A duhet të mbajë përgjegjësi materiale drejtuesi?

Nga Sherif Bundo, botuar në Panorama Online, 16 korrik 2014

Kushdo që e njeh sadopak administratën shtetërore dhe shtetin, nuk ka si të mos i ketë rënë në sy një fenomen shumë shqetësues. Kohët e fundit qeveria ka filluar të ekzekutojë dhe zbatojë vendimet e Gjyqësorit lidhur me konfliktet e marrëdhënieve të punësimit. Të pushuar nga puna ndër vite që kanë fituar gjyqet me administratën shtetërore dhe që përveçse kthehen në punë, kanë fituar edhe të drejtën e dëmshpërblimit dhe të përfitimit të pagës së vendit të punës që kanë pasur, për disa vite rresht.
Shumë mirë me zbatimin e vendimeve, por…
Nga njëra anë vërejmë një qëndrim korrekt të qeverisë për të respektuar pavarësinë e një strukture tjetër të shtetit, të një pushteti të pavarur nga pushteti ekzekutiv, i gjithëpushtetshëm në ushtrimin e kompetencave të veta. Gjykatat që i kritikojmë përditë dhe që me të drejtë ndaj tyre shoqëria dhe shteti kërkojnë ndershmëri dhe drejtësi të kulluar, kanë dhënë me dhjetëra dhe dhjetëra vendime për largimet nga puna. Në masë, vendimet e tyre, nuk kanë qenë zbatuar nga Ekzekutivi. Qeveria (jo kjo e sotmja) nuk i ka konsideruar fare as vendimet që janë kthyer në titull ekzekutiv dhe as urdhrat e ekzekutimit të këtyre titujve ekzekutivë prej zyrave publike apo private të përmbarimit gjyqësor. Ky është njëri prej problemeve, nga më të thjeshtët, që me sa duket po gjen rrugën e zgjidhjes dhe për këtë duhet inkurajuar dhe përshëndetur. Nuk ka shumë rëndësi nëse qëndrimi i qeverisë aktuale për vendimet e gjykatave është një çështje e vullnetit dhe respektit të saj për pushtetin gjyqësor, apo është një detyrim dhe shtrëngim që buron nga strukturat që monitorojnë procesin e integrimit europian. Apo janë të dyja njëherësh! Rëndësi ka që vendimet po zbatohen dhe që individët e sorollatur me vite nëpër zyra dhe korridore ministrish apo nëpër ndërmarrje, kanë filluar që të ndihen si njerëz të respektuar dhe qytetarë me vlerë.
Nga ana tjetër, shtrohet fare natyrshëm një pyetje: ku e gjen kurajën, forcën, mbështetjen, “trimërinë” një drejtues që nuk respekton dhe nuk zbaton vendimin e një pushteti, si pushteti gjyqësor, fuqia juridike e të cilit ka të njëjtën vlerë kushtetuese me atë të pushtetit ekzekutiv? Si ka mundësi që drejtuesit e institucioneve nuk respektojnë dhe nuk zbatojnë vendime të formës së prerë të pushtetit gjyqësor? Të paktën deri sot kështu ka ndodhur. Unë nuk jam jurist dhe nuk pretendoj se argumentet e mia juridike janë tërësisht të renditura në nene ligjesh dhe kodesh. Por, nuk ka nevojë për njohje të thella dhe të plota juridike për të konkluduar se shteti është në degradim kur pushtetet pjesë e shtetit i kundërvihen njëri-tjetrit, apo nuk respektojnë njëri-tjetrin.
Fatura është shumë e rëndë
Në fakt, shqetësimi im nuk ka të bëjë fare me atë sa shpjegova më sipër. Para disa ditësh mësova se numri i proceseve gjyqësore që kanë pasur për objekt marrëdhëniet e punës në 8 vitet e fundit shkon në mbi 4250 raste. Vlera e dëmshpërblimeve që kanë akorduar vendimet e organeve gjyqësore të të gjitha niveleve shkon në mbi 82 milionë euro. (Është një llogaritje e përafërt, por edhe gjysma të jetë është jashtëzakonisht shumë e lartë). Në një të përditshme të Tiranës, vetëm për 8 muajt e fundit, thuhet se janë larguar mbi 1500 raste. Megjithëqë paksa e ekzagjeruar, shifrat janë gjithsesi shqetësuese. Pjesa më e ngarkuar me procese dhe penalitete të tilla është administrata publike, ose disa segmente të saj si administrata tatimore, administrata doganore, ministritë, organet e rendit, administratat e bashkive dhe të komunave, ndërmarrjet publike etj. Më të theksuara këto raste kanë qenë në ato instanca të pushtetit qendror apo vendor në të cilat ka pasur rotacion politik të forcave që drejtojnë qeverisjen e tyre. Në dy-tri vitet e para të zgjedhjeve fenomeni ka qenë tejet shqetësues.
Nga gjithë sa shpjeguam dhe parashtruam më sipër rrjedhin përfundime të rëndësishme dhe mjaft shqetësuese. Fatura e këtyre vendimeve është një penalitet i rëndë për buxhetin e shtetit. Emërimi apo largimi i paargumentuar dhe i pajustifikuar nga puna i një punonjësi është kompetencë e titullarit të institucionit. Ky i fundit merr vendim në zbatim të kompetencave të caktuara prej akteve. Në rastin më të shpeshtë prej ligjit apo prej akteve të tjera normative. Por, çfarë kusuri ka qytetari i thjeshtë që të paguajë më shumë tatime dhe taksa për të përballuar këtë faturë shtesë që rëndon mbi buxhetin e shtetit të tij? Pse duhet të privohet ai, si qytetar i mirë dhe si individ nga një e mirë publike e munguar, apo ofruar me cilësi të keqe, nga që një pjesë e fondeve të buxhetit të shtetit u adresuan në një drejtim tjetër, provokuar nga një vendimmarrje e një drejtuesi të paaftë? Nuk mund t’i vëmë emër tjetër, përderisa vendimi i gjykatës i jep të drejtë punonjësit dhe e dëmshpërblen atë.
Barrën e vërtetë të detyrimeve të buxhetit të shtetit e mbajnë konsumatorët, qytetarët si konsumatorë. Përderisa vendimet e gjykatave u japin të drejtë punonjësve, kemi të drejtë të arsyetojmë se ndodhemi në rrethanat e dy situatave të mundshme: ose drejtuesit nuk kanë marrë vendime të drejta, ose ata nuk kanë pasur aftësinë profesionale dhe drejtuese që të argumentojnë ligjërisht drejtësinë e vendimmarrjes së tyre. Mund të ndodhin njëherësh edhe të dyja rrethanat. Në rastin kur vendimmarrjet për largimet nga puna nuk janë të drejta, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi drejtuesin kryesor, mbi vendimmarrësin. Në rastin kur punonjësi e ka mbushur kupën për të ndërprerë marrëdhëniet e punës, por administrata dhe zyrat e burimeve njerëzore dhe shërbimet juridike nuk e kanë aftësinë të provojnë dhe argumentojnë përgjegjësinë apo shkeljen e punonjësve, përsëri përgjegjësia është e drejtuesve që ndërtojnë dhe drejtojnë struktura të paafta administrative. Më ka rastisur të dëgjoj edhe raste fare flagrante, që nuk janë të denja as për vendet më të prapambetura të Afrikës, apo as për periudhat e mesjetës, jo për një shtet europian. Drejtues që pasi urdhëron largimin nga puna dhe ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve financiare, urdhëron rojet që punonjësi i larguar të mos lejohet të futet në territorin e ndërmarrjes. Administrata urdhërohet të mos i japë as një vërtetim page, dokumenti më minimal që kërkohet në konfliktet gjyqësore. Sjellje të çuditshme, por mjerisht të vërteta.
Pesha e dëmit në buxhetin e shtetit dhe e përgjegjësisë është akoma më e madhe, pasi për atë vend pune që gjykata e rikthen në punë punonjësin e larguar nga puna, drejtuesi ka punësuar një tjetër. Dëmi është dyfish. Nga njëra anë një punonjës fiton, sipas vendimit të gjykatës dhe ligjit, pagën për një kohë për të cilën nuk ka punuar dhe, nga ana tjetër, në atë vend pune, si rregull, në shumicën absolute të rasteve, është paguar një punonjës tjetër.
Vitet e fundit kanë filluar të përdoren dhe të aplikohen metoda bizantine për largimin nga puna. Në disa ndërmarrje nacionale, një punonjës në Tiranë e emëronin në një degë apo filial periferik, si Kukës, Dibër, Korçë, Gjirokastër apo Vlorë. Punonjësi i emëruar në këto zona nuk ka të drejtën të kërkojë në gjykatë rikthimin në punë se nuk kemi të bëjmë me një ndërprerje të marrëdhënieve të punës, por me një lëvizje brenda ndërmarrjes. Kjo bëhet qëllimisht për të përcjellë mesazhin e nënkuptuar që na duhet vendi yt i punës për një person tjetër, ndaj tërhiqu vetë.
Po drejtuesi a duhet të paguajë nga xhepi?
Punonjësi rikthehet në punë dhe do të fitojë pagën për kohën e larguar padrejtësisht nga puna. “Punë e madhe”, paguan buxheti i shtetit. Edhe për këtë “punë e madhe”, buxheti i shtetit nuk është si portofoli i një individi të vetëm. Me këtë arsyetim, drejtuesit, për aq kohë sa të kenë postet, do të vazhdojnë të manifestojnë të njëjtën sjellje dhe të njëjtin mentalitet. Merr listën nga partia dhe emëro në vende pune. Largo ata individë, posti i punës të të cilëve nevojitet dhe lakmohet. Dëmin që i sjell ky mentalitet administratës publike nuk po e llogarisim këtu. Por, po drejtuesi që merr një vendim të padrejtë, të gabuar, të cilin e rrëzon gjykata, a duhet të paguajë edhe ai materialisht, nga xhepi i tij, një pjesë të pagës apo gjithë pagën, që rimerr punonjësi mbas kthimit në punë? Vendimi për zbritje në detyrë të një punonjësi me performancë të dobët dhe vendimi për largim nga puna dhe ndërprerje të marrëdhënieve financiare janë dy gjëra të ndryshme.
Ky është një problem madhor. Sigurisht, nëse nuk lidhet drejtpërdrejt përgjegjësia administrative dhe drejtuese e një drejtuesi me përgjegjësinë materiale kur i shkakton dëm buxhetit të shtetit, nuk mund të flitet as për performancë në drejtim dhe as për drejtim dhe organizim korrekt të institucioneve shtetërore. Te privatet punët ndryshojnë. Ai ka vënë në përdorim dhe ka investuar një kapital që është pjesë e gjendjes së tij pasurore. Drejtuesit në shtet nuk mund vetëm të gëzojnë disa favore të ligjshme dhe të mos ndiejnë asnjë lloj shtrëngimi, përgjegjësie apo detyrimi.
Juridikisht problemi nuk është kaq i thjeshtë. Ekonomikisht dhe financiarisht është i qartë. Po qe se i shkakton një dëm material financave të institucionit që drejton, duhet të përgjigjesh materialisht. Kjo kërkon edhe një rregullim ligjor. Drejtuesi që merr një vendim për largim nga detyra, vendim i cili, në një kohë të dytë rrëzohet nga gjykata, duhet domosdoshmërisht të dëmshpërblejë minimalisht një pjesë të dëmit të shkaktuar. Kush dëmton duhet të zhdëmtojë. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, nëse nuk alternohen dhe nuk lidhen përgjegjësitë me njëra-tjetrën, nuk ka vend për eficiencë në administratën publike.
Ka një përvojë europiane, madje të aplikuar në disa vende. Në Francë ligji e detyron punëdhënësin kryesor, që në rast të largimit të padrejtë nga puna të një punonjësi, të paguajë nga xhepi i vet përfitimin që merr punonjësi nga shteti për papunësi. Në disa raste të tjera ligji e detyron punëdhënësin (drejtuesin kryesor) të paguajë një pjesë të përfitimit të pagës që fiton punonjësi nga vendimi gjyqësor, ose e detyron drejtuesin të paguajë deri 6 paga mujore të tij, ose tërësisht shpenzimet gjyqësore. Gjithsesi, për largimin e padrejtë nga puna, ligji e penalizon drejtuesin deri edhe penalisht.
A kemi të bëjmë në këtë rast me dëm ekonomik?
Përderisa vendimmarrjet e gabuara shkaktojnë prekje të financave të institucionit, përderisa për një vend pune, në fund të procesit gjyqësor të fituar nga një punonjës i larguar padrejtësisht nga puna paguhen dy persona, sigurisht kemi të bëjmë me dëm ekonomik. Dëmi ekonomik është objekt i procesit të auditimit të brendshëm dhe/ose të jashtëm. Trajtimi i dëmit ekonomik dhe nxjerrja e përgjegjësisë mbi personin që e ka shkaktuar atë, është një nga detyrat, mendoj funksionale, e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kur është fjala për administratën publike të çdo niveli.
Shpeshherë, auditues të KLSH trajtojnë dëm ekonomik rezultatet financiare negative në drejtimin dhe organizimin e institucioneve, të ndërmarrjeve shtetërore apo të sektorëve publikë. (Këto janë dy koncepte të ndryshme). Humbja që rezulton nga aktiviteti në një ndërmarrje shtetërore apo në një shoqëri aksionere publike dhe që provohet se buron nga niveli i ulët i performancës në menaxhim nuk është dëm ekonomik. Ndryshe, komplet ndryshe qëndron puna me largimet e padrejta nga puna. Aktet, ligji për shërbimin civil, Kodi i Punës apo ligjet e tjera organike sektoriale, kanë cilësuar qartë dhe prerë kur dhe si prishen marrëdhëniet e punës për një punonjës. Nëse nuk respektohet as procedura e largimit dhe as masa e shkeljes, kemi të bëjmë me një neglizhencë të drejtpërdrejtë të drejtuesve, që ka për pasojë një dëm ekonomik. E nënvizoj edhe një herë, që ky moment ka nevojë për rregullim dhe interpretim juridik.
Në kërkim të informacioneve të reja për të qartësuar veten, përpara se të hedh për konsum në publik një problematikë të tillë, mësova një fakt interesant. Në disa vende, punonjës shumë të aftë, që kuptojnë më mirë se administrata përmbajtjen juridike të ligjeve, pranojnë me heshtje fillestare largimet e padrejta nga puna, për të përfituar në një kohë të dytë dëmshpërblimet që për ndërmarrjet dhe për shtetin janë kosto shumë të larta.
A mund ta bëjë kushdo detyrën e drejtuesit?
Faktet që ofron praktika e përditshme janë nga më të çuditshmet. Të gjithë sulen të bëhen drejtorë. Miqtë hyjnë për të bërë drejtor një njëri të vetin. Të rinj pa eksperiencë kërkojnë të jenë drejtorë, jo të fillojnë karrierën dhe të fitojnë eksperiencën. Sigurisht, jo të gjithë, jo në çdo rast dhe jo në çdo rrethanë. Por karriera ndërtohet dhe kërkohet në këtë mënyrë pa asnjë kriter të qenësishëm të meritës profesionale. I vetmi kriter që përdoret rëndom për të përfituar një post drejtues është raporti politik me partitë politike. Kjo ndodh ngaqë drejtuesit nuk mbajnë, nuk ndiejnë dhe nuk ekspozohen ndaj asnjë lloj risku të përgjegjësisë.
Zgjedhja e drejtuesve të sektorëve, drejtorive dhe të institucioneve është një ndër problemet më të vështira për t’u zgjidhur në procesin e qeverisjes. Nga zgjidhja me kujdes dhe me sukses e këtij problemi varet fati i vetë qeverisë, fati i administratës dhe e ardhmja e shtetit. Mendësia dhe mendjelehtësia me të cilën emërohen shpeshherë drejtues të niveleve të ndryshme të krijon përshtypjen se efekti i ndjenjës së përgjegjësisë në punët e shtetit është mjaft i ulët. Rekrutimi dhe marrja në punë e punonjësve si dhe largimi nga puna, janë dy gjëra që kërkojnë drejtpeshim të përkryer. Punë të drejtpeshuara mund të kryejnë vetëm drejtuesit e aftë. Futja e përgjegjësisë materiale të drejtuesit për të dëmshpërblyer dëmin ekonomik që i shkakton institucionit, edhe mbas largimit nga posti, do të ishte një kontribut shumë pozitiv në formimin dhe konsolidimin e një administrate të aftë profesionale që shërben si shtrat i mirë për çdo lloj reforme dhe progresi.
Karriget e pushtetit mbartin me vete një lloj “epidemie” dehje prej servilizmit, prej lajkave, prej korrupsionit, prej hyrjes së vetes në qejf, prej fodullëkut, prej makutërisë. Imuniteti ndaj kësaj epidemie është e lidhur me të qenit qytetar dhe shërbëtor ndaj publikut. Qytetar i mirë nuk mund të jetë kushdo. Njerëzit, gabimet më të mëdha në jetën e tyre i bëjnë kur janë në kulmin e karrierës dhe të pushtetit. Siç duket, në kulmin e karrierës, të dehur nga avujt e euforisë së suksesit apo të kontaminuar nga epidemitë e karrierës, individët marrin vendime të gabuara, pasojat financiare të të cilave nuk i paguajnë vetë. Kjo praktikë është e gabuar.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi