Vazhdon dështimi i politikave monetare të Bankës së Shqipërisë

Nga Alqi Naqellari, Elona Shahini, botuar në Telegraf, 21/22 maj 2014

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në Forumin e 10 Ekonomik të Vjenës mbajti një fjalim me temë: “Përfytyro të ardhmen: Për një bashkëpunim më të mirë ekonomik. Përgjegjësitë e Dhomave të Tregtisë dhe Bankave”. Në këtë fjalim të tij ai hodhi një sërë shqetësimesh për efektin e politikave monetare në zhvillimin e ekonomisë si dhe për rolin që kanë bankat e huaja në këtë proces.

       Gjatë leximit të këtij fjalimi më bënë përshtypje një sërë problemesh dhe shqetësimesh të ngritura nga guvernatori. Më bëri shumë përshtypje se Guvernatori për gjendjen e ekonomisë shqiptare në mënyrë të veçantë për gjendjen në sistemin bankar shqiptar bën përgjegjës në mënyrë të drejtpërdrejtë politikat e ndjekura nga autoritetet monetare dhe rregulluese europiane. Nuk shikon asnjë përgjegjësi në punën e Bankës së Shqipërisë dhe të Qeverisë Shqiptare. Për ne gjendja e keqe e tregut monetar, struktura dhe destinacioni kredive, gjendja e keqe e kredive sipas klasifikimit më të fundit dhe e ekonomisë shqiptare në përgjithësi, nuk janë përgjegjësi e Europës, por e vetë shqiptarëve, e Bankës së Shqipërisë dhe e Qeverive Shqiptare, që me politikat e tyre e kanë zhytur ekonominë në recesion, pa kurrfarë perspektive. Futja e juanit, monedhës së R.P.Kinës në masën e 300 milionë dollarëve dhe e blerjes së 50% të aksioneve të bakrit nga kompania më e madhe shtetërore kineze e boksideve nga kompanitë turke, që e kanë pasur me koncesion, janë një tregues tjetër i papërgjegjshmërisë së institucioneve shqiptare. Pasuria e popullit shqiptar, nën e mbi tokësore sot është në duart e disa kompanive që mendojnë vetëm të fitojnë, të maksimizojnë vlerën e aksioneve të tyre, pa parë se kujt i takon kjo pasuri dhe kush meriton të shpërblehet. Sot shqiptarët janë kthyer nëpërmjet fasoneve në lypsarë të Europës moderne. Një vend si Shqipëria që noton në minerale dhe naftë është vendi më i varfër i Europës. Një vend, ku populli i saj, pa dëshirën e tij por për mbijetesë, ka parë hashashin dhe emigracionin si shpëtim nuk meriton të ndëshkohet në këtë farë mënyre. Europa zgjodhi fasonerinë ti afrojë këtij populli dhe jo investimet, zgjodhi ta kthejë Shqipërinë në një kavje. Zgjodhi të thotë se çdo gjë e zezë vjen nga Shqipëria, thuajse në Europë nuk ka kriminelë e trafik narkotikësh, prostitucioni e armësh. Shqipëria lakohet e zgjedhohet nga mëngjesi e deri në të ngrysur, veç për pisllëqe.

       Guvernatori shprehet. ”Ajo që është më e rëndësishme është se ato kanë një rol domethënës në transmetimin e goditjeve nga masat legjislative dhe rregullatorë të ndërmarra nga autoritetet monetare dhe mbikëqyrëse evropiane. Përmasa është e tillë që edhe një ndryshim i thjeshtë në planet e ardhshme të biznesit të një institucioni të vetëm financiar në Europë mund të shndërrohet në goditje të vërteta për ekonomitë e rajonit”.

Kjo do të thotë….

       Kjo do të thotë se Bankat mëma nuk duhet të bëjnë veprime në interes të politikave të tyre por në konsideratë duhet të marrin edhe politikat dhe gjendjen e vendeve ku veprojnë bankat bija të tyre. Pra ato duhet të marrin vendime duke u mbështetur edhe në situatën ekonomiko- financiare të vendeve të rajonit, që për rastin tonë të mbështeten në situatën e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë –Herzegovinës apo të Serbisë. Një thënie e tillë përbën një paradoks sepse ato janë banka private që qarkullojnë me miliarda euro dhe kanë planet e tyre afatmesme dhe afatgjata që nuk i kanë mbështetur në ekonomi si ekonomia shqiptare apo tek ndonjë ekonomi tjetër e rajonit por e kanë mbështetur në vendet e fuqishme të origjinës apo në vendet e tjera europiano- perëndimore, ku kanë aktivitetet e tyre kryesore. Vende si Shqipëria me politikat e tyre nuk kanë asnjë lloj ndikimi në planet e këtyre bankave.

       Ai vazhdon: “Këto rregullime më të shtrënguara që u miratuan nga Autoriteti Evropian i Mbikëqyrjes dhe ai Bankar dhe që u zbatuan, për rrjedhojë, nga bankat mëma janë shoqëruar tashmë me ulje të nivelit të kreditimit në ekonomi. Nga kërkimet tona, tregohet se shtrëngimi i mëtejshëm i kreditimit, për shkak të reformave ligjore që po ndërmerren, mund të sjellë një efekt të rëndësishëm jo vetëm mbi aktivitetin ekonomik, por edhe mbi cilësinë e aseteve të bankave tregtare, në veçanti në situatën e kredive me probleme. Përkeqësimi i aktivitetit ekonomik do të vijonte kryesisht në të njëjtën mënyrë, duke çuar në përkeqësimin e raportit të kredive me probleme, në fitime më të ulëta të bankave dhe kufizime më të mëdha të kapitalit, së bashku me rritje më të ngadaltë. Ky kanal i dytë shihet, ndonëse në mënyrë të debatueshme, si më i rrezikshëm, ku kërkimi empirik tregon se elasticitetet janë pothuajse dy herë më të mëdha për një goditje të një përmase të tillë”.

       Arsyen e uljes së kreditimit të biznesit prej Bankave të nivelit të dytë guvernatori e shikon te shtrëngimi i mëtejshëm i kreditimit për shkak të reformave ligjore që po ndërmerren prej Europës. Ky shtrëngim mund të sjellë rënie të ekonomisë dhe përkeqësimin e kredive me probleme. Sipas tij është Europa që ja ka fajin ekonomisë shqiptare. Është ajo që do ndikojë në përkeqësimin ne ritmeve të rritjes së saj dhe në rritjen e përqindjes së kredive me probleme. Në fakt e vërteta nuk ka këtë pamje. Është krejt tjetër që do ta shpjegojmë më poshtë.

        “Këto rregullime – thekson- po vendosin vështirësi domethënëse mbi ekonomitë tona. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, kemi vërejtur një ulje të ndërmjetësimit financiar, që vjen për shkak të procedurave të shtrënguara të huadhënies madje edhe për ekonomi apo sektorë që kanë patur ecuri të mirë gjatë krizës. Si rrjedhojë, kjo u reflektua në frenim të investimeve dhe ulje të dinamikës së ekonomisë shqiptare, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Për më tepër, praktikat aktuale të biznesit dhe orientimi i politikave po vendosin pengesa domethënëse në eficiencën e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, dhe aftësinë e autoriteteve për t’i dhënë ekonomisë stimulin aq të nevojshëm”. 

       Në këtë mënyrë – sipas guvernatorit-  Europa me vendimet e saj ka ulur eficiencën e veprimeve të bankave që operojnë në Shqipëri, ka ulur rolin e tyre si ndërmjetës financiarë dhe më tej ka ulur eficiencën e mekanizmit të trasmetimit të politikave monetare të Bankës së Shqipërisë.  Këto përcaktime që bën Guvernatori janë sa absurd dhe aq qesharake. Pse gjykoj se janë të tilla? Gjykoj se janë të tilla sepse tregu monetar shqiptar është plotësisht i deformuar, i deformuar në mënyrën më ekstreme. Në Shqipëri sot qarkullojnë tre monedha me statusin e parasë zyrtare, nesër do futet edhe juani dhe do bëhen katër të tilla. Fusha e veprimit të lekut dhe roli i tij në treg do jetë aq shumë i reduktuar sa do të mbetet vetëm si simbol i parasë shtetërore. Leku do mbetet vetëm për të blerë bukë dhe domate sepse gjithë transaksionet e tjera do kërkohet të bëhen në euro, dollar ose në juan. Sistemi bankar shqiptar që sundon mbi sistemin financiar ka një sërë karakteristikash që nuk i ka asnjë nga vendet e rajonit.

       E para, nuk ka asnjë bankë me kapital shtetëror, janë të gjitha private dhe me kapital të huaj. Vetëm tre prej tyre kane kapitale shqiptare në një pjesë të vogël të aksioneve. Janë në përgjithësi banka bija dhe shumë pak ka banka mëma. Kështu gati të gjitha kanë vartësi prej vendeve të origjinës në strukturën e aktivitetit të tyre.

       Së dyti, sa i përket efektit të transmisionit guvernatori duhet ta ketë të qartë se në tregun monetar shqiptar nuk ka efekte transmisioni. Kjo sepse 50% e depozitave janë në valutë dhe 50% në lekë, 65% e kredive janë në valutë dhe vetëm 35% janë në lekë. Me këtë situatë çfarë efektesh do ketë ndryshimi i normës bazë të interesit te norma e interesit të kredive që akordojnë bankat tregtare që operojnë në Shqipëri. Përgjigja është asnjë lloj efekti. Këto banka veprojnë me euro dhe me dollar sepse norma bazë e interesit të tyre është tepër e ulët. Norma bazë e interesit e përcaktuar nga BQE është vetëm 0.25% dhe synohet të shkojë në zero në një kohë që ajo e lekut është 2.75%. Në këtë mënyrë leku shqiptar këto banka e përdorin vetëm për blerjen e aktiveve financiare, për blerjen e instrumenteve të borxhit të qeverisë. Stoku i lekut që kasat e bankave tregtare ka bërë që të bjerë dukshëm edhe norma e interesit të bonove të thesarit që emeton dhe tregton BQ për llogari të qeverisë shqiptare.

       Më tej në fjalën e tij Guvernatori theksoi.  “Ekonomia e Shqipërisë dhe tregu i saj financiar kanë karakteristika të përbashkëta me ekonomitë e tjera në rajon. Partnerët tanë kryesore për shkëmbime tregtare dhe financiare janë pjesë e ekonomive të BE-së. Për këtë arsye, zhvillimet në BE përcillen drejtpërdrejt apo tërthorazi dhe luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Mbështetja jonë te BE jo vetëm që ka ndikuar mbi zhvillimet tona ekonomike por edhe ka kufizuar efektet e masave të politikave”

Këtu kemi të bëjmë mbase me një lapsus sepse tregu financiar shqiptar nuk ka karakteristika të përbashkëta me tregun financiar europian. Nëse ka karakteristika të përbashkëta cilat janë? Themi se nëse ka fare pak, përkundrazi ka shumë dallime.

E para, në Shqipëri nuk ekziston institucioni i Bursës.

E dyta, në tregun financiar shqiptar institucionet e tjera financiare ose nuk ekzistojnë ose ekzistojnë në formën e tyre foshnjore me shumë probleme duke filluar nga shoqëritë e sigurimeve te fondet e pensioneve, të investimeve etj.. Sistemi bankar kap peshën më të madhe në sistemin financiar mbi 90% të tij. Kështu këtu kemi bankat si përfaqësuese të këtij sistemi prej të cilave varet edhe nxitja e ekonomisë. Sa i përket ngjashmërisë së sistemit shqiptar me vendet e rajonit, edhe me këto nuk ngjan sepse nuk qarkullojnë në këto vende tre monedha me statusin e monedhës zyrtare e para dhe e dyta këto vende kanë Bursë, pavarësisht nga shkalla e pjekurisë së saj.

Sa u përket zhvillimeve në BE, ato luajnë rol në ekonominë shqiptare por më së shumti rol të rëndësishëm luajnë Italia, Greqia, Gjermania dhe Spanja. Roli i tyre duke pasur parasysh vëllimin e importeve dhe eksporteve shqiptare është i njëtrajtshëm dhe pa kurfarë ndikimi në saje të rritjes së kërkesës së tyre. E them këtë sepse nuk është fare normale të thuhet se “ është rritur kërkesa e huaj për produktet tona”. Kërkesa e huaj për një ekonomi mizë si ekonomia shqiptare është gjithmonë e madhe. Në raport për shembull me Italinë. Ne eksportojmë në Itali mallra me vlerë 600 milionë euro. Eksportet tona në raport me importet italiane janë sa 0.2% e tyre. Atëherë çfarë kërkese është rritur? Kërkesa e huaj për mallrat tona është gjithnjë e lartë.

Në vijim thekson “Është e kuptueshme që bankat do të duhet të jenë të kujdesshme, prudente dhe të përgjegjshme duke patur parasysh gjendjen aktuale të kredive me probleme. Megjithatë, ato duhet të konsiderojnë edhe faktin që kreditimi dhe ndërmjetësimi financiar janë të rëndësishëm për rritjen, e cila mund të përmirësojë aftësinë e agjentëve ekonomikë për të shlyer kreditë. Kjo është e vërtetë sidomos për sektorë të veçantë si bujqësia dhe agrobiznesi, të cilët deri tani nuk kanë përfituar nga zgjerimi i kreditimit, po që kanë potencial të madh e të pashfrytëzuar për rritje.

Guvernatori me këtë thënie  po ju drejtohet këtyre bankave që të shikojnë edhe mundësi të tjera kreditimi në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Por pse nuk është ndjerë Guvernatori për gjithë këta vjet kur kreditimi për bujqësinë në 5 vitet e fundit ka varijuar nga 1.5 deri në 1.8% në një kohë që GDP e siguruar nga sektori i bujqësisë ka varijuar nga 17 deri në 20%.

Andej nga fundi guvernatori jep dhe mendime mbi situatën e ekonomisë shqiptare duke theksuar se:

        “Koha e një modeli të rritjes ekonomike të nxitur kryesisht nga konsumi vendas tashmë ka ikur. Bankat, selitë e tyre qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse në vendet evropiane të origjinës duhet të punojnë së bashku me autoritetet e vendeve pritëse për të zhvilluar një model afatgjatë dhe të qëndrueshëm të rritjes ekonomike. Ky model i ri nevojitet të mbështetet te investimet në sektorë produktivë të ekonomisë”.

        Guvernatori po ju jep mëndje shqiptarëve dhe europianëve sesi duhet të punojnë në të ardhmen. Ne theksojmë se në Shqipëri për këto 20 vite kanë dështuar njëkohësisht modeli ekonomik dhe modeli financiar. I pari ka dështuar sepse u kalua në privatizim total të ekonomisë shqiptare duke përfshirë edhe sektorët strategjik siç janë sektorët e naftës dhe të pasurive nëntokësore. Modeli financiar ka dështuar sepse u privatizuan të gjitha bankat dhe nuk ka asnjë bankë me kapital shtetëror, u futën në qarkullim masiv valutat të njehsuara me lekun shqiptar. U degjenerua një “Bursë” që u krijua pranë BSH. Sot ajo është një zyrë simbolike me një kosh plehrash para derës së saj. Shqipëria nuk ka treg sekondar të kapitalit.

        Duke e mbyllur këtë shkrim theksojmë se Europa nuk i ka asnjë faj Shqipërisë. Shqipërisë ja kanë fajin pushtetarët e saj dhe populli që nuk çohet për t’ju treguar vendin këtyre shpërdoruesve të pasurisë kombëtare. Tu tregojnë vendin atyre që shitën hidrocentralet, që dhanë me koncesione për një copë bukë minierat e bakrit dhe të kromit, që privatizuan në mënyrën më ineficiente gjithçka, që shkatërruan në mënyrën më brutale pronën shtetërore, që mbollën farën e korrupsionit dhe të kriminalitetit. Sa i përket sistemit bankar, do ta quaja fat ditën që do përfshiheshim në zonën e euros sepse ke këto monedha që janë në qarkullim do përballej euroja dhe jo më leku shqiptar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi