Halli me Presidentin : Si do zgjidhet?

 Artan Fuga,  [Marre nga Mapo Online, date 17.02.12]

Përgjithësisht kombet e tjerë në agjendat e diskutimit të tyre politik kanë aktualisht dy probleme themelore; së pari, si të kalojnë këtë fazë të ftohti dhe ngricash dimri, dhe së dyti, si ta përballojnë krizën financiare dhe ekonomike që e ka zhytur botën në një fazë depresioni sa ekonomik aq edhe psikologjik. Por te ne ka prej kohësh që vihet re mbisundimi i një tematike tjetër: Çështja themelore për shumë politikanë, analistë, individësh të tjerë që merren me politikat e ditës, por edhe për një numër personash që nuk është se kanë edhe ndonjë punë tjetër urgjente për të bërë, pensionistë, të papunë të një lloj kategorie etj., është çështja e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Republikës. Eksituese!

Është nga ato çështje të lehta për t’u shtruar dhe për t’u zgjidhur sipërfaqshëm saqë përbën edhe një objekt për rrëfime nga më të ndryshme. Të gjithë gjenden rehat. Gazetari i politikës nuk ka nevojë ta vështirësojë jetën e vet dhe ditën e vet të punës, është e lezetshme të merresh me thashethemet e politikës, ky i tha atij se…, se ai tjetri iu bashkëngjit atij tjetrit…, se filani bëri një takim me filanin në kafe ku siç duket biseduan se cili prej të dyve do të paraqitet kandidat për President…, sa vota duhen etj. Por edhe publiku ndihet këndshëm, sepse është një spektakël personash, një garë emrash, një ballafaqim sfidash personale brenda një rebusi fare të thjeshtë, dhe kështu informacioni masiv shndërrohet në një rrëfim dimri. Mbi të gjitha, agjenda e debatit publik zhvendoset në një çështje ngjarjesh, deklaratash, mbi intrigën e ditës dhe kështu jeta sociale, që ka nevojë të ketë gjithsesi një problem për të diskutuar, përmbushet me lajme.

Nuk është se çështja e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të republikës nuk ka rëndësinë e vet, edhe në një vend të një republike parlamentare ku kryeministri, kushdo që ka qenë, apo do të jetë, ka fuqi përcaktuese së bashku me shumicën që e mbështet në parlament. Puna është se lidhur me hallin e zgjedhjes së Presidentit ka tri çështje themelore të mundshme për të diskutuar. Dy prej tyre janë pa ndonjë vlerë të veçantë në përmbajtje, por të bukura për publicistikë dhe debat politik; po ta shohin çështjen mirë dhe nga pikëpamja e interesit qytetar ato nuk e shtrojnë problemin si duhet; dhe një e tretë, e fundit nga shpeshtësia e trajtimit, por e para dhe ndofta e vetmja për nga rëndësia institucionale, që lihet përgjithësisht në harresë. Cilat janë ato dy çështjet pa ndonjë rëndësi, por që trajtohen në mënyrë të dendur që nga shkrimet politike në faqe të parë të shtypit të shkruar deri në intervista në emisione televizive të orëve kryesore të mbrëmjes?

Çështja e parë : Si do të zgjidhet Presidenti i ri? Pra, me çfarë procedurash parlamentare, sepse ato janë bërë shumë të ndërlikuara? Do të zgjidhet me konsensusin e partive politike dhe të grupeve të tyre parlamentare, pra me tre të pestat e votave, apo do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, pra me imponimin demokratik të vullnetit politik

të shumicës parlamentare? Këtu janë përmbledhur debatet kryesore që bëhen tanipërtani. Ka shumë gjasa që deri në çastet e fundit kjo çështje të mbisundojë dhe si gjithmonë të zgjidhet bash në fund, duke i dhënë sihariqin popullit se edhe një hall i madh u zgjidh.

Përse zakonisht këto çështje zgjidhen në momentin e fundit? E para, sepse atëherë, pikërisht në fund, kur “pilafi nuk mban më ujë”, po të shkelen disa norma kushtetuese dhe vendi të mbetet pa President, vihen në diskutim të gjitha interesat politike të palëve dhe askush nuk e dëshiron këtë gjë. Së dyti, sepse mund të prodhohen situata politike daljesh nga kontrolli dhe sidomos partnerët tanë të jashtëm në atë moment vendosin kushte të forta. Së treti, sepse askush nuk ka interes ta zgjidhë çështjen qysh tani, sepse mbetet hapësira e diskutimit publik bosh, duhen gjetur çështje të tjera për të debatuar dhe mbi të gjitha ende palët kanë nevojë të kalkulojnë, negociojnë, deri në çastin e fundit. Çdo amvisë e mirë e di që orët e fundit të tregut janë ato ku mund të blihen mallrat më të lira, jo gjithmonë të freskëta, por gjithsesi me çmim të leverdishëm.

Dhe po lidhur me këtë çështje të parë, trajtohet edhe një çështje e dytë , e cila edhe ajo nuk është se ka ndonjë rëndësi nga pikëpamja e interesit qytetar. Si do të jetë profili i Presidentit të ri: Do të zgjidhet ai me konsensus, pra do të jetë një figurë jo me shumë theks politik, apo do të zgjidhet nga shumica, dhe mund të supozohet se do të ishte një politikan aktiv i saj? Përse këto dy çështje janë pa ndonjë rëndësi qytetare dhe vendin e cilës çështje të tretë, themelore, ato kanë zënë?

Së pari, sepse nuk ka pasur një lidhje shkakësie të hekurt midis profilit të një Presidenti dhe vijësjelljes së tij politike, pasi ai është zgjedhur në këtë post. Të gjithë ata që janë zgjedhur në këtë post, pas një kohe kanë pasur një vijësjelljeje që ka qenë e lidhur me orientimin e tyre ersonal. Biles, pyetja që duhet të na vijë ndërmend është se përse në raste të ndryshme kemi njohur një gjendje kontradikte dhe mosmarrëveshjeje të ndryshme midis Presidentit dhe Kryeministrit të vendit. Kjo është e vërtetë edhe për periudhën kur në qeveri kanë qenë socialistët edhe kur kanë qenë në qeverisje demokratë.

Së dyti, sepse asnjë model nuk është perfekt dhe nuk na shpëton nga risqe të ndryshme lidhur me funksionimin e institucionit të Presidentit. Të Presidentit dhe jo të Presidencës, sepse ky term i fundit nuk ka asnjë kuptim kushtetues dhe është shpikur pa pasur nevojë të jetë.

Një figurë konsensuale mes partive?

Ka rrezik që një model i tillë përzgjedhjeje të sjellë një njeri që është në periferi të politikës, të mos ketë mbështetje politike, të jetë i tejkaluar nga politika dhe të detyrohet të ndodhet i dobët dhe mosveprues përballë dy kampeve politike që ushtrojnë trysni të fuqishme mbi të. Ose më e keqja, për të ruajtur një farë pavarësie në imazhin e vet, Presidenti konsensual do të bënte atë arbitrin e futbollit që, pasi jep një penallti të gabuar për një ekip, për ta ekuilibruar, jep një penallti poaq të gabuar edhe për ekipin kundërshtar. Kështu bëhet i “ekuilibruar”, “i pavarur”, “konsensual”, por me dy “penallti” të dhëna gabim, pra ai mund të drejtojë me anë “gabimesh konsensuale” dhe të mirekuilibruara.

Një figurë politike?

Përsëri askush nuk mund të thotë se ka gjetur modelin e duhur. Në çdo çast do të bëhet i pabesueshëm përpara opinionit publik, se do të paragjykohet ose si socialist, ose si demokrat, ose si socialist “i shitur” te demokratët, ose si demokrat “i shitur” te socialistët. Presioni i kampit të vet politik do të jetë i rëndësishëm, por edhe i kampit kundërshtar gjithashtu. Ai do të duhej të përballonte një ndjenjë fajësimi jo të lehtë. Nuk jam duke thënë se atëherë nuk ka zgjidhje, sikurse do të pretendonte ndokush. Por që baza e diskutimit është e kotë, sepse është një çështje e ndërtuar në atë mënyrë që nuk jep zgjidhje. Fajin nuk e kanë përgjigjet që mungojnë, por vetë pyetja që është shtruar gabim është pa zgjidhje. Shpesh ne merremi me muaj të tërë me pyetje që sui generis nuk kanë zgjidhje dhe pastaj fajin ia vëmë natyrës së shqiptarit!

Së treti, sepse ne kemi nja njëzet vjet që nuk po gjejmë rehat për mënyrën e të zgjedhurit të Presidentit dhe profilin e tij, poashtu sikurse edhe për kompetencat e tij. Profil jopolitik? Ja, prandaj nuk di ta ushtrojë detyrën e tij! Profil politik? Ja, është i politizuar në këtë apo atë drejtim. Aktualisht gjendja u bë edhe më ndërlikuar, sepse zotërinj që kanë qenë në atë funksion dhe janë zgjedhur nga Parlamenti, shumë pas mbarimit të mandatit të tyre kanë deklaruar se do të ishte më mirë që Presidenti të zgjidhej nga populli! Nuk ka asgjë të keqe, por në këtë rast legjitimiteti i tij do të ishte ai i një kryetari të një republike presidenciale. Shqipëria e pati një të tillë dhe, pas disa përvojave, politikanët vetë menduan se nuk duhet një i tillë. Tanimë kemi republikë parlamentare, dhe për rrjedhojë qahen veset e një Presidenti që nuk zgjidhet nga populli.

Por, përse nuk e thanë kur sapo dorëzuan detyrën?

Njëzet vjet vijmë vërdallë me zgjidhje kontradiktore, pa gjetur qetësi. Kjo për të thënë se problemi i tretë, ai i vërteti, nuk ka të bëjë me procedurat e zgjedhjes së Presidentit. Ato nuk e përcaktojnë dot mënyrën e ushtrimit të detyrave prej tij. As me profilin politik ose jo politik të natyrës së përvojës së kandidatit. As kjo nuk e zgjidh problemin. Problemi ose çështja e tretë është më e rëndësishme, është kapitale, prandaj për të nuk flitet. Përgjithësisht gjatë jetës njeriu ka prirje të flasë më pak për gjërat e rëndësishme.

         Çështja e tretë ka të bëjë me atë: A ka ato kompetenca që duhen Presidenti i republikës për ta bërë atë me të vërtetë një aktor politik dhe institucional të vlefshëm edhe në një republikë parlamentare?

Vetëm një kompetencë e “vogël”, fare e vogël më shumë dhe gjithçka vendoset në shina të drejta, të qarta për të gjithë, politika qetësohet, stabiliteti politik i vendit realizohet, qytetari shpëton nga halle që ka njëzet vjet që i qëndrojnë mbi kokë dhe mbi supe.

Çfarë është kjo kompetencë “ e vogël”, do ta shohim më tej në ditët në vazhdim.

II: Eklektika në statusin institucional

Jam nga ata që mendoj se përgjatë këtyre viteve të fundit të tranzicionit, përgjegjësia që opinioni publik ka kërkuar te funksioni i Presidentit nuk duhet lidhur me njeriun që ka qenë në këtë apo atë kohë në këtë detyrë. Sigurisht roli i personalitetit të individit ka ndikimin e vet, por sipas meje nuk është aspak përcaktues. Personalizimi i analizave nuk është veçse rrafshi i fundit i nivelit të tyre. Kryesisht, pamundësia lidhet me faktin që vetë statusi institucional i këtij funksioni është kaq kontradiktor, kaq i ndërlikuar, kaq i keqkonceptuar saqë mendoj që asnjë individ në atë post, ashtu sikurse ai është ravijëzuar institucionalisht, nuk do të bënte diçka që të linte realisht në gjurmë në fatet e vendit.

Në aspektin juridik dy janë vështirësitë strukturore që e pengojnë institucionin e Presidentit të Republikës të veprojë qetë dhe me pasoja të qarta mbi jetën e vendit.

Së pari, nuk dihet me saktësi, nuk është përcaktuar qartë, se cilin lloj pushteti përfaqëson apo bart mbi veten e vet ai. Pushtetin kzekutiv? Në një farë mënyre ka edhe disa kompetenca ekzekutive, por krejt të kufizuara dhe që nuk arrijnë kurrë deri në fund të mbërritjes së pasojës së kërkuar. Pushtetin legjislativ? Ka edhe disa kompetenca legjislative, më tepër negative, pra ndaluese, por gjithmonë të drejta të cunguara dhe pa ndonjë ndikim. Pushtetin gjyqësor? Edhe këtu i kanë atribuar një farë roli, por në atë mënyrë sikur kanë pasur frikë se ai do të bëhej gjykatësi kryesor i vendit. Në këtë mënyrë, statusi formal është mbërthyer keqazi në kontradikta që duhet me qenë “xhongler” për t’i lëvizur të gjitha njëkohësisht.

Ose Presidenti është i shpërhapur në të gjitha llojet e pushteteve dhe atëherë na duhet të shtrojmë pyetjen: Ku është pavarësia e pushteteve në sistemin tonë politik? Por nuk ka vend ta shtrojmë këtë pyetje, se del alternativa e dytë: Ose Presidenti si post është i shpërhapur në të gjitha pushtetet, por në asnjërin nuk ka fuqi të bëjë vendimmarrje substanciale dhe vetë statusi është eklektik.

Së dyti, dalim pra te ajo që vullneti presidencial është gjithandej i pengueshëm dhe asnjëherë vendimtar në procesin e politikëbërjes.        Dikush menjëherë do të rreket të thotë: “Normal, jemi republikë parlamentare.” Këtë e di, por pyetja mbetet, megjithatë: “Cili është roli funksional i Presidentit të Republikës në një republikë parlamentare?”

Është kuptuar se “garanti i unitet të kombit” duhet të gjendet i pranishëm në të gjitha pushtetet, por pa pasur asnjë pushtet real të një vendimmarrjeje që të shkojë deri në fund të procesit. Këtu qëndron kontradikta e statusit në planin e një logjike juridike.

Është kuptuar dhe sanksionuar roli i tij mbi gjyqësorin, meqë drejton edhe këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe propozon edhe kandidatura të sistemit të të drejtës së niveleve ku duhet vendimmarrja e Parlamentit. Kjo ka bërë që mbarëvajtja e gjyqësorit t’i kërkohet Presidentit. Por, a mundet një njeri, sepse në këtë rast institucioni dhe njeriu bashkohen, të jetë në gjendje të garantojë sistemin e drejtësisë së një vendi? Faktet dëshmojnë se kjo nuk është e mundur.

Mbi të gjitha, edhe nëse individi mund të dojë ta realizojë, statusi i tij juridik nuk e lejon edhe aq shumë. Si mund të jetë Presidenti i  Republikës me të njëjtën të drejtë vote me anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë? A mund të mbetet ai në minorancë atje? Në këtë mënyrë kemi barazimin e subjekteve institucionale që nuk kanë legjitimitet të njëjtë.

Në këtë mënyrë, tamam për shkak të një statusi të paqartë, të penguar, të dyzuar a “trezuar”, a “katërzuar”, nuk dihet nëse është trupa e gjerë dhe strukturuar e personelit të sistemit të së drejtës që merr “peng” Presidentin që nuk ka veçse një votë në KLD, apo është Presidenti që arrin të garantojë funksionimin adekuat të këtij pushteti?

Vërtet ai mund të bëjë propozime për gjyqtarë e prokurorë për t’i votuar më pas Kuvendi, por ky i fundit, pra cilado shumicë kuvendore, është ajo që e thotë fjalën e fundit. Propozimi presidencial është propozim dhe vetëm kaq. Sigurisht që edhe Kuvendi nuk mund të veprojë pa propozimin presidencial, pra një lloj ekuilibrimi është i domosdoshëm, mirëpo në fund dikush të vendosë, përndryshe duhen ndërhyrje jashtë sistemit, presione nga partnerët tanë të jashtëm, për të zgjidhur konfliktin.

Asnjë proces nuk përmbyllet shpesh në një vendimmarrje dhe kërkon një ndërhyrje nga jashtë për ta realizuar këtë të fundit.

Në këtë mënyrë vetë trupa e sistemit të drejtësisë është e detyruar të orientohet sa nga ndjeshmëritë politike të Kuvendit aq edhe nga influenca hierarkike e Presidentit. Pavarësia merr formën e thjeshtë të influencave politike kontradiktore mbi gjyqësorin. Mbetet pyetja formale, juridike: Ku qëndron ndarja e pushtetit gjyqësor nga vullneti politik që shprehet në Kuvend? Pastaj, pa e parë çështjen në këtë mënyrë thelbësore, është e kotë që dikush të ankohet për një pavarësi më të qartë të pushtetit të gjyqësorit, pra edhe të kërkojë një shoqëri të konsoliduar të së drejtës.

I kanë dhënë edhe kompetenca që afrojnë me ushtrimin e një pushteti ekzekutiv. Presidenti është edhe komandant i forcave të armatosura. Sigurisht që kemi të bëjmë me një kompetencë të natyrshme dhe të një rëndësie të veçantë. Po ashtu edhe për të mbledhur e drejtuar agjenci që kanë të bëjnë me përballimin e gjendjeve të jashtëzakonshme. Edhe kjo është e natyrshme.

Mirëpo pyetja që bëhet është se përse edhe në këto fusha pushteti real i Presidentit ka kufizime të rëndësishme? Ka pasur kriza kombëtare të forta edhe në vitin 1998, edhe në vitin 2011, por sigurisht asnjeri nga presidentët e kohës nuk ka pasur mundësi të dalë mbi palët dhe të garantojë qetësinë e funksionimit të shtetit. Apo ka mundur ta bëjë?

Kjo vështirësi vjen nga fakti se ushtrimi i një autoriteti presidencial mbi ministritë e linjës menjëherë krijon ndaj tyre një vartësi të dyfishtë, nga Presidenti dhe Kryeministri, çka bën që situata të mos jetë e qartë dhe e sigurt.

Mirëpo mund të shtohet se Presidenti, cilidoqoftë ai, ka kompetenca sepse të tilla janë ato që kanë në fushën e procesit legjislativ. Mirëpo çfarë përfaqëson një e drejtë për ta kthyer mbrapsht një ligj të votuar në Kuvend? Jo ndonjë pushtet të madh. Mbi të gjitha,

pas një rikthimi ligja rivotohet dhe hyn në fuqi.

Edhe më i vështirë bëhet legjitimiteti funksional i procesit të rikthimit të projektligjit të votuar në Kuvend? Nëse ka arsye politike, sa është legjitimiteti i Presidentit të imponojë zgjedhjen e tij politike mbi një shumicë që është votuar nga elektorati i gjerë sovran? Nëse projektligji do të kthehej për arsye kushtetuese, a nuk do të merreshin kështu rolet dhe funksionet e një institucioni tjetër kushtetues, pra të Gjykatës Kushtetuese?

Shpesh, në situata krizash del përcaktimi “përfaqësues i unitetit të kombit” dhe i kërkohet Presidentit të bëjë të mundur kompromisin politik përreth tavolinave të rrumbullakëta të aktorëve politikë.

Asnjëherë nuk janë arritur të realizohen për pasojë të ndërhyrjes Të ndonjë Presidenti. Jo për përgjegjësinë e këtij posti. Ai nuk ka asnjë kompetencë apo detyrim funksional të organizojë këto tavolina të rrumbullakëta kompromisi midis përfaqësuesve të partive politike. Partitë politike janë agjenci parashtetërore dhe parajuridike. Asnjë detyrë apo e drejtë e Presidentit nuk shtrihet atje. Biles atij i ndalohet të ushtrojë detyra që i përcakton si të tilla Kushtetuta. Por, edhe po të ketë vullnetin të japë një kontribut, kush i detyron aktorët politikë të vendit t’i përgjigjen thirrjes shpesh të dëshpëruar të Presidentit. Pra edhe roli i tij politik është i tillë që i kërkon për të realizuar misione, por pa i dhënë mjetet e duhura për këtë qëllim.

Kuptohet që ka një problem lidhur me qartësinë e asaj se çfarë lloji pushteti përfaqëson Presidenti në një republikë ku pushtetet formalisht duhet të jenë të ndara. Ose do t’i bashkojë këto pushtete në një unitet të vetëm shtetëror dhe atëherë do të bihet në kundërshtim me parimin bazë demokratik të ndarjes së pushteteve. Ose vetë statusi i

Presidentit do të thërrmohet duke u shpërndarë gjithandej ngapak në të gjitha llojet e pushteteve dhe për këtë arsye nuk do të ketë mundësi të veprojë në mënyrë adekuate askund.

Çfarë mund të bëjë njeriu në këto kushte?

Kuptohet se mund të jetë legjitime të supozohet që kompetenca e Presidentit duhet riparë, me një ndryshim “të vogël”.

  III. Funksionet institucionale dhe ato dytësore të Presidentit

           Ideja është që në një çast ose tjetër shoqëria jonë do të vijë drejt rishikimit të anëve të ndryshme të Kushtetutës dhe bashkë me të edhe në një riformatim të statusit, rolit dhe kompetencave të Presidentit të Republikës. Përse e mendoj këtë?

Sigurisht nuk jam nga ata që gjykojnë se Kushtetuta duhet të riformatohet në çdo disa vjet, apo sa herë ka një krizë politike. Kushtetuta ka nevojë për qëndrueshmëri. Mirëpo, kjo ide e drejtë që vjen edhe nga përvojat e vendeve të tjera me përvojë të gjatë historike, nuk duhet marrë kallëp kur flitet për vendin tonë. Kushtetuta që kemi, pavarësisht anëve pozitive që përmban, nuk duhet harruar që vetëm dymbëdhjetë vjet ka që është vendosur në funksionim, biles me një aprovim shumë delikat dhe të dyshimtë, pa pasur gjithsesi konsensusin e forcave politike në Kuvend. Asnjë të keqe nuk ka që, duke vlerësuar anët pozitive, të vështrohet në vazhdimësi se ku janë pikat e saj të dobëta.

Nga ana tjetër, para dy a tre vjetësh, forcat kryesore politike në Kuvend ndërmorën disa amendime të neneve të veçanta të Kushtetutës, duke ndryshuar pikërisht elemente normative që lidhen me statusin e Presidentit të Republikës. Kuptohet që pavarësisht drejtimit që ato amendime kishin, dëshmuan se edhe politika është e ndërgjegjshme se pikërisht aty ka disa probleme që duhen ndrequr. Fakti që Partia Socialiste është penduar për atë kompromis që bëri lidhur me ato amendime, dëshmon edhe njëherë që problemi mbetet në rend të ditës.

Puna është se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të bëhen në zjarrin e interesave të ditës, por qetë dhe në mënyrë tepër logjike, formale, juridike.

Çfarë e detyron statusi kushtetues i Presidentit, sipas modelit që kemi në fuqi, personin që kryen këtë detyrë të lartë?

Meqë gjithandej vendimmarrja presidenciale mund të kontestohet praktikisht, pra të mos arrijë në fund të procesit, duke mos arritur të japë një produkt të caktuar institucional dhe juridik, është vetë figura e këtij posti që ndodhet para vështirësive të mëdha. Ai edhe është kryetari i shtetit, por edhe fuqitë e tij janë formalisht “të thyera” gjithandej. Kjo kontradiktë është e vështirë dhe e pamundur për t’u administruar. Për rrjedhojë, ndodh një dukuri që historianët e institucioneve politike dhe juridike e njohin mirë dhe që, duke e ditur, janë të qartë që ajo nuk ka të bëjë me karakterin apo personalitetin e këtij apo atij individi, por me identitetin juridik të vetë institucionit.

Çfarë ndodh?

Sa herë që një institucion nuk është në gjendje të ushtrojë kompetencat e veta duke parë edhe frytin e tyre, aq herë, për t’u mbajtur në “lojë”, për t’u legjitimuar”, për të qenë aktor aktiv në jetën politike dhe institucionale të vendit, krijon funksione dytësore, të cilat nisin dhe marrin një rol prioritar, një rëndësi edhe më të madhe sesa vetë funksionet parësore.

Ndodh ajo që quhet proces i zëvendësimit të atributeve. Atrofizimi i disa kompetencave sjell si pasojë forcimin e disa funksioneve të tjera, apo tentativën për t’u rishfaqur në skenën politike në forma të tjera. Nuk ka vend ta keqkuptojmë një shembull nga bota e bukur e luleve ose e pemëve. Kur krasitet një degë, bima apo pema bën të gjallërohen të tjera.

Në këtë mënyrë ndodh edhe zhvendosja e funksioneve, ato kushtetuese mbesin të pakryera sepse nuk kanë mundësi të japin një produkt, shpesh anulohen krejtësisht nga ana e aktorëve të tjerë, kurse zhvillohen role të tjera që nuk janë të dëmshme, por gjithsesi nuk lejojnë që të shihet qartë boshllëku i krijuar në nivelin institucional.

Asnjë fuqi nuk ka Presidenti i Republikës mbi aktorët politikë në Kuvend, asnjë ndikim, mund të anashkalohet në kushtet e krizave politike. Kuvendi mund të funksionojë me shumë probleme në kushtet e një krize politike dhe roli i Presidentit atje mund të mos ndihet fare. Rasti e ka sjellë edhe më 1998, edhe më 2001, edhe më 2011, apo herë të tjera, që pastaj shoqëria, partnerët e huaj, mediat t’i kërkojnë atij të bëjë personin që organizon tavolina të rrumbullakëta ku partitë politike të zgjidhin problemet e tyre.

Në këtë mënyrë tenton herë-pas-here, siç tregon përvoja e këtyre pesëmbëdhjetë viteve të fundit, që t’i kërkohet të bëjë animatorin e tavolinave të dialogut. Po a është ky roli i tij kushtetues i përcaktuar qartë? Aspak. Mbi të gjitha, është edhe e rrezikshme, sepse hyrja në mes të “sherrit” nga ana e kreut të shtetit bën që, në rast dështimi, vetë ekuilibri shtetëror mund të pësojë dëme. Roli i animatorit të tavolinave pastaj dihet se çfarë është. Në një farë mënyre i duhet të lutet për pjesëmarrje dhe në fund të deklarojë se nuk ka mundësi të imponohet.

Është e natyrshme. As mundet dhe as duhet të imponohet në dialogun politik.

Para disa vitesh, ndërkohë që Presidenti ishte edhe atëherë pa një status të gjetur kompetencash kushtetuese, zhvilloheshin parada ushtarake paksa si më shumë se zakonisht. Edhe atëherë e lexoja këtë veprim më shumë si një zëvendësim funksionesh, në pamundësi për të qëndruar aktiv me anë të kompetencave të njohura ligjërisht si detyra themelore, zhvilloheshin aspekte ceremoniale. Nuk ka asgjë të keqe, por problemi është se ana ceremoniale në vite të ndryshme është kthyer në një aspekt që ka marrë atë rëndësi që nuk mund ta kishte nëse do të kishim një status dhe një rol më të gjetur të funksionit presidencial. Nuk mund të kthehet kryesisht sidomos përpara syve të opinionit publik, ky funksion shumë i rëndësishëm në atë të maître de cérémonies , drejtues ceremonish, ndonëse edhe këto të fundit kanë rëndësi të veçantë në jetën e një shteti.

Në këtë mënyrë, funksioni i Presidentit ndien një boshllëk në ndërtimin e një imazhi para publikut, sepse në veprimin e tij të përditshëm juridik dhe institucional ai është gjithandej i “dënuar” me humbje. Ligji që kthen në Kuvend, është Kuvendi që e rivoton; kandidatura që propozon në Kuvend, është Kuvendi që ia kthen; në funksionet e veta ekzekutive nuk mund të ketë shumë iniciativë, sepse pastaj do të dublojë qeverinë.

Por, ndërkaq, nuk mund të qëndrojë pa përpunuar imazhin e vet në media. Dhe këtu aspektet karitative, pjesëmarrja në aktivitete kulturore, mbështetja e shoqatave ose projekte të tjera social-kulturore nisin të bëhen shumë të rëndësishme dhe më të dukshme se funksionet e tjera.

Në rastin e fundit, gjykoj se deklaratat e Presidentit aktual për të themeluar një parti politike, ndërkohë që ende është në detyrë, veç të tjerash, mund të shpjegohen edhe me nevojën që ka ndjerë funksioni për t’u bërë i ndjeshëm në lojën politike, kur nuk ka pasur asnjë mundësi institucionale për të qenë i tillë. Sigurisht, duke pohuar këtë analizë, nuk marr përsipër të flas për ambiciet e tij politike, por përpiqem të bëj një analizë institucionale, duke u nisur nga vetë statusi kushtetues i postit.

Hipoteza e analizës këtu është që çdo bllokim në kompetencat institucionale që vijnë nga vetë teksti kushtetues e detyrojnë postin presidencial të prodhojë, nxisë, rrisë, veprimtari, dimensione, praktika të tjera, pikërisht për të mbetur lojtar në skenën politike të vendit

I gjithë problemi, sipas meje, është pikërisht këtu: Si të bëhet që kompetencat juridike të Presidentit të jenë të tilla që ta bëjnë të jetë një aktor aktiv brenda logjikës të një republike parlamentare, pa e detyruar apo shtyrë që, për të mbushur boshllëkun e krijuar, të krijojë apo theksojë funksione të tjera dytësore apo tretësore që, edhe poqese nuk janë të dëmshme, ndofta janë të padobishme për postin.

IV. Për një riformulim të kompetencave të Presidentit

           Për të ardhur te pyetja: Çfarë kompetencash mund t’i ndryshohen Presidentit të Republikës në statusin e vet kushtetues, në mënyrë që roli i tij të normalizohet? – më parë duhet të përmend paraprakisht disa rrethana.

Pak histori. Dihet se të gjitha pushtetet në Shqipëri dalin tashmë nga Kuvendi dhe ky i fundit kompozohet nga të zgjedhurit e partive politike. Kjo do të thotë që prej këtu ndarja e pushteteve është vendosur në një pikëpyetje të madhe. Jo vetëm që është legjislativi që kontrollon të gjitha pushtetet, por meqë është po legjislativi që formësohet drejtpërdrejt nga politika, kuptohet se mbi të gjitha pushtetet shtetërore janë partitë politike. Të ndarë në nivelin shtetëror aq sa janë, pushtetet janë të bashkuar përtej këtij kuadri institucional në duart e partive politike.

Problemi është se kur Kuvendi nuk funksionon për shkak të krizave politike, kush ka të drejtë të ketë një “sy” mbi mënyrën sesi funksionon Kuvendi?

Hëpërhë, askush. Prandaj përgjatë historisë politike të këtyre dy dekadave na kanë ndodhur që bllokime në veprimtarinë e Kuvendit të jenë shoqëruar me stagnacionin e dinamikave brenda tij, të vetë jetës politike të vendit, dhe askush nuk ka qenë në gjendje për të thënë se në ato kushte do të ishte më mirë që Kuvendi të shpërndahej dhe vendi të hynte në zgjedhje të parakohshme. Kjo ka ndodhur me krizën e viteve 1996 – 1997, 1998, atë të viteve 2001 – 2002 si edhe me krizën e vitit 2011.

Mosfunksionimi normal i Kuvendit për shkak të tensioneve midis partive politike bëri që të bllokohet procesi legjislativ, të funksionojë me probleme shteti, si edhe në rastin e parë atë që nuk e bëri Kuvendi, të shpërndahej, e bëri forca e armatosur në rrugë. Dhe me çfarë pasojash!

Dikush mund të thoshte se Kuvendi i ka mekanizmat e shpërndarjes në rast krizash. Mjafton që deputetët opozitarë të mos shkojnë atje dhe ta bojkotojnë atë. Mirëpo përvojat kanë treguar se sado të forta të jenë lëvizjet e bojkotit, edhe deputetët opozitarë mund të kenë si strategji ta pengojnë funksionimin normal të Kuvendit, por jo sa të shkojnë deri atje sa të çojnë në shpërndarjen e tij. Një shpërndarje e parakohshme mund të bjerë në kundërshtim edhe me interesat materiale të deputetëve opozitarë. Kurse shumica në asnjë rast nuk ka dëshirë dhe vullnet ta shpërndajë një Kuvend që i jep mundësi të ketë pushtet.

Në këtë mënyrë, nuk përjashtohet rasti që interesat e ngushta të deputetëve të bien në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Mirëpo qytetari pasi ka dhënë votën, sikurse theksonte Rusoi, nuk është më në gjendje ta kontrollojë pushtetin. Një pushtet që e ka dhënë te ne nuk ka më mundësi ta rimarrë. Në asnjë rast.

Po sikur, largqoftë, një shumicë prej tre te pestash prej deputetëve të çmendej për shkak të një imitimi infektues në sallë! Nuk e urojmë, por në tekstet juridike bashkëkohore edhe kjo mundësi shqyrtohet. Kush do t’ua merrte mandatin për t’i dhënë qytetarit mundësinë për ta rinovuar Kuvendin? Ose do të kishte një pushtet jashtë Kuvendit, që do të kishte mundësinë ta çonte vendin në zgjedhje të reja, ose ngelet revolta e dhunshme në rrugë që sjell vetëm fatkeqësi.

Në këtë mënyrë përvojat na tregojnë se, nëse Presidentit të Republikës i jepet kompetenca për ta shpërndarë një kuvend në krizë dhe në mosfunksionim, atëherë do të shpëtojmë nga krizat parlamentare dhe politike deri në një farë mase të konsiderueshme.

Përse do të kemi shanse t’i administrojmë më mirë këto kriza duke i shmangur?

Për dy arsye themelore. E para, sepse përfaqësuesit kuvendorë të partive politike do ta dinë mirë se çdo krizë e stërzgjatur apo e rëndësishme, mund të sillte shpërndarjen e tyre dhe kalimin në zgjedhjet e reja. Duke dashur ta evitojnë këtë, do të kenë prirje për të bashkëpunuar më qetë dhe më në mënyrë konstruktive me njëri-tjetrin. Së dyti, në rast të një krize të pashmangshme, ajo nuk do të vazhdonte pa mbarim, por do të përmbyllej me një vendim presidencial, që do t’i çonte partitë politike edhe një herë përpara popullit.

Dikush do të kundërshtonte duke shfaqur hezitime të natyrshme. “Po atëherë a nuk do ta ndërvarnim fatin e jetës politike në vend nga vullneti i një njeriu të vetëm? Nuk do t’i jepnim shumë fuqi?” – do të formulonte pyetjen e tij.

Përgjigjja ime do të ishte: “Aspak. Sepse kjo kompetencë mund të ushtrohej vetëm brenda disa kushteve të caktuara, brenda disa parametrave të caktuar dhe jo në mënyrë subjektive”. Parametrat e një krize politike në Kuvend mund të imagjinohen, dhe pastaj të tregohet se që nga cili çast Presidenti i Republikës mund të kërkojë shpërndarjen e Kuvendit. Po kështu edhe periudhat brenda të cilave ai ka kompetenca ta bëjë këtë veprim politik dramatik, por shpesh shumë të vlefshëm.

Një argument tjetër që mund të jepet kundër kësaj kompetence të Presidentit do të ishte ajo që shpesh thuhet kur kërkohet të ruhet një kuadër i caktuar kushtetues: “Kushtetuta nuk mund të ndryshojë kaq shpejt.” Ky është një argument i kotë dhe pa bazë. Nuk është çështja te shpejtësia e ndryshimit të Kushtetues. Një Kushtetutë e mirë, le të mos ndryshojë asnjëherë. Por, kur një nen apo disa nene të Kushtetutës gjykohet se janë jo në përputhje me kërkesat e vendit, atëherë ato duhet të ndryshohen një orë e më parë. Çfarë kuptimi ka të mbash një Kushtetutë me vese në emër të asaj që Kushtetuta nuk duhet të ndryshojë aq shpejt?!

Tani është pikërisht koha. Nuk preket asnjeri. Rruga është e hapur, nëse vullneti politik gjendet. Nuk e pengon këtë ndryshim të rëndësishëm në status as Presidenti aktual, sepse ai me të drejtë konsideron se është në fund të mandatit, nuk do të rikandidojë në atë post, as eventualisht Presidenti i ardhshëm nuk mund të kundërshtojë, meqë ai ende nuk dihet se kush është. Prandaj mund të thuhet se ky propozim nuk cenon askënd drejtpërdrejt, por synon zgjidhjen e problemit.

Kushtetuta parashikon se zgjedhja e Presidentit në Kuvend bëhet pa debate. Sigurisht që ligjvënësi ka pasur një arsye për ta vendosur këtë. Nuk është mirë mbase që një President i ri të sulmohet qysh në ditën e tij të parë të mandatit, sepse i ulet figura. Por, askush nuk i pengon gazetarët që të gjitha kandidaturave që shfaqen në hapësirën publike për këtë post, t’u bëjnë një pyetje:

“A jeni ju për të patur kompetencën e shpërndarjes së Kuvendit në kushte krize politike?”

Në vend që përfaqësuesit e mediave të merren me marrëdhënie individuale të këtyre kandidatëve apo me mënyrat sesi ata do të gjejnë votat në Kuvend, më mirë do të ishte t’u bëheshin të tilla pyetje thelbësore. Nëse kandidati përgjigjet në mënyrë mohuese, atëherë ai kërkon të ruajë statukuonë dhe do që të mbetet një personazh politik që do të zhvillojë funksione zëvendësuese për postin e tij; kurse, nëse përgjigjet në mënyrë pozitive, dihet se kërkon një rol aktiv në jetën shtetërore.

Pasja e të drejtës për të shpërndarë Kuvendin në kushtet e një krize politike, edhe pa iniciativën e kreut të ekzekutivit dhe të deputetëve, do t’i japë Presidentit një rol të vërtetë politik. Më në fund ai do të ketë një instrument për të shprehur vullnetin e tij si qetësues i sistemit shtetëror dhe garant i stabilitetit politik dhe i unitetit të kombit.

Por, do të vendoste gjithashtu në një situatë shumë më të ekuilibruar dhe marrëdhëniet midis shumicës parlamentare dhe pakicës opozitare, cilatdo qofshin këto. Jeta politike nuk do të ishte e tendosur në ekstrem dhe do të shmangeshin krizat e gjata politike apo kuvendore, të cilat shpërbëjnë gjithë funksionimin e administratës shtetërore. E mbi të gjitha, krizat politike do të kishin një dalje të moderuar dhe institucionale, përkundrejt përkeqësimit të tyre, që gjithnjë përfundon në një pikë të vetme: tek armët. Kështu ndodhi më 1997, kështu ndodhi më 1998, kështu ndodhi edhe më 2011.

E pas këtyre ngjarjeve të përsëritura, kur vetëm dhuna dhe viktimat kanë bërë që t’u jepet fund krizave politike, a mund të ketë njeri që të thotë se ne kemi tashmë një instrument institucional për t’i shmangur ato paraprakisht në mënyrë të civilizuar dhe paqësore?

Mendja ta do që jo.

Problemi është të dihet se me çfarë masash të tjera do të shoqërohej ideja e një modifikimi të kompetencave të Presidentit?

V. President pa brejtje ndërgjegjeje

           Kompetenca që duhet shtuar për Presidentin e Republikës është e drejta e tij për të shpërndarë Kuvendin e Shqipërisë.

Fjalia përmblidhet në disa fjalë, nuk do vështirësi as për t’u kuptuar, as për t’u kthyer në projektligj kushtetues. Kush dëshiron të jem më i drejtpërdrejtë në gjykimet e mia, jà ku më ka!

Presidenti nuk ka përse të jetë kundër kësaj kompetence. As qytetarët. Mund të jenë kundër një pjesë deputetësh, por jo të gjithë. Megjithatë, meqenëse ky propozim shkon në kundërshtim të interesave të këtij grupi deputetësh, atëherë nuk ka kuptim që të kërkohet të votohet prej tyre.

Mundësia e vetme është që ky projekt të ketë mundësi të shtrohet

përpara qytetarëve shqiptarë në një referendum.

Pa dyshim që do ta përkrahnin një shumicë dërmuese e tyre. Ata kanë nevojë të kenë një përfaqësues të tyre në shtet, qoftë edhe pa e zgjedhur vetë drejtpërdrejt, por duke i dhënë funksione ku një pushtet ekuilibron pushtetet e dala nga partitë politike dhe të lidhura me to, sikurse është Kuvendi.

Referendum.

Nuk mund të pranohen më situata kur bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mbulohet nga flakët, tymi, trupat e plagosur, viktimat që humbën jetën, policët e traumatizuar dhe të goditur. Presidenti nuk vepron, sepse edhe sikur të dojë nuk mundet, i ka të lidhura duart nga vetë kuadri juridik i Kushtetutës në fuqi. E vetmja gjë që mund të bëjë është të dërgojë mesazhe moralizuese!

Është në krye të forcave të armatosura, por nuk i përdor dot ato; është në krye të instancës drejtuese të drejtësisë, por nuk e detyron të japë drejtësi; është përfaqësues i unitetit të kombit, por nuk ka fuqi as një tryezë politike të thërrasë, se nuk ka asnjë fuqi që të influencojë mbi politikën. Ndërkohë kryeqyteti digjet, njerëzit vriten, forcat e ruajtjes së rendit copëtohen…Kuptohet që kuadri juridik i tanishëm i ka dhënë vendit një kryetar shteti, por i ka hequr atij çdo kompetencë për të ushtruar detyra që burojnë nga ky post. Në kushtet e krizave të dhunshme, që kemi lënë pas dhe nga ato që do të njohim ndofta edhe më pas, asgjë nuk përjashtohet, një kryetar shteti që nuk vepron dot shndërrohet në një brejtje ndërgjegjeje kombëtare, në një përgjegjësi morale historike, që askush nuk duhet të pranojë ta mbajë më.

Do të ishte një kryetar shteti me mungesë.

Përndryshe do të kërkojë karrigen, por nuk do të dëshirojë t’i shërbejë vendit. Deri tani, edhe mund të kishim iluzione dhe të justifikohej gjithçka, por këtej e tutje situata është qartë nga vetë përvojat që kemi kaluar.

Të ketë vetëm një të drejtë të “vockël” negative.

Pra, jo të prodhojë politikë, por të jetë një lloj “rojtari” i politikës, duke pasur të drejtën e shpërndarjes së Kuvendit si produkt politik. Jo sipas qejfit dhe jo kurdoherë që dëshiron. As në fillim dhe as në fund të mandatit të detyrave të tij. Jo pa kritere, por vetëm kur plotësohen disa kritere që përbëjnë krizë politike me dëme kombëtare, sikurse politika i ka shkaktuar Shqipërisë dhe neve, qytetarëve të saj, më 1997, 1998, 2001, 2011. Jo në mënyrë individuale, por pas konsultimesh.

Por, amà, të drejtën ta ketë.

Në këtë mënyrë edhe deputetët do të jenë të ndërgjegjshëm se nuk përbëjnë atë që gabimisht e kanë quajtur “tempulli i demokracisë”.

Demokracia nga vetë përkufizimi i saj nuk ka tempuj, është një komunitet i lirë qytetarësh që “Zot” kanë veten e tyre. Vetëquajtja e deputetëve si pjesëtarë të një “tempulli” pikërisht fsheh, apo nxjerr pa dashje në dritë atë mentalitet të shtrembër që i konsideron deputetët si majën sipërore, të pagabueshme, të paheqshme brenda një mandatit, nga asnjë pushtet tjetër korrigjues. Tempujt nuk gjykohen, venerohen. Këtu ka mbaruar balanca dhe kontrolli mes pushteteve. Kuvendi, pra partitë politike, prodhojnë gjithçka nga pushtetet e tjera, kurse Kuvendi, çfarëdo të bëjë, edhe sikur tre të pestat e deputetëve, largqoftë, të çmenden, përsëri janë ata që vazhdojnë t’i bëjnë ligjet.

Nuk ka arsye njerëzore që e pranon këtë absurditet, i cili na ka mbetur si relikte nga disa vite kur tekstet ligjore bëheshin për qëllime politike shumë afatngushta dhe të qorrollepsura.

Sigurisht që Presidenti nuk ka si të jetë kundër kësaj kompetence, sepse në të kundërt ai vetë do të ishte thjesht një i “burgosur” i pallatit presidencial, do të ishte si një bilbil i mbyllur në një kafaz të artë, por gjithsesi një kafaz. Në vend të ushtrimit të funksioneve të vërteta politike, atij do i duheshin të shpikte gjithë kohën evente mediatike dhe marrëdhënie publike duke shkuar nga njëra paradë ushtarake te tjetra, nga njëra pritje diplomatike te tjetra dhe duke bërë çmos për të gjetur një hapësirë ku mund të shfaqte rolin e vet.

Këtë kompetencë Presidenti do ta ushtronte për qytetarët kundër deputetëve, nëse këta të fundit, sikur nuk përjashtohet të ndodhë, do të çmendeshin, largqoftë, ose do të përbënin një kastë me interesa grupore që gjoja do të ishin ndarë në mënyrë partiake, por në fakt do të kishin qenë të përbashkëta nga e djathta në të majtë të sallës së Kuvendit. Nëse kjo ndodh, Presidenti në emër të qytetarëve mund ta çonte vendin në zgjedhje.

Do t’i mjaftonte kjo që të kthente dinjitetin e këtij posti, por edhe duke mos e ndryshuar standardin e vendin si një republikë megjithatë parlamentare, ku Kryeministri sigurisht ka rolin e vet më aktiv.

Parë kështu, Presidentit nuk do t’i duheshin më disa kompetenca që as i ushtron dot, por edhe as janë në përputhje me parimet demokratike të ndarjes së pushteteve. Nuk mund të supozohet se Presidenti mund të drejtojë në një farë mënyre sistemin e së drejtës duke qenë në krye të Këshillit të lartë të drejtësisë. Me një votë të vetme, atë të tijën, ai nuk drejton dot asgjë, por drejtohet nga shumica sikurse edhe janë procedurat e këtij institucioni që një Zot e di si është organizuar ashtu dhe përse. Çfarë sociologjie institucionesh politike kanë aplikuar duke e konfiguruar në atë mënyrë? Nuk është Presidenti që drejton sistemin e drejtësisë, është sistemi që merr “peng” në këtë mënyrë në forma të ndryshme Presidentin, pavarësisht se cili është ai. Kuptohet që nuk mund të jetë Presidenti kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ai ka të drejtë që brenda disa kriteresh të caktojë disa nga anëtarët e tij.

Presidenti mund të bëhet një faktor politik kur ka të drejtë të caktojë anëtarë në të gjitha institucionet e dala nga Kuvendi. Në këtë mënyrë ai proporcionalisht do të ushtrojë pushtetin e vet ndikues, sikurse Kuvendi, por pa ushtruar personalisht vetë kompetenca të tjera kushtetuese. Si mundet që Presidenti edhe të jetë nga pushtetet më të larta kushtetuese, si person, por edhe të drejtojë pastaj edhe pushtete më të ulëta të dala nga Kuvendi? Nuk ka absurditet më të madh. Më sa paku është një konflikt i pastër interesi, ku Presidenti duhet të kontrollojë në një farë mënyre dhe të jetë garant i vetes së vet si drejtues pushtetesh shtetërore, për të cilat është garant vetë ai. Cili jurist konstitucionalist do të mund të pajtohej me këtë? Veç ndonjërit që trupin e ka në drejtësi, dhe mendjen e ka në partinë e vet politike.

Përderisa Presidenti do të merrte kompetencën e shpërndarjes së Kuvendit, atij do t’i duhej të kishte një legjitimitet të konsiderueshëm që nuk mund të sigurohet nëse ai zgjidhet me një shumicë të thjeshtë parlamentare. Zgjedhja e tij me gjysmën e thjeshtë të deputetëve bën që legjitimiteti dhe prestigji i Presidentit të jetë më i ulët se ai i një

ligji që kërkon të votohet me shumica të cilësuara.

Argumenti që partitë politike na ka dhënë, sipas të cilit u amendua neni që kërkonte tre të pestat e deputetëve për të zgjedhur Presidentin e Republikës, është për të shpëtuar vendin nga krizat e stërzgjatura. Dhe vërtet, neni i mëparshëm, duke kërkuar medoemos një shumicë të tillë, përndryshe vendi shkonte nga zgjedhjet në zgjedhje brenda disa muajve, ishte fare pa bazë.

Por, ai nen mund të amendohej jo duke ulur numrin e votave në Kuvend për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Mund të gjendeshin rrugë të tjera. Për shembull, Presidenti mund të zgjidhej nga një asamble e përbëre nga deputetët dhe nga të gjithë të zgjedhurit lokalë në formën e një “Dhome të dytë”, të Kuvendit. Këtu ai mund të zgjidhej me shumicë të thjeshtë dhe do të mbartte një legjitimitet shumë më të madh në vetvete.

Cilat janë përfundimet e mia në këtë analizë që zgjati pesë numra të gazetës “Mapo”?

Së pari, përqendrimi i debatit te mënyra e zgjedhjes të Presidentit është një zhvendosje nga problematika thelbësore që ka vendosja mbi baza të shëndosha e këtij posti të rëndësishëm shtetëror. Çdo mënyrë zgjedhjeje e Presidentit, sa kohë funksionet e tij janë të pagjetura, nuk sjell asgjë, por riprodhon një gjendje që vazhdon prej disa mandatesh presidencialë.

Së dyti, me kompetencat që ka, për të mbijetuar në skenën politike të vendit, këshilltarët e Presidentit janë të shtrënguar, nga e keqja, të shpikin dhe aktivizojnë funksione dytësore, më shumë publicitare, për të cilat vendi nuk ka nevojë.

Së treti, halli me statusin e sotëm të Presidentit është se ai është i shpërndarë në disa lloje pushtetesh, pa arritur në fakt të shprehet si duhet në asnjërin prej tyre. Ai është një lloj oponenti ligjërimor i pushteteve të tjera dhe askush nuk ia vë veshin realisht. Është eklektik si funksion.

Së katërti, problemi zgjidhet me një reformë të thjeshtë të kompetencave të Presidentit dhe kryesisht duke i dhënë atij të drejtën që në rast krize të zgjatur politike të mund të shpërndajë Kuvendin dhe ta çojë vendin në zgjedhje. Kjo do ta bënte atë një aktor të rëndësishëm të skenës politike të vendit dhe do ta ekuilibronte thelbësisht politikën shqiptare.

Përndryshe, ne do kemi, si ripërsëritje reminishencash plot makth, një flakë të madhe, klithma, gjak, makina me ujë, sirena, në bulevard, dhe një kryetar shteti që ligja i lidh duart për të marrë mbi vete përgjegjësi.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi