Aspekte aktuale të reformës në drejtësi

Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, botuar në Mapo Online, 6 tetor 2015

ksenofonkrisafiPo mbushet gati një çerek shekulli nga koha kur shqiptarët përmbysën regjimin monist, simbolin e urryer të dhunimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, shpërfilljes së parimit të ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve, shtetit të së drejtës etj. Me keqardhje konstatohet se aspiratat e tyre për një jetë më të mirë, për mirëqenie e progres, për drejtësi e qytetërim, janë ende larg plotësimit. Pavarësisht arritjeve të pamohueshme, ka ende varfëri, papunësi, pasiguri, kriminalitet, korrupsion, mosfunksionim të shtetit të së drejtës, të gjyqësorit, i cili është dukshëm i varur nga politika etj. Të gjitha këto cenojnë themelet e demokracisë, nuk iu garantojnë shqiptarëve gëzimin real të të drejtave dhe lirive themelore, nuk iu japin liri dhe pavarësi institucioneve shtetërore, nuk mënjanojnë ndërhyrjet e klaneve politike dhe ekonomike në jetën e vendit. Kjo situatë komprometon gjithashtu objektivin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Në përpjekje për tejkalimin e kësaj situate, prej fundit të vitit 2014 ka nisur puna për projektimin dhe realizimin e një reforme të thellë e të gjithanshme në sistemin e drejtësisë. Kuvendi ka ngritur Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, i cili angazhoi një grup ekspertësh të Nivelit të Lartë, vendas e të huaj. Raporti analitik dhe projektet e përgatitura prej tij, së bashku me sugjerimet e grupit të ekspertëve të opozitës, pasi kaluan në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi, iu përcollën për mendim Komisionit të Venecias. Në këto dokumente parashikohet një kompleks ndërhyrjesh në aktet themelore juridike që kanë lidhje me organet e drejtësisë, duke filluar nga Kushtetuta, dhe më tej ndërmarrja e transformimeve dhe ndryshimeve në sistemin e drejtësisë, nisur nga Presidenti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë etj. Ekspertët e mazhorancës dhe ata të opozitës, në bashkëpunim edhe me specialistët e huaj kanë bërë një punë të lavdërueshme. Dokumentet e përgatitura prej tyre, pavarësisht nga problemet që mund të kenë, meritojnë vlerësime pozitive. Ato përbëjnë kontribute të rëndësishme dhe një bazë të mirë për përgatitjen e skemës përfundimtare të reformës në sistemin e drejtësisë. Besohet se forcat politike në vend do të tregojnë frymë bashkëpunimi dhe fleksibilitet të ndërsjellë për arritjen e konsensusit dhe ndërtimin në Shqipëri të një sistemi bashkëkohor drejtësie.

Drejtësia konsiderohet kudo si një ndër sektorët më vulnerabël të shtetit dhe të shoqërisë. Është kjo arsyeja pse reformat në drejtësi janë një dukuri e zakonshme edhe për vende të tjera, me tradita të shquara në fushën e drejtësisë, si Franca, Italia, Anglia, Gjermania, Belgjika etj. Në Francë, fjala vjen, në vitet 2009-2010 diskutohej gjerësisht për nevojën e kurorëzimit të reformës në drejtësi, fokusi i së cilës ishte nevoja e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe eliminimi i fenomenit të pandëshkueshmërisë. Reforma u ndërmorën dhe u realizuan gjatë dy dekadave të shkuara edhe në vendet e tjera që dolën nga regjimet komuniste si Bullgaria, Hungaria, Rumania, Polonia, Lituania, Estonia, Kroacia, Sllovenia etj.

Drejtësia shqiptare në periudhën e tranzicionit u dëmtua veçanërisht rëndë. Ajo ndoqi fatin e shoqërisë dhe të sistemit politik, i cili, në përpjekje për ndryshim drejt demokratizimit, u përfshi nga një furi shkatërrimtare që dëmtoi ose rrënoi elemente thelbësore të tri pushteteve. Reforma në drejtësi ngërthen një spektër të gjerë ndërhyrjesh, ndër të cilat me rëndësi të veçantë janë aspektet ligjore, institucionale dhe konceptuale.

Për sa i përket aspektit të parë nuk mund të ketë reformë në drejtësi pa rishikuar dhe dezintoksifikuar legjislacionin bazë që lidhet me të dhe pa reformuar organin kryesor legjislativ. Lypset përmirësimi rrënjësor i përbërjes së tij, nëpërmjet rregullimit të raporteve midis anëtarëve me kualifikimin e duhur juridik dhe të tjerëve, duke e pastruar nga personat e kriminalizuar. Përmbushja e aspektit ligjor nënkupton fillimin nga puna me shpejtësi dhe efikasitet të “kantierit” legjislativ, duke nisur nga disa ndryshime të domosdoshme në Kushtetutë, me qëllim rivendosjen e ekuilibrave kushtetues dhe duke vazhduar me hartimin e një ligji organik për Presidentin e Republikës, me ndryshime në statusin dhe kompetencat e KLD-së, për “nxjerrjen jashtë” tij të Presidentit dhe ministrit të Drejtësisë, me ndryshime në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë etj. Nuk mund të ketë reformë të suksesshme nëse nuk ndërmerren ndryshime edhe në disa prej kodeve, sikurse është vepruar në vende të tjera si Bullgaria, Rumania, Polonia, Lituania etj. Miratimi i legjislacionit të përshtatshëm dhe zbatimi real i një vullneti të ri politik nga të gjitha segmentet e politikës shqiptare, është thelbi i reformës në drejtësi.

Aspekti institucional ka të bëjë me riorganizime në organet e ngarkuara me dhënien e drejtësisë, ku dallohet një realitet trishtues, i cili është i njohur edhe për faktorin ndërkombëtar. Në Raportin e Progresit të vitit 2014 për Shqipërinë, përgatitur nga Komisioni Europian, thuhet ndër të tjera se: “Duhet të miratohen aktet ligjore kyçe për reformimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorisë…Funksionimi i sistemit të drejtësisë vazhdon të cenohet nga politizimi, llogaridhënia e kufizuar, bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional, burimet e pamjaftueshme, zvarritjet e procedimeve dhe çështjet e prapambetura. Korrupsioni në sistemin e drejtësisë mbetet shqetësim”.

Reforma parashikohet të ndihmohet jo vetëm nëpërmjet rregullimeve strukturore e funksionale në organet ekzistuese, për të cilat u fol më sipër, por edhe me krijimin e disa organeve të reja si Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, Tribunali i Lartë Disiplinor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Komisioni i Posaçëm për Kryerjen e Rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Byroja Kombëtare e Hetimit etj. Ndryshimet e mësipërme institucionale kanë rezultuar efikase në disa vende të Lindjes, që kapërcyen tranzicionin postkomunist dhe u ndeshën me të njëjtat probleme që kalon drejtësia aktualisht në Shqipëri.

Nuk mund të ketë reformë pa luftuar informalitetin dhe pa dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë, pa bërë pjesë të saj edhe shërbimet e avokatisë, noterisë, përmbarimit, administratës së drejtësisë etj, madje edhe arsimin juridik. Më së fundi nuk mund të ketë siguri për suksesin e saj, nëse nuk do të shoqërohet me një sistem zinxhir reformash edhe në sektorët e tjerë.

Për sa i përket aspektit konceptual duhet pasur parasysh se drejtësia nuk është ekskluzivitet i politikës ose i institucioneve, por i gjithkujt. Në kuptimin figurativ ajo është res communis omnium-gjë e përbashkët e të gjithëve. Në këtë vështrim do të ishte e palejueshme çdo qëndrim indiferent ndaj saj. Lypset që jo vetëm politika, por edhe individët, shoqëria civile, media, qarqet intelektuale e akademike të mos e lënë atë jashtë vëmendjes. Një sistem efikas drejtësie është garant i të gjithëve, i individëve, i shoqërisë, i politikës dhe i pushteteve të tjerë. Drejtësia nuk është e askujt dhe njëkohësisht është e të gjithëve. Nga politika, mbi të gjitha, kërkohet një rikonceptim modern, një transformim i mentalitetit dhe i mënyrës së të sjellit të saj ndaj drejtësisë. Ajo nuk duhet ta shohë si mundësi për të zgjeruar pushtetin ndaj kundërshtarëve politikë, duke e vënë nën sundim apo duke shtrirë arbitrarisht autoritetin e saj. Maxhorancat vijnë e ikin, duke u alternuar në pushtet, e domosdoshme është ruajtja dhe sigurimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe pushtetit gjyqësor. Reformimi i drejtësisë duhet konceptuar që të evitojë ndërhyrjet voluntariste e subjektive të mazhorancave lëvizëse apo të individëve të pushtetshëm, që ndryshojnë me përfundimin e mandateve të tyre, që ta kalojë mandatin politik të një mazhorance në pushtet. Pavarësia e organeve të drejtësisë cenohet edhe nga presionet që iu vijnë atyre nga krahë e drejtime të ndryshme, si nga legjislativi (nga disa deputetë), ekzekutivi, organet e medias (intimidimi dhe kërcënimet për publicitet negativ), biznesi, (dhënia e shumave të ndryshme të parave, pronave ose shërbimeve të tjera), nga mafia (nëpërmjet kërcënimeve) etj. E distancuar nga influencat dhe ngjyrimet politike, refraktare ndaj ndërhyrjeve dhe e çliruar nga tentativat për t’u përdorur, drejtësia duhet të konsolidohet si një institucion i pavarur nga pushtetet e tjera, që të qëndrojë mbi politikën dhe mbi partitë, që të jetë i njëjtë për cilindo pavarësisht nga përkatësia kombëtare, racore, gjuhësore, fetare, politike e partiake, si dhe nga dallimet ekonomike, pasurore, sociale, arsimore, kulturore etj.

Ndryshimet në legjislacion për realizimin e reformës duhet të bëhen sipas modeleve të acquis communautaire. Me këtë rast duhet mbajtur parasysh se në vitin 1993 Këshilli europian, në një takim të organizuar në Kopenhagen, vendosi tre kritere që duhen plotësuar nga vendet kandidate. Së pari, stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut; Së dyti, ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale; Së treti, kapacitete për të marrë përsipër dhe për të përmbushur detyrimet e anëtarësisë.

Nëse një sistem drejtësie, i reformuar sipas kërkesave dhe parimeve të acquis communautaire, do të fillojë të funksionojë, rezultatet nuk do të vonojnë. Shembujt vijnë nga vendet e tjera ish komuniste, për të cilat sjell të dhëna interesante Erion Piciri. Ai thotë se në Mal të Zi javë më parë u kryen 13 arrestime të zyrtarëve të lartë dhe të afërmve të tyre të akuzuar për korrupsion. Në Rumani u krijua një prokurori speciale antikorrupsion, e cila në periudhën 2005-2014, procedoi për korrupsion rreth 2000 vetë. Mbi 80 persona publikë gjenden në burg, nga të cilët 11 ministra, 5 të tjerë janë të ndaluar, 20 ndiqen penalisht për korrupsion, 35 gjyqtarë janë dërguar në gjykatë për korrupsion, 20 prej të cilëve janë dënuar. Midis të dënuarve bëjnë pjesë ish kryeministri, Adrian Nastase dhe kryeministri aktual, Viktor Ponta, i akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Lista e të dënuarve nuk ka kursyer as kryetarë partish, kryebashkiakë, kryetarë qarqesh, funksionarë publikë, biznesmenë, pronarë mediash, oficerë policie, gazetarë etj.

Në Kroaci njësia speciale e quajtur Zyra kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka çuar për ndjekje penale rreth 2000 persona, ndër të cilët ish-kryeministrin Sanader, i dënuar për korrupsion me 8.5 vjet burg. Fatin e tij e ka pasur edhe ish-zv.presidenti, ish-zv.kryeministri, ministra dhe funksionarë të lartë publikë, kryebashkiaku i Zagrebit etj.

Ndërhyrjet e parashikuara në aktet që iu përcollën Komisionit të Venecias, në fillimin e javës së kaluar, në pamje të parë duken disi të veçanta. Dhe ndoshta të tilla mund të jenë. Por, nëse mbahet parasysh realiteti aktual jashtëzakonisht problematik i së ashtuquajturës “drejtësi” në Shqipëri, mund të konsiderohet i tolerueshëm edhe ndonjë ekces formal ekstra-juridik, për sa kohë që qëllimi është të rikthehet normaliteti në një situatë rrënimtare. Sepse drejtësia dhe jo dhunimi apo mohimi i saj është ideali i çdo qenieje të arsyeshme dhe bashkësie njerëzore të organizuar politikisht. Ai arrihet, ndër të tjera, kur në gjykata ka gjyqtarë kompetentë, të moralshëm dhe të pavarur, të çliruar nga korrupsioni, që japin drejtësi përmes një procesi që respekton të drejtat e palëve, me paanësi dhe objektivitet. Platoni në vitin 350 para Krishtit thoshte se “legjislacioni është një detyrë vigane dhe, edhe në rast se ke një shtet të ndërtuar mirë, me një kod ligjor të përcaktuar qartë, nëse përgjegjësinë e administrimit të këtij kodi ua ngarkon zyrtarëve të paaftë, i ke çuar dëm ligjet e mira dhe gjithë sistemi do të degjenerojë në farsë. Dhe jo vetëm kaq, por shteti do të arrijë të zbulojë se ligjet e veta janë duke u dëmtuar dhe duke u plagosur në përmasa gjiganteske”.

*Autori është dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UET- Shkrimi është pjesë e Referatit të mbajtur në Forumin e shtatë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, zhvilluar në Tiranë, më 25 shtator 2015.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi