Borxh për të shlyer borxhet

Nga Dritan Shano, publikuar në Panorama Online, 26 maj 2015

Dritan-ShanoDo marrim borxh për të shlyer borxhet. Ky ishte refreni i qeverisë socialiste sapo erdhi në pushtet në vitin 2013. Ajo edhe sot vajton me “oiii” për gropën e madhe që gjeti në financat publike. Në fakt, ky vajtim nuk është i ndier, por është propaganda për të justifikuar veprimet e tyre. Deri më tani, pas gati dy vjetësh që janë në pushtet, është e sigurt që socialistët kanë marrë borxh me vrull. Por nuk kanë arritur ta ulin borxhin asnjë lek, siç premtuan. Përkundrazi, e kanë rritur atë. Me borxhin e fundit prej 1.2 miliardë dollarësh, të premtuar nga Banka Botërore, socialistët kanë arritur të rrisin borxhin publik me 20 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PBB). Nga 62.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në shtator 2013, borxhi tashmë projektohet në 80% të PBB-së.
Që të kuptohet qartë…, në vitin 2013 përmasa e ekonomisë shqiptare ishte 9.7 miliardë euro. Borxhi publik, para se Partia Demokratike t’u dorëzonte pushtetin socialistëve në shtator 2013, ishte 6.1 miliardë euro. Sot, në vitin 2015, ajo çka krijon ekonomia shqiptare është rreth 10 miliardë euro, ndërsa borxhi është rreth 8 miliardë euro. Rritja e borxhit nën qeverisjen socialiste është gati 2 miliardë euro.
Pra, që kur socialistët morën pushtetin e deri tani, ata kanë marrë borxh rreth 100 milionë euro çdo muaj. Çdo shqiptar, nga mosha 0.1 vjeç deri tek më i vjetri, nesër do ketë borxh 2670 euro. Nga këto, 670 euro borxh i ri është shtuar në vetëm dy vjet nga socialistët. Edhe pse fjala e urtë thotë se kur ke rënë në gropë, nuk duhet ta gërmosh atë më tej, qeveria socialiste vazhdon me insistim të marrë borxh dhe me gjasë do vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe përgjatë vitit 2016.
E ç’të keqe ka të marrësh borxh, mund të habitet ndonjëri? Të gjitha qeveritë e botës marrin borxh. Aq më tepër vende hallexhinjsh si në shqiptarët. Dy kushte të përgjegjshme duhet të plotësosh për të marrë borxh. Të krijosh mirëqenie, pasuri të re për borxhmarrësin dhe të jesh i aftë ta paguash borxhin dhe interesat e tij atje ku e kë marrë. Borxhi merret për të nxitur ekonominë, për të krijuar bazamentin e zhvillimit në ato fusha që qeveritë vazhdojnë e i shohin me këmbëngulje si të mira publike. Ne përmirësimin e inventarit fizik dhe institucional në infrastrukturë, në shëndetësi, arsim, në shërbime. Nga ku herët a vonë përfitojnë të gjithë.
Krijimi i mirëqenies nga qeveria bëhet në dy mënyra. Duke e mundësuar sipërmarrjen private të kryejë investime në ekonomi dhe duke kryer investime publike nga ana e qeverisë. Qeveria shqiptare nuk e ka mundësuar sipërmarrjen të kryejë investime, sepse i ka rritur taksat. Përveç kësaj, ajo çalon fort në realizimin e investimeve publike, që ka premtuar përgjatë këtyre dy vjetëve qeverisje. Nga ana tjetër, siç kalojnë muajt në qeverisje, po bëhet gjithnjë e më e dukshme pamundësia e qeverisë për të mbledhur të ardhurat. Kjo pasi ekonomia ka ndalur për shkak të politikave fiskale të këtyre dy vjetëve. Ndërsa FMN paralajmëron se rreziqet për zbatimin e programit qe ajo ka me Shqipërinë janë mjaft të larta, ka shumë të ngjarë që qeveria të jetë e detyruar të rishikojë buxhetin e vitit 2015 së shpejti për ta reflektuar këtë realitet. Kjo do të thotë se qeveria nuk do jetë në gjendje të shlyejë borxhet që merr. Kjo e bën fantazmën e falimentit grek gjithnjë e më prezente. Për këtë arsye, qeverisë do t’i duhet të anulojë projekte investimesh, të cilat janë parashikuar më parë. Pikërisht te shkurtimi i investimeve publike shihet mundësia e vetme për të krijuar hapësirë financiare për të shlyer borxhet e marra.
Borxhi nga Banka Botërore, që me ç’duket do pasohet dhe nga të tjera borxhe, merret kur Shqipëria që prej 2013 nuk ka më një strategji zhvillimi me prioritete të përcaktuara qartë. Kur reformat strukturore vazhdojnë të mos jenë të përkufizuara si në fushat ku ato do kryhen, ashtu dhe efektet që do kenë; Kur problematika e absorbimit të financimeve të huaja është përkeqësuar edhe më.
Marrja e këtij borxhi kaq të madh kërkon të paktën një konsensus të shprehur nga maxhoranca dhe opozita. Aq me tepër kur ky borxh do fillojë të shlyhet pas 5 apo 7 vjetësh. Le ta konsiderojmë borxhin e ri të premtuar nga Banka Botërore si kredi të butë. Kjo do ishte e pranueshme, por a janë prioritetet që financon ky borxh njësoj të pranuara nga të dyja palët? Pra, a besojnë të gjithë aktorët në Shqipëri se financimi i prioriteteve me këtë borxh do të krijojë mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë?
Thuhet se ky borxh i ri do të rikthejë stabilitetin makrofiskal në Shqipëri. Mbetet e paqartë se si futja në borxh të ri për 1.2 miliardë USD do ta rikthejë këtë stabilitet; Në kushtet kur qeveria ka probleme me mbledhjen e të ardhurave dhe kur ekonomia është në stanjacion. Një pjesë e mirë e këtij borxhi do financojë shpenzimet qeveritare në formën e mbështetjes buxhetore, çka më shumë se në motivimin për të arritur një qëndrueshmëri fiskale do mund të rezultonte në shkrehjen e administratës tatimore.
Nuk do merrem me gjërat e tjera të mira, që do sjellë ky borxh i ri për Shqipërinë si stimulimi i sektorit privat, rritjen e punësimit, gjëra të cilat në një ekonomi tregu i kryen vetë tregu, aty ku riskohet, aty ku mund të kesh sukses apo dhe të dështosh, pa pasur nevojë që qeveria të marrë borxh. Apo të rritjes së konkurrueshmërisë. Për këtë të fundit ndoshta është më mirë të ulësh taksat si fillim, sesa të marrësh borxh.
Thuhet se një nga gjërat e mira që do bënte ky borxh i ri ishte se ai do shërbente për të rritur besimin e njerëzve te qeveria. Po pse duhet të merret borxh për ta bërë këtë? Ndoshta mosmarrja borxh do ishte rruga më e drejtë për të pasur besim te qeveria.
Shqipëria po hyn në vitin e 24-t të marrjes borxh nga Banka Botërore, një marrëdhënie tejet e gjatë. Borxhi i ri që do të financojë prioritete, që nuk duken të ndryshme nga ato të 20 vjetëve më parë, duket sikur lajmëron dështimin sa tonin, aq dhe të partnereve tanë të zhvillimit që na asistojnë dhe tashmë na japin lehtazi borxh. Apo është sforco e fundit për të pasur një histori suksesi në Shqipëri? Thuhet se ky borxh do na ndihmojë në rrugëtimin tonë drejt Europës, ndërsa ai vetë tek zmadhon borxhin publik, e largon Shqipërinë edhe më shume nga ato të uruara kritere të Kopenhagës, që duhen përmbushur më parë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi