Politikë e ligjit, apo ligji i politikës

Nga Besnik Dervishi, botuar në PanoramaOnline, 5 shkurt 2013

Gjithmonë e më shumë të forcohet bindja se në Shqipëri, të zbatosh ligjin mbetet diçka e rrallë. Në të kundërt, mjafton një “marrëveshje” politike dhe respekti ndaj ligjit kthehet në diçka fakultative. Por ky është vetëm një nga variantet.

Do të quaja si varianti i parë, ndoshta ai edhe më pak i mundshmi në kohët tona, sepse konsensusi i forcave politike kryesore po gjendet gjithnjë e më rrallë. Nuk gjendet as për integrimin e vendit, as për reformat e domosdoshme në sektorët më kryesorë për ndalimin e rrënimit të ekonomisë, as për drejtësinë e as për shtresat në nevojë e pushtetin vendor.

Por gjendet lehtësisht kur është në interes të “tyre” e në “kurriz” të dikujt tjetër, qofshin këta edhe qytetarët e këtij vendi apo pjesë të tjera të politikës, e në këtë rast, ligji, referimi në të, kthehet në një opsion të panevojshëm. E kjo bëhet më e rëndë sepse kombinohet me një pamundësi juridike për ta korrektuar, me një shoqëri civile gjithnjë e më pak ekzistente e me disa ambasadorë, “arbitra” shpeshherë “tifozë”.

Nuk e kam fjalën për asgjë misterioze, por thjesht për atë çfarë ndodhi e solli si produkt sistemin elektoral që kemi sot. Jo se është antidemokratik, por mendoj se është të paktën tejet i ndërlikuar nga ajo çfarë na duhet e kemi nevojë. Të gjithë e mendojmë dhe e pranojmë që u sajua ky sistem për të favorizuar apo penalizuar, edhe pse jo gjithmonë parashikimet realizohen.

Në kemi një sistem shumë partish, me dy parti të mëdha, ndonjë që ndoshta duhet të quhet e mesme, e një numër të konsiderueshëm partish që quhen të vogla. Por a përfaqësohen ato në mënyrë të drejtë në raport me vullnetin e votuesit? Po të bëjmë disa llogari të thjeshta, duke iu referuar rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të vitit 2009, janë gati 150 mijë vota (ose 13–14 mandate në Kuvend), të cilat kanë mbetur pa u përfaqësuar. Më keq akoma, kanë shtuar numrin e përfaqësimit të forcave të tjera politike.

E këtu një numër jo i vogël partish e votuesish që mbetet i papërfaqësuar, bërtet.

Varianti i dytë është ai që ndodhi para pak ditësh në Kuvend, ku jo vetëm nuk bëhet fjalë për konsensus, por përdorimi i dhunshëm i fuqisë së disa pak numrave më tepër, tejkalon çdo logjikë të ligjit.

E përsëri dikush penalizohet, më pak ndoshta partitë, por gati totalisht votuesit e “tepërt” të Tiranës e Durrësit (mbi 55 mijë) që u prishet raporti i përfaqësimit. E në këtë rast dikush përsëri bërtet.

E aq më keq kur dikush lodhet të gjejë argumente të çdo lloji, që nga ai politik e deri tek ai matematik, për të justifikuar shkeljen e ligjit. Por të gjithë janë për t’u hedhur, për t’u hedhur sepse nuk janë konform ligjit. Ligj që ndoshta nuk është plotësisht i drejtë, dhe për këtë vlejnë edhe argumentet që përmendëm më sipër. Por është ligj, dhe ligji sa mbetet i tillë vetëm zbatohet.

E thënë akoma me thjesht, LIGJI, derisa mbetet i tillë, duhet zbatuar ashtu siç është. E kjo i shton mandatet në Tiranë e Durrës. E po kjo logjikë vlen edhe për Kukësin, ku të gjithë e dimë se si është shtuar numri i popullsisë, por në mungesë të instrumenteve ligjore për ta ndryshuar, duhej të kishim zbatuar përsëri LIGJIN.

A duhet të dalë diçka si konkluzion në fund të këtyre pak rreshtave? Mendoj se kushdo që do të këtë kohën ta lexojë, të paktën do t’i shkojë në mendje ndonjë fjalë e urtë. Në të vërtetë duhet të fillojmë të besojmë e të ndërtojmë një sistem politik që të ketë si shtyllë kurrizore moralin, moralin politik. E në funksion të tij ligjet do të jenë gjithnjë e më pak të padrejta e gjithnjë e më shumë të zbatueshme. E ky duhet të jetë kontributi ynë.

E gjithnjë e më pak do të këtë të përdorur e të keqpërdorur, sepse shoqëria e politika do t’i refuzojë ata.

Por ajo që është më e rëndësishme, mendoj se nuk do të kemi më palë që bërtasin, do të jemi një vend ku ligji zbatohet e garanton vullnetin e popullit që zgjedh.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi