Shans i humbur për elitë politike

Nga Afrim Krasniqi, botuar në BallkanWeb, 13.04.2010

Në studimet politike sistemi zgjedhor proporcional në çdo formë të tij dhe në çdo rrethanë ofron si vlerë krijimin e elitave politike. Listat preferenciale të deputetëve presupozohet të jenë edhe listat elitare të prurjeve politike për çdo parti politike fituese. Sistemi mazhoritar kërkon mendje dhe forcë, konkurrim dhe luftë për çdo votë dhe në çdo lagje, kurse sistemi proporcional kërkon mendje dhe ide, konkurrim virtual me lidhje te dobëta me individët votues.

Mazhoritari kërkon individë që duhet të fitojnë nominalisht, proporcionali kërkon individë që duhet të veprojnë në ekip, të ngjallin besim dhe të evitojnë garën nominale në dobi të garës programore partiake. Për rrjedhojë, sistemi proporcional i aplikuar edhe në Shqipëri më 2009 do të duhej të kishte si produkt të parë të tij rikthimin e elitave në parlament, krijimin e bazës solide për politikanët me ide e projekte politike, individë që nuk e konsiderojnë politikën mjet jetese dhe pune, por shans për prezantimin e platformave të tyre, tribunë e ideve përmes të cilave ndihmohet komuniteti dhe vendi.

Në kontrast me shpjegimet shkencore politike dhe modelet tradicionale të sistemit proporcional, aplikimi i tij në Shqipëri dha dhe vijon të japë efekte të kundërta. Së pari, është mëse e qartë se pjesëmarrja aktuale në parlament nuk ka të bëjë me elitën politike aktuale të Shqipërisë. Mendjet liberale dhe shumë emra politikanësh që kanë përvojë dhe integritet politik u lanë jashtë listave elektorale. Ata nuk patën mundësi të kandidojnë me partitë e mëdha dhe nuk iu lejuan hapësirë të konkurrojnë në emër të partive të vogla ose si kandidatë të pavarur. Ata u detyruan të largohen nga politika aktive, jo si zgjedhje personale, jo si fryt i një analize të kontributit të tyre politik, jo si pasojë e konkurrencës në karriere me zëvendësuesit e tyre, por thjesht, nuk ishin të preferuarit e hartuesit të listës, kryetarit të partisë. Sistemi evitoi mundësinë e krijimit të lëvizjeve të reja politike dhe një pjesë tjetër e madhe e elitave politike te 20 viteve të fundit nuk kishte mundësi angazhimi e konkurrimi elektoral.

Së dyti, parlamenti i ri mund të mos ishte domosdoshmërisht elitar, por duhej të ishte domosdoshmërisht mbi nivelin e parlamenteve të mëparshme. Shqipëria e vitit 2009 ka shumë më tepër mundësi zgjedhjeje në potencialet politike e publike sesa më 1991 apo 1997. Megjithatë parlamenti aktual edhe në këtë këndvështrim sjell zhgënjim. Niveli politik i parlamentit është mesatar, nuk sjell risi, debatet në seancë dhe në komisione janë larg standardeve politike apo të ekspertizës, ka ngatërresë të dukshmeve të roleve dhe koncepteve, dhe në thelb, ka paqartësi rreth asaj se çfarë përfaqëson deputeti, pse është votuar dhe cili është misioni i tij parlamentar.

Së treti, sistemi proporcional me lista të porositura edhe vetë brenda dy partive të mëdha do duhej të prodhonte shumë zëra politikë në favor të pluralizmit të opsioneve dhe alternativave parlamentare. Për shembull, brenda vetë grupeve parlamentare të partive të mëdha do të duhej të kishte njëherësh deputetë militantë, deputetë liberalë, konservatorë, etj, të cilët plotësojnë e korrektojnë njëri tjetrin duke pasuruar kështu jetën politike parlamentare dhe vetë programin politik të partive. Realisht ne shohim një produkt të kundërt. Për shembull, nëse heqim emrat dhe fshehim zërin, të gjitha diskutimet e deputetëve të mazhorancës ngjajnë tërësisht me fjalimin e liderit të partisë, ata të opozitës gjithashtu me liderin e tyre.

Pra, nga shansi për një parlament alternativ kemi si produkt një parlament imitues, imitues në sjellje, në fjalime, në sharje, në argumente, në replika, në konceptet ndaj shtetit, politikës dhe demokracisë. Nëse dëgjon njërin ke dëgjuar të gjithë, nëse interviston njërin ke intervistuar të gjithë, nëse i kërkon mendim njërit ke marrë përgjigjen e të gjithëve.

Kjo situatë mjerane për Shqipërinë politike të vitit 2009 bëhet edhe më qesharake kur sheh se imituesit më të bindur dhe njëherësh edhe militantët më besnikë nuk janë deputetët e karrierës së gjatë në partitë respektive, ata që i kanë krijuar apo drejtuar ne vite këto parti, por janë prurjet e reja, ata që në fushatën e zgjedhjeve 2009 neve na i imponuan si elita intelektuale, te rikthyer ne parti, prurje civile, talente, krijues apo personalitete të shquara publike e akademike. Ata, pikërisht ata që na morën votën duke na thën ë se kanë për mision të tyre zërin civil dhe moralin qytetar në politikë dhe jetën parlamentare, ata janë bërë sot militantët më të bezdisshëm, që vrapojnë nëpër studio televizive apo në foltoren e parlamentit për të sharë, fyer, kërcënuar këto që nuk mendon si lideri i tyre, që sillen me përçmim e përbuzje deri edhe cinike ndaj themeluesve dhe memories historike të partive të cilat ata vetë, pa merita të veçanta i përfaqësojnë. Ironikisht shumica e tyre nuk janë anëtar partie, ose në periudha të ndryshme kohore kanë ndryshuar disa parti politike, ose vite më parë nga vetë partitë kanë qenë objekt sulmesh publike për shkak të lidhjeve të tyre me policinë sekrete të diktaturës apo aktet korruptive gjatë tranzicionit, kurse sot, pasi kanë gjetur lidhjet e duhura familjare apo mik të fortë për të siguruar një mandat parlamentar, sillen në publik dhe në politikë imitues, mohues e denigrues, njësoj si gardistët e kuq të revolucionit kulturor kinez. Tipar i polikanëve të emëruar ka qenë e vijon të jetë sjellja e tyre jo normale me realitetin, publikun dhe qytetarët. Të urtë e të padukshëm, anonimë dhe të harruar, sapo emërohen ne poste të larta politike ndryshojnë sjellje dhe me arrogancë sillen ndaj të tjerëve me instiktin e hakmarrjes dhe pushtetit absolut. Një traditë e vjetër e politikës parademokratike, shoqërive jo shumë të emancipuara, ku zërin e arsyes dhe sistemin e meritës e zëvendësojnë populizmi dhe lidhjet nepotike.

Së fundi është e dukshme se shumica e prurjeve parlamentare nuk ka ndjesinë e politikës dhe misionit politik. Në një vend të demokracisë funksionale dhe të elitave parlamentare politike do të duhej të kishte zëra parlamentar që në vend të konfrontimit militant e primitiv, të kërkonin rikthimin e dialogut, partneritetin politik dhe bashkëpunimin politik në shumë çështje që kanë të bëjnë me shumicën shqiptare jashtë parlamentit. Për shembull, asnjë zë parlamentar i mazhorancës nuk fton opozitën në një tryezë dialogu për ligjet që kanë të bëjnë me reformën në gjyqësor, për bllokimin aktual të të paktën tre institucioneve kushtetuese (Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe Komisioni i Shërbimit Civil). Edhe kur ka ftesa mediatike ato janë formale dhe bëhen për konsum politik si dhe pasojnë një retorike paraprake të ashpër akuzuese e denigruese ndaj zëra kritike apo opozitës.

E njëjta situatë paraqitet edhe në krahun tjetër politik, ku alternativë e vetme vijon të mbetet një interes partiak pragmatist jo funksioni real dhe normal i alternativës parlamentare. Në këtë mënyrë ne edhe këtë herë morëm nga të tjerët një sistem të mirë zgjedhor, e bëmë për kushtet shqiptare, e ndryshuam sipas interesit të partive tona, e deformuam sipas interesit të liderëve tanë politikë dhe produkti që doli shërben si një argument studimor sesi nuk duhet të jetë një sistem zgjedhor, sesi nuk duhet të keqpërdoret vullneti qytetar, sesi interesi ditor la në hije interesin madhor të vendit e demokracisë, dhe së fundi, sesi me vulën e “sovranit” në vend të elitës politike kemi krijuar majoretat politike të radhës. Ky parlament mund të konsumojë mandatin 4 vjeçar, mund edhe të mbajë fjalime çdo ditë e seancë, mund të mbushë studiot televizive, mund të denigrojë e fyej këdo qe është kritik ndaj tyre, por është e sigurt se në memorien tonë politike ka hyrë e do të mbetet si një shans i humbur demokracie, integriteti, cilësie dhe vizioni politik.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi