Rakipi: Prokuroria, pjesë e KLD-së

Intervistë e Arben Rakipi dhënë për Top-Channel, 14 nëntor

arakipiIsh-prokurori i përgjithshëm Arben Rakipi deklaron se ndërhyrja në sistemin e drejtësisë duhet të prekë Kushtetutën, për të ndryshuar parimet mbi të cilat ngrihet ky sistem.

“Parashikimet kushtetuese për drejtësinë nuk i përgjigjen më terrenit aktual”, thotë ish-numri një i organit të akuzës, i ftuar në edicionin qëndror të lajmeve në Top Channel. Për Arben Rakipin, Prokuroria me këto ndryshime duhet të hyjë në sistem, të rishihet mënyra e emërimit të prokurorit të përgjithshëm dhe organi i akuzës të jetë i përfaqësuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, thotë ai.

Ilir Paço: Siç e ndoqëm nga kronika pararendëse, ju thatë se prokurorët shprehen ndryshe në kafene, e ndryshe ne anketë. Çfarë ju shqetëson më shumë nga ky realitet, që duket i dyzuar?

Arben Rakipi: Gjithmonë ka një diferencë rreth opinionit zyrtar dhe atij që shfaqet në kafene, apo në bisedat e lira, kjo është e qartë. Shqetësimi im, nga kontaktet që pata gjatë gjithë procedurës, me të cilën isha angazhuar nga fondacioni “Soros”, ishte që nëse gjyqtarët kanë qenë më të hapur, më të thellë në mendimet e tyre lidhur me ndryshimet e mundshme që duhen realizuar, shpesh herë edhe të domosdoshme, prokurorët kanë qenë më të ngurtë dhe jo me një dëshirë të madhe për të ndryshuar sistemin, i cili shihet dhe pranohet tashmë se ka difekte. Është një sistem pak a shumë i mbyllur, jo shumë transparent dhe, mbi të gjitha, në opinionin tim, nuk është se shpreh dhe mbron më së miri interesat e opinionit publik dhe publikut në tërësi, interesat e të cilit duhet të përfaqësojnë në sallën e gjyqit. Ky ishte shqetësimi im kryesor, që me pak fjalë arrita ta shpreh edhe në takimin e sotëm.

Ilir Paço: Ju keni qenë ish-prokuror i përgjithshëm. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë konkretisht në Kushtetutë dhe në ligjin për Prokurorinë konkretisht?

Arben Rakipi: Në opinionin tim, e para është mënyra se si zgjidhet dhe shkarkohet kryeprokurori dhe kompetencat që ai ka. Kam përshtypjen se mënyra e sotme e emërimit të prokurorit të përgjithshëm dhe kompetencat që ai ka, kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në një ndrydhje të iniciativës dhe profesionalizmit të prokurorëve të thjeshtë, dhe në një mungesë të të bërit të një karriere të merituar. E dyta, gjenerimi i kandidaturave dhe kriteret, mbi të cilat duhet përzgjedhur kryeprokurori janë të rëndësishme për t’u riparë me seriozitet, duke u prerë rrugën karrierave të rastësishme, apo të ardhura nga jashtë, të importuara ose të imponuara nga jashtë sistemit të drejtësisë, konkretisht prokurorisë dhe atij gjyqësor. Dhe forcimi i rolit të organeve kolegjiale që janë, pasi duhet të shtohet ekzistenca e tyre në Prokurori. Pastaj ka edhe çështje të tjera të karakterit procedurial, që nuk mendoj se është vendi për të biseduar, por roli i prokurorit më të lartë duhet parë me seriozitet dhe me shqetësim.

Ilir Paço: A duhet të ndryshojë formula për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dhe si konkretisht?

Arben Rakipi: Duhet të ishte e pranueshme. Mua më kënaqin idetë që kam lidhur me ndryshimet e mundshme në Prokurori, duke bërë që prokurorët të emërohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Të bëhen pjesë e këtij sistemi, duke filluar që me pjesëmarrjen në KLD, e deri te mënyra e emërimit apo largimit të prokurorëve. Atashimi i Prokurorisë në ekzekutiv në njëfarë mase, të mos tregohem shumë radikal, dhe aksesi më i madh që ministri i Drejtësisë, ose qeveria me një institucion të përzgjedhur prej saj, të ketë në punët e Prokurorisë është shumë i rëndësishëm. E kam theksuar shpesh, që te ne ka një gjë të “non sense” parimor, që nuk po shqetëson askënd, që ministri i Drejtësisë, edhe për shkak të Kushtetutës, ka akses në punët e gjykatave, duke emeruar gjyqtarë, duke nisur procedimin disiplinor ndaj tyre, kontrollet aq sa ai i ka në dorë të bëjë, ndërsa në punët e Prokurorisë nuk ka aspak. Në një kohë që duhet të jetë krejt e kundërta. Prokurori është autoriteti i shtetit që përfaqëson interesin publik në sallën e gjyqit, dhe nuk mund të kuptohet pa një akses të plotë të ekzekutivit në punët e Prokurorisë. Nuk them se ekzekutivi duhet të zgjedhë përmbajtjen e punës, por në elementë që ndikojnë në përmbajtjen e punës si rregullimi i karrierës, krijimi i infrastrukturës, organizimi i buxheteve, etj, duhen të kenë akses me çdo kusht.

Ilir Paço: Çfarë ndryshimesh të tjera kushtetuese apo ligjore mund të bëhen, që të ketë një reformë të plotë dhe efikase të sistemit të drejtësisë?

Arben Rakipi: Çështja e ndryshimeve është si efekti domino. Nuk mund të mendohet ndryshimi i njërit sektor apo institucion, pa ndikuar te tjetri. Pra, nëse prokurorët do të emërohen nga KLD, mendja, logjika dhe ligji ta duan që Kushtetuta duhet të parashikojë një gjë të tillë. Pra, efekti i ndryshimit të një parimi çon në prekjen e një radhe institucionesh. Por, pak a shumë është pranuar nga gjyqtarët dhe prokurorët e kualifikuar për të hamendësuar ndryshimet dhe për t’i përafruar ato me sisteme të ngjashme, që Kushtetuta duhet të preket në vija të përgjithshme, që nga formimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, roli i ministrit të Drejtësisë dhe i Presidentit të Republikës në të, përbërja e KLD, kompetencat e tij, ato të Prokurorisë, procedurat përkatëse me të cilët funksionojnë organet e drejtësisë, etj. Duhen parë me shumë seriozitet. Këto çështje janë parë edhe në momentin e miratimit të Kushtetutës në vitin 1998, duhet t’u rikthehemi edhe një herë tjetër, sepse koha ka treguar që difektet po na vijnë edhe për shkak të mospërputhjes siç duhet të ligjeve të reja, me terrenin.

/ Top Channel

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi