Buxheti i Bashkisë së Tiranë 2007-2014

Nga Ornela Liperi, botuar në Monitor, 17 qershor 2015

Bashkia

Gara për të fituar Tiranën ka qenë gjithnjë e fortë. Por, nuk ka qenë aspak e tillë qeverisja e bashkisë më të madhe dhe më të rëndësishme në vend, që menaxhon një portofol të ardhurash që në ditët më të mira arrin arrin deri në 60 milionë euro. Të dhënat që ‘Monitor’ ka siguruar nga buxhetet e 8 viteve, 2007-2014 tregojnë se plani i realizimit të të ardhurave ka qenë në nivelet e 60-80%, duke qenë larg vendeve të rajonit, me të ardhurat nga pronat që mbeten dhe “thembra e Akilit”.

Vrapi me pengesa i të ardhurave

Të ardhurat totale të Bashkisë Tiranë në vitin 2014 ishin 8 miliardë lekë, apo rreth 57 milionë euro, me një rritje prej 12% me bazë vjetore. Megjithatë, ndikimin më të madh në këtë rritje e ka dhënë zëri i transfertave të kushtëzuara e të pakushtëzuara (fonde që jepen nga shteti).

Monitor 684

Ato për të cilat Bashkia duhet “të djersijë” për t’i fituar janë të ardhurat tatimore e jotatimore, apo Totali i Burimeve të veta, ku të ardhurat tatimore zënë peshën e luanit. Nga një krahasim i të ardhurave tatimore në tetë vite, 2007-2014, rezulton se pas një rritjeje në 2008-2009, të ardhurat ranë në 2010-2011, përkatësisht si rrjedhojë e uljes së taksës së biznesit të vogël në 2010 dhe ndërrimit të drejtuesve të Bashkisë në 2011. Më pas situata u përmirësua, duke shënuar rritje vit pas viti, duke arritur rekordin në vlerë absolute në 2014-n (shiko në fund tabelën e detajuar sipas zërave).

Megjithatë, teksa ekonomia është rritur me ritme më të shpejta se të ardhurat e bashkisë, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të ardhurat në 2014 ishin ende më të ulëta se në 2009-n.

Monitor 684

Sipas zërave, ndërsa në 2010-n, peshën kryesore në të ardhura e mbante taksa mbi biznesin e vogël, në 2014-n rëndësia e saj ka rënë edhe për shkak të uljes së saj. Vitin e kaluar ishte taksa e ndikimit në infrastrukturë, që solli 25% të të ardhurave. Zëra të tjerë që kanë arritur të kenë një performancë më të mirë janë dhe taksa e pastrimit dhe ajo mbi ndërtesat, apo taksa e pronësisë. (për ecurinë e detajuar të të ardhurave tatimore në vite shiko tabelën: Ecuria e të ardhurave të veta, sipas zërave Bashkia e Tiranës, 2007-2014).

Monitor 684

Vuajtjet e planit

Planifikimi tepër optimist i të ardhurave ka qenë karakteristikë e buxheteve për të gjithë periudhën e marrë në shqyrtim, 2007-2014. Ka pasur vite kur plani është realizuar edhe 55%, ndërsa në vitet më të mira, ai është realizuar rreth 80%.

Kontribut të lartë në ekonomi, por merr pak nga buxheti qendror Monitor 684

Ndonëse ka një kontribut të lartë në ekonomi, duke dhënë gati 40% të PBB-së, Tirana në tetë vitet e fundit ka marrë një peshë të ulët të transfertave qeveritare, teksa dy mandatet e fundit nuk kanë përkuar me kahe të njëjta qeverisjeje lokale dhe qendrore. Në përgjithësi, Bashkia e Tiranës merr më pak se 10% të totalit të transfertave të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara nga buxheti qendror.

Mungesa e eficiencës së shpërndarjes së granteve për bashkitë lokale është konstatuar dhe në një raport nga programi i USAID për qeverisjen lokale, PLGP. Sipas raportit, “Ndërsa Shqipëria është përpjekur të shpërndajë në mënyrë të barabartë burimet fiskale të juridiksioneve më të ‘varfra’, mekanizmat e granteve dhe transferave që po përdoren aktualisht për këtë qëllim nuk janë aspak efikasë. Ata gjithashtu po i drejtojnë burimet larg qeverive lokale në të cilat jeton pjesa më e madhe e popullsisë. Me rëndësi të veçantë në këtë aspekt është Tirana, e cila është një nga kryeqytetet e pakta në rajon që ka të ardhurat më të ulëta për frymë në krahasim me shumë juridiksione të tjera më pak të rëndësishme në vend”. Raporti thekson se pavarësisht se ka 15% të popullsisë, kryeqyteti merr vetëm 8.3% të grantit të pakushtëzuar.

Sa dobët në krahasim me kryeqytetet e rajonit!

Në një kryeqytet me 420 mijë banorë, buxheti i qytetit më të madh në vend ka qenë maksimumi rreth 8 miliardë lekë (niveli më i lartë i arritur në 2014), apo rreth 57 milionë euro. Nivel ky që është më i ulëti në krahasim me bashkitë e kryeqyteteve të tjera të marrë në konsideratë. Shkupi, me më pak banorë, arrin të sigurojë një buxhet prej rreth 80 milionë eurosh. Nga krahasimi i të ardhurave për bashki në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Tirana rezulton dukshëm me nivelin më të ulët në raport me homologet e saj. Buxhetet e Shkupit dhe Zagrebit u bënë të disponueshme pas kërkesës të ‘Monitor’ drejtuar përfaqësuesve të bashkive përkatëse.

Monitor 684Kryeqyteti i shtetit fqinj, Maqedonisë, i siguron të ardhurat tatimore nga disa zëra si: taksa për zhvillimin e ndërtimeve (kontribuuesi më i madh në buxhetin e qytetit), taksa për zotërimin e një sipërmarrjeje, taksa për tabelat, taksa për përdorimin e hapësirës publike, etj.

Të ardhura jotatimore vijnë nga taksa për diploma dhe certifikatë, tabelat e regjistrimit për mjetet transportuese, shërbime nga kafeteritë dhe restorantet, qiramarrjet nga objektet, shërbime qeveritare apo dhe të ardhurat kapitale si shitja e mjeteve kapitale e tokave. Një burim i qëndrueshëm janë dhe donacionet e transfertat shtetërore.

Taksat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave dhe në Bashkinë e Zagrebit, që arrin të sigurojë të hyra mjaft të larta në krahasim me bashkikë e kryeqyteteve të tjera në rajon. Një peshë të lartë zënë dhe të ardhurat nga tarifat administrative, aktivet apo të ardhura të tjera. Ndryshe nga homologet shqiptare e maqedonase, Bashkia e Zagrebit varet shumë pak nga mbështetja nga qeveria.

Ndërsa është i vështirë krahasimi direkt i strukturës së të ardhurave tatimore, për shkak të llojit të ndryshëm të taksave që zbatohen, një zë është më i dallueshëm. Të ardhurat nga taksimi i pasurisë për Bashkinë e Tiranës janë më të ulëtat në rajon. Ecuri të mirë në këtë zë ka sidomos Bashkia e Shkupit.

Monitor 684

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi