Pse transferohen kapitalet jashtë Shqipërisë

Nga Elvin Meka, botuar në Panorama Online, 15 qershor 2014

Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet një rezolutë, që ndër të tjera i kërkonte Bankës së Shqipërisë marrjen parasysh të masave shtrënguese, që duhet të synojnë kufizimin e nxjerrjes së kapitalit (lexo këtu: fondeve përkohësisht të lira) nga ana e bankave tregtare. Për më tepër, rezoluta nxiste dhe një rol më aktiv të vetë Bankës së Shqipërisë, përtej kufizimit të kësaj lëvizjeje të fondeve, në drejtim të investimit të tyre në ekonominë shqiptare nga vetë bankat. Duke mos vijuar më tej me një tjetër kërkesë ndaj Bankës së Shqipërisë, për të rritur më tej stimulin për ekonominë (duke nënkuptuar tërthorazi vijimin e uljes së mëtejshme të normës bazë të interesit), e gjykoj me interes të ndalem dhe argumentoj shtysën kryesore që mendohet se ka lëvizur Kuvendin drejt një rezolute të tillë, që për hir të faktit duhet thënë se nuk është artikuluar ndonjëherë më parë në këtë nivel. Në parantezë duhet theksuar se vendosja dhe zbatimi i kontrolleve mbi kapitalin vijon edhe sot e kësaj dite në vende dhe ekonomi të ndryshme, sikundër dhe debati akademik e profesional, rreth argumenteve pro dhe kundër vendosjes së kufizimeve mbi lëvizjen e lirë të kapitalit ka vijuar që prej shembjes së sistemit të Bretton-Woods-it, vijimit të procesit të globalizimit dhe tashmë në ditët tona, sidomos pas pasojave shkatërruese të krizës së fundit ekonomiko-financiare globale. Pikësëpari, duhet evidentuar fakti që Rezoluta e Kuvendit mbështetet në qëllimin e mirë të favorizimit të ekonomisë kombëtare, ndërkohë që shpreh një ndjeshmëri dhe shqetësim të ligjshëm rreth asaj çka shikohet dhe vlerësohet lehtësisht, brenda sistemit bankar dhe procesit të kreditimit në përgjithësi dhe sigurimit të financimeve optimale për bizneset vendase. Megjithatë, nëse këtë rezolutë e vendosim brenda mozaikut të sistemit financiar dhe tregut të lirë, mund të gjykohet se ajo është destinuar të mbetet deklarative, qëllimmirë, por pa vlerë të shtuar në këtë drejtim. Konkretisht, rezoluta duhej të konsideronte dhe merrte në analizë disa fakte dhe realitete të qenësishme, që lidhen me angazhimet ekonomike, politike dhe strategjike që Shqipëria ka marrë në arenën ndërkombëtare dhe atë europiane, zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe modelin e saj, shkallën e zhvillimit dhe ndërmjetësimit brenda sistemit dhe tregut financiar, apo sektorit bankar e jobankar etj. Së pari, Shqipëria është që prej vitit 2000 anëtare e OBT-së dhe si e tillë nuk mund të vendosë kushte dhe kufizime diskriminuese (pra nuk mund të shkelë parimin e mosdiskriminimit), përfshirë këtu dhe kufizimet e eksportit të kapitaleve jashtë vendit. Nëse një masë e tillë do të vendosej nga autoriteti monetar, atëherë do të ishte e pritshme që në të njëjtën mënyrë të reagonin dhe vendet e tjera, anëtare të OBT-së ndaj lëvizjeve hyrëse të kapitalit drejt Shqipërisë. Së dyti, Shqipëria ka nënshkruar që në vitin 2006 Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA), me Bashkimin Europian dhe prej vitit 2010 Shqipëria ka liberalizuar plotësisht llogarinë kapitale, që lidhet me investimin dhe transferimin e kapitaleve jashtë vendit (drejt BE-së). Rezoluta në këtë rast bie ndesh në praktikë me disa detyrime thelbësore që Banka e Shqipërisë ka në kuadër të MSA-së. Konkretisht, pika 3: “Lëvizja e kapitalit dhe pagesat rrjedhëse”, e detyrimeve të Bankës së Shqipërisë në Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit sanksionon, ndër të tjera që: Për sa u përket transaksioneve në llogarinë kapitale dhe financiare të bilancit të pagesave, nga hyrja në fuqi të Marrëveshjes, palët do të sigurojnë lëvizjen e lirë të kapitalit të kredive që lidhen me transaksionet tregtare ose ofrimin e shërbimeve ku merr pjesë një rezident i një prej palëve, dhe huave financiare dhe kredive, me afat maturimi më të gjatë se një vit. Duke filluar nga viti i pestë i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, garantohet lëvizja e lirë e kapitalit për investimet e në letrat me vlerë dhe huat financiare dhe kreditë me një afat maturimi më të shkurtër se një vit. Gjithashtu, Shqipëria dhe Komuniteti Europian angazhohen të mos vendosin kufizime të reja në lëvizjen e kapitalit dhe pagesave rrjedhëse ndërmjet rezidentëve të Komunitetit dhe Shqipërisë si dhe mos shtrëngojnë kufizimet ekzistuese. Në rrethana të jashtëzakonshme, kur lëvizjet e kapitalit ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë shkaktojnë ose kërcënojnë të shkaktojnë vështirësi serioze për funksionimin e politikave të kursit të këmbimit ose politikave monetare, Komuniteti dhe Shqipëria përkatësisht, mund të marrin masa mbrojtëse lidhur me lëvizjet e kapitalit ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë për një periudhë jo më të gjatë se një vit në qoftë se masa të tilla janë më se të nevojshme.1 Sipas raportimeve të Bankës së Shqipërisë, situata brenda sistemit financiar dhe sektorit bankar shqiptar mbetet e qëndrueshme, nisur dhe nga raportimi më i fundit i saj para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në kushte të tilla, udhëzimi dhe nxitja e Bankës së Shqipërisë drejt ndërmarrjes së një hapi të tillë bie ndesh me kriteret e MSA-së. Ndryshe, për të vënë në jetë këtë masë të udhëzuar, duhet që Banka e Shqipërisë të njoftojë ekzistencën e një situate në sistemin bankar, të tillë që përmbush kriteret sipas të cilave mund të lejohet ndërmarrja e një veprimi respektiv nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, edhe sikur të ndërmerrej një masë e tillë, ajo do të kishte një jetëgjatësi vetëm një vit, pra thjesht për efekt stabilizues, ndërkohë që rezoluta e kërkon një masë të tillë për të nxitur huadhënien dhe investimin e fondeve, brenda ekonomisë kombëtare. Strategjikisht, përsa i përket kësaj pike, gjykohet se Shqipëria nuk mund të ndërmarrë hapa prapa në këtë drejtim, në një kohë kur më shumë se kurrë kërkohet dhe ka një angazhim total, politik dhe institucional drejt anëtarësimit në BE. Së treti, fondet e investuara nga bankat jashtë Shqipërisë kanë kryesisht formën e depozitave pa dhe me afat, sikundër dhe investimeve në letra me vlerë të huaja. Kjo është një veprimtari normale e bankave kudo në botë, në kushtet e një bote dhe finance globale, që përputhet plotësisht jo vetëm me parimet e makroprudencialitetit të bankave në Shqipëri, por dhe me parimin e përdorimit eficient të fondeve të marra hua nga depozituesit dhe huadhënësit e tjerë. Në kushtet kur, për një mori arsyesh objektive, ekonomia kombëtare nuk mund të absorbojë pjesën dërrmuese të fondeve që bankat kanë në dispozicion për dhënie huash, është mëse logjike që ato do të kërkojnë mundësi të tjera, jashtë tregut financiar shqiptar, i cili mbi 92% të ndërmjetësimit financiar e realizon përmes bankave, e në kushtet kur nuk ka një bursë (apo treg kapitalesh) funksionale, apo të vendosur me kohë. Së katërti, përsa i përket nxitjes së mëtejshme të huadhënies dhe stimulit monetar, duhet të merren parasysh disa faktorë që e bëjnë të vështirë efektivitetin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Mekanizmi i transmisionit të politikës monetare në Shqipëri, për disa shkaqe objektive që lidhen me cektësinë e tregjeve financiare, mungesën e tregut të mirëfilltë të kapitaleve dhe llojshmërinë e kufizuar të instrumenteve (letrave me vlerë) të tregtueshme në tregjet dytësore, e transmeton atë (politikën monetare të Bankës së Shqipërisë) brenda sistemit financiar dhe më gjerë në ekonomi relativisht vonë, pas dy-tre tremujorësh. Kjo shpjegon vetëm njërin nga disa faktorët që ndikojnë në mospasqyrimin e shpejtë të vendimeve të Bankës së Shqipërisë për ndryshimin e normës bazë të interesit. Arsyeja tjetër madhore qëndron në faktin se, rreziqet në ekonominë kombëtare, sikundër në vendet e tjera të rajonit dhe botës janë rritur, dhe kjo do të pasqyrohet në mënyrë logjike në të gjithë strukturën e normave të interesit që ngarkojnë bankat për huat që ato akordojnë. Aktualisht Banka e Shqipërisë po konsumon të gjitha mjetet apo modalitetet (po ul sistematikisht normën bazë të interesit), për të mundësuar një lehtësim gjithnjë e më të madh të procesit të huadhënies nga bankat, por Banka e Shqipërisë nuk mund të ulë apo moderojë, për më tepër e vetme, rreziqet brenda ekonomisë kombëtare. Ndërhyrjet e saj thjesht po ulin nivelin e bazës së strukturës së interesave të huave bankare, duke i dhënë mundësi kësaj strukture të absorbojë gjithnjë e më shumë në vetvete rreziqet e shtuara në ekonomi. Rrjedhimisht, niveli nominal i normave të interesit për huat bankare priret të mos ulet me të njëjtën madhësi absolute, sa ulja e normës bazë të interesit. Praktikisht, roli i Bankës së Shqipërisë, në kuadër të stadit të zhvillimit të tregut financiar shqiptar, fillon dhe bëhet gjithnjë e më i kufizuar dhe stimuli i mëtejshëm (ulja e normës së interesit) do të jepte gjithnjë e më pak efekte në normat e interesit të huave bankare. Së pesti, problematika e përmendur në pikën e mësipërme zbulon pikërisht një prej problemeve strukturore të sistemit financiar shqiptar, atë të mungesës së një tregu të mirëfilltë të kapitaleve (bursës), dhe konkretisht tregut dytësor për titujt privat. Mungesa e tregut të organizuar të letrave me vlerë (bursës si treg dytësor), mungesa totale e letrave me vlerë nga sektori privat dhe veprimtaria modeste e shitblerjes së letrave me vlerë qeveritare (kryesisht atyre me afat maturimi mbi një vit) në tregun dytësor (në raport me volumet e tregut parësor), përveçse konkretizojnë cektësinë e tregut financiar shqiptar, përbëjnë dhe ingranazhet e munguara të një mekanizmi të plotë dhe eficient të transmetimit të politikës monetare nga autoriteti monetar i vendit. Me fjalë të tjera, Shqipërisë i mungon konkurrenca ndërsektoriale (bankat me institucionet e tjera financiare, e cila mundëson jo vetëm një pasqyrim në kohë reale të politikës monetare, por mbi të gjitha ul kostot e ndërmjetësimit financiar (normat e interesit). Nga sa më lart, mund të pohohet se eksportimi i kapitalit prej bankave në Shqipëri ka qenë, është dhe do të jetë një fenomen i pranishëm, që ka gjasa të marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha, sa kohë vijon të ndiqet modeli aktual i strukturës së organizimit dhe funksionimit të sistemit financiar shqiptar, i cili mbështetet thelbësisht dhe thuajse krejtësisht në ndërmjetësimin bankar, në mungesë të plotë të tregut të kapitaleve dhe letrave me vlerë (bursës). Elementi kyç që duhet të kuptohet këtu është se, vetëm thellimi i sistemit financiar shqiptar dhe krijimi e mirëfunksionimi i tregut të kapitaleve në ekonominë shqiptare do të mund të kontribuojë (fillimisht modestisht) në uljen e eksportimit të kapitaleve jashtë vendit, duke i kanalizuar ato nëpërmjet këtij tregu drejt sektorit privat dhe tij publik. Një apel i tillë nuk është as i ri e as i padëgjuar brenda ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar, përkundrazi, për vite e vite me radhë është bërë thirrje për krijimin e infrastrukturës së nevojshme e të përshtatshme të tregut të kapitaleve (letrave me vlerë), për të mos ia lënë spontanitetit emetimin e letrave me vlerë private dhe kuotimin e ndërmarrjeve në bursë. Personalisht, deri në vitin 2006 kam argumentuar dhe bërë thirrje për çështje të tilla, efekti, roli dhe ndikimi i të cilave do të ndihej më vonë (për më shumë informacion shih BOX-in ku paraqitet një pjesë e shkëputur nga një artikull, ku lidhur me çështjen e ndërmjetësve financiarë, ndër të tjera kam ngritur dhe shqetësimin e eksportimit të kapitaleve jashtë vendit, pas liberalizimit të llogarisë kapitale, edhe si rrjedhojë e mosekzistencës së një burse funksionale në Shqipëri). Natyrisht, krijimi dhe funksionimi i bursës dhe tregut të kapitaleve në përgjithësi nuk do të jetë (dhe nuk mund të jetë) qendra e gravitetit për ekonominë kombëtare, por që një ekonomi të sigurojë ritme të qëndrueshme rritje dhe të zhvillohet larg rreziqeve të sistemit (financiar), ajo duhet të zhvillohet mbi shina institucionale të mirërregulluara dhe të mbikëqyrura më së miri. Në këtë drejtim, një bursë dhe treg dytësor kapitalesh funksional (sidomos për titujt privat, por jo vetëm), do të jetë pa dyshim një pike kthese për sigurimin e një rritje të më të qëndrueshme ekonomike, rritje të konkurrueshmërisë të ekonomisë shqiptare në shkallë rajonale dhe të një stabiliteti më të madh në tregun financiar shqiptar. Shtyrja e çështjes së tregut të kapitaleve nuk e zgjidh as problemin e vetë këtij tregu dhe as atë të eksportimit të vazhdueshëm e në përmasa të konsiderueshme të kapitaleve jashtë vendit. Në mbyllje, e gjykoj domosdoshmëri nga ana e politikëbërësve dhe institucioneve mbikëqyrëse e rregullatore të sistemit financiar, shprehjen dhe artikulimin e një vullneti të qartë, në drejtim të rivitalizimit të Bursës së Tiranës, mirëfunksionimi i të cilës si një treg dhe institucion do të mund të kontribuonte sadopak për zbutjen e një problematike të tillë për ekonominë shqiptare. Në fund të fundit, Baier, Dëyer dhe Tamura, në artikullin e tyre: “Does Opening A Stock Exchange Increase Economic Growth?” 2003, theksojnë se: “…pengimi apo frenimi i funksionimit të bursës së kapitaleve është një rrugë e mirë për të zvogëluar rritjen ekonomike”!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi