Imuniteti mund të hiqet apo kufizohet vetëm nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës

Intervistë e Ylli Bufi, -ish kryeministër, me gazetarin Dardan Malaj të gazetës Mapo, 16.08.2010

Ish-negociatori i Partisë Socialiste në tryezën me mazhorancën për kufizimin e imunitetit sqaron pse dështoi nisma dhe prapaskenat e bisedimeve.

Zoti Bufi, si shpjegohet që kufizimi i imunitetit për zyrtarët e lartë të shtetit ka mbetur ende një çështje pa zgjidhje?

Ka shumë çështje në Kuvendin e Shqipërisë, që për një kohë të gjatë kanë mbetur pa zgjidhje. Për të mos folur për Kuvendin e kaluar, aktualisht ka më se një vit që Kuvendi punon pa opozitën. Që një parlament të punojë normalisht, duhet t’i ketë të dy pjesët përbërëse të tij, shumicën që mbështet qeverinë dhe opozitën, që jo vetëm e kritikon atë, por jep dhe alternativën e saj. Opozita mbas një mungese të gjatë u rikthye në Kuvend, por vetëm për të folur për transparencën e zgjedhjeve dhe nuk do të votojë asnjë ligj derisa të arrijë konsensusin për komisionin hetimor. Unë besoj se një sjellje e tillë nuk ka ndodhur në asnjë nga parlamentet e vendeve demokratike. Në situatën në të cilën ndodhet tani Kuvendi më duket krejtësisht e pamundur që çështja e statusit të imunitetit të futet në rendin e ditës.

Ju keni qenë pjesë e një grupi pune të ngritur nga Kuvendi (PS-PD) me objekt përgatitjen e ndryshimeve në Kushtetutë për imunitetin. Pse ngecen këto negociata?

Historia e kësaj çështjeje është e gjatë. Shkurt duhet thënë se fillimisht ka patur nisiativa të ndara, si nga ana e shumicës, ashtu dhe nga opozita, të dyja jo në përputhje me dispozitat kushtetuese. Pati edhe një konsultim me Komisionin e Venecias. Më në fund u ra dakort që heqja apo kufizimi i imunitetit nuk mund të bëhet as me anë të shtimit të një neni në rregulloren e Kuvendit, as me anë të një ligji, qoftë ky ligj organik dhe aq më tepër, as nëpërmjet një deklarate që mund të bëjnë vetë deputetët. Unë dhe zoti I. Rujsmaili u caktuam për të gjetur një zgjidhje, të cilën duhet ta pranonin me konsensus të dy grupet parlamentare. Ne bëmë disa konsultime, përfshirë dhe disa juristë e konstitucionalistë. Paraprakisht ramë dakord që rruga që duhet të ndjeki Kuvendi për heqjen/kufizimin e imunitetit duhet të jetë ajo e ndryshimit të neneve përkatëse të Kushtetutës. Më në fund arritëm të biem dakord për këtë çështje, ku qëndrimet e mëparshme të grupeve ishim mjaft të ndryshme. Por ndryshimi përsëri i Kushtetutës, pas rastit shumë të debatuar lidhur me ndryshimin e neneve të kushtetutës për mocionin e besimit/mosbesimit ndaj Kryeministrit, ishte i papëlqyer dhe i paragjykuar. Argumentet e sjella lidheshin me papërshtatshmërinë e ndryshimeve të shpeshta të kushtetutës pa studimin dhe konsultimet e gjera. Për disa ky ishte një argument serioz, ndërsa disa të tjerë e shfrytëzuan këtë për ta shtyrë çështjen e imunitetit për parlamentin e ri. Shkurt, kjo është historia e kaluar.

Mazhoranca ka akuzuar gjithmonë opozitën se nuk është e gatshme të japë votat për heqjen e imunitetit të deputetëve të saj. Sa qëndron kjo akuzë?

Akuzat gjithmonë bëhen kur nuk dëshiron të gjesh një zgjidhje. Veçanërisht për reformat që duhet të bëhen me pëlqimin e të dy palëve, politizimi i tepruar, aq më tepër akuzat e ndërsjellta janë të panevojshme. Ato vetëm krijojnë situata bllokuese. Ato shërbejnë vetëm që opinioni të mos ketë të qartë vullnetin e vërtetë të secilës palë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për këtë rast, si shumë të tjera.

Cila mendoni se mund të jetë zgjidhja për këtë çështje zoti Bufi?

Atëhere u arrit të formulonim një zgjidhje paraprake, por para se ta them atë, vlen të bëhet një shpjegim paraprak, i nevojshëm për të kuptuar zgjidhjen e propozuar. Imuniteti i deputetit përbëhet prej dy pjesësh: Papërgjegjshmëria dhe Paprekshmëria penale. Papërgjegjshmëria apo imuniteti absolut, apo liria e fjalës e shpëton deputetin nga çdo ndjekje për aktet që lidhen me ushtrimin e mandatit të tij. Deputeti nuk ka përgjegjësi ligjore dhe nuk mund të ndiqet për shkak të mendimeve të shprehura ose të votës së dhënë prej tij gjatë ushtrimit të funksioneve të tij parlamentare. Paprekshmëria penale e deputetit e mbron atë ndaj procedimit penal, duke përfshirë të gjitha procedimet për të gjitha llojet e veprave penale, të lidhura ose jo me ushtrimin e funksionit. Paprekshmëria, në ndryshim nga papërgjegjshmëria, nuk lidhet me ushtrimin e funksioneve parlamentare. Ajo synon të parandalojë që kundër deputetit të bëhen ndjekje penale nga ana e organeve kompetente, pa autorizimin e Kuvendit. Diskutimet e bëra deri në atë kohë synonin kufizmin e imunitetit dhe jo heqjen tërësore të tij. u gjykua se heqja tërësore e imuniteteve do të ishte një veprim i skajshëm, jo fort i sugjerueshëm në kushtet kur institucionet e drejtësisë nuk konsiderohen akoma të konsoliduar dhe në kushtet e një Republike Parlamentare me “qeveri të fortë”. Në këto kushte unë paraqita formulimin e mëposhtëm, për të cilin pata një vlerësim pozitiv nga z. Rusmali, por jo një miratim të quajtur përfundimtar. Propozimi im ishte që neni 73, pikat 2 dhe 3 e Kushtetutës të riformuloheshin si më poshtë:

“2. Pa autorizimin e Kuvendit, deputetit nuk mund t’i hiqet liria personale, në çfarëdolloj forme, me përjashtim të rasteve të ekzekutimit të një vendimi penal të formës së prerë. Ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit personal, të banesës apo të zyrës. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur deputeti u nënshtrohet përgjimeve, në çfarëdolloj forme, të bisedave ose komunikimeve, përfshirë kontrollin e korrespondencave.

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili mund të vendosë për heqjen e masës.

Pra, rekomandohej që pika 2, të ndryshohej në drejtim të heqjes së autorizimit për procedimet penale dhe heqjes së autorizimit, kur ka një vendim penal të formës së prerë. Gjithashtu, pika 3, mund të ndryshohej duke hequr togfjalëshin: “kur konstaton se nuk ka vend për procedim”, për pasojë e heqjes së autorizimit për ndjekje penale që përcaktohet në pikën 2. Ky ka qenë propozimi i bërë, pra, me ndryshimin e nenit përkatës të kushtetutës. Që të arrihet kjo, kuptohet duhet një vullnet i gjerë, jo vetëm politik (që përkthehet në numër votash; ndryshimet e kushtetutës miratohen me 2/3 e anëtarëve të parlamentit), por edhe shoqëror, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Pjesëmarrja e opozitës në këtë proces, jo vetëm që është e domosdoshme, por është garanci absolute për suksesin e një reforme të tillë kushtetuese.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi