Ekonomia e gjithëpërfshirjes

Nga Ricardo Hausmann*, sipas bota.al, 10 nëntor

Një strategji e rritjes gjithëpërfshirëse duhet t’i fuqizojë njerëzit duke i përfshirë ata në rrjetet që i bëjnë produktivë. Gjithëpërfshirja nuk duhet parë si kufizim i rritjes ekonomike, për ta bërë atë moralisht të pëlqyeshme. E parë në këndvështrimin e duhur, gjithëpërfshirja është në fakt një strategji që e forcon rritjen ekonomike. Shumë njerëz e shohin rritjen ekonomike si një objektiv moralisht të paqartë – i pëlqyeshëm, argumentojnë ata, vetëm nëse shpëndahet gjerësisht dhe është i përballueshëm nga pikëpamja mjedisore. Por, siç pëlqen të thotë edhe im atë, “Përse duhet ta bësh diçka të vështirë, kur mund ta bësh të pamundur?” Nëse nuk dimë si t’i bëjmë ekonomitë të rriten, i bie që nuk dimë që t’i bëjmë të rriten në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Ekonomistët janë munduar shumë për ekuilibrin mes rritjes ekonomike dhe barazisë, përgjatë shekuhausmannjve. Cila është natyra e këtij ekuilibri? A mund të mbështetet rritja ekonomike, nëse ajo të çon drejt një pabarazie më të madhe? A e pengon rishpërndarja rritjen ekonomike?
Unë besoj që, edhe pabarazia, edhe rritja ekonomike e ulët, shpesh herë janë rezultat i një forme të veçantë të përjashtimit. Adam Smithi argumentonte se “ne nuk e presim darkën tonë prej dashamirësisë së kasapit, prodhuesit të birrës apo bukëpjekësit, por prej faktit që ata ndjekin interesin e tyre”. Atëherë përse të mos përfshijë rritja ekonomike njerëz, për shkak të interesit të tyre vetiak, në vend që të kërkojë aksione kolektivë të paramenduar?
Eshtë e ditur që nivelet e të ardhurave ndryshojnë në mënyrë dramatike përreth botës. Falë më shumë se dy shekujve rritje të qëndrueshme, të ardhurat mesatare për frymë në vendet e OECD janë diçka më pak se 40 mijë USD – 3.3, 11.3 dhe 17.7 herë më shumë se sa Amerika Latine, Azia Jugore dhe Afrika Nën Sahariane respektivisht. Eshtë e qartë që rritja e qëndrueshme nuk ka përfshirë shumicën e njerëzimit.
Një gjë që nuk e dimë kaq qartë është se ekzistojnë hendeqe shumë të mëdhenj edhe brenda shteteve. Për shembull, GDP për punëtor në Shtetin e Nuevo Leon në Meksikë është tetë herë më e lartë se ajo e Guerreros, ndërkohë që prodhimi për punëtor në Departamentin e Chocos në Kolumbi është më pak se një e pesta e Bogotasë. Përse vallë kapitalistët nxjerrin kaq pak vlerë prej punëtorëve, në një kohë kur mund të merrnin shumë më tepër prej tyre?
Përgjigja është çuditërisht shumë e thjeshtë: kostot fikse. Prodhimi modern bazohet në rrjetet e rrjeteve. Një kompani moderne është një rrjet njerëzish me ekspertiza të ndryshme: prodhim, logjistikë, marketing, shitje, kontabilitet, menaxhim i burimeve njerëzore, e kështu me radhë. Por vetë kompania duhet të jetë e lidhur me një rrjet kompanish të tjera – furnizuesit dhe klientët e saj – përmes transportit në disa forma, si edhe rrjeteve të telekomunikacionit.
Për të krijuar një pjesë të ekonomisë moderne, kompanitë dhe familjarët kanë nevojë për qasje në rrjetet që furnizojnë me ujë apo ofrojnë shërbimet e kanalizimeve dhe mbledhjes së mbeturinave të ngurta. Ata kanë nevojë për qasje në rrjetet që shpërndajnë energji elektrike, ofrojnë transport urban, mallra, arsim, kujdes shëndetësor, siguri dhe financë. Mungesa e qasjes qoftë edhe në njërin prej këtyre rrjeteve shkakton rënie të mëdha të produktivitetit. Vetëm mendoni se si do të ndryshonte jeta juaj, nëse do ju duhej të ecni në këmbë dy orë në ditë për të siguruar ujë të pijshëm, dru apo karburant.
Por lidhja me këta rrjete përfshin kostot fikse. Përpara se çdokush të konsumojë një kilovat/orë, një litër ujë, një udhëtim me autobus, ai duhet të ketë një kabëll, një tub apo një rrugë që të çon tek shtëpia e tij. Këto kosto fikse duhet të kompensohen përgjatë periudhave të gjata të përdorimit.
Nëse të ardhurat priten që të jenë të ulëta (ndoshta për shkak të rrjeteve të munguar), nuk ka interes që të lidhet një kompani apo një familje me rrjetin, për arsye se kostot fikse nuk do të kompensoheshin. Rritja ekonomike nuk është gjithëpërfshirëse, për arsye se kostot fikse i frenojnë tregjet që të zgjerojnë rrjetet.
Ndryshimet në këto kosto fikse janë bërë më të mëdha se sa efektet mbi ata që janë të përfshirë. Për shembull, kompania e parë telefonike e nisi veprimtarinë në 1878, ndërkohë që telefonët celularë nuk janë as 25-vjeçarë. Ndokush mund të mendojë që të parët do të ishin të përhapur më shumë se sa të dytët, thjeshtë për shkak të avantazhit të kohës. Megjithatë, në Afganistan ka 1300 celularë, për çdo telefon fiks. Në Indi, ka 72 telefonë celularë për çdo 100 persona, por vetëm 2.6 telefona fiksë.
Në fakt, shumë indianë me telefona celularë duhet të kryejnë nevojat e jashtëqitjes në qiell të hapur sepse indiani i zakonshëm nuk ka ujë të rrjedhshëm në shtëpinë e tij. Në Kenia, ku ka 50 celularë për 100 banorë, vetëm 16% e popullsisë ka energji elektrike. Kjo gjë reflekton faktin që kullat e celularëve dhe vetë pajisjet janë shumë më të lira se sa tubat dhe kabllot, duke ua bërë të mundur të varfërve që të paguajnë kostot fikse.
Janë kostot fikse që kufizojnë përhapjen e rrjeteve. Kështu që, strategjia e rritjes gjithëpërfshirëse duhet të fokusohet në mënyrat ose për të ulur, ose paguar kostot fikse që lidhin njerëzit me rrjetet.
Teknologjia mund të ndihmojë. Sigurisht, celularët kanë bërë mrekullira. Elementët e lirë fotovoltaikë mund të ndihmojnë fshatrat që të sigurojnë energji elektrike, pa patur nevojë për linja të gjata transmetimi. Shërbimet bankare përmes celularëve mund të ulin kostot fikse të bankave tradicionale.
Por në fusha të tjera, problemi përfshin edhe politikat publike. Që nga fillimet e tij në vitin 1775, Shërbimi Postar i SHBA ishte i bazuar mbi parimin që “çdo person në SHBA – pavarësisht se kush, pavarësisht se ku – ka të drejtën për akses të barabartë në shërbimin postar të sigurtë, efiçient dhe të përballueshëm”. Një logjikë e ngjashme çoi në zgjerimin e sistemit ndërshtetëror të autostradave.
Natyrisht, gjithë kjo ka kosto dhe pikërisht këtu kanë rëndësi prioritetet. Vendeve të varfër u mungojnë paratë për të lidhur çdo njeri me rrjetin në të njëjtën kohë, gjë që shpjegon dallimet e mëdhenj rajonalë në të ardhura. Por, shpesh herë, shumë burime alokohen për masa rishpërndarëse paliative që merren me pasojat e përjashtimit dhe jo me shkaqet e tij. Vende si Brazili, Afrika e Jugut, Peruja, Uganda, Guatemala, Pakistani dhe Venezuela shpenzojnë shumë më tepër para për subvencione dhe transferta, se sa për investime publike për të zgjeruar rrjetet infrastrukturorë, arsimin dhe shëndetësinë.
Një strategji e rritjes gjithëpërfshirëse duhet t’i fuqizojë njerëzit duke i përfshirë ata në rrjetet që i bëjnë produktivë. Gjithëpërfshirja nuk duhet parë si kufizim i rritjes ekonomike, për ta bërë atë moralisht të pëlqyeshme. E parë në këndvështrimin e duhur, gjithëpërfshirja është në fakt një strategji që e forcon rritjen ekonomike. /Project Syndicate/
* Ricardo Hausmann, Ish Ministër i Planifikimit në Venezuelë dhe ish Krye-Ekonomist i Bankës Ndëramerikane për Zhvillim, është Profesor i Praktikës së Zhvillimit Ekonomik në Universitetin e Harvardit, ku është gjithashtu Drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi