Funksionimi i Gjykatës Administrative

Ja si do të funksionojë Gjykata Administrative:

Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative është një nismë që e ka zanafillën që në vitin 2008. Ndërsa që prej 2009, drafti qëndroi në Kuvend për shkak të ngërçit politik që lindi që pas zgjedhjeve të qershorit. Me projektligjin e miratuar me konsensus të plotë do të ngrihen 6 Gjykata Administrative të pavarura dhe një Gjykatë Administrative e Apelit, si dhe një Kolegj Administrativ pranë Gjykatës së Lartë. Ligjvënësit pretendojnë që gjykimet administrative të mbarojnë në një kohë shumë të shkurtër, maksimalisht dymujore në Shkallë të Parë dhe maksimalisht edhe një muaj tjetër në Gjykatën e Apelit.

Sipas hartuesve të Ministrisë së Drejtësisë, qëllimi i krijimit të Gjykatës Administrative është garantimi i mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të personave, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme. Me anë të këtij projektligji, synohet krijimi i kushteve të përshtatshme për një shqyrtim efektiv, duke vënë në vend të drejtat e cenuara nga veprimet apo aktet administrative, të nxjerra nga organet publike. Projekti sjell domosdoshmërinë e barazisë së interesit publik, nga njëra anë, me të drejtat subjektive dhe interesat e ligjshme të personit, nga ana tjetër. Në kuadër të marrëdhënies administrative, nëpërmjet personave dhe organeve publike, synohet forcimi i rolit aktiv të organeve administrative, për respektimin e të drejtave subjektive të personave.

Projektligji sjell një risi në kuadër të gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative, lidhur me detyrimin e organeve publike për të paraqitur provat, që kanë mundësuar nxjerrjen e akteve apo kryerjen e veprimeve administrative, që më pas kanë sjellë cenimin e të drejtave të ligjshme të personave. Ky projektligj ofron parimin se Gjykata Administrative gjykon mbi aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit. Projekti cakton rregulla të detyrueshme për subjektet e gjykimit administrativ, organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore administrative, si dhe organizimin e Gjykatave Administrative. Gjykatat efikase administrative, gjithashtu, rrisin transparencën e vendimeve administrative dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Sipas hartuesve të ministrisë, i rëndësishëm është edhe fakti se kontrolli gjyqësor i veprimeve publike administrative nga një gjyqësor administrativ, që funksionon mirë, është një forcë stimuluese për modernizimin e administratës publike, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve të saj dhe si pasojë, rrit besimin e qytetarëve për institucionet shtetërore.

Kriteret në përzgjedhjen e trupës së gjyqtarëve

 Me ndryshimet e reja, në ligjin për Gjykatën Administrative, Shkolla e Magjistraturës nuk do të jetë një kriter për përzgjedhjen e kandidatëve të trupës gjyqësore. Sipas draftit, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë mund të emërohet shtetasi që ka punuar për pesë vjet si gjyqtar dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi. Ndërsa gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit mund të emërohet shtetasi që ka punuar jo më pak se 9 vjet si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të mos ketë masë disiplinore. Gjyqtarët administrativë të Gjykatës së Lartë duhet të jenë së paku 40 vjeç, të kenë arsim të lartë juridik, të kenë ushtruar për jo më pak se 15 vjet funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë ose 10 vjet funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, ose të ketë përvojë akademike 20-vjeçare në degë të së drejtës, që lidhen me gjykimin administrativ.

Gjyqtarët do të zgjidhen me dekret të Presidentit, me propozim të ministrit të Drejtësisë. Në KLD paraqiten të gjitha kërkesat e kandidatëve të interesuar për t’u emëruar si gjyqtarë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit. KLD-ja pasi shqyrton të gjitha kërkesat, verifikon përmbushjen e kritereve ligjore. Më tej, KLD-ja konkludon me një listë përfundimtare për secilën shkallë gjykimi, që i përcillet Shkollës së Magjistraturës për të vijuar procesin e testimit.

Testimi do të administrohet nga një komision prej 5 anëtarësh, i përbërë nga një përfaqësues i zgjedhur me shumicë votash nga KLD-ja, një përfaqësues i zgjedhur nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, një anëtar i Gjykatës së Lartë i zgjedhur nga mbledhja e përbashkët e gjyqtarëve të saj, dy përfaqësues nga institucione ndërkombëtare që asistojnë ose bashkëpunojnë me sistemin e drejtësisë të përzgjedhur nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës. Testimi do të përbëhet nga jo më pak se 3000 pyetje me shkrim, ku do të konsiderohen se kanë kaluar me sukses testimin seleksionues kandidatët që marrin jo më pak se 70% të totalit të pikëve.

Parimet e gjykimit administrativ

1. Gjykata në gjykimin administrativ siguron mbrojtjen juridike të të drejtave, lirive dhe interesave kushtetuese dhe ligjore të subjekteve që realizohen ose cenohen si pasojë e ushtrimit ose jo të veprimtarisë administrative nga ana e organeve të administratës publike, për shkak të funksionit publik të investuar në to, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme.

 2. Organi i administratës publike, si rregull, ka detyrimin të provojë bazueshmërinë e veprimit administrativ, të kryer prej tij, si dhe ligjshmërinë e kryerjes së veprimeve në fushën e marrëdhënieve të punës.

3. Gjykata Administrative, sipas natyrës së çështjes, gjykon edhe mbi aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.

Organizimi dhe funksionimi, përcaktimi i gjykatave dhe i numrit të gjyqtarëve

1. Gjykata kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, sipas këtij ligji, janë Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Gjykata e Lartë.

Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë organizohen, së paku, në numër dhe për territor të barabartë me atë të Gjykatave të Apelit.

Gjykata Administrative e Apelit e ka selinë në Tiranë.

Numri i Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë, kompetencat tokësore, selia qendrore, si dhe numri i gjyqtarëve të tyre dhe të Gjykatës Administrative të Apelit caktohen me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet, pasi të këtë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ngritja e Kolegjit të Lartë Administrativ, pranë Gjykatës së Lartë të përbërë nga 5 gjyqtarë.
Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Gjykatave Administrative

1. Kriteret e emërimit dhe të karrierës së gjyqtarëve, statusi i tyre, përgjegjësia për shkeljet disiplinore, procedimi disiplinor, administrimi i shërbimeve në gjykatë, si dhe riorganizimi gjyqësor rregullohen sipas dispozitave të Ligjit nr. 9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, me përjashtim të rastit kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.

 2. Përveç kritereve të përgjithshme, të përcaktuara në Ligjin nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përvoja e gjyqtarit, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë apo në administratën shtetërore përbën përparësi të kandidatit në emërimin e tij gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Rregulla më të hollësishme për kriterin e përparësisë së përvojës përcaktohen me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Palët dhe përfaqësimi i tyre

Për llojet e palëve, mënyrat e përfaqësimit, detyrat e palëve dhe të përfaqësuesve, si dhe për përgjegjësinë e palëve për shpenzimet dhe për dëmet gjatë procesit zbatohen rregullat përkatëse të Kodit të Procedurës Civile, për aq sa ato nuk bien ndesh me përmbajtjen e këtij ligji.
E drejta e padisë

Të drejtën e ngritjes së padisë e ka:

a. Çdo subjekt, që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një veprim që pretendon se është cenuar në ushtrimin e kompetencave nga një akt administrativ apo nga një akt nënligjor normativ i paligjshëm, i një organi publik, me të cilin nuk ka lidhje varësie hierarkike. Në këtë rast, organi shtetëror mund të kërkojë vetëm shfuqizimin e aktit.

 b. Çdo subjekt tjetër, të cilit kjo e drejtë i njihet shprehimisht me ligj.

 c. Punëmarrësi, për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënës është një organ publik.

 ç) Avokati i Popullit, çdo shoqatë apo grup interesi që pretendon se është cenuar një interes i ligjshëm publik nga një akt administrativ apo normativ, kur një e drejtë e tillë ju njihet me ligj.
Kushti për shterimin e ankimit administrativ

1. Padia ndaj veprimit administrativ mund të ngrihet vetëm pas shterrimit të ankimit administrativ.
2. Përjashtohen nga ky rregull rastet kur:

a. Ligji nuk parashikon organ më të lartë për paraqitjen e ankimit administrativ ose kur organi më i lartë administrativ nuk është konstituuar.

b. Ligji parashikon shprehimisht të drejtën për t’u ankuar ndaj veprimit administrativ drejtpërdrejt në gjykatë.

c. Organi më i lartë në shqyrtimin e një ankimi administrativ, ka cenuar, me vendimin e tij, të drejtat apo interesat personale të ligjshme të një personi, i cili nuk ka qenë palë në procedimin administrativ.

Afati për ngritjen e padisë

1. Padia kundër veprimit administrativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve. Ky afat fillon nga:
a. Data e njoftimit, sipas mënyrës së përcaktuar në ligj, të aktit administrativ të organit, që ka shqyrtuar ankimin administrativ;

 b. Data e njoftimit, sipas mënyrës së përcaktuar në ligj, të aktit administrativ, në rastet kur ky akt ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë;

c. Data e botimit të aktit administrativ, në rastet kur ligji parashikon detyrimin për botimin e aktit;
ç. Data e mbarimit të afatit ligjor për kryerjen e veprimit administrativ në rastet e mosveprimit të organit administrativ, kur akti administrativ ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë;
d. Data e mbarimit të afatit ligjor për zgjidhjen e ankimit administrativ në rastet e mosveprimit të organit më të lartë administrativ.

 2. Afati i mësipërm është 90 ditë, në rastet kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e padisë.

 3. Padia kundër aktit nënligjor normativ paraqitet në gjykatë, brenda 45 ditëve nga cenimi i të drejtës ose i interesit të ligjshëm, por gjithsesi jo më vonë se tre vjet nga data e nxjerrjes së aktit.

4. Paditë për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës paraqiten në gjykatë, sipas afateve të parashikuara në Kodin e Punës.

 5. Afatet e mësipërme janë të prera dhe shkelja e tyre shkakton humbjen e së drejtës së padisë. Këto afate shqyrtohen nga gjykata.

Vendimet për sigurimin e padisë ekzekutohen sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore administrative.

Pezullimi i detyrueshëm

1. Vendimi i ndërmjetëm për shqyrtimin gjyqësor të provave passjell pezullimin e detyrueshëm të ekzekutimit të aktit administrativ apo të veprimit tjetër administrativ, nëse një masë e tillë është kërkuar nga pala dhe nuk është vendosur nga gjykata.

2. Në rastet kur me kërkesë dhe argumentim të justifikuar të organit publik gjykata vlerëson se pezullimi i detyrueshëm i ekzekutimit do të shkaktonte dëm të konsiderueshëm dhe të pariparueshëm për interesin publik, ajo mund të vendosë lejimin e ekzekutimit të përkohshëm deri në përfundim të gjykimit. Me qëllim mbrojtjen e interesave të paditësit, gjykata mund të kushtëzojë lejimin e përkohshëm të ekzekutimit me dhënien e garancive dhe kryerjen e veprimeve të tjera të posaçme nga organi publik.

Urdhri për caktimin e seancës gjyqësore

1. Gjyqtari, pasi sigurohet për kryerjen e të gjitha veprimeve të mësipërme përgatitore menjëherë nxjerr urdhrin për caktimin e seancës gjyqësore. Në rastin e padisë me të meta, ky afat është jo më vonë se 7 ditë nga data e plotësimit të të metave.

2. Urdhri për caktimin e seancës gjyqësore përmban:

a. datën, orën dhe vendin e zhvillimit të seancës gjyqësore;

b. palët dhe, sipas rastit, dëshmitarët dhe ekspertët e kërkuar nga palët, që duhet të marrin pjesë në seancë gjyqësore;

c. ekspertët e caktuar nga gjyqtari;

ç. njoftimin dhe mënyrën e njoftimit të palëve dhe të personave, që duhet të marrin pjesë në seancë.
3. Njoftimi drejtuar palëve duhet të përmbajë paralajmërimin, që mosparaqitja e provave perpara seancës se parë gjyqësore shkakton mospranimin e tyre. Njoftimi drejtuar ekspertëve të caktuar nga gjyqtari duhet të përmbajë detyrimin e ekspertit, për të paraqitur aktin e ekspertimit, me shkrim, pesë ditë përpara seancës gjyqësore. Njoftimi drejtuar dëshmitarëve dhe ekspertëve të kërkuar nga palët duhet të përmbajë paralajmërimin, që mosparaqitja në seancë, pa shkak të ligjshëm, përbën vepër penale.

Seanca gjyqësore

1. Seanca gjyqësore zhvillohet sipas neneve të Kodit të Procedurës Civile, për aq sa ato janë të pajtueshme me këtë ligj.

2. Mosparaqitja e palëve në seancë, pavarësisht njoftimit të rregullt, nuk shkakton shtyrjen apo pushimin e gjykimit.

 3. Shqyrtimi i çështjes nga gjykata në seancë gjyqësore bëhet me shkrim, por palët mund të kërkojnë të parashtrojnë, me gojë, shpjegimet e tyre. Në këtë rast gjykata udhëzon palët që të citojnë vetëm çështjet faktike dhe ligjore që sipas opinionit të saj janë të rëndësishme për dhënien e vendimit edhe nëse ato nuk ishin referuar në kërkesëpadinë e paraqitur në parë.
4. Eksperti i kërkuar nga palët paraqitet në seancën gjyqësore për të shpjeguar me gojë njohuritë e tij të posaçme për natyrën e mosmarrëveshjes. Ai i përgjigjet pyetjeve të bëra nga palët dhe gjykata. Për të ndihmuar kujtesën, eksperti mund të lexoje dokumentet e hartuara prej tij. Në raste të veçanta dhe të ndërlikuara, gjykata mund të vendosë që eksperti të paraqesë, me shkrim, shpjegimet e tij, brenda një afati jo më të gjatë se 10 ditë.

5. Eksperti i caktuar nga gjykata paraqitet në gjykim me aktin e përgatitur me shkrim, sipas detyrave të caktuara nga gjyqtari kryesues në veprimet përgatitore. Ai i përgjigjet me gojë pyetjeve të bëra nga palët dhe gjykata.

6. Në rast se gjykata ka caktuar afat për paraqitjen e pretendimeve përfundimtare me shkrim të palëve, mosparaqitja me shkrim e tyre brenda afatit të caktuar, nuk përbën shkak për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor.

Barra e provës

1. Organi publik ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e aktit administrativ dhe të veprimit tjetër administrativ, të nxjerrë jo me kërkesë të paditësit.

2. Organi publik ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e veprimeve në marrëdhënien e punës, nga e cila ka lindur mosmarrëveshja, objekt gjykimi.

3. Në rastet e tjera, pala ka detyrimin të provojë faktet, në të cilat bazon pretendimin e saj. Por edhe në këto raste, gjykata edhe kryesisht, me vendim të ndërmjetëm, mund të vendosë kalimin e barrës së provës tek organi publik, kur ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova me shkresë, që vërtetojnë se organi publik fsheh apo nuk paraqet me dashje fakte dhe prova të rëndësishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ky vendim ankimohet së bashku me vendimin përfundimtar.

Mosparaqitja e provave nga organi publik 

1. Paraqitja e provave nga palët bëhet, në çdo rast, përpara seancës së parë gjyqësore. Me kërkesë me shkrim të motivuar të organit publik, të paraqitur brenda afatit të caktuar sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 20, të këtij ligji, gjykata i cakton atij një afat të dytë, që duhet të mbarojë jo më vonë se pesë ditë përpara datës së seancës gjyqësore. Në rast të mosparaqitjes së dokumenteve edhe brenda afatit të dytë të caktuar, shqyrtimi i çështjes vazhdon vetëm mbi aktet e paraqitura.

2. Shkelja e pajustifikuar e detyrimit për të paraqitur dokumentet nga organi publik edhe brenda afatit të dytë të caktuar përbën shkak që gjykata me kërkesë të palës, ose kryesisht të caktojë gjobë ndaj titullarit të organit publik. Masa e gjobës është e barabartë me 20% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo ditë vonese.

Njohja me aktet e dosjes

Palët dhe përfaqësuesit e tyre, me lejen e gjykatës kanë të drejtë të njihen dhe të marrin kopje me shpenzimet e veta të dokumentacionit të paraqitur në sekretarinë gjyqësore.
Gjykata mund të lejojë cilindo që të njihet me përmbajtjen e dosjes gjyqësore dhe të marrë me shpenzimet e veta kopje të akteve në rast se ai tregon se ka interes të ligjshëm ose arsye të rëndësishme dhe nëse kjo nuk është në kundërshtim me të drejtat dhe interesat e mbrojtura nga ligji të palëve në proces.

 Gjykata mund të refuzojë një kërkesë të paraqitur sipas pikës 2 të këtij neni në rastet kur shqyrtimi gjyqësor mund të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Pavarësisht kushteve ndaluese të përcaktuara në pikat 2 dhe 3 të këtij neni, gjykata mund të lejojë njohjen e akteve dhe marrjen e kopjeve në rast të një kërkese të paraqitur nga një person në ushtrim të detyrës së tij shtetërore dhe që tregon interesin e ligjshëm për marrjen e të dhënave. Në këtë rast, gjykata udhëzon dhe paralajmëron personin për përgjegjësinë disiplinore apo penale që ai mban.

Masa e vlerësimit të gjykatës

1. Gjykata shqyrton ligjshmërinë e veprimit administrativ, që kundërshtohet, në bazë të provave, të paraqitura nga palët dhe të situatës ligjore që ekzistonte në kohën e kryerjes së veprimit konkret administrativ.

2. Në rastin kur ligji i jep organit publik të drejtën për zgjedhje alternative në nxjerrjen e një akti administrativ apo në kryerjen e veprimit tjetër administrativ, gjykata shqyrton edhe nëse:
a. zgjedhja nga organi publik është bërë në përputhje me objektivin dhe qëllimin e ligjit;
b. zgjedhja nga organi publik është bërë vetëm për të arritur qëllimin e ligjit.
c) zgjedhja nga organi publik është në raport të drejtë me nevojën që e ka diktuar atë

3. Në rastin e aktit nënligjor normativ, gjykata shqyrton ligjshmërinë e aktit, që kundërshtohet duke vlerësuar te tre kriteret e përcaktuar ne piken 2 të këtij neni

4. Për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punësimit, gjykata zbaton rregullat e masës së vlerësimit të Kodit të Punës.

Mjetet dhe afatet e ankimit

Mjetet dhe afatet e ankimit të vendimeve të gjykatave administrative janë të njëjta me ato të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
Vendime të paankimueshme

Nuk lejohet ankim ndaj vendimeve të Gjykatës Administrative që shqyrtojnë padi për kundërshtimin e dënimit me gjobë për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se tridhjetëfishti i pagës minimale, në shkallë vendi.

Ankimi në gjykatën Administrative të Apelit

1. Gjykata, ku është paraqitur ankimi, dërgon ankimin, së bashku me aktet, që i bashkëlidhen atij, në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.
2. Gjykata Administrative e Apelit shqyrton çështjen, brenda 30 ditëve nga data e ardhjes së ankimit nga gjykata, ku është paraqitur ankimi.

 Rekursi në Kolegjin administrativ

1. Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, ankimohen me rekurs, Kolegjin administrativ pranë Gjykatës së Lartë vendimet e shpallura nga gjykata e apelit administrativ.
2. Gjykata, ku është paraqitur ankimi, dërgon rekursin, në Kolegjin administrativ pranë Gjykatës së Lartë së bashku me aktet, që i bashkëlidhen atij.

 Detyrimi për ekzekutimin e vendimit

1. Vendimi i gjykatës së apelit apo i gjykatës administrative të shkallës së parë, i paankimuar brenda afatit, vihet në ekzekutim me lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga gjykata administrative e shkallës së parë.

2. Urdhri i ekzekutimit lëshohet nga gjykata në dhomë këshillimi, brenda pesë ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës në gjykatë. Në këtë urdhër, gjykata cakton afatin dhe mënyrën e ekzekutimit. Ky afat nuk mund të jetë më i gjatë se dhjetë ditë nga data e lëshimit të urdhrit. Në raste të veçanta dhe të ndërlikuara, gjykata mund të caktojë një afat më të gjatë, duke motivuar shkaqet.

3. Afati për ekzekutimin e sigurimit të padisë nuk mund të jetë më i gjatë se pesë ditë nga data e lëshimit të urdhrit.

4. Çdo akt i nxjerrë apo veprim i kryer, në vijim, nga organi publik i paditur dhe që është në kundërshtim me dispozitivin e vendimit të gjykatës, është absolutisht i pavlefshëm.

Ekzekutimi i detyrueshëm

1. Gjatë procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm, gjyqtari apo kryetari i trupit gjykues, që ka dhënë vendimin, nxjerr urdhra për kryerjen e veprimeve të posaçme dhe marrjen e masave të tjera, të nevojshme. Ai përcakton, në to, afatet e mënyrat e kryerjes së veprimeve dhe masat.

2. Procedura e ekzekutimit, sipas këtij ligji, nuk i nënshtrohet asnjë tarife shërbimesh.
3. Urdhri i ekzekutimit dhe urdhrat e posaçëm zbatohen nga përmbaruesi gjyqësor. Zyrat e përmbarimit përcaktojnë listën emërore të përmbaruesve, në dispozicion të gjykatës, të cilën ia njoftojnë gjykatës kompetente.

Sanksione për mosekzekutimin e vendimit apo të urdhrit të gjykatës

1. Përmbaruesi gjyqësor, në përfundim të afatit të ekzekutimit të detyrueshëm të caktuar nga gjyqtari, njofton, me shkrim, gjyqtarin për veprimet e kryera nga organi publik debitor.
2. Në rast të moskryerjes me faj të detyrimeve, sipas vendimit apo urdhrave të gjykatës, pa shkaqe të përligjura, gjyqtari edhe kryesisht vendos gjobë ndaj titullarit të organit publik debitor. Masa e gjobës është e barabartë me 20% të pagës minimale, në shkallë vendi, për çdo ditë vonesë në ekzekutim.

 3. Në rastet e konstatimit të mosekzekutimit të vendimeve, pa shkaqe të përligjura, gjyqtari paraqet edhe kallëzim penal.

Kundërshtimi i veprimeve të ekzekutimit

1. Veprimet e kryera nga përmbaruesi gjyqësor, në kundërshtim me masat apo urdhrat e gjykatës, ankimohen, sipas parashikimeve të nenit 610, të Kodit të Procedurës Civile.
2. Refuzimi për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit mund të ankimohet në gjykatën e apelit administrativ.
3. Gjykata e apelit administrativ jep vendim, në këto raste, brenda 5 ditëve nga data e ardhjes së ankimit dhe e akteve shoqëruese.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi