Elitat shqiptare punojnë kundër vetvetes

Nga Arben Braçe, botuar në Balkanweb, 17 shtator 2014

arbenmeçajPrej një kohe të gjatë, përfaqësues të elitave politike shqiptare kërkojnë ta gjejnë daljen nga kriza në të cilën ndodhemi, nëpërmjet ndihmës dhe asistencës së përfaqësuesve të elitave të huaja. Këtë e bëjnë duke u lutur në takime të rëndësishme ndërkombëtare me kancelaritë e huaja, por shpesh këtë e shfaqin edhe përpara sovranit, duke qarë hallin me të, se ekonomia shqiptare do të ishte komplet ndryshe n.q.se do të drejtohej nga ekspertë të huaj. Aq shumë ksenomanë janë bërë politikanët shqiptarë, sa shumë syresh në mënyrë fare diskrete, jo vetëm në biseda me gratë e tyre dhe nëpër kafene, por edhe në prezencë të medias në Parlament, thonë se do të ishte mrekullia vetë n.q.se ky vend do të ishte një protektorat me guvernatorë të huaj. Në këtë frymë së fundi po kërkohen me energji sizifiane kandidatë të huaj për guvernatorë banke, u kemi dhënë kompetenca kompanive të huaja të supervizimit në Doganë, Tatime, në energjetikë, në shumë fusha të qeverisjes, bile dikush në qeveri, i angazhuar në luftën kundër korrupsionit, para pak kohe hodhi në media idenë se do të ishte mirë të koncesiononim edhe vetë Gjykatën e Lartë, një ide e cila nuk u kundërshtua as nga përfaqësuesit e kësaj gjykate dhe as nga qarqet e juristëve shqiptarë. 
Natyrisht, eksperienca e së shkuarës na ka treguar fare mirë se ku mund të shkojmë duke mos marrë në konsideratë eksperiencën dhe praktikën e huaj, por kjo gjithsesi nuk duhet të na bëjë që të mendojmë ‘in-extremis’, që, ky vend nuk ka një elitë dhe nuk mund të bëjë asnjë hap përpara pa ndihmën e elitës së huaj. Fatkeqësisht këtë mendim e ndajnë përfaqësuesit e elitës politike shqiptare, të cilët janë më të stabilizuarit në karrierë, më të mirëpaguarit, por nuk e thonë përfaqësuesit e vërtetë të elitës kulturore shqiptare, shumica e të cilëve struken nëpër katedra ose janë të punësuar si specialistë me mëditje, ose janë vetëpunësuar, dhe, drejt me thënë, në shumë raste janë të kërcënuar çdo çast për t’u hequr nga puna, ose janë të papunë, të mënjanuar, të injoruar dhe të lënë me dashje dhe me qëllim në harresë të plotë.
Aq shumë jemi zhytur në këtë krizë, sa këto ditë, në një nga emisionet më të rëndësishme televizive, bëhej në mënyrë demonstrative thirrje për të paraqitur qoftë edhe një emër të një përfaqësuesi shqiptar për guvernator banke në vendin e mbetur bosh nga ish-guvernatori Fullani, dhe askush nuk gjente qoftë edhe një emër të denjë për këtë post. Nuk e di me saktësi se sa P.H.D apo pedagogë me titull “profesor” kemi në Universitetin tonë të Ekonomisë, por do të isha i mendimit se gjithsecili prej tyre do të ishte një kandidat i vlefshëm dhe adapt për këtë post, duke mos marrë në konsideratë këtu talentet e ndryshme të përshtatshme për këtë detyrë. Po të flitej për Guvernatorin e bursës së Bankës së Wall Street-it, do ta kisha paraqitur me rezervë këtë mendim, por, për të guvernuar Bankën e Shqipërisë në këtë çerek shekulli demokraci, ku përveç akademikëve vendas të fushës kemi me qindra ekspertë të mirëstudiuar jashtë, të cilët ndihen shumë të diskriminuar dhe të painkurajuar kur dëgjojnë opinionin e politikës se nuk gjen qoftë edhe një emër të denjë të ekspertëve shqiptarë për këtë post, do ta quaja dashakeqësi?! 
Gjithsesi, në këtë frymë po krijojmë kushte ideale punësimi dhe vlerësimi vetëm për ekspertët dhe kompanitë e huaja, në kundërshtim me sa deklarojmë nëpër fushata elektorale, deklarata qeveritare etj. Numri i intelektualëve shqiptarë që mbrojnë titujt shkencorë në universitetet prestigjioze ndërkombëtare ka kaluar qindrat dhe ndoshta edhe më shumë, por kjo vlen për ata që dinë t’i përthithin dhe ua dinë vlerën specialistëve dhe intelektualëve elitarë të vërtetë. Jam i bindur se askush në administratën tonë nuk ka statistika të sakta se, sa kemi prej tyre, ku ndodhen, ku janë të punësuar, cilat janë interesat e tyre etj., në mënyrë që, kur të jemi në krizë t’i thërrasim, se ndoshta na ndihmojnë. Shpesh dëgjojmë që mungojnë edhe specialistë inxhinierë, të cilët do të kërkohen në investimin gjigant të gazit që do të kalojë tek ne, bile dëgjojmë që nuk ka edhe hidraulikë, duke harruar se gjysma e 600.000 shqiptarëve që jetojnë në emigracion në Greqi, nuk janë astronomë, as fizikantë bërthamorë, por janë kryesisht muratorë dhe hidraulikë. Ajo që mungon është mënyra se si duhen kërkuar. 
Po përse gjithë kjo krizë për të pasur në krye një elitë të vërtetë shqiptare dhe me vizion për të drejtuar!? Pse ndodh gjithë ky abdikim i inteligjencës nga pozicionet më të rëndësishme të institucioneve shqiptare, të cilat kanë dalë totalisht sot edhe nga politika dhe janë kthyer në “shoqëri”, sepse vendin e tyre e kanë zënë trafikantët!? Mos vallë nuk jemi në gjendje të pranojmë vizionin amerikan të demokracisë së masave, ku termi “elitë kulturore” është sharje dhe ku intelektuali i pavarur është një specie që rrezikon të zhduket? Apo ndoshta intelektualët shqiptarë ndjekin shembullin e profesorëve universitarë amerikano-veriorë, të cilët heqin dorë qysh në krye, duke qenë pragmatikisht të paefektshëm dhe të mbuluar nga heshtja dhe mosinteresimi i shoqërisë në përgjithësi. Ata me ndërgjegje mbeten në këtë gjendje pasiviteti brenda mureve të universiteteve, sepse kontributi i tyre intelektual do ta dëmtonte edhe më demokracinë, ngaqë do të nxirrte në shesh “dekonstruktivisht” mungesën e “themeleve” të saj. 
Mos ndoshta inteligjenca tek ne flet në emër të një shoqërie e cila ende nuk ekziston, duke u bërë kjo shkak që inteligjenca të abdikojë dora-dorës nga piedestali i krijuesit të opinionit?! Apo mos ndoshta akoma na rëndon elita e vjetër administruese, e cila nuk është reformuar dhe modernizuar?! E cila, në kohën e saj ishte e prirur të bëhej elitë pushteti në emër të klasës punëtore!? Ose mosbesimi në elitat intelektuale shqiptare ka të bëjë me shkollimin masiv që kemi bërë këto vite me pranimin e turmave në botën e shkollimit?! Pa dyshim që arsimimi masiv kohët e fundit ishte një zgjerim i menjëhershëm në hapësirë dhe në kohë, ku njerëzit blinin me çmim të lirë, aftësi të specializuara në “supermarketin arsimor”, e cila solli si pasojë faktin që njerëzit tashmë kanë një material kulturor-arsimor unik, pavarësisht nga dallimet e tyre shoqërore. 
Gjithsesi, cilatdo të jenë shkaqet, nuk konvergojnë në arsyen cinike të mënjanimit të elitës intelektuale shqiptare, e gatshme dhe e aftë të përballojë të gjitha sfidat e kërkesave të kohës gjatë zhvillimit të reformave në të gjitha fushat. Zelli i politikës për të shkallmuar elitat nën frymën e barazitizmit demokratik dhe të zilisë, do të na çojnë në diskriminimin dhe zhdukjen e tyre. Jo më kot, Martin Heidegger evidentonte duke iu referuar intelektualëve gjermanë se: “Intelektualët e mëdhenj në dialog me shoqërinë, duhet të bëhen ylli i karvanit për shtetin”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi