Mbi borxhin publik dhe rregullimin ligjor të tij

 

Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online, 5 dhjetor 2014

zef-preciDitën e djeshme në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat u shqyrtuan amendimet e propozuara në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, sipas të cilit, ndër të tjera “qeveria kërkon të drejtën të marrë borxh pa miratimin e Kuvendit…”.
Në literaturën ekonomike, borxhi i qeverisë (njihet ndryshe edhe si borxhi publik, ose borxhi kombëtar), përfaqëson borxhin që merr qeveria për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit në zbatim të programit të vet politiko-qeverisës. D.m.th. borxhi përfaqëson një mënyrë përmes së cilës qeveria financon shpenzimet e veta operative dhe investimet. Zakonisht qeveria për marrjen e borxhit përdor instrumente të tilla si lëshimi i bonove të thesarit (brenda vendit), dalja në tregun ndërkombëtar, marrjen e borxheve drejtpërdrejt tek institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN etj., pa folur për metodën e printimit të parave (kartëmonedhave të reja), një metodë që jep mundësi për të ulur koston e parasë që shpenzon qeveria, por që çon në inflacion të lartë (hiperinflacion) dhe çrregullime të tjera ekonomike-financiare që shoqërojnë këtë fenomen të njohur monetar… Në fakt, borxhi publik, në thelbin e vet është një formë e tërthortë taksimi e qytetarëve dhe bizneseve, ashtu siç është edhe financimi nga qeveria i skemës së sigurimeve shoqërore apo borxhet që qeveria ka ndaj biznesit për mallrat, punimet apo shërbimet e kryera, por të papaguara ende…
Në dijeninë time, pa u ndalur në aspektet pozitive të amendimeve të propozuara, të cilat i gjej me vend dhe në përputhje me strategjinë e qeverisë e rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për zgjatjen me maturitet të borxhit përmes instrumenteve monetare 7-10-vjeçare, apo për rregullimin mbi bazën e praktikave të njohura ndërkombëtare të problemeve që lidhen me procedurat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve rreth borxhit, mendoj se ka vend për t’u ndalur në implikimet ekonomiko-financiare, politike, ligjore-kushtetuese, që mund të sjellë një nismë e tillë (marrja e borxhit nga qeveria në tregjet ndërkombëtare pa miratimin e Kuvendit) që nuk lënë shumë hapësirë për debat.
Së pari, në këndvështrimin ekonomiko-financiar, ekonomia jonë kombëtare është një ekonomi e dobët dhe anemike, jokonkurruese dhe me ritme shumë të ulëta rritjeje/rimëkëmbjeje mbas krizës globale që është ende prezente në botën që na rrethon. Ndër risqet e mëdha të saj, e konfirmuar të të gjitha analizat serioze mbi gjendjen dhe perspektivën e kësaj ekonomie, është edhe niveli shumë i lartë i borxhit publik. Ky borxh, në thelb nuk është problem përqindjeje aq sa ç’është problem paaftësia ripaguese e ekonomisë sonë kombëtare për shkak të gjendjes aktuale dhe perspektivës së zhvillimit dhe rritjes modeste të paktën në periudhën afatmesme, d.m.th. çfarëdo borxhi të ri/tjetër në vijim duhet të monitorohet rreptësisht për të mbrojtur stabilitetin makroekonomik, për të mos pësuar fatin e Greqisë etj. Këtë garanci e jep vetëm Kuvendi i Shqipërisë si ushtruesi legjitim i sovranitetit të vendit.
Së dyti, në këndvështrimin politik, mendoj se është një kapërcim i madh i elitës politike të majtë ky “delegim i delegimit” që i behet autoritetit të Kuvendit në marrjen e borxhit. Kjo mbasi kjo elitë ka qenë (me të drejtë) mjaft kritike ndaj qeverisë “Berisha” dy vjet më parë kur ajo qeveri hoqi kufizimin ligjor për rritjen e borxhit publik. Në atë kohë opozita e majtë pati propozuar deri edhe amendimin e Kushtetutës për të fiksuar në dokumentin themeltar të shtetit kufirin e sipërm të mundshëm të marrjes së borxheve, apo kur kërkonte përfshirjen e Kuvendit dhe të Bankës së Shqipërisë përmes një komiteti ad-hoc të posaçëm në mbikëqyrjen dhe menaxhimin e borxhit publik… Përvoja e mirë dhe lehtësitë procedurale të pritshme që mund të sjellë në ditët e sotme një bartje e tillë e përgjegjësive të një institucioni kushtetues (qeveria/ministri), edhe pse Kushtetuta i jep të drejtë edhe ministrit që “…brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime”. – Neni 102, pika 4), mund të jetë fatale nesër në një qeveri të papërgjegjshme që mendon vetëm si e si të rrisë borxhin dhe taksat në funksion të interesave politike imediatë duke komprometuar rëndë të ardhmen e vendit dhe stabilitetin, dhe jo vetëm në aspektin makroekonomike tij.
Së treti, vija ndarëse e debatit, mendoj se duhet të jetë Kushtetuta e vendit dhe përcaktimet e drejtpërdrejta të parashikuara nga ligjvënësi në këtë dokument. Kështu, në Kreun II (Marrëveshjet Ndërkombëtare), në Nenin 121, Kushtetuta parashikon se ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet vetëm me ligj për raste specifike, duke përfshirë edhe “marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë” (pika ç). Nuk po themi faktin tjetër se marrja e borxhit në tregun e jashtme është e mundshme në çdo rast mbi bazën e një marrëveshjeje të kësaj natyre. D.m.th. mbetet pak vend për debat mbi veprimin “e pavarur” të qeverisë në marrjen e këtij borxhi në tregjet e huaja financiare.
Gjithsesi, duke marrë parasysh rëndësinë që ka borxhi dhe kompleksiteti që kanë marrëdhëniet ndërmjet brezave (sepse borxhi përfaqëson një detyrim të atyre që janë sot dhe atyre që do të vijnë nesër), mendoj se ky debat duhet adresuar ndoshta edhe në drejtime të tjera, krejt të ndryshme nga fillimi i këtij shkrimi. Siç dihet deri në fillim të vitit 2012, tavani ligjor i borxhit publik ka qenë përcaktuar me ligj në masën 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkaq ky tregues (PBB) llogaritet nga Ministria e Financave. Në fakt, edhe përvoja e vendit tonë ka treguar se deri më sot Ministria e Financave e ka përcaktuar Prodhimin e Brendshëm Bruto në vlerë nominale duke marrë në konsideratë nivelin e borxhit. Përvoja e vendit tonë tregon se llogaritë kombëtare mund të jenë të pasakta, të papërputhura me realitetin apo edhe të manipuluara për të fshehur të vërtetën (p.sh. rasti i detyrimeve që administrata e mëparshme kishte ndaj bizneseve private, që sipas Ministrisë së Financave, rezulton të ishte në më shumë se 700 milionë dollarë amerikanë). Pra problemet e rapo-rtimit, dokumentimit etj., janë mjaft të rëndësishme. Po kështu edhe përvoja botërore, duke përfshirë edhe SHBA, tregon se edhe ky vend ka një limit nominal ligjor për borxhin e vet publik, limit që ndryshohet herë pas here në Kongres. Nuk po flas për Italinë që ka përcaktime ligjore edhe me skrupuloze për këtë qëllim. E pra këto vende shquhen për përvojë qeverisëse në rendin demokratik shumë herë më të madhe se jona, për ndarje funksionale pushtetesh dhe legjitimitet të padiskutueshëm në ushtrimin e tij nga secila “gjymtyrë” e shtetit…Shihet qartë se në çdo rast është Parlamenti që determinon vendimmarrjet e kësaj natyre, duke përfshirë edhe republikat presidenciale (rasti i SHBA).
Në këto kushte, mendoj se, duke i marrë të mirëqena aspektet e tjera të parashikuara në ligjin e cituar në fillim të këtij komenti, Kuvendi duhet të rivendosë limitin e borxhit në kufirin prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke filluar p.sh. nga viti 2019. Kjo do të ishte një ndihmesë e vyer për të frenuar agresivitetin e qeverisë në investimet dhe shpenzimet publike, por edhe për të rikthyer fokusin e politikave fiskale në drejtim të reduktimit të sektorit informal dhe përmirësimin e klimës së biznesit si mënyrat më të sigurta që harmonizojnë objektivat politiko-qeverisës me interesat perspektive të ekonomisë sonë kombëtare.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi