Tri këshilla

Nga REXHEP MEIDANI, botuar ne Panorama Online, 9.02.2013

Në situata parazgjedhore çdo forcë politike bën llogaritjet e veta, merr masa të rëndësishme organizative, strukturore e programore, për të optimizuar rezultatet  elektorale. Ndër to mund të rreshtohen këto masa të mëposhtme: përcakton aleancat zgjedhore dhe pas zgjedhore (qeverisëse); përgatit dhe ekspozon sloganin kryesor e programin elektoral, të ndërthurur me tiparet kryesore qeverisëse; përzgjedh drejtuesit kryesorë nacionalë dhe rajonalë të fushatës, vëzhguesit dhe anëtarët e komisioneve në çdo nivel, dhe, mbi të gjitha, kandidatët për deputetë. Nisur nga dëshira e mirë për të ndikuar sado në mbarëvajtjen dhe cilësinë e këtyre zgjedhjeve, sidomos në realizimin e një rotacioni politik, për të cilin ka nevojë Shqipëria sot, në kapërcimin e situatës ekonomike problematike dhe rigjallërimin e ekonomisë dhe, mbi të gjitha, në përmirësimin e treguesve të përkeqësuar këto vitet e fundit në luftën kundër korrupsionit politik e administrativ, po shpreh disa mendime konkrete për 3 çështje, që i konsideroj me peshë e ndikim për rezultatin elektoral. Të tilla janë masat: 1. për kohezionin brenda partisë, konsiderimin e kontributeve e ndërthurjen e brezave; 2. për kohezionin jashtë partisë, aleancat konkrete partiake dhe me shoqërinë civile; 3. për përzgjedhjen kolegjiale dhe të përgjegjshme të kandidatëve, bazimin e saj duke respektuar kriteret morale-intelektuale dhe integritetin politik-qytetar të kandidaturave. Po ndalojmë shkurtimisht, për rastin e PS-së, në secilën prej tyre.

Për kohezionin brenda partisë, konsiderimin e kontributeve dhe ndërthurjen e brezave

Një problem në vete në fushata zgjedhore është kohezioni politik i subjektit elektoral, që frymëzon, ushqen e fuqizon nga ana tij kohezionin elektoral të simpatizantëve, militantëve e anëtarëve të partisë. Në rastin e PS-së, kjo vlen edhe për konsiderimin e kontributeve, ndërthurjen e brezave dhe përfshirjen e balancuar të prurjeve të reja. Po aq i domosdoshëm është dhe mirëkuptimi midis drejtuesve kryesorë aktualë dhe atyre të mëparshëm, që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë “besnikët”, mbështetësit e simpatizantët e tyre. Nuk bëhet fjalë vetëm për ish drejtues partie në nivel qendror e lokal, për ish përfaqësues të pushtetit vendor apo ish deputetë, por dhe ish ministra e kryeministra të kësaj force politike me një kontribut të rëndësishëm në tranzicionin shqiptar. Ndërkohë që po të bëhet një bilanc i detajuar i përfaqësimeve partiake dhe atyre parlamentare, rezulton se një përqindje e konsiderueshme e drejtuesve të tillë, që mbajtën mbi supe peshën tepër të rëndë të viteve të para të tranzicionit apo të qeverisjes socialiste, pas krizës së piramidave, janë lënë sot mënjanë, disa janë harruar fare, kurse disa të tjerë janë larguar me një mënyrë apo tjetrën, ose të vetëlarguar nga veprimtaria politike – partiake. Jo i pakët është dhe numri i atyre që militojnë në parti të tjera, në qeverisje ose opozitë. Pra, numri i tyre është pakësuar me shpejtësi në vite. Pikërisht për këtë arsye, duke lënë mënjanë “hiletë”, pakënaqësitë dhe mëritë individuale, ata duhen ftuar, duhen konsideruar e vlerësuar, bile atje ku kërkohet kontributi i tyre dhe mbështetja është evidente, por dhe mosha e lejon, duhen aktivizuar e rikandiduar. Për të mbledhur më shumë vota, pra dhe për të fituar besim e mbështetje me vlerën, integritetin dhe emrin e tyre. Ky është thelbi i kohezionit të brendshëm – element ky parësor në arritjen e rezultateve të dëshiruara…

Për kohezionin jashtë partisë dhe aleancat konkrete


Në kushtet shqiptare, mënyra e kompozimit të forcave politike dhe vetë sistemi elektoral i miratuar (sistem proporcional rajonal pa korrigjim kombëtar), i ka bërë të domosdoshme aleancat parazgjedhore, zgjedhore dhe ato qeverisëse. Madje, për partitë e vogla, aleancat zgjedhore janë e vetmja mënyrë për ekzistencën e tyre, ndryshe të veçuara ato janë të destinuara të mos përfaqësohen dot në Parlament. Mënyrë tjetër për të cilën flitet, ndoshta edhe punohet, është dhe  koalicioni i vetë këtyre partive të vogla dhe krijimi i një poli të tretë ekuilibrues, si “sandwich”, midis dy partive kryesore. Nga ana tjetër, edhe dy partitë kryesore duket se, pa aleatë, e kanë të vështirë të fitojnë; aq më pak që, të vetme, të qeverisin dhe të garantojnë pas zgjedhjeve reforma serioze institucionale- strukturore e kushtetuese-ligjore. Me këtë shpjegohet interesimi i përbashkët i forcave politike të vogla dhe të mëdha për të ndërtuar koalicione zgjedhore. Të paktën në dukje kanë filluar aktualisht “ethet” e grupimit, madje po konfigurohet një rreshtim konkret i tyre. Dhe, siç vihet re, pretendimi i partive të vogla është jo një koalicion virtual, por, mbi të gjitha, një aleancë reale dhe funksionuese! Këtë duhet të synojë e respektojë edhe PS-ja. E thënë ndryshe, kërkohet një PS serioze dhe luajale, sa më korrekte dhe e hapur, sa më e vendosur dhe dinamike në ndërtimin e një aleance funksionale politike dhe qytetare. Pra, në fazën aktuale, koalicioni zgjedhor nuk mund të jetë më një tavolinë apo shfaqje televizive, por një konfiguracion i strukturuar, që llogarit e konsideron çdo hap, veprim e vlerë të tij. Po ashtu, ka ardhur koha që partitë përbërëse të diskutojnë, miratojnë e nënshkruajnë publikisht një marrëveshje të përbashkët, me të gjitha detajet përkatëse, përfshirë kandidimet konkrete. Po aty duhet të përcaktohet kontributi dhe mënyra e financimit të partive brenda koalicionit. Pjesë e marrëveshjes publike duhet të jetë dhe rishpërndarja e fondeve publike pas zgjedhjeve tek partitë e vogla, e cila duhet të jetë proporcionale me votën e fituar nga këto parti brenda koalicionit. E njëjta gjë vlen dhe për financimin e partive pas zgjedhjeve, lidhur me përqindjen parlamentare që, në thelb, duhet të përmbajë edhe përqindjen e votave të fituara nga partitë e vogla në kuadër të koalicionit zgjedhor.

Për një përzgjedhje kolegjiale dhe të përgjegjshme të kandidatëve

Krahas kohezionit partiak të brendshëm dhe atij të jashtëm të komentuar më sipër, një rol të rëndësishëm ka dhe vetë përzgjedhja e kandidatëve. Kjo përzgjedhje nuk mund të jetë një shprehje e zgjedhjes apo e “vullnetit” absolut të kryetarit të radhës. Atë, në njëfarë mënyre apo tjetrën, ka filluar ta favorizojë dhe vetë sistemi proporcional, i miratuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Sidoqoftë, për të mos lejuar, por dhe për të goditur çdo prirje autokratike brenda qeverisjes partiake, kjo përzgjedhje duhet të jetë sa më kolegjiale dhe në respekt të statutit të partisë dhe sistemit rregullator të saj. Po aq e rëndësishme është kjo përzgjedhje për cilësinë e kandidatëve, bazimi i saj i përgjegjshëm duke respektuar kriteret morale-intelektuale dhe integritetit politik-qytetar të kandidaturave të saj. Madje, për të shmangur pakënaqësitë e pashmangshme kërkohet një proces i drejtë dhe transparent, “kolaudime” konkrete apo diskutime paraprake brenda strukturave dhe forumeve të partisë, mbledhje opinionesh civile-qytetare, deri dhe sondazhe të veçanta në elektorat. Në fund, midis disa emrave të parazgjedhur mund të votohet (në mënyrë të fshehtë) brenda strukturave apo forumeve të partisë, ose dhe duke aplikuar parimin “një anëtar, një votë” brenda partisë në qarkun ku kandidohet. Vetëkuptohet se në këtë mënyrë kandidimet do të jenë më cilësore. Pra, dhe vota e fituar një garanci më e madhe për qeverisje. Këtë duhet të kuptojë PS-ja dhe drejtimi i saj. Ideja e përhapur se në sistemin proporcional nuk kanë rëndësi kandidatët, por thjesht e vetëm partia, sigla e saj, është e gabuar, madje mund të sjellë dhe disfatë elektorale. Në këtë kuptim, pra, futja e emrave të panjohur për “qejfin” e njërit drejtues apo tjetrit, shpikja e kandidatëve pa kontribut dhe histori shoqërore e politike, pompimi i tyre i “telekomanduar”, nuk i shërben qëllimit kryesor – fitores së zgjedhjeve. Ai, më shumë, i shërben “mbrojtjes” apo “rezistencës” pas zgjedhjeve, por jo garantimit të fitores. Ndërkohë, që një cilësi më e lartë, një integritet moral i kandidaturave, e bën angazhimin e PS-së dhe të forcave të tjera opozitare më të bindshëm në procesin zgjedhor, duke mundësuar, kështu, rotacionin politik, por dhe një qeverisje sa më cilësore dhe të gjerë, një drejtim me fuqinë e duhur në kapërcimin e ngërçit politik aktual dhe të tkurrjes graduale social–ekonomike.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi