Kreditimi i ekonomisë, depozituesit dhe investitorët

Nga Arben Malaj, botuar në Panorama Online, 15 dhjetor 2014

Arben-MalajRritja ekonomike kushtëzohet ndjeshëm nga zhvillimi i ndërmjetësve financiarë, ku përfshihen bankat tregtare, bankat e investimeve, kompanitë e sigurimeve, bursa dhe fondet e investimeve. Sektori financiar i vendit tonë është ende i dobët dhe në disa prej ndërmjetësve financiarë të tij, në faza embrionale. Tregu i kapitaleve dhe në veçanti bursa mungon. Ekziston një dallim në kulturën financiare midis vendeve anglo-saksone dhe vendeve të tjera. Të parat përdorin më shumë si alternativa financimi tregjet e kapitaleve, ndërsa të dytat, më shumë bankat.

Ndikimi i bankave në ekonomi vlerësohet nëpërmjet treguesve të totalit të aseteve, depozitave dhe kredive në raport me GDP-në. Për të njohur impaktin real, janë të domosdoshme analiza më të thelluara lidhur me strukturën e llojit të monedhave, afateve të depozitave dhe kredive, si edhe analiza e kredidhënies në raport me sektorët realë të ekonomisë. Asetet e sektorit bankar në vendin tonë në vitin 2013 zënë rreth 91% të totalit të ndërmjetësve financiarë. Totali i depozitave është rreth 73% e PBB-së dhe totali i kredive rreth 42% e GDP-së.
Pas viteve ‘90, për një periudhë jo të shkurtër, për shkak të treguesve të përkeqësuar të bankave shtetërore, për shkak të vonesave të proceseve rregulluese/derregulluese, liberalizuese dhe privatizuese në sektorin bankar, kreditimi ka qenë një burim i munguar/kufizuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit. Deri në 2005 ai ishte rreth 7% e GDP-së. Pas privatizimit në 2004-n të Bankës së Kursimeve, sot “Raiffaisen Bank”, filloi rritja me ritme të shpejta e kreditimit të sektorit privat. Në vitet e para, për shkak të bazës së ulët të pikënisjes së kreditimit, ritmet e rritjes ishin shumë të larta. Ritmet e rritjes së kredidhënies shumë më të mëdha se ritmet e rritjes së GDP-së kanë efektin e tyre jo pozitiv në deformimin e kërkesës në treg, në rritjen e çmimeve, sidomos të pasurive të patundshme, si dhe në rritjen e risqeve për kreditë e këqija. Kreditë me problem janë rreth 25% e totalit të kredive, ato janë në nivelin më të lartë të krahasuar edhe me vendet e rajonit. Dhënia e kredisë është ngurtësuar. Tri vitet e fundit kredidhënia është zero deri negative, pra mblidhen kreditë e vjetra dhe jepet shumë pak kredi e re.
Por bankat tregtare mund ta mbështesin më mirë ekonominë duke i alokuar/investuar kursimet e popullsisë dhe likuiditetet e lira të biznesit në projekte të suksesshme. Ky duhet të jetë kontributi pozitiv i ndërmjetësve financiarë në zhvillimin ekonomik. Materializimi i këtij impakti pozitiv kërkon që biznesi të rrisë cilësinë e analizave të planeve të investimeve të tij, si dhe të kostove direkte dhe indirekte të kredimarrjes.
Bankat tregtare duhet të përmirësojnë cilësinë e kredidhënies duke asistuar më mirë biznesin, duke dhënë kredi jo për të “kapur disa tregues plani”, por për të marrë fitime nga bizneset e suksesshme. Ekonomia rritet kur biznesi dhe bankat janë të suksesshme. Bankat arrijnë fitime të qëndrueshme kur biznesi rritet dhe rrezikohen kur ekonomia ngadalësohet apo hyn në krizë. Ato paguajnë një çmim kur “ushqejnë” cilësinë e keqe të investimeve në ekonomi apo kur menaxhohen në mënyrë jo të suksesshme.
Miratimi nga qeveria i strategjive të zhvillimit, qartësimi i prioriteteve, eliminimi i barrierave dhe pengesave për biznes, redukton risqet e tyre dhe nxit zhvillimin e vendit. Sipas bankave dhe biznesit, dy janë pengesat kryesore: (i) problemet e pronësisë dhe (ii) funksionimi i dobët i shtetit ligjor, sidomos në moszbatimin korrekt të kontratave dhe kolateraleve.
Banka Qendrore, pa cenuar objektivin e saj kryesor – stabilitetin e çmimeve, duhet të plotësojë më mirë atributet ligjore si rregullatore dhe mbikëqyrëse e tregut bankar. Rritja e transparencës së bankave tregtare duhet të reduktojë kostot indirekte, të thjeshtojë dhe qartësojë dokumentacionin e tyre me kredimarrësit. Ulja e kredive me probleme imponon përmirësim të cilësisë së kredidhënies nga bankat dhe kredimarrjes nga biznesi.
Pas uljes së interesave për depozitat deri në nivelin e interesave negativë dhe pas rritjes së tatimit të interesave të depozitave nga 10 në 15%, është krijuar një fazë e re. Depozituesit e vegjël, të cilët ndiejnë uljen e përfitimeve nga interesat e depozitave, duhet të bëjnë shumë kujdes nga çdo joshje për t’u dhënë hua kursimet e tyre të afërmve apo biznesmenëve që u premtojnë fitime të larta. Në këtë rast, ata rrezikohen seriozisht të humbasin edhe kursimet e tyre. Kujdes nga premtimet për fitime/interesa të lartë! Kujdes nga “garancitë” me shkresa apo miq! Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat e individëve përbëjnë pjesën dërrmuese të depozitave të klientëve të sistemit bankar, me një peshë prej 87%.
Depozituesit duhet të bëjnë kujdes edhe me një risk të ri që po u ofrohet, kalimin e depozitave të tyre në fondet e investimeve. Ky ndërmjetësim i bankave për depozituesit e tyre është ligjor dhe ka logjikë ekonomike, sepse kushdo që do fitime më të mëdha merr njëkohësisht edhe një risk më të madh. Shqetësimi është që depozituesit të jenë qartësuar se këto kursime/para që u investohen në fonde të investimeve, edhe pse përdoren nëpërmjet bankave, nuk janë më depozita dhe nuk mbrohen nga shteti nëse fondi i investimeve falimenton.
Të jenë të qartë se në rastet kur kalojnë depozitën e tyre te fondet e investimeve të bankave tregtare, kur i autorizojnë ato për t‘i përdorur/investuar në investime financiare për llogari të tyre, me shpresën se mund të marrin më shumë të ardhura, në këtë rast kursimet e tyre nuk janë më depozita, nuk kanë më mbrojtje nga sistemi i sigurimit të depozitave. Në rast të humbjeve të fondeve të investimeve, ata i humbasin kursimet e tyre.
Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet ta ndjekin nga afër këtë zhvillim në tregjet tona financiare, pasi bazuar edhe në rastet e vendeve të tjera, risku psikologjik përhapet shumë më shpejt.
Bashkëpunimi midis qeverisë, bankave, biznesit dhe enteve rregullatore e mbikëqyrëse synon të rrisë cilësinë e investimit të kursimeve dhe likuiditeteve në ekonomi, lehtëson rritjen e kreditimit të bizneseve dhe uljen e kostos së financimit të ekonomisë për sektorin privat dhe borxhin publik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi