Pesë mesazhet e buxhetit 2016

Nga Enio Civici, botuar në Panorama, 24 nëntor 2015

enio-civici-150x150Dokumenti i buxhetit përbën një ndër politikat më të rëndësishme operative dhe strategjike të shtetit. Në librin tij “Princi”, Makiaveli këshillon të gjithë udhëheqësit që takimi i parë në mëngjes dhe i fundit në darkë të bëhet ekskluzivisht me ministrin e Financave. Kjo për arsyen shumë të thjeshtë se premtimet apo angazhimet e qeverisë duhet patjetër të bazohen në sasinë e parave që disponojnë në thesar, ndryshe mbeten demagogji dhe mashtrime.

Duke konsideruar popullin taksapagues si udhëheqësin e vërtetë të një shteti, -kështu të paktën thonë politikanët, -atëherë është e vlefshme që programi buxhetor dhe fiskal për vitin 2016 duhet patjetër të konsultohet në aksin qytetar-ministri e Financave. Nën këtë këndvështrim ekzistojnë 5 mesazhe apo përfundime, të cilat mund të zbulohen nga projektbuxheti që ndodhet aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë për t’u diskutuar. Mesazhi i parë dhe i vetmi thellësisht pozitiv është sigurisht ulja e deficitit buxhetor, pra ulja e diferencës ndërmjet nivelit të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Në vitin e kaluar, deficiti buxhetor ndodhej në nivelin mbi 5% krahasuar me produktin e brendshëm bruto dhe në vitin aktual përsëri është në nivelin 4.1%. Por qeveria parashikon ta ulë në 2.12% në vitin 2016 dhe ky është një mesazh pozitiv që frymëzon jo vetëm përgjegjësi buxhetore, por dhe paraqet synime të qarta kursimi nga ana e shpenzimeve shtetërore dhe synime eficience nga ana e mbledhjes së të ardhurave. Më tej për në radhë, por jo nga rëndësia, vjen niveli i rritjes ekonomike të parashikuar për vitin 2016, ku qeveria shqiptare beson se do të jetë 3.4%.

Nëse kujtojmë çfarë ka ndodhur në 3 vitet e fundit, mund të shohim se u parashikua 3.5% në vitin 2013 dhe me vështirësi arriti të regjistrohej 1.1%. U parashikua rritje mbi 2.1% në vitin 2014, por rritja reale rezultoi jo më e lartë se 1.89%. Ndërkohë për sa i përket vitit aktual, rritja është parashikuar në 3%, por po konstatohet rënie e konsumit, kontroll i shpenzimeve nga ana e bizneseve e për pasojë absolutisht nuk mund të presim rritje më të madhe se 2.5%. Atëherë pse duhet të besojmë se do të kemi rritje prej 3.4% vitin e ardhshëm?

Argumentet e Financave falsin për tri arsye që do të mbështesin këtë fakt: Investimet e huaja(TAP dhe Devoll Hydropower), përmirë- simi i bilanceve të bankave e për pasojë rritjes së kreditimit, si dhe rikthim i kërkesës së brendshme. Përveç investimeve të huaja, të cilat edhe ato janë në rrezik nga ndonjë vendim i papritur qeveritar, dy arsyet e tjera janë pritshmëri dhe jo fakte, e nuk ushqejnë aspak shpresë fiskale. Mesazhi i tretë, i cili vjen nga buxheti i vitit 2016 dhe që nuk është pozitiv, lidhet me paketën fiskale, pra taksave të reja apo të ndryshuara për vitin 2016, ku duket se efekti është në favor të buxhetit, dhe jo privatëve, pasi parashikon të mbledhë 26 milionë dollarë më shumë.

Pavarësisht nëse flasim për zerim të taksave për biznesin e vogël ku buxheti humb 1.3 miliard lekë, rritje të kontributeve për profesionet e lira, ku buxheti fiton 1.1 miliard lekë, rritje me 400 milionë lekë të të ardhurave nga taksa e luksit etj., përsëri mbetemi në faktin se qeveria ka zgjedhur të tërheqë më shumë para për vete dhe të lërë më pak para për tregun dhe operatorët ekonomikë privatë. Nëse keni analizuar përdorimin e parave publike nga qeveria shqiptare në këto 2 vite të fundit, keni parë se nuk janë ndërtuar apo promovuar investime të mëdha publike, por vetëm shpenzime operative, si ato të tipit makina, printer apo karrige për zyrat e administratës.

Në këto kushte reale, por dhe duke u bazuar në teoritë ekonomike, vlen të përmendet fakti se privatët janë përdorues më të suksesshëm sesa aparati shtetëror dhe jo e kundërta, sikur propozon qeveria. Mesazhi i katërt përsëri përcjell lajme të këqija. Flasim për paratë që u akordohen ministrive e për pasojë sektorëve, të cilët ato mbulojnë. Janë tri dikastere kryesore, të lidhura drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve, të cilat kanë qenë viktima të uljes së fondeve publike.

Ministra e Arsimit, Shëndetësisë dhe Infrastrukturës, pavarësisht kreut të tyre, duhet të kishin rritje vjetore po të konsiderojmë premtimet në fushatën për zgjedhje. Por nuk ndodh kështu. Fondet për arsimin janë shkurtuar me 10%, duke e çuar kështu financimin për nevojat arsimore në raportin me PBB vetëm në 2.3%, në nivelet më të ulëta historike. A mos vallë shkollat janë në gjendjen më të mirë? A nuk është e nevojshme të përmirësojmë cilësinë e më- suesve me trajnime?

Ndërsa paratë për Ministrinë e Shëndetësisë janë rritur me vetëm 0.3%, apo aspak, edhe pse ky sektor është jetik dhe kushtet e spitaleve publike, pa shiringa, pa mbulesa apo pa ilaçe i vështrojmë çdo ditë teksa janë përherë e më larg nga koncepti “Shëndetësia Falas”. Ndërsa infrastruktura merr ekzaktësisht 32% më pak para se vitin e kaluar. Nuk kemi më nevojë për rrugë dhe kanalizime? Nuk duhet të kujdesemi për mirëmbajtjen dhe sinjalistikën e akseve rrugore?

E pra, buxheti i vitit të ardhshëm mendon se jo. Ndërkohë që vendet fqinje u akordojnë këtyre sektorëve jo më pak se 4%- 5% të PBB-së së tyre, Shqipëria dhe qeveritarët e saj pëlqejnë të rrisin buxhetin për organikën e Kryeministrisë me 343%, referuar buxhetit 2016, apo Presidencës me 8.4%. Mesazhi i pestë lidhet sigurisht me vendimin për të zeruar dhe reduktuar taksat e biznesit të vogël. Paratë që mungojnë në buxhet nga ky ndryshim janë të papërfillshme, por ato që mbeten në bilancet e bizneseve janë shumë të vlefshme. Sigurisht që këto ndryshime duhet të ishin bërë pas ndërgjegjësimit dhe rregullimit ligjor të funksionimit dhe kontrollit të këtyre njësive ekonomike.

Ato tashmë kanë një efekt të përgjysmuar pas realitetit të kontrolleve të egra dhe gjobave stratosferike. Më mirë vonë se kurrë nuk vlen në këtë rast, pasi detyra e qeverisë është të parashikojë dhe parandalojë, jo të reagojë nga veprimet e gabuara të veta.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi