Një politikë e shëndoshë fiskale është e rëndësishme për të mbështetur rritjen ekonomike

Tryezë e rrumbullakët: Banka Botërore, Fondi Monetar, Ministria e Financave- 15 Shkurt 2013 

Në një tryezë të rrumbullakët që u mbajt sot në Tiranë u diskutuan sfidat dhe përparësitë e politikës fiskale të Shqipërisë në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Qëllimi i kësaj veprimtarie, të organizuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ishte ripohimi i rëndësisë së konsolidimit fiskal për të arritur rritje të qëndrueshme dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, si dhe për të diskutuar hapat specifikë drejt këtyre qëllimeve.

Pjesëmarrësit përfshinin Ministrin e Financave Ridvan Bode, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, Kryeekonomistin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore Indermit Gill, Shefin e Misionit të FMN për Shqipërinë Nadeem Ilahi, staf drejtues nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Kryeministria, si dhe staf nga Banka Botërore, FMN, dhe delegacioni i Bashkimit Evropian.

Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB është nga më të lartët në Evropën Juglindore (EJL) dhe amortizatorët fiskalë kryesisht janë konsumuar (megjithëse rritja në borxhin e Shqipërisë gjatë viteve të krizës globale ka qenë më e ulët se në vendet e tjera të EJL). Pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale meqenëse ato do të kërkonin shpenzime të sektorit publik në të ardhmen. Veç kësaj, borxhi publik i Shqipërisë, një pjesë e madhe e së cilës është i brendshëm, ka një komponent të konsiderueshëm afatshkurtër, që nënkupton riskun e rifinancimit.

Tryeza e rrumbullakët diskutoi gjithashtu nevojën për fillimin e konsolidimit fiskal në afat të shkurtër, në një kohë kur ekonomia operon ndën potencialin e vet.

“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit, duke përmirësuar në këtë mënyrë besimin, duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik, dhe duke kompensuar të paktën pjesërisht çdo ndikim negativ afatshkurtër të kërkesave të konsolidimit fiskal”, deklaroi Nadeem Ilahi, Shef i Misionit për Shqipërinë të FMN.

Në këtë kontekst, është shumë e nevojshme ndërmarrja e masave të prekshme, të cilat përforcojnë politikën e matur fiskale për t’i dërguar tregjeve një sinjale të besueshme.

 “Ndërkohë që rreziku më i madh i jashtëm për ekonominë shqiptare është dobësia në Eurozonë, kërcënimi më serioz i brendshëm është zhbalancimi në financat publike. Në një kohë që qeveria shqiptare nuk mund të bëjë shumë për të ndihmuar vendet e tjera, mund dhe duhet të bëjë më shumë për të balancuar llogaritë e veta,” vuri në dukje Indermit Gill, Kryeekonomisti për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën  Botërore.

Pjesëmarrësit në Tryezën e Rrumbullakët diskutuan rëndësinë e uljes së borxhit publik në një periudhë afatmesme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të arritur rritje të qëndrueshme. Ata shkëmbyen këndvështrime mbi rolin dhe projektimin e një rregullimi të qëndrueshëm fiskal dhe reforma strukturore për të ulur borxhin në një periudhë afatmesme, duke mundësuar ndërkohë që ekonomia të rimarrë veten nga dobësia e saj e tanishme.

“Ndërkohë që mbështetja e ekonomisë nëpërmjet instrumenteve efektivë të politikave makroekonomike është me rëndësi kritke në këtë kohë të vështirë, deri në momentin që kërkesa merr veten dhe ekonomia rifiton forcën e saj, stabilizimi dhe ulja graduale e borxhit publik në kohë, mbetet një përparësi kryesore e qeverisë,” theksoi Ministri shqiptar i Financave, Ridvan Bode. “Ishte shumë i rëndësishëm ky debat me ekspertët ndërkombëtarë sot rreth masave konkrete që mund të merren për të forcuar përpjekjet e konsolidimit fiskal.”

Me synim nga e ardhmja, u diskutuan disa alternative të mundshme mbi mënyrën se si të sigurohet përgjegjshmëria fiskale, siç është miratimi i një rregulli fiscal. Ndërkohë që disa nga masat e propozuara do të kishin nevojë për konsensus të gjerë politik, fillimi i punës përgatitore në këtë drejtim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare financiare dhe institucionet e pavarura, do të sinjalizonin një angazhim drejt politikës së shëndoshë fiskale dhe reformave në të ardhmen.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi