë thirrje që në votimin mazhoritar votuesit të mbështesnin kandidatët e partive aleate të mëdha (PS dhe PD), partitë e vogla reshtën së identifikuari partinë në një zonë të caktuar zgjedhore me votuesit, gjë që rezultoi fatale për to kur sistemi zgjedhor kaloi në proporcional rajonal. Është e vërtetë që partitë e vogla u votuan në proporcional, por duke qenë se aty u bënë llogaritje matematike prej partive të mëdha të cilat e bënë shpërndarjen gjeografike të mbështetësve sipas zonave të tyre dhe jo në përputhje me peshën specifike të partive të vogla në një zonë të caktuar zgjedhore, kjo mbështetje nuk ndikoi në forcimin e lidhjeve të partisë me elektoratin.

Kalimi i sistemit në proporcional rajonal, supozohej se do të rriste nivelin e përfaqësimit. Megjithatë doli e kundërta, sepse partitë e vogla e kishin humbur lidhjen me një zonë të caktuar elektorale. Ato kishin fituar në zgjedhjen e vitit 2005 nga votat në proporcional në të gjithë vendin, që nuk kërkojnë përqendrim mbështetësish në një zonë të caktuar. Por, siç thotë edhe Sartori, sistemi proporcional mund të ketë të njëjtat pasoja si sistemi mazhoritar, nëse ka pragje të larta natyrore, dhe nëse partitë nuk kanë mbështetje të përqendruar në një zonë por të shpërndarë në të gjithë vendin. Në mënyrë që sistemi të arrijë shkallën më të lartë të proporcionalitetit, ai duhet të ketë zona zgjedhore të mëdha, të cilat e ulin pragun natyror duke iu dhënë kështu mundësi partive të vogla të nxjerrin deputet. Por duke qenë se edhe zona shumë të mëdha dobësojnë lidhjet e të zgjedhurve me zgjedhësit, studiuesit përgjithësisht kanë rënë dakord se madhësia e zonës zgjedhore preferohet të jetë numër tek midis tre dhe shtatë, edhe pse ndonjëherë është e nevojshme që zonat zgjedhore ta ketë madhësinë më të madhe.

Zgjedhjet e vitit 2009 në Shqipëri u karakterizuan nga pragje shumë të ulëta efektive, sepse zonat zgjedhore ishin të mëdha. Konkretisht në krye qëndron Tirana me madhësi të zonës zgjedhore 32, dhe më pas renditet Fieri me 16, Elbasani me 14, Durrësi me 13, Korça dhe Vlora me 12, Shkodra me 11, Berati me 8, Lezha me 7, Dibra me 6, Gjirokastra me 5 dhe në fund Kukësi me 4. Është e qartë që pjesa më e madhe e zonave janë shumë larg shifrës së dëshirueshme midis tre dhe shtatë. E megjithatë, partitë e vogla nuk ia dolën të depërtojnë në parlament, sepse ato nuk investuan në forcimin e lidhjeve me elektoratin dhe nuk forcuan strukturat në terren, për shkak të asaj që u diskutua edhe më lart, pra të fenomenit të ‘dushkut’.

Jo vetëm që sistemi proporcional nuk zgjidhi çështjen e përfaqësimit, por me krijimin e aleancave me 37 parti, funksionoi njësoj ‘dushku’. Ashtu si dikur, partitë e mëdha vazhdojnë të marrin vota prej partive të vogla, në shkëmbim të vendeve dhe posteve të punës dhe ndonjëherë edhe në qeveri si në rastin e LSI në 2009 dhe 2013. Pra, pavarësisht se sistemi zgjedhor ndryshoi, ai nuk korrigjoi defektin më të madh të sistemit të mëparshëm: denatyrimin e votës popullore. Sërish partitë vijnë në pushtet si rezultat i përllogaritjeve matematikore. Për më të tepër, sistemi kritikohet se dobëson lidhjet ndërmjet votuesve dhe përfaqësuesve të tyre. Listat e mbyllura nuk iu lënë vend votuesve të kuptojnë identitetin e personave që do t’i përfaqësojnë, dhe po kështu duke votuar në bllok, pra për listën, nuk e kanë mundësinë që të diferencojnë mes kandidatëve dhe të mos votojnë për ndonjë kandidat të padëshiruar. Një e metë tjetër e sistemit është se e përqendron pushtetin te drejtuesit e partisë, sepse kandidatët tregojnë më besnikëri ndaj kreut të partisë që vendos për praninë ose jo në listat zgjedhore se sa ndaj zonës zgjedhore. Pra, lidhja e kandidatëve me elektoratin kalon në plan të dytë. Së fundmi, sistemi penalizon partitë që nuk kanë struktura të forta partiake ose nuk kanë përqendrime të konsiderueshme në një zonë të caktuar elektorale.

Cila është zgjidhja? Drejt cilit sistem zgjedhor të shkojmë?

Nëse sistemi miks me mandate të përziera dhe sistemi proporcional nuk janë të përshtatshëm, cili do të ishte sistemi më i përshtatshëm për Shqipërinë. Ka autorë që e shohin sistemin e pastër mazhoritar si një sistem të dëshiruar për vende si Shqipëria për shkak se sistemi është i thjeshtë, i jep jetë qeverive me një parti, gjë që rrit nivelin e llogaridhënies së partisë sepse ajo nuk ka pengesa në formën e lëshimeve dhe negociatave me aleatët për të realizuar programin politik me të cilin ka fituar zgjedhjet, i jep jetë një opozite të fortë dhe koherente në legjislaturë, promovon lidhjen e të zgjedhurve me zgjedhësit, i jep mundësi votuesve të zgjedhin ndërmjet kandidatëve dhe jo ndërmjet partive. Pavarësisht avantazheve që ka ky sistem, ai ka edhe një sërë disavantazhesh, ku më të rëndësishmit janë: përjashtimi i partive të vogla prej përfaqësimit; përjashtimi i kandidatëve që perceptohen jo si gjerësisht të pranuar prej zonës zgjedhore, si p.sh. gratë apo përfaqësuesit e një minoriteti apo grupimi të caktuar; prodhimi i një numri të madh votash të humbura që nuk kanë votuar për asnjërën prej partive kryesore, gjë që çon në humbjen graduale të mbështetësve të partive të vogla; ndarja e votës, që ndodh kur dy parti të ngjashme konkurrojnë në të njëjtën zonë zgjedhore dhe votat ndahen midis të dyjave duke bërë që asnjë prej partive të mos fitojë, por të fitojë një parti e tretë që nuk është aq popullore nga pikëpamja ideologjike, siç ndodhi në Shqipëri në vitin 2005, ku edhe pse në disa zona zgjedhore e majta ishte në avantazh në krahasim me të djathtën, ndarja e votave mes PS dhe LSI çoi në zgjedhjen e deputetëve të PD-së; dhe së fundmi mund të çojë në mungesë fleksibiliteti ndaj ndryshimit të opinionit publik, sepse partitë mund të vazhdojnë të sigurojnë pak a shumë të njëjtin numër deputetësh edhe pse mbështetja në publik nuk është e njëjtë me më parë.

Në këto rrethana, mendoj se sistemi miks paralel është më i miri i ‘dy botëve’ sepse ofron avantazhet edhe të sistemit të pastër mazhoritar ashtu edhe të atij proporcional, duke eliminuar aspektin negative të tyre. Konkretisht, sistemi miks paralel ka aspekte të mazhoritarit të pastër dhe proporcionalit, i cili nuk kompenson për ‘padrejtësitë’ e mazhoritarit. Në këtë mënyrë, partitë politike të mëdha, pavarësisht numrit të madh të vendeve që mund të kenë marrë nga votimi i drejtpërdrejtë në mazhoritar, kanë sërish të drejtë të fitojnë vende në proporcional, gjë që eliminon tërësisht fenomenin e ‘dushkut’. Në këtë sens, edhe partitë e vogla, të cilat nuk kanë mundësi të nxjerrin deputetë nga votimi në mazhoritar kanë mundësi të sigurojnë vende në parlament, për shkak të pragut të ulët natyror që operon në proporcional ku i gjithë vendi funksionon si një zonë e vetme zgjedhore. Nëse do ta aplikonim këtë sistem në rastin e Shqipërisë, sigurisht që do të duhej të diskutohej balanca ndërmjet numrit të deputetëve që dalin nga mazhoritari dhe atyre që dalin nga proporcionali, do të diskutohej mbi madhësinë dhe kufijtë e zonave zgjedhore, por sistemi është i thjeshtë për t’u kuptuar, dhe përveçse krijon parti të forta, i jep mundësi edhe partive të vogla, alternativave të reja të depërtojnë në sistemin politik, gjë që rrit nivelin e përgjegjësisë dhe performancës të të gjitha partive.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi