Avokati i Popullit

Quhet ndryshe Ombudsman. Në Suedi, në oborrin e mbretit, një funksionar i lartë merrte ankesat që i drejtoheshin mbretit në lidhje me abuzimin e pushtetit ose praktikat e këqija administrative. Në një reformë kushtetuese të vitit 1809, parlamenti miratoi zgjedhjen e këtij funksionari, që do të quhej ombudsman parlamentar dhe do të kishte, qysh atëhere, një pavarësi të plotë në raport me mbretin, me qeverinë e tij dhe administratën. Ombudsmani duhet të kryente funksionet e tij në pavarësi të plotë edhe në raport me vet parlamentin. Kjo është origjina e ombudsmanit të sotëm. Shpejt ky institucion fillon të vendoset edhe në vendet e tjera: në Finlandë më 1919, Danimarkë më 1955, Norvegji më 1962, në Mbretërinë e Bashkuar më 1967, në Francë më 1973, në Austri më 1977, etj.

Megjithëse egzistojnë forma të ndryshme të avokatit të popullit, tipari i tyre dallues është ai i një autoriteti të pavarur me ligj (krijuar me ligj ose edhe nga vetë Kushtetuta) i cili zakonisht jep llogari para parlamentit. Institucione të tilla luajnë një rol plotësues për garancitë kryesore që jep e drejta administrative dhe kontrolli gjyqësor. Detyra e avokatit të popullit është të hetojë ankesat e bëra nga individë ose grupe kundër veprimeve të autoriteteve administrative, ndërsa juridiksioni i tij mund të mbulojë të gjithë sferën e administratës ose të kufizohet në hapësira specifike brenda saj. Forma specifike që avokati i popullit ka ndryshon shumë. Për shëmbull, Komisioneri Parlamentar Britanik për Administratën ka fuqinë të hetojë ankesat ndaj administratës qëndrore, Komisioni Polak për të Drejtat e Qytetarit ndjek shkeljet e të drejtave civile në përgjithësi, ndërsa Komisioni Hungarez për të Drejtat e Minoriteteve Kombëtare dhe Etnike heton shkeljet e të drejtave të minoriteteve. Në përgjithësi, avokati i popullit kufizohet në hetimin e ankesave individuale të përçuara nga ata që preken direkt.

Zakonisht, avokatët e popullit kanë të drejtën t’i kërkojnë institucionit nën hetim dokumenta dhe prova të tjera. Ata nuk kanë kompetencë të marrin masa ose të vendosin sanksione, por janë të kufizuar në lëshimin e rekomandimeve për vetë institucionet dhe mbështeten tek presioni publik, parlamenar ose shtetëror që ai veprim të ndërmerret. Avokati i popullit jo vetëm luan një rol të rëndësishëm në forcimin e përgjegjshmërisë së administratës publike, por ai mund të kontribuojë gjithashtu në rritjen e cilësisë administrative nëpërmjet ekspozimit të rasteve të keq-administrimit dhe duke rritur sensibilizimin e zyrtarëve publikë për pritshmëritë e publikut.

Institucioni i Avokatit të Popullit, është parashikuar për herë të parë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vitit 1998, ndërsa ligji nr.8454 “Për Avokatin e Popullit” u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në shkurt të vitit 1999. Ky ligj, i plotësuar në maj të 2005, së bashku me Kodin e Procedurave Administrative, ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim” si dhe ligjin “Për mbrojtjen e Konsumatorit”, përbëjnë bazën ligjore, ku përcaktohen thuajse të gjitha të drejtat dhe detyrat funksionale të Avokatit të Popullit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi