Pavarësia e Bankës Qendrore

Sot nuk ekziston një mendim i pranuar përgjithësisht përsa i përket pavarësisë së bankës qendrore. Megjithatë, në literaturën më të re dominojnë kryesisht dy qasje në definimin e pavarësisë së bankës qendrore: qasja  legale dhe jolegale.

 Qasja legale kryesisht lidhet me:

  • pavarësinë institucionale;
  • pavarësinë e personelit drejtues;
  • pavarësinë funksionale;
  • pavarësinë organizative; dhe
  • pavarësinë financiare të bankës qendrore.

Pavarsia institucionale interpretohet me statusin e bankës qendrore si institucion i ndarë nga qeveria dhe nga parlamenti. Në këtë kontekst pavarësia institucionale e bankës qendrore do të thotë fuqi e formulimit të politikave monetare pavarësisht nga institucionet politike.

Pavarësia e personelit drejtues, në radhë të parë e guvernatorit dhe e bordit drejtues, e cila shprehet në mënyrën e emërimit të tyre, në mandatin kohor që u jep ligji dhe në mundësinë e shkarkimit të tyre para afatit të përcaktuar nga ligji.

Pavarsia funksionale nënkupton pavarësinë e hartimit të politikës monetare dhe valutore dhe e llojit të objektivave që synon banka qendrore. Kjo shprehet me pavarësinë e vendosjes së lirë për përdorimin e instrumenteve të politikës monetare si përcaktimin e normës së interesit dhe operacionet në tregun e hapur, dhe sa ndikon qeveria në këtë proces. Po kështu, cilat janë qëllimet përfundimtare të politikës monetare, dhe cili është vendi i stabilitetit të çmimeve. Kjo pavarësi nënkupton gjithashtu edhe çfarëdolloj detyrimi ndaj qeverisë për mbitërheqje si dhe lehtësira të tjera kreditore.

Pavarësia organizative lidhet me krijimin e organeve në mënyrë vetjake si dhe modalitetet e emërimit dhe shkarkimit të zyrtarëve në bankën qendrore.

Ndërsa, pavarësia financiare i referohet rolit të qeverisë apo edhe parlamentit në caktimin e buxhetit të bankës qendrore. Zakonisht banka qendrore siguron mjetet financiare duke emetuar bankënota, në operacionet e tregut të hapur dhe nga interesi në mjetet e depozitave të detyrueshme nga bankat tregtare. Ndonjëherë marrëveshjet lidhur me shpërndarjen e fitimit të bankës qendrore merren si kriter për përcaktimin e shkallës së pavarësisë së bankës qendrore.

Qasja jo legale konsiston në ate se shkalla e pavarësisë së bankës qendrore varet shpesh nga rrethanat faktike më tepër se nga ato ligjore. Me fjalë të tjera, banka qendrore në realitet mund të ketë nivel të ndryshëm të pavarësisë nga  ajo që përcaktohet në legjislacion.

Pavarësia e bankës qendrore dhe niveli i saj, kanë qenë dhe janë objekt i vazhdueshëm i debatit shkencor. Në literaturë shfaqen mendime të ndryshme lidhur me efektet e pavarësisë së bankës qendrore në ekuilibrimin e performansave makroekonomike.

Argumentët kryesorë që favorizojnë pavarësinë e bankës qendrore mund të përmblidhen si më poshtë:

  1. Sa më e pavarur të jetë banka qendrore, aq më mirë mund të ndjekë një politikë monetare që synon objektiva afatgjatë (si stabiliteti i çmimeve). Aktualisht, në botë ekziston një prirje e qartë për dhënien e kompetencave më të mëdha bankave qendrore, madje edhe në vende ku pavarësia e saj ka qenë e kufizuar, si Spanja, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Belgjika, etj. Studimet tregojnë qartë lidhjen e fortë midis nivelit të lartë të pavarësisë së bankës qendrore dhe nivelit të ulët të inflacionit;
  2. Po qe se e ka në varësi bankën qendrore, qeveria do të ushtrojë presionin e mundshëm për të financuar deficitet e mëdha buxhetore. Ky presion mund të përballohet nga një bankë e pavarur;
  3. Rëndësia e madhe e kontrollit monetar, i cili nuk mund t’iu lihet në dorë politikanëve të cilët nuk janë ekspertë të kësaj fushe;

Argumentet kundër pavarësisë së bankës qendrore janë:

  1. Drejtuesit e bankës qendrore që hartojnë politikën monetare, nuk zgjidhen në rrugë demokratike me votim të lirë dhe, si rrjedhojë, nuk mund të shkarkohen në këtë rrugë, kur ata nuk e kryejnë mirë detyrën e tyre;
  2. Argumenti i ndjekjes së një politike afatgjatë vetëm nga agjensi shtetërore të pavarura si banka qendrore, nuk është plotësisht i saktë, përderisa edhe ligjvënësit synojnë dhe ndjekin politika afatgjatë si, për shembull, politika e jashtme;
  3. Politika monetare duhet të kontrollohet nga organet e zgjedhura nëpërmjet votës, të cilat janë përgjegjëse për mbarvajtjen e vendit në tërësi. Në këtë kuadër, vetëm ata mund të realizojnë harmonizimin e politikës monetare me atë fiskale, si kusht i domosdoshëm i zhvillimit të shpejtë të ekonomisë;
  4. Bankat qendrore jo gjithmonë kanë vepruar drejt për të shmangur zhvillime negative që mund të shmangeshin, siç ishte rasti i depresionit të madh.

Rezultatet empirike kanë treguar se pavarësia e lartë e bankës qendrore shoqërohet me inflacion të ulët si në vendet e industrializuara ashtu edhe në ato në zhvillim, ndërsa efektet e pavarësisë së bankës qendrore në shtimin ekonomik nuk janë ende të njohura përfundimisht.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi