Shteti, Pushteti dhe Shqiptari

Nga Besi BEKTESHI

Botuar Agjensia e lajmeve Sot, 5 janar 2013

Sot, mosha deri në 25 vjeç, nuk e ka idenë e qeverisjeve të mëparshme. Ata kanë fatin e mirë të mos kenë jetuar një absurd politik dhe ekonomik, por kanë fatin e keq, që kanë jetuar vetëm post absurdin komunist, pa hyrë në kohën e vërtetë të praktikës demokratike si në politikë dhe padyshim ekonomi. Nuk janë krejtësisht më me fat se sa ne, që kemi avantazhin e të jetuarit në dy kohë… absurdi… në fakt! Po është një “fat i madh”, të jetosh në një kohë kur shtetin e ke armik, kur ai të mbyll në qelinë e madhe të diktaturës dhe të ushqen për të mbajtur vetëm frymën dhe këtë ta merr në punë, e po nuk more vesh edhe në kamp përqendrimi, apo edhe me pushkatim. Çfarë do të trashëgonim ne nga komunizmi në të vërtetë? Çfarë… leckat tona, sapunët 15 lekësh që vinin era sodë dhe pamundësi pastrimi, mungesën tonë të lirisë, punën tonë vullnetare të pa paguar, burgjet tona, apo urinë tonë… apo atë shtet maskara… shtet…! Po ishte një shtet maskara, një shtet që drejtohej nga një klikë pushtetarësh idiotë dhe kriminelë, por edhe servilë të Enver Hoxhës.

Në fund të fundit… këtë shtet trashëguam. Trashëguam zyrat e tij, vulat e tij, universitetet e tij, zyrtarët e tij, akademitë e tij, filmat e tij, dëshmorët dhe heronjtë e tij, kinematografinë dhe teatrot e tij, shkollat e tij, hidrocentralet e tij, hekurudhat e tij, rrugët e tij, bunkerët e tij, spiunët e tij, sekretarët e tij, anëtarët e partisë së tij, të burgosurit e tij, të shpronësuarit e tij, kooperativat e tij, ullishtet e tij, spitalet e tij, armatimet e tij, portet dhe aeroportet e tij, muzetë e tij, arkivat e tij, apartamentet e tij, kryeqytetin e tij, fabrikat e tij, kanalet ujitëse dhe vaditëse të tij, e shumë e shumë institucione të tij, për mirë apo për keq…! Do të pyesni… po na bën inventarin? Po, po bëj inventarin e asaj gjëje, që quhet shtet dhe që trashëgohet nga regjimi në regjim.

Shteti komunist trashëgoi si nga shteti i Zogut dhe fashizmi dhe nazizmi një shtet, vula, dokumenta, shkolla kombëtare, institucione dhe administratë dhe ato asete që shteti kishte zhvilluar. Pse donte të thoshte bëra gjithçka nga e para, ky është problem tjetër, por trashëgoi dhe trashëgoi mirë. Transformoi dhe zhvilloi në ideologji e sipër edhe komunizmi për gati 50 vite shtetin e tij. I keq shpeshherë, por atë trashëguam edhe ne në vitin ‘90-të. Problemi është te shteti. Problemi është se në shumicën e rasteve, shteti në Shqipëri ka qenë shënjestra për tu goditur, duke mos ditur se pa të, ligji i më të fortëve dhe i egërsisë së parimit të vrasjes, do të bënte namin dhe një nga momentet është viti 97-të. Po ndalem këtu. Në Norvegji një delirant që bën si trim, por që është një kodosh frikacak dhe manjak armësh, pa qenë një burrëëëë… vret me epërsinë e të jetuarit në demokraci mbi 70 njerëz. Në USA vazhdojnë vrasjet masive në shkolla dhe zyra… për kot, për hiç, për asgjë… në fakt. Po, sasi njerëzish që vriten nga një njeri që nuk është i çmendur, por që ka luksin të jetojë në një shtet me demokraci. Kanë ndodhur edhe në Gjermani, Britani dhe Itali. E faji, domosdo i vihet armëve në dorë të njerëzve të tillë. Por unë po nxjerr një deduksion. Sado armë të kenë amerikanët, ne kemi hapur depot e armëve për frymë popullsie më të mëdha se sa në USA. Akoma nuk ka ndodhur që dikush këtu të bëjë krime të kësaj natyre… do zoti dhe nuk ndodh. E kam fjalën se shteti… po dhe shteti me demokraci, që po e po, ka edhe modelin dhe përgjegjësinë dhe i kërkohet mbrojtja. Ju ndodh kjo marrëzi vetëm atyre me demokraci. E tek shteti sërish, e kërkojnë ndihmën qytetarët e tij. Historia e shqiptarëve me shtetin është fatkeqe, sepse që në 1912-tën e kanë sulmuar, pastaj që nga 1920-1928 e kanë sulmuar dhjetra herë, pastaj në 1939-tën, ju a hodhën (shqiptarëve) në erë italianët e fashizmit të Duçes, pastaj ja morën peng me lloj lloje regjencash dhe servilësh, pastaj vjen shteti i opingave i vitit 1945-së, që vuri partinë mbi shtetin e kombin, dhe një individ akoma më lart tyre. Po kuptohej më tepër pushteti, sundimi, mbizotërimi i shtetit nga grupi dhe sidomos individi. Ky shtet sërish, nuk ishte i pajtuar me qytetarët…që nuk ishin të lirë. Sërish shtet për tu hedhur, demuluar dhe shkatërruar, sepse kishte fituar armiqësinë e qytetarëve, duke ju bërë keq.

Kështu duke mos ndarë mirë konceptet shtet dhe pushtet, duke mos ndarë qartë kapidanin nga kryekomunarin, duke mos ndarë mirë partinë me shtetin, militantin dhe zyrtarin, arrijmë te sistemi i sërish shtetit jo mik, por gati gati armik. Po, por shteti duhet, është ajo gjë që lidh në sistem ligjet me qytetarin. Dakord, por jo urdhërat…!

Dje, as Marksin nuk e sqaronin në frazën e tij të rëndësishme për shtetin kur thoshte: Shteti është mediatori midis njeriut dhe lirisë së tij. Jo, këtë nuk e studionin në universitete dhe akademizmin hoxhist… jo, sepse e dinin se ishte shteti pa asnjë liri për njeriun në botë… ky i yni. Sepse në fakt sipas Friedrich Hölderlin, kishim mundur të lexonim atëhere se gjithmonë, kur njeriu ka dashur shtetin si parajsën e tij, ka ndërtuar ferrin, e kjo te ne është (ka qenë) një model, realitet pushteti dhe jo shteti!

Dy janë mësimet që vijnë nga shteti, te pushteti absurd. Po, dhe unë i kam nga gojët e dy femrave. Dikur një absolutiste e pushtetit si Maria Antonietta (1755-1793) mbretëreshë e Francës thoshte “Qu’il mangent de la brioche” që do të thotë “le të hanë brioshe” por e kishte fjalën për njerëzit që nuk kishin bukë të hanin…! Kurse në Shqipëri, një absolutiste tjetër si Nexhmije Hoxha, akoma gjallë, do të thoshte… “u çuan kafshët”… dhe e kishte fjalën për vitet 1990-të! Të dyja kishin shtetin, por në fakt përfaqësonin pushtetin.

Shqiptari është i mirë. Ai është një model i butë dhe jo vrasës, nuk flas për kronikën e zezë. Ai as ka vrarë, dhe as do të vrasë diktatorë dhe sundimtarë. Nuk di nëse ka bërë mirë…?! Ai ka problem se ngatërron pushtetin me shtetin. Shqiptari i zëmërohet shtetit, për hatër të pushtetit. Ky zemërim te shqiptari është jo vetëm te individi, por edhe te grupi. Akoma më shumë te partia. Po, krijesa më e lartë e grupazhit në Shqipëri. Një zëvendësuese e katundit, lagjes, krahinës, religjionit… po, po… akoma nuk kemi dalë te idetë, interesat, objektivat racionalë…! Nuk di a më kuptoni? Akoma lart konceptit demokratik për shtetin. Dhe nuk e kam fjalën për lart. Jooooo, kryesisht për poshtë, që pastaj ndërtojnë-lartësojnë edhe ata lart, i lavdërojnë, i miklojnë, i mbajnë në shpatulla, i votojnë… në rastin më të mirë. Në më të keqin vriten apo vrasin… për pushtetin. Kur në fakt, duhet të bëjnë detyrën për shtetin dhe kombin.

U futëm në vitin 2013. Po, viti i luftës politike për pushtet. Për pushtet… po… por kjo nuk është lufta ime! Nuk ka se si të jetë lufta ime. Kjo është lufta e atij, asaj, atyre, që duan pushtet, që merren, armatosen politikisht dhe instruktohen, për pushtet. Që alarmohen dhe alarmojnë për pushtet. Për ata që kujtojnë se njerëzit aty poshtë duhet të vdesin për atë që merr pushtet. Për atë grup njerëzish, që ose janë gjatë në pushtet, ose janë gjatë pa pushtet, dhe që mendojnë se pushteti është gjëja e vetme për të cilën mund të jetohet dhe kësisoj, e drejta për jetë, ju jep edhe të drejtën për të marrë jetë! Kurse ne, kemi nevojë për shtet. Për një shtet demokratik që të na kthejë në kontribues dhe në njerëz, të cilët zbatojnë ligje dhe jo urdhëra. Për këtë kemi nevojë dhe asnjëherë nuk po mundemi ta shijojmë. Thonë se në vitin 2013 do të vijë… shteti! Thonë…!!!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi