Rregullorja e Kuvendit dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese

Nga Sokol Sadushi, Anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Botuar ne Revisten “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore” Nr.XXIII, viti 2005

Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Ky është një parim thelbësor që është sanksionuar në nenin 4/3 të Kushtetutës së RSH-së. Interpretimi i dispozitave të Kushtetutës kryhet nga çdo organ që ka detyrimin të përmbush funksionet e tij kushtetuese. Ajo që Kushtetuta parashikon ndryshe, lidhet edhe me interpretimin përfundimtar të saj, që sipas nenit 124 kryhet nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, duke vepruar si një trupë gjyqësore e ndarë dhe e pavarur nga autoritetet legjislative. Në këndvështrimin e ndarjes së pushteteve, interpretimi nuk është dhe nuk mund të jetë krijim i normave ligjore ose kushtetuese. Gjykata Kushtetuese jep kuptimin e saktë e të rregullt të normave ligjore të shprehura në dispozitat përkatëse në pajtim me parimet kushtetuese. Ajo nuk shkon më tutje dhe nuk shton asgjë në sistemin e normave detyruese ligjore, por vetëm shpall dhe pohon përmbajtjen e këtyre normave. Interpretimi kushtetues ka karakter deklarativ dhe jo natyrë ligjbërëse. Pushtetet e ndara kushtetuese e përjashtojnë Gjykatën Kushtetuese nga roli i ligjvënësit.

Interpretimi i ndryshëm i dispozitave kushtetuese, që në ndonjë rast ka krijuar konfuzion dhe bllokim të procedurave parlamentare është bërë objekt i gjykimit kushtetues. Zgjidhja e situatave të tilla ka lindur nevojën e nxjerrjes së vendimeve interpretuese përfundimtare. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese me vendimet e saj interpretuese, nuk mund të jetë në çdo kohë dhe për çdo rast, si zgjidhja më e favorshme e konflikteve të natyrës parlamentare. Gjithsecili organ, aq më tepër organet e larta të shtetit, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, kanë të drejtë të interpretojnë ligjin dhe Kushtetutën.

Vendimet përfundimtare për interpretimin e Kushtetutës ndihmojnë organet shtetërore në kuptimin e saktë dhe në zgjidhjen sa më të drejtë të rasteve kushtetuese, si dhe në nxitjen e iniciativave për plotësimin e legjislacionit. Kjo veçori e vendimeve kushtetuese e ka dhënë ndikimin e vet pozitiv në këtë drejtim. Kështu, p.sh, Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 75 datë 19.4.2002 dhe nr. 76 datë 25.4.2002, në të cilat nxirren disa konkluzione përfundimtare të karakterit interpretativ të dispozitave kushtetuese që parashikojnë rastet e shkarkimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, krahas problemeve dhe debateve të nxehta që shkaktuan në terrenin politik shqiptar, evidentuan njëkohësisht edhe zbrazëtitë ligjore në aktet bazë, mbi të cilat kryheshin procedurat parlamentare.

Këto vendime ndikuan, dy muaj më pas në ndërmarrjen e nismës legjislative për ndryshime dhe përmirësime në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Me një vendim të veçantë, Kuvendi ngarkoi Komisionin e Përhershëm të Imunitetit, Mandateve dhe Rregullores si dhe Komisionin e Përhershëm të Çështjeve Kushtetuese dhe Ligjore për të përgatitur ndryshimet përkatëse në Rregulloren e tij në lidhje me përmirësimet e procedurave të emërimit dhe të shkarkimit të funksionarëve të lartë. Pikërisht, qëndrimet e mbajtura nga jurisprudence kushtetuese për rastet që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me procedurat parlamentare, duket se ka orientuar hartuesit e Rregullores së Kuvendit për t’I dhënë asaj një formë sa më të plotë.

Rregullorja e miratuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar është një akt i rëndësishëm, por edhe shumë përcaktues për disiplinimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së organit ligjvënës. Roli i rëndësishëm që ka Kuvendi në jetën politike të vendit dhe problematika e shumtë në të cilën ai përfshihet, nuk mund të realizohen pa ekzistencën e një rregulloreje që të parashikojë hollësisht shumë nga aspektet që koha dhe praktika parlamentare ka shtruar për zgjidhje gjatë këtyre viteve.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk lidhet me ndonjë vështrim kritik mbi përmbajtjen dhe mbi teknikën legjislative të përdorur gjatë hartimit të Rregullores, se sa mbi dimensionin që ajo duhet të shfaq dhe rrugëzgjidhjen që duhet të bëjë për ç’bllokimin e situatave në procedurat parlamentare, të cilat jo rrallë kanë sjellë ngërç politik dhe juridik. Nga ky këndvështrim i problemit, pasqyrimi në Rregulloren e Kuvendit i të gjitha momenteve të aspektit material dhe procedural që lidhen me natyrën, rolin dhe funksionin e organit ligjvënës, shmang njëkohësisht edhe zbrazëtitë ligjore që janë vërejtur në procedurat parlamentare.

– Në këtë Rregullore trajtohen për herë të parë disa çështje, të cilat duhen analizuar dhe vlerësuar si në aspektin e rëndësisë që paraqesin, ashtu edhe të problematikës që ato mbartin. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë interpretuar dispozitat kushtetuese për procedurat e shkarkimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të gjyqtarëve të Gjykatës së lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm kanë dhënë ndikimin e tyre pozitiv në dispozitat e Rregullores. Shumë e detajuar është paraqitur në nenet e Rregullores procedura që duhet të ndiqet në rastet e shkarkimit të Presidentit të Republikës dhe të anëtarëve të organeve kushtetuese. Rregullat procedurale që janë parashikuar në nenet 112 dhe 114 të saj trajtohen për herë të parë me aq hollësi.

Vendimet e tjera interpretuese që ka dhënë kjo gjykatë dhe që lidhen me ngritjen e komisioneve hetimore, me miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, me procedurat për heqjen e imunitetit të deputetit dhe të anëtarëve të Këshillit të Ministrave etj, kanë gjetur reflektimin e tyre në disa dispozita të Rregullores.

Janë krijuar disa struktura të përhershme parlamentare, të cilat kryejnë funksione të vlerësimit dhe të dhënies së mendimit për çështje legjislative a të procedurave dhe që lidhen me funksionin vendimmarrës të parlamentit. Këshilli Legjislativ është një nga këto struktura të reja, i cili ndërmjet shumë detyrave të tjera është ngarkuar dhe me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ngritja e një hallke të tillë që të merret me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e rëndësishme, sepse shërben si një structure efikase dhe operative për të qenë e orientuar në vazhdimësi mbi qëndrimet që mbahen në jurisprudencën kushtetuese në drejtim të përmirësimit legjislativ.

Sidoqoftë, është e rëndësishme të fokusohet vemendja edhe në disa çështje të tjera të Rregullores, për të cilat mendoj të shfaq disa objeksione që do t’I shërbejnë më shumë përsosjes së saj në të ardhmen.

– Ndërmjet titullit dhe përmbajtjes së nenit 87 të Rregullores vërehen mospërputhje konceptuale. Në përmbajtjen e dispozitës gjenden fraza ose terma, të cilat krijojnë keqkuptime dhe keqinterpretime për zbatuesit e saj. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është titulli i dispozitës, që përbën dhe pjesën e vlefshme dhe të domosdoshme për t’u parashikuar në këtë Rregullore. “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin menjëherë pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare”,- thuhet në përmbajtjen e dispozitës konkrete. Terminologjia e përdorur në këtë dispozitë nuk i përshtatet kuptimit që paraqet në të vërtetë titulli i saj.

Marrja në shqyrtim e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një formulim i padrejtë dhe i gabuar. Kjo frazë e përdorur në këtë dispozitë është e pavend dhe ndoshta e rrezikshme. Edhe në kuptimin gjuhësor, marrja në shqyrtim nënkupton kqyrjen e diçkaje me shumë kujdes dhe me hollësi nga të gjitha aspektet, me qëllim nxjerrjen e një përfundimi të caktuar dhe marrjen e një vendimi konkret. Asnjë organ nuk ka të drejtë të vlerësojë dhe aq më tepër të marrë në shqyrtim vendimmarrjen kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Ky është koncepti kushtetues mbi forcën detyruese dhe efektet e vendimeve të kësaj gjykate.

Në vazhdim të pikës 2 të nenit 87 të Rregullores së Kuvendit thuhet: “Këshilli analizon dhe diskuton sipas përcaktimeve të bëra në këtë Rregullore, efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për legjislacionin.” Të analizosh efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që dihet fuqia e tyre detyruese, do të thotë të shqyrtosh dhe të zbërthesh atë në thellësi dhe në të gjithë elementet përbërës. Gjithashtu, diskutimi i diçkaje edhe në kuptimin gjuhësor, është të quash të diskutueshme atë që nuk është plotësisht e vërtetë, e sigurtë, e drejtë ose ta vësh atë në dyshim për vërtetësinë që mund të ketë.1

Nga ky këndvështrim marrja në shqyrtim, analiza si dhe diskutimi që duhet t’i bëhet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Këshilli për Legjislacionin, krijon një situatë të ndërlikuar, në mënyrë të veçantë, për ata që nuk kanë vizionin e qartë për fuqinë detyruese, përfundimtare dhe të padiskutueshme të vendimmarrjes kushtetuese. Ky opinion i hedhur në këto rrjeshta, sigurisht që është rrjedhojë edhe e ndonjë qëndrimi të mëparshëm të mbajtur nga ana e Kuvendit mbi vënien në diskutim të fuqisë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

-Në nenin 25 të Rregullores së Kuvendit lidhur me komisionet hetimore, hartuesit e saj nuk kanë shkuar më tej se citimi korrekt i dispozitës kushtetuese. Kjo është një mangësi e Rregullores. Mënyra e krijimit të komisioneve hetimore është një ndër çështjet problematike dhe më të debatueshme në1 procedurat parlamentare, e cila është bërë disa herë shkak për keqkuptime dhe keqinterpretime të rolit dhe të funksionit të tyre. Pavarësisht se ka një ligj që rregullon organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore, mendimet e ndryshme, por edhe kontradiktore, që forcat politike shfaqën në parlament për dispozitën konkrete të Kushtetutës, bën të mundur fillimin e një gjykimi kushtetues mbi interpretimin përfundimtar të saj. Kështu në vendimin nr. 18, datë 14.5.2003, Gjykata Kushtetuese ka interpretuar nenin 77, pika 2 të Kushtetutës në shumë aspekte të tij. Sipas Gjykatës “neni 77, pika 2, parashikon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare me dy mënyra të ndryshme, në vartësi të subjekteve që ushtrojnë këtë të drejtë. Këto dy mënyra krijimi rezultojnë nga përdorimi në këtë dispozitë i shprehjeve “ka të drejtë” dhe “është i detyruar”.2

Sipas Kushtetutës, procedurat për ngritjen e komisioneve hetimore ndryshojnë në varësi të inicuesve të tyre dhe të vendimmarrjes. Pikërisht, ky interpretim i bërë nga Gjykata Kushtetuese nuk ka gjetur një zbërthim dhe një analizë të mëtejshme në nenet e Rregullores së Kuvendit. Qoftë për rastin e ngritjes detyrimisht të komisionit hetimor, kur kërkohet nga një e katërta e deputetëve, ashtu edhe për rastin e të drejtës që ka vetë Kuvendi, ishte e nevojshme që në këtë Rregullore të parashikoheshin disa rregulla të hollësishme procedurale.

Në nenin 112 të Rregullores është parashikuar shkarkimi dhe pamundësia në ushtrimin e detyrës të Presidentit të Republikës. Nisur nga nenet 90 dhe 91 të Kushtetutës, që parashikojnë rastet e shkarkimit dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të detyrës të Presidentit të Republikës, dispozita konkrete e Rregullores jep në një mënyrë tepër të hollësishme procedurën që ndiqet nga Kuvendi. Kushtetuta nuk parashikon për Presidentin e Republikës vetëm dy rastet e mësipërme kur ai mund të largohet nga ushtrimi i funksionit të tij. Në nenin 131, shkronja “e”, i është dhënë e drejta Gjykatës Kushtetuese të vendos edhe për çështjen e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit të Presidentit të Republikës.

Për rastet e papajtueshmërisë, Kushtetuta shprehet në nenin 70, pika 2 vetëm për deputetët, duke ia lënë ligjit parashikimin e rasteve të tjera të papajtueshmërisë. Për sa i përket rasteve të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit të Presidentit të Republikës, ajo nuk shprehet, por i njeh Gjykatës Kushtetuese të drejtën të vendos për të.

Kjo kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të realizohet e shkëputur nga trajtimi i kësaj çështjeje jashtë procedurave parlamentare. Përderisa Kuvendi është organi që zgjedh Presidentin, i cili ka të drejtë të vendos për shkarkimin dhe për vërtetimin e pamundësinë së tij për ushtrimin e detyrës, atëhere edhe për rastet e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit, mendoj se duhet të ekzistojë një procedurë konkrete parlamentare. Sipas nenit 64 të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, çështja e papajtueshmërisë së funksionit të Presidentit të Republikës inicohet me kërkesë të jo më pak se një të pestës së deputetëve, ose të partive politike. Në rastin e pranimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese vendos deklarimin e pajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës. Ky ligj nuk zgjidh se çfarë bëhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka deklaruar papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës.

Parë nga ky këndvështrim, në Rregulloren e porsamiratuar nuk gjendet asnjë dispozitë procedurale që të parashikojë mënyrën se si duhet të veprojë Kuvendi në raste të kësaj natyre. Sidoqoftë, kjo mbetet një çështje e hapur për diskutim, për të cilën është e nevojshme në të ardhmen dhënia e një zgjidhjeje ligjore.

– Çështja e respektimit të standarteve kushtetuese që lidhet kryesisht me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, ka gjetur trajtim të gjerë në Rregullore. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka mbajtur një qëndrim konseguent për respektimin e kësaj të drejte edhe në procedurat parlamentare, duke konkluduar se “çdo organ i pushtetit publik gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues e ligjor është i detyruar të respektojë standartet e gjithëpranuara demokratike…” Në vendimin interpretues nr.75, datë 19.04.2002, Gjykata Kushtetuese e ka konsoliduar qëndrimin e saj lidhur me kuptimin që duhet të ketë e drejta për një proces të rregullt ligjor edhe në procedurat parlamentare. Në këtë vendim theksohet se “njohja paraprake e personit, ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i të drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, si me anën e dhënies së sqarimeve paraprake ashtu dhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementet bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt, si një e drejtë themelore, cënimin e së cilës, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e ka identifikuar në çdo rast, si shkelje të Kushtetutës.”3

Këto standarte të pranuara nga jurisprudenca kushtetuese kanë gjetur pasqyrimin e tyre në Rregulloren e Kuvendit. Kjo është evidente në nenet që trajtojnë rastet e shkarkimit të funksionarëve të lartë të shtetit. Megjithatë, në këto dispozita vihet re edhe ndonjë pasaktësi në formulim. Rregullorja e ka lënë në vlerësimin e personit konkret pjesmarrjen në procedurën përkatëse. Në nenin 112, pika 4 dhe 114, pika 3 të saj është përdorur shpreha “në rast se kërkohet” nga personi konkret për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë. Standarti kushtetues nuk e le në vlerësimin e personave që kërkohet të shkarkohen pjesmarrjen në seancën dëgjimore. Kuvendi ka detyrimin kushtetues të thërras personin kur fillojnë procedurat e natyrës impeach-ment me qëllim që të dëgjohet dhe të realizojë mbrojtjen mbi akuzat e ngritura. Kuptimi që paraqet standarti kushtetues nuk lidhet me kërkesën e personit për t’u dëgjuar, por me detyrimin e organit procedues për ta thirrur atë, qoftë edhe pa kërkesë. Midis kërkesës së personit për t’u dëgjuar dhe detyrimit të organit për ta thirrur ka dallim. Mospërmbushja e detyrimit kushtetues të Kuvendit për të thirrur në seancë dëgjimore ish-Prokurorin e Përgjithshëm ishte një shkak përcaktues për ta konsideruar procedurën për shkarkimin e tij si antikushtetuese. Prandaj, mbrojtja juridike kushtetuese e funksionarëve të lartë të shtetit, duhet garantuar detyrimisht, pavarësisht nga qëndrimi që ata dëshirojnë të mbajnë për mënyrën e realizimit të kësaj të drejte.

– Lidhur me zgjedhjen në organet kushtetuese, për të cilët mund të kërkohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Rregullorja, në nenin 111 ka parashikuar hollësisht rregulla procedurale që lidhen me afatet e paraqitjes së kërkesës, përzgjedhjen e kandidaturave dhe mënyrën e votimit të tyre.

Sipas formulimit të pikës 6 të këtij neni procedura për zgjedhjen e një kandidature në organin kushtetues bazohet në një kërkesë të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Përsa i përket procedurës që ndiqet për zgjedhjen e kandidaturave për në organet kushtetuese, për të cilat Kushtetuta përdor termin “zgjidhen” nga Kuvendi”, formulimi në tërësi i nenit 111 është i saktë. Pasaktësia në këtë dispozitë qëndron në përdorimin e terminologjisë “dhënia e pëlqimit” nga Kuvendi.

Procedura që ndiqet nga Kuvendi për zgjedhjen në organet kushtetuese nuk është e njëjtë me dhënien e pëlqimit. Sipas Kushtetutës, konkretisht neneve 61, 154, 161, 162 etj, janë disa funksionarë të lartë të shtetit, si Avokati i Popullit, dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët zgjidhen nga Kuvendi. Procedura që parashikohet në nenin 111 të Rregullores është e zbatueshme për ta. Përsa i përket gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Kushtetuta në nenet 125/1,4; 136/ 1,3 dhe 149/1, njeh procedurën e dhënies së pëlqimit për emërimin e tyre nga Presidenti i Republikës. Prandaj, dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, sipas Kushtetutës, është parashikuar vetëm për këto funksionarë të lartë të shtetit. Si e tillë, procedura parlamentare që ndiqet për dhënien e pëlqimit është e ndryshme nga procedura që ndiqet për zgjedhjen në organet kushtetuese.

Dhënia e pëlqimit, në kuptim dhe të vendimit nr. 2, datë 18.1.2005 të Gjykatës Kushtetuese, inicohet nëpërmjet dekretit që nxjerr Presidenti i Republikës. Dekreti i tij nuk mund të ndjek fazat që kërkon pika 6 e nenit 111 të Rregullores së Kuvendit. Në këtë dispozitë thuhet: “Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 7 ditësh shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda dy javëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.”

Ky formulim nuk i përgjigjet procedurës që duhet të ndjek Kuvendi në rastet e dhënies ose jo të pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës. Prandaj, Rregullorja e Kuvendit në çështjen e dhënies së pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës ometon. Sidoqoftë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nr. 2, datë 18.1.2005 me objekti interpretimin e neneve 125 dhe 136 të Kushtetutës mund të shërbejë që kjo çështje të mund të gjejë një zgjidhje të plotë në të ardhmen.

Procedura që ndiqet nga Kuvendi në rastet e heqjes së imunitetit të deputetit dhe të anëtarit të këshillit të Ministrave (që nuk është deputet) është një tjetër aspekt i reflektimit të jurisprudencës kushtetuese në dispozitat e kësaj Rregulloreje.

Neni 118 i Rregullores ka trajtuar fazat procedurale në të cilët kalon kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti. Pika 7 e këtij neni është formuluar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 38, datë 23.6.2000 në të cilin konkludohet se “në dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj anëtarit të Këshillit të Ministrave, i cili nuk është zgjedhur deputet do të zbatohet e njëjta procedurë që parashikohet edhe për deputetin.”4

Megjithatë vihet re një mangësi në hartimin e Rregullores për të parashikuar në dispozita të veçanta interpretimin që Gjykata Kushtetuese i ka bërë nenit 73 të Kushtetutës. Në vendimin nr.39, datë 23.6.2000 është konkluduar nga kjo gjykatë se “për çështjet e parashikuara nga neni 59 i Kodit të Procedurës Penale, kërkesa për marrjen e autorizimit për ndjekjen penale të personave që gëzojnë imunitet, i drejtohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nga vetë gjykata, pranë së cilës është depozituar kërkesa e të dëmtuarit akuzues.”5

Ky interpretim kushtetues ndryshon nga rasti kur kërkesa për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm. Dallimi ndërmjet tyre lidhet me natyrën e veprave penale për të cilat mund të akuzohet deputeti. Për rrjedhojë, procedura që duhet zbatuar për heqjen e imunitetit të deputetit për veprat penale të cilat ndiqen me ankim është e domosdoshme të pasqyrohet në dispozitat e Rregullores së Kuvendit.6

Një analizë e tillë e Rregullores së Kuvendit nuk mund të pasqyrojë në të gjitha aspektet problematikën që mund të nxjerrë në të ardhmen praktika parlamentare si dhe jurisprudenca kushtetuese. Mendimet e hedhura në këtë shkrim, pavarësisht se nuk mund të shmangin subjektivizmin e autorit të këtyre rradhëve, sidoqoftë do t’i shërbejnë hapjes dhe vazhdimit të mëtejshëm të debatit mbi këtë çështje.

 Referencat:

1. Shih më gjerë Fjalorin e shqipes së sotme, shpjegimin e fjalëve analizë, diskutoj, diskutuesh/ëm (i), shqyrtoj etj., faqe 40, 243, 1290, Botimet Toena, Tiranë 2002.

2. Përmbledhje e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, viti 2003, faqe 89.

3. Përmbledhje e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, viti 2002, faqe 106.

4. Përmbledhje e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, viti 2000-2001, faqe 93.

5. Përmbledhje e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, viti 2000-2001, faqe 96.

6. Sqaroj se në këtë vendim interpretues, unë kam mbajtur një qëndrim të kundërt nga qëndrimi i shumicës, në të cilin kam arsyetuar, se një e drejtë e tillë nuk mund t’i përkas gjykatës, por vetëm prokurorit. Sidoqoftë, mendimi im është një qëndrim pakice dhe nuk është i detyrueshëm. Në këto kushte, qëndrimi që ka mbajtur shumica në këtë çështje është i detyrueshëm. Nga kjo pikëpamje, vlen të trajtohet idea që kam hedhur më lartë mbi mangësinë ligjore që vihet re në Rregulloren e Kuvendit.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan