Prokurorë apo protektorë?

Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 17 prill 2014

Shumë kohë më parë, ndjekja penale në shtetet e Evropës konsiderohej jo më si një çështje private, që i përkiste individit të dëmtuar, por si një funksion shoqëror, për të cilin duhej të interesohej vetë shteti me organet e tij të specializuara. Dhe ushtrimin e kësaj ndjekjeje në mbrojtje të një interesi të përgjithshëm iu ngarkua prokurorëve që në fillimet e shekullit XIX me hyrjen në fuqi të Kodit të Hetimit Kriminal të Francës, i cili shumë shpejt u adaptua edhe nga shtete të tjera të Kontinentit tonë. Me këtë koncept, në bazë të kodeve të reja që pasuan, Prokuroria u krijua si një organ i posaçëm publik dhe i pavarur, që do të merrej me ndjekjen e të gjithë kryerësve të veprave penale, pavarësisht nëse zbatimin e kësaj detyre do ta dëshironin apo jo të dëmtuarit nga vepra të tilla.

Edhe në Shqipëri, ushtrimi i ndjekjes penale i është ngarkuar Prokurorisë, e cila gjatë veprimtarisë së saj duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve, nëpërmjet një game funksionesh, si zhvillimi i hetimeve, kontrolli i hetimeve paraprake të kryera nga policia gjyqësore, ngritja e akuzës në gjykatë, marrja e masave të nevojshme për ekzekutimin e vendimeve penale të formës së prerë. Por, ndjekja penale nga prokurorët nuk mund të bëhet vetëm pas ankimeve apo kallëzimeve që bëhen në adresë të organit të tyre, sepse në nenin 24 të Kodit të Procedurës Penale thuhet shprehimisht: ”Kur nuk është i domosdoshëm ankimi ose autorizimi për procedim, ndjekja penale ushtrohet kryesisht”. Pra, prokurori që vepron në emër të shtetit, nuk ka pse e kufizon kryerjen e detyrës së vet vetëm te ankimet dhe kallëzimet penale, që i bien në dorë atij.

Sidomos tani, në kohën e një shoqërie të hapur, tek mediat luajnë një rol protagonisti, veçanërisht për informimin e publikut, tek janë ashpërsuar tej mase marrëdhëniet midis forcave politike, si edhe tek korrupsioni në pothuajse të gjitha format dhe shkallët e pushteteve, apo në panelet e infrastrukturës së shtetit është shndërruar në një dukuri tepër shqetësuese, rastet e skandaleve gjithfarë llojesh do të duhej të shtynin gjithnjë e më tepër prokurorët për ushtrimin prej tyre të ndjekjes penale me iniciativën vetjake apo kryesisht. Një parim ky, që është e domosdoshme të karakterizojë veprimtarinë e organit të prokurorisë, e cila fillon me regjistrimin e njoftimit të veprave penale, për të vazhduar me nisjen e procedimit dhe zhvillimin e hetimeve, marrjen në cilësinë e të pandehur/it/ve të person/it/ve që i/u atribuhe/t/n vepra penale, duke përfunduar me dërgimin e çeshtjes në gjyq, ose me pushimin apo pezullimin e saj.

Por, a mund të thuhet se në rradhët e kryerjes së këtyre detyrave aplikohet përgjithësisht dhe në vazhdimësi parimi i ndjekjes penale me iniciativë të vetë prokurorëve, çka imponohet prej funksionit zyrtar që kanë këta, për të vërtetuar kryerjen e shumë veprave penale dhe pasojave të dëmshme të ardhura nga këto vepra, fajësinë apo pafajësinë e të pandehurve dhe shkallën e përgjegjësive të tyre? A mund të thuhet dhe pranohet e kundërta e asaj çka u theksua më lart, pra, që kryerja e veprimeve procedurale për ushtrimin prej tyre të ndjekjes penale është e kushtëzuar sado pak nga pëlqimi i të interesuave për çështjen, qofshin këta të fundit edhe të dëmtuar nga veprimtaria kriminale? Që të mos vazhdojmë në këto rradhë me rrethanat që i detyrojnë shumë prej të dëmtuarve nga veprat penale të mos reagojnë, nëpërmjet turravrapit drejt e në dyert e organeve të Prokurorisë, mjafton që të vijojmë më tej me deklaratat dhe udhëzimet e bëra publike të Prokurorit të Përgjithshëm. Në fillimet e këtij viti, gjatë analizave vjetore në disa prokurori të rretheve Adriatik Llalla iu drejtua kolegëve – vartës të vet, midis të tjerash, edhe me kërkesën për të ushtruar ndjekje penale kryesisht. Për shumë nga ata që e panë dhe e dëgjuan atë me vëmendje nëpërmjet televizorit, kjo kërkesë e Prokurorit të Përgjithshëm mbartëte në vetvete edhe ankimin për gjendjen e krijuar, kur kriminaliteti vazhdon me shkulme të mëdha dhe kur shumë prokurorë e kalojnë një pjesë të kohës së punës, siç vuri në dukje ai, duke pirë raki.

Mirë, po pas asaj tërheqjeje të vëmendjes, përveç ndonjë uljeje në detyrë, çfarë ka ndryshuar në këtë drejtim? Vështirë të marrësh përgjigje pohuese. Le të përmendim këtu, për shembull, fatin e një letre që kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë i dërgonte më 3 prill Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke i vënë në dijeni për disa veprime antiligjorre dhe arbitrare të kolegut të tyre, Gjin Gjoni. Edhe pse nga këto institucione deri tani mbretëron heshtja, kjo letër që përmbante edhe ndonjë detaj – objekt për ndjekje penale kryesisht ndaj gjyqtarit Gjoni, qysh atë ditë (me sa dimë) ra edhe në duart e prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme. Megjithatë, ende askush nuk ka marrë mundimin të fillojë një çështje kryesisht.

Më pas del dikush dhe, për përfitime politike akuzon publikisht Ministrinë e Mbrojtjes, se Forcat e Armatosura po bëjnë trafik të drogave nga Shqipëria, duke vënë kështu në shënjestër përgjegjësinë e Qeverisë së re dhe posaçërisht të Ministres së Mbrojtjes. Ngrihet kjo e fundit dhe i kërkon me anën e një letre zyrtare Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë për këtë çështje. Por, nga llogoret e luftës politike del përsëri një deputet i Opozitës (ish – ministër i Brendshëm) dhe përpiqet ta konkretizojë akuzën me vendndodhjen, aerodromin e Gjadrit, prej nga u niskërkan avionët për transportin e drogave në rrugë ajrore, kur ish pilotë dhe banorë pranë këtij vendi e kundërshtojnë prerazi këtë deklaratë. Nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme na bënë me dijeni se, pasi të kthehet Prokurori i Përgjithshëm nga një vizitë zyrtare në Hagë, atëhere mund të merret vesh çfarë do të bëhet. Ndërkohë, këto burime nuk harrojnë të shtojnë që letra e Ministres së Mbrojtjes nuk përbën kallëzim, por është thjesht një lutje. Pavarësisht që kjo zhurmë me përmasa edhe mediatike synon të dëmtojë rëndë imazhin jo vetëm të Ushtrisë sonë, por të gjithë Shtetit, që – sipas Opozitës politike – nuk qenka në gjendje të kontrollojë territorin e vet.

Ja, kështu ndodh! Jepet një përgjigje e paqartë, pa iu qasur asapk mundësisë për një ndjekje penale kryesisht. Ndonëse dihet që parimi i ushtrimit të ndjekjes penale është i lidhur ngushtë me parimin e zbulimit të së vërtetës dhe ligjshmërisë. Në rastin e mësipërm, edhe nëse nuk do të vërtetohej aspak akuza, sigurisht që më së fundi do të lokalizohej përgjegjësia penale e atyre që bëjnë kallëzime të rreme dhe e të tjerëve që e shumëfishojnë atë, në shkaktim të pasojave të rënda për tërë shoqërinë tonë. Për tërë shoqërinë tonë veçanërisht tani, në prag të akordimit Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ndërsa, procedimi penal nga organet e Prokurorisë zhvillohet në emër të shtetit dhe në interes të shoqërisë, për mbrojtjen e institucioneve dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Nëse prokurorët, që kanë rol të dorës së parë në ushtrimin e ndjekjes penale me iniciativë vetjake e shpërfillin këtë detyrë që e përmban funksioni i tyre, mosveprimi u vendos atyre një pikëpyetje të madhe: Çfarë janë këta, prokurorë të shtetit apo protektorë të krimit?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi