Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive

Me miratimin e ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” në Shqipëri është krijuar Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të krijimit të saj, detyrimeve financiare për të zgjedhurit, nëpunësit publikë, për familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta. Pas vitit 2005 Inspektoriatit të Lartë për kontrollin e pasurive iu shtua edhe detyra e zbatimit të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Deputetët dhe subjektet e tjera të përcaktuara në ligj detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe në inspektoratet e ulëta, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më poshtë:

a) pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to;

b) pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë;

c) sendet me vlerë të veçantë mbi 5 000 dollarë amerikanë;

ç) vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim;

d) vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj;

dh) detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj;

e) të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale;

ë) licencat dhe patentat që sjellin të ardhura.

Deklarimi duhet të bëhet brenda datës 31 mars të çdo viti dhe si bazë referimi është gjendja deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të vënies apo disponimit të pasurive.

Ligji parashikon sanksione në rastet e refuzimit për deklarim. Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal. Kur deklarimi refuzohet nga personat e zgjedhur ose nga ata me imunitet, Inspektori i Përgjithshëm vë në dijeni Kuvendin dhe, kur është rasti, edhe organin epror të personit. Në të gjitha rastet e refuzimit të deklarimit, me kalimin e 30 ditëve nga njoftimi i organit përgjegjës, Inspektori i Përgjithshëm detyrohet t’i bëjë publike rastet e refuzimit të deklarimit.

Deklarimi i pasurisë shoqërohet me një autorizim të veçantë, ku deklaruesi autorizon organet e përcaktuara në këtë ligj të verifikojnë të gjitha subjektet, private e publike, brenda dhe jashtë vendit, për të dhënat e deklaratës. Mosdhënia e këtij autorizimi, brenda 15 ditëve nga mbarimi i afatit për deklarim, sjell ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës.

Deklarimi i pasurive, i burimeve të tyre, i detyrimeve financiare bëhet sipas kërkesave të përcaktuara në këtë ligj dhe në formën e përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm. Deklarimi përfshin pasurinë e subjektit dhe të familjes së tij (bashkëshortit/es dhe fëmijëve në moshë madhore), burimet e krijimit dhe detyrimet financiare të subjektit. Deklarimi duhet të përmbajë edhe faktin nëse deklaruesi/sja ka ose jo persona të tjerë të lidhur. Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo anëtar i familjes, me pasuri të regjistruar në emër të vet dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarim. Deklaruesit, përpara deklarimit, duhet t’i jepen të gjitha këshillimet e nevojshme për plotësimin e deklaratës dhe t’i bëhen të njohura rrjedhimet që mbart deklarimi i rremë.

Kontrolli i deklarimeve përfshin kontrollet, aritmetik e logjik, dhe verifikimin e miratimin e të dhënave të deklaratës (kontroll i plotë). Kontrollet, aritmetik dhe logjik, kryhen për çdo deklarim për të vërtetuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të pasurisë nga burimet e deklaruara. Verifikimi e miratimi i të dhënave të deklaratës (kontroll i plotë) bëhen për ato deklarime, të cilat, nga kontrollet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, paraqesin probleme, papajtueshmëri dhe parregullsi në justifikimin e burimeve të mbulimit të pasurisë ose në pasurinë e deklaruar dhe në deklarime të tjera, sipas skemës së kontrollit.

Për kryerjen e kontrollit dhe verifikimin e të dhënave të deklaratës, Inspektorati i Lartë dhe ai i ulët kanë të drejtë të shfrytëzojnë të dhënat e nevojshme në të gjithë aparatin shtetëror e publik dhe në personat juridikë publikë e privatë. Bankat dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim. Subjektet e mësipërme janë të detyruara të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës me shkrim nga Inspektori i Përgjithshëm.

Kur gjatë kontrollit zbulohet se deklarimet nuk janë të sakta ose burimet e deklaruara nuk identifikohen dhe nuk mbulojnë pasuritë e deklaruara, Inspektorati i Lartë ose ai i ulët thërret subjektin për të dhënë shpjegime të hollësishme dhe argumentet përkatëse, të cilat paraqiten kurdoherë me shkrim. Në rastet kur Inspektoriati i Lartë pasi i ka dhënë mundësinë deputetit të paraqesë vërejtjet e tij, zbulon zhvillime të pasurisë për të cilat ai nuk disponon sqarime, ia kalon dosjen prokurorisë.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan