Çudia e deflatorit negativ te rritja ekonomike 2016

Nga Gjergj Erebara, botuar në reporter.al, 19 janar 2017

Screen Shot 2017-01-19 at 21.06.47

Si rrallëherë, deflatori në ekonominë shqiptare në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit 2016 qe negativ, gjë që sugjeron se kompanitë i kanë shitur mallrat e tyre realisht me çmime më të ulëta se sa një vit më parë ndërsa ky fenomen konsiderohet si shkaktar i një pjese të madhe të rritjes ekonomike reale të raportuar nga Instituti i Statistikave për këtë periudhë.

INSTAT njoftoi javën e kaluar se Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e tretë të vitit 2016 qe 3.08 për qind, shifër kjo pak më e ulët se sa pritshmëria e qeverisë për rritje ekonomike reale prej 3.4 për qind. Por ndryshe nga sa ndodh zakonisht, rritja ekonomike nominale qe më e ulët se sa rritja reale, ndërsa një tregues ekonomik shumë pak i njohur, deflatori, rezultoi si rrallë herë me vlerë negative. Kjo lloj rritjeje ekonomike e rastisur rrallë herë në Shqipëri krijon një panoramë paksa kontradiktore.

Përgjatë njëzet e pesë viteve të fundit, inflacioni, zakonisht i lartë, ka qenë tema kryesore e diskutimit mbi politikat ekonomike të vendit ndërsa deflacioni apo disinflacioni hynë për herë të parë në debatin publik vitin e kaluar. Dhe sikur këto terma të reja të mos mjaftonin, shqiptarët duket se do të duhet të mësojnë edhe termin tjetër, deflatori i PBB-së, si dhe dallimin mes deflatorit dhe Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Deflatori i Prodhimit të Brendshëm Bruto matet si diferencë mes rritjes së PBB-së nominale me atë reale. PBB nominale paraqet vlerën e shtuar të mallrave dhe shërbimeve të realizuara në një ekonomi me çmimet e tregut. PBB reale paraqet vlerën e shtuar me çmimet e vitit të mëparshëm, me synimin për të matur prodhimin në sasi dhe jo në vlerë. Diferenca mes dy normave të rritjes përbën deflatorin, i cili shërben për të kuptuar se sa prej vlerës së shtuar në ekonomi është shkaktuar nga rritja e çmimeve të të njëjtës sasie mallrash apo shërbimesh të treguara me çmime më të ndryshme (zakonisht më të ulëta) një vit më parë. Për shembull, gjatë vitit 2014, PBB nominale u rrit me 3.2 për qind ndërsa PBB reale u rrit me 1.83 për qind. Diferenca prej 1.4 për qind është deflatori, gjë që nënkupton se mallrat dhe shërbimet në vitin 2015 janë shtrenjtuar me 1.4 për qind në krahasim me vitin 2013.

Deflatori është i ndryshëm nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (referenca e zakonshme e inflacionit) dhe disa ekonomistë e konsiderojnë si matës më të mirë të inflacionit se sa IÇK. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se IÇK mat ndryshimin e çmimeve të mallrave të konsumit mbi një shportë mallrash të paracaktuar ndërsa deflatori mat realisht çmimin e mallrave të tregtuara në ekonomi në periudhën përkatëse. Për shembull, IÇK gjatë vitit 2016 matet në bazë të një studimi mbi konsumin të realizuar nga INSTAT në vitin 2014 ndërkohë që struktura e konsumit mund të ketë ndryshuar. Deflatori mat ecurinë e çmimeve në periudhën për të cilën flet. Por pavarësisht mënyrës se si e bëjnë, si IÇK ashtu edhe deflatori tentojnë të masin të njëjtën gjë, ndryshimin e çmimeve në ekonomi. Për rrjedhojë, nëse IÇK është në rritje, deflatori vështirë se mund të jetë negativ. Kjo nuk qe ajo që ndodhi gjatë vitit të kaluar.

Çudia e IÇK-së në rritje dhe deflatorit në rënie

Shqipëria pati inflacionin më të ulët në 15 vjet gjatë vitit të kaluar, kur çmimet u rritën me vetëm 1.3 për qind. Për tremujorin e dytë dhe të tretë, inflacioni mesatar me bazë vjetore qe përkatësisht 0.7 dhe 1.9 për qind. Por përkundër këtij inflacioni të ulët e gjithsesi pozitiv, deflatori i PBB-së rezultoi përkatësisht minus 2 dhe minus 0.75 për qind. Me pak fjalë, ndërsa çmimet e mallrave të konsumit u rritën në periudhën prill-qershor 2016 me 0.7 për qind, çmimet e mallrave dhe shërbimeve të matura në PBB ranë me 2 për qind. Për tremujorin e tretë, i cili përfshin periudhën korrik-shtator, IÇK u rrit me 1.9 për qind ndërsa deflatori u pakësua me 0.7 për qind. Diferencat janë të konsiderueshme dhe praktikisht të pashpjegueshme. Mundet që kompanitë të kenë prodhuar më shumë mallra e shërbime dhe t’i kenë shitur me çmime më të ulëta se sa një vit më parë, por në këtë rast, edhe IÇK do të qe negative gjithashtu.

Do të duhet të pritet rezultati i PBB-së për tremujorin e katërt të vitit 2016 për të parë nëse kjo kontradiktë mes IÇK dhe deflatorit është një rastësi apo një çudi nga çuditë e shumta që shfaqin treguesit ekonomikë në Shqipëri.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi