Shërbimi i Gjëndjes Civile

Gjendja civile” është tërësia e të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj, si dhe të personave pa shtetësi, që janë me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të cilat regjistrohen dhe mbahen në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe që vërtetojnë lindjen, ekzistencën, individualitetin, lidhjet ose marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile” është dokumenti shtetëror unik, ku pasqyrohen përbërësit e gjendjes civile të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj dhe çdo personi pa shtetësi, me banim të përkohshëm/të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.

Regjistri Themeltar i Gjendjes Civile” është libri me fletë të hapur për çdo familje, ku pasqyrohen, për secilin person, të gjithë përbërësit e gjendjes civile. Ky libër ruhet në arkivin e degës të gjendjes civile në qark.

Përbërës të gjendjes civile” janë të gjitha elementet, që shërbejnë për përcaktimin e identitetit të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj apo çdo personi pa shtetësi me banim të përkohshëm/të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Numri i identitetit është numri unik i papërsëritshëm, që i caktohet çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj, si dhe çdo personi pa shtetësi, me qëndrim të përkohshëm/të përhershëm, me lidhje të caktuara ekonomike nga shërbimi gjendjes civile.

Shërbimi i gjendjes civile është shërbim unik shtetëror. Ky shërbim ushtrohet si funksion i deleguar edhe nga organet e qeverisjes vendore. Ai plotëson, përditëson dhe administron Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, mban aktet e gjendjes civile, lëshon certifikata, si dhe kryen shërbime të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shërbimi i Gjendjes Civile funksionon në përputhje me ligjin Nr. 10129, datë 11.5.2009. Ai përbëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, nga degët e gjendjes civile në qark, nga zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi bashkiake ose komuna. Ky shërbim funksionon edhe pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare.

Administrimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Përditësimi i të dhënave të regjistrit bëhet vetëm nga nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile në zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi bashkiake/komuna. Veprimet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në aktet e gjendjes civile bëhen me anë të teknikave informatike.

Dokumentet bazë, që mban shërbimi i  gjendjes civile, janë: akti i lindjes, akti i martesës, akti i vdekjes, regjistrat themeltarë dhe Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Dokumentet bazë, që lëshon zyra e gjendjes civile, janë: letërnjoftimi,   pasaporta, certifikata e lindjes, certifikata martesore, çertifikata e familjare dhe çertifikata e vdekjes. Dokumenti bazë i përhershëm për identifikimin e shtetasve është letërnjoftimi.

Shtetasit kanë të drejtë të kenë një apo më shumë banesa për përdorim vetjak apo familjar. Shtetasit kanë detyrimin që të deklarojnë adresën e çdo banese për përdorim. Shtetasit nuk mund të deklarojnë njëherazi më shumë se një vendbanim. Ata kanë të drejtë të zgjedhin lirisht në cilën banesë të jetojnë zakonisht ose të shumtën e kohës. Regjistrimi fillestar i vendbanimit/adresës së banesës, si dhe  ndryshimi i saj, si rregull, bëhet në zyrën e gjendjes civile bashki/komunë që ka në juridiksion territorial vendbanimin apo banesën e deklaruar.

Të dhënat, individuale e familjare, të përbërësve të gjendjes civile kanë karakter personal. Aktet, të dhënat dhe konfirmimet shkresore për gjendjen civile i jepen vetëm personit, që i përkasin këto të dhëna, anëtarit të familjes, apo përfaqësuesit ligjor si dhe atyre, që kanë legjitimitetin e kërkimit të trashëgimisë ligjore. Këto të dhëna mund të kërkohen dhe të merren nga institucionet e organet, të cilave kjo e drejtë u njihet me ligj dhe i përdorin ato vetëm për qëllimin për të cilin janë marrë.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan