Ç’është politika financiare?

Përfaqëson tërësinë e metodave dhe të veprimeve të ndermarra nga një qeveri dhe institucionet e saj, për përcaktimin, arkëtimin dhe përdorimin sa më racional të burimeve të nevojshme për plotësimin e programeve të saj gjatë një periudhe kohe të caktuar. Ajo është pjesë e rëndësishme e politikës ekonomike dhe përfshin në vetvete: politikën e sigurimit të të ardhurave buxhetore, të tatimeve, të administrimit të borxhit shtetëror dhe të shpenzimeve buxhetore.

Politika financiare e shtetit, me pjesët e saj përbërëse, ndikon fuqishëm në përshpejtimin ose në ngadalësimin e zhvillimit ekonomiko – shoqëror të një vendi, në shkallën e punësimit, në stabilitetin e çmimeve, në përkrahjen sociale të shtresave të varfëra dhe në aftësitë e shtetit për plotësimin e detyrave të tij të përgjithshme, sidomos ato që kanë lidhje me mbrojtjen dhe sigurimin e rendit publik. Përcaktimi i burimeve dhe i metodave të sigurimit të të ardhurave buxhetore (llojet e të ardhurave, llojet e tatimeve e të taksave direkte e indirekte, niveli i tarifave tatimore, etj) ndikojnë jo vetëm në madhësinë e të ardhurave, por edhe në gjithë zhvillimin ekonomik të vendit, në stimulimin ose frenimin e inisiativës private, në nivelin e të ardhurave reale të shtresave të ndryshme të popullsisë dhe në aplikimin e shtetit të së drejtës. Akoma më i madh në këtë drejtim është ndikimi i politikës së shpenzimeve buxhetore. Madhësia dhe qëllimet e kryerjes së këtyre shpenzimeve, mënyrat e mbulimit të deficiteve buxhetore dhe administrimi i borxhit publik, ndikojnë përpjesmërisht shumë në ritmet e zhvillimit ekonomik, në shkallën e punësimit, në nivelin e inflacionit, në shkallën e përkrahjes sociale dhe në harmonizimin e barrës ekonomike të brezave të tashme e të ardhshme të një shoqërie.

Në lidhje me deficitin buxhetor, politika financiare mund të jetë ekspansioniste ose shtrënguese. Zakonisht në periudha kohore kur niveli i të ardhurave kombëtare është i ulët, për të ri-gjallëruar ekonominë ndiqet politika financiare ekspansioniste. Kjo politikë konsiston në rritje të vëllimit të shpenzimeve buxhetore (veçanërisht pjesa për financimin e investimeve publike), rritje të deficitit buxhetor, ulje të nivelit të tatimeve, rritje të borxhit publik ose me një kombinim të mënyrave të përmëndura. Në periudha rritjeje ekonomike të nivelit të lartë, të përkthyer në rritje të të ardhurave buxhetore, ndiqet politika e kundërt. Nëpërmjet rritjes së tatimeve, uljes së shpenzimeve buxhetore, uljes së borxhit publik ose kombinimit të masave të mësipërme, të ardhurat shtesë përdoren për të ulur deficitin buxhetor. Në këtë mënyrë, nëpërmjet alternimit të politikës financiare ekspansioniste me atë shtrënguese, shteti përpiqet të përdorë buxhetin e tij për të normalizuar ecurinë e ciklit ekonomik. Përdorimin e politikës financiare e të buxhetit për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi e përkrahin më tepër partizanët e teorisë kejnesiane dhe e kundërshtojnë neoliberalët (veçanërisht monetaristët). Këta të fundit preferojnë instrumentet e politikës monetare, duke nënvizuar domosdoshmërinë e funksionimit të mekanizmit të tregut të lirë, pa ndërhyrje të dukshme të shtetit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi