Përse ka rënë konsumi?

Nga Besart Kadia, botuar në Mapo, 19 prill 2016

Besart-Kadia-1-300x300Konsumi përbën pjesën më të rëndësishme të kërkesës së përgjithshme në ekonomi, (e cila varion nga 50-70% të totalit). Duke pasur parasysh rëndësinë që ka kjo ndryshore në ekonomi, është lajm i keq që për të parën herë që nga viti 1998 ajo shënon rënie. Por në këtë shkrim argumentohet se ulja e normës së interesit nga BSH nuk do të nxisë dot konsumin as për vitin 2016. Ekonomia shqiptare ka disa problematika; sfidën e borxhit të lartë publik, marrëveshjen me FMN që ka ngrirë pagat dhe pensionet, problemet e krijuara nga fushata e dështuar anti-informalitet, rritjen e shpeshtë të taksave si dhe rënien e pritshmërive. Rënia e konsumit në vitin 2015 vërteton, në mungesë të një burse, që politikat ekonomike të ndjekura deri tani nuk po marrin votën mbështetëse të qytetarëve dhe as të investitorëve të huaj, siç shihet nga raporti i fundit i Dhomës Gjermane të Tregtisë.

Së pari, ulja e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë në 1.5%, nuk do të ketë efekt në nxitje të konsumit. Me kredi të këqija, ndër më të lartat në Europë, Shqipëria ka risk të lartë dhe ulja e mëtejshme e normës së interesit nuk zgjidh asnjë prej problemeve institucionale që ka sistemi bankar në vend. As konsumi dhe as kreditimi fatkeqësisht nuk do të ndikohen nga kjo masë. Kërkesa e guvernatorit Sejko, drejtuar sistemit bankar se ata duhet të rrisin kreditimin, vjen në një kohë kur Kurum dhe ARMO kanë shndërruar me qindra milionë euro të sistemit bankar në kredi “toksike”. Për më tepër, arsyetimi i ish-ministrit Cani se rritja e borxhit publik dhe shlyerja e detyrimeve të brendshme do të rriste kreditimin, rezultoi e dështuar si për nxitje të kreditimit, ashtu dhe në rritjen ekonomike (e parashikuar më parë në editorialet e MAPO-s). Gjithashtu, rritja e borxhit të huaj për të lejuar fonde për kreditim të brendshëm, sërish ishte përpjekje e një ministri Financash që refuzonte të kuptonte problemet e vërteta të ekonomisë së vendit. Banka e Shqipërisë vërteton se “bizneset kanë ngushtuar pozicionin e tyre debitor ndaj bankave dhe kërkesa e bizneseve për kredi mbetet e dobët” sepse pritshmëritë për të ardhmen ekonomike në vend janë të ulëta. Bankat po rishohin ekspozimin në tregun shqiptar dhe firmat vendëse po përballen me probleme të mëdha të natyrës politike e ekonomike. Po ashtu, ulja e normës së interesit i ka shtyrë qytetarët të kërkojnë më shumë tituj afatgjatë dhe të mos rrisin konsumin. Nga e gjithë kjo politikë, e vetmja palë e fituar është qeveria, e cila po merr hua me kosto shumë të ulët, megjithëse borxhi publik mbetet më i larti në historinë e vendit dhe me një rritje të ulët të ekonomisë reale. Nga ana tjetër, investimet publike, arma e vetme e mbetur e shtetit për të nxitur kërkesën agregate, kanë qenë nën pritshmëri, si në cilësi, ashtu edhe në realizimin e planit. Kjo mbështetet edhe në deklaratën e Stabilitetit Financiar, ku vetë banka pranon që “investimet publike dhe konsumi privat patën një ecuri më të dobët”.

Por si mundet të ketë ndikuar rritja e borxhit në uljen e konsumit privat? Në ekonomi, ky fenomen njihet si “Ekuivalenca Rikardiane”, që s’do të thotë gjë tjetër vetëm se konsumatorët mendojnë në periudhën afatgjatë dhe marrin vendime në bazë të kufizimeve të tyre buxhetore (të të ardhurave). Në këtë shembull, njihet argumentimi se një rritje e borxhit publik për të rritur shpenzimet qeveritare mund të çojë në rritje të kërkesës në ekonomi, por qytetarët e dinë që në periudhën afatgjatë ky borxh do të shlyhet me taksa më të larta. Për këtë arsye, për të qenë në gjendje që të paguajnë taksat, ata rrisin kursimet dhe ulin konsumin e tyre në ekonomi. Kështu në marrëveshjen me FMN shkruhet se Shqipëria duhet të ulë borxhin e lartë publik nga 72% në 60% deri në vitin 2018. Kjo do të thotë që duke filluar nga ky vit, qeveria duhet të ulë shpenzimet e saj dhe sikundër ka ndodhur për tri vite rresht, të rrisë taksat për qytetarët dhe bizneset në vend. Në fillim të vitit të shkuar, në editorialin e MAPO-s “Buxheti 2015, pa ideologji qeverisëse dhe taksa pragmatiste” kemi paralajmëruar se qeveria paraqet taksa pragmatiste, pa vizion zhvillimi për ekonominë dhe që kërkon të rrisë shpenzimet korrente, duke ngritur pikëpyetje sesi do të reagojnë investitorët e huaj e vendës dhe qytetarët gjatë vitit të vështirë të ekonomisë në 2015-n. Ndaj një arsye përse ka rënie të konsumit, mund të mbështetet në “Ekuivalencën Rikardiane”, pra borxhi i madh publik çon edhe në ulje të konsumit të brendshëm.

Së dyti, sipas marrëveshjes me FMN, qeveria ka rënë dakord të ngrijë pagat në sektorin publik, në nivelin e pagave nominale të vitit 2013 ( shih f. 29 të marrëveshjes). Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në sektorin publik ishte 54,270 lekë në fund të vitit 2015 ose 3.1% më e lartë sesa dy vite më parë. Duke pasur parasysh inflacionin, paga reale është më e ulët sesa ishte në vitin 2013, ndërkohë që paga minimale nuk ka ndryshuar. Këta dy faktorë kanë bërë që fuqia blerëse e qytetarëve të ngrijë, duke ulur nivelin e konsumit në vend. Po ashtu, Shqipëria është ndër shtetet me popullsi më të re në Europë. Punësimi i të rinjve është prioritet, pasi sa më shumë kohë të rrinë ata jashtë forcës së punës, aq më e vështirë bëhet për ekonominë që t’i integrojë ata dhe t’i shndërrojë në forcë produktive punëtore. Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga viti 2013, papunësia në grup moshën 15-29 vjeç është rritur me 28.551 persona. Me gjithë ngrirjen e pagave dhe me rritjen e papunësisë në vend, s’duhet harruar edhe impakti negativ që ka pasur largimi i mbi 100 mijë personave nga Shqipëria.

Së treti, në fushatën anti-informalitet, qeveria rriti statistikisht numrin e bizneseve të regjistruara, me pretendimin se kjo do të çonte në rritje të të ardhurave. Aksioni anti-informalitet, në fakt nuk merrte parasysh asnjë prej shqetësimeve kryesore të biznesit: Rënien e konsumit në vend. Në një pyetësor të bërë nga Fondacioni për Liri Ekonomike, me mbi 130 biznese, në tri qytetet kryesore gjatë vitit të shkuar, vihej re se më shumë se 80% e tyre pohonin se kërkesa ishte më e ulët sesa në vitin 2013. Po ashtu, ata tregonin se masat e qeverisë për të ulur taksën e biznesit të vogël nuk zgjidhnin asnjë prej shqetësimeve të tyre. Ndaj është e pakuptimtë që Ministria e Financave i dërgon letra biznesit për t’i pyetur përse ka rënë xhiro e raportuar mujore. Konsumi është ndikuar nga rritja e kostos së energjisë dhe formalizimi i këtij sektori, e pranuar edhe nga BSH, si dhe nga rënia e konfidencës për të ardhmen ekonomike të individëve dhe të bizneseve. Kjo kombinohet me zbehjen e nivelit të remitancave në vitet e fundit, të ndikuara këto nga kriza greke dhe italiane. E paralajmëruar më parë në editorial, se viti 2015 do të ishte viti më i vështirë për ekonominë, masat e ndërmarra nuk e përfillën këtë shqetësim dhe ekonomia vendëse ka hyrë në një spirale negative. Pavarësisht faktorëve të jashtëm apo të brendshëm, rënia e konsumit është shqetësuese dhe tregon se ekonomia shqiptare është në agoni të plotë, si pasojë e mungesës së profesionalizmit në politika ekonomike, dëmet e së cilës janë të pariparueshme deri në fund të kësaj dekade.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi