Ç’është Banka Qëndrore?

Banka qendrore e një (ose disa) vendi  është një institucion i pavarur nga çdo pushtet, i ngarkuar nga Shteti (ose një tërësie shtetesh në rastin e një zone monetare si përshëmbull Zona Euro), kryesisht me zbatimin (ose edhe hartimin apo miratimin) e politikës monetare të vendit. Detyrat kryesore të çdo banke qendrore mund të përmblidhen si vijon:

a) emetimi dhe qarkullimi monetar;

b) zbatim i pavarur i politikës monetare në funksion të përmbushjes së objektivit parësor: arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve;

c) mbajtja dhe administrimi i rezervave valutore të vendit;

d) ruajtja e stabilitetit financiar të vendit;

e) nxitja e funksionimit normal të sistemit të pagesave;

f) zbatim i pavarur i regjimit të këmbimit valutor;

g) licencim, rregullim dhe mbikëqyrje e sistemit bankar të vendit;

h) të veprojë si agjent fiskal i shtetit kur kjo detyrë i ngarkohet shprehimisht;

Stabiliteti i çmimeve tani është objektivi kryesor i bankave qendrore, për shkak të një mandati të qartë kushtetues, legjislativ ose për shkak se objektivat e përgjithshme janë interpretuar në këtë formë. Megjithatë, të gjitha bankat qendrore kanë objektiva të qarta për funksionin e stabilitetit financiar dhe legjislacioni i bankës qendrore ka tendencë të jetë specifik në lidhje me këto objektiva. Një numër vendesh janë tani duke ri-shqyrtuar rolin e duhur të bankës qendrore në fushën e stabilitetit financiar.

Bankat qendrore në të gjithë vendet nuk kanë funksione ose struktura  rigorozisht të njëjta; ato mund të ndajnë, nëpërmjet ligjit, kompetencat e përmendura më sipër me institucione të tjera. Bankat Qendrore mund të jenë totalisht të pavarura nga pushtetet, siç është Banka Qendrore Evropiane (BCE), ose pjesërisht, si Reserve Federal (Fed) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku bashkëekzistojnë një Këshill Federal i Guvernatorëve (The Federal Board Of Governors ) dhe një rrjet bankash me kapitale private, 12 bankat federale. Objektivat e politikës monetare të bankave qendrore sanksionohen n ë ligjet themeluese dhe në statutet e tyre.

Politikat e bankës qendrore kanë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Normat e interesit në tregun e rifinancimit të bankave tregtare drejtohen nga banka qendrore. Prandaj ato quhen norma drejtuese. Kur norma e interesit ulet, agjentët ekonomik bëjnë më shumë huamarrje për të blerë, gjë që provokon një rritje të kërkesës dhe pra, një tendencë të rritjes së çmimeve. Anasjelltas, kur norma e interesit rritet, agjentët ekonomik pakësojnë huamarrjen, pra, blejnë më pak dhe ekziston tendenca për ulje të çmimeve.

Ndryshimi i normave drejtuese është instrumenti kryesor i një banke qendrore për të vepruar mbi ekonominë. Skema klasike që përfaqëson ligjin e ofertës dhe kërkesës na mëson se në një ofertë të barabartë, kur kërkesa shtohet, çmimet rriten dhe kur kërkesa pakësohet, çmimet ulen. Mbi këtë skemë të thjeshtë bazohet veprimi i bankës qendrore.

Banka qendrore e përdor këtë vëzhgim makroekonomik në mënyrë që monedha të ruaj një vlerë të qëndrueshme, një fuqi blerse të qëndrueshme Kjo fuqi blerëse vlerësohet prej indeksit të çmimeve. Kështu, kur çmimet rriten ose rrezikojnë të rriten, banka qendrore rrit normat e interesit. Kjo  masë tenton të pakësoj volumin e kreditit, pra, kërkesën për produkte e shërbime, gjë që ngadalëson rritjen e çmimeve. E kundërta, kur çmimet kanë tendencë të ulen, banka qendrore ul normat e interesit, gjë që shton kërkesën, dhe kjo tenton në një rritje të çmimeve.

Një nga treguesit kryesorë të vlerësimit të funksionimit të bankës qendrore është besueshmëria e saj. Inflacioni përcaktohet prej sjelljes së agjentëve ekonomik dhe financiarë, të cilët i përcaktojnë sjelljet e tyre në funksion të parashikueshmërisë së inflacionit të ardhshëm. Prandaj është e rëndësishme për bankën qendrore që agjentët të besojnë në kapacitetet e saj për të arritur objektivin e saj të inflacionit. Besueshmëria e një banke qendrore kërkon vite të arrihet; kjo mund të ndodh vetëm me besimin e agjentëve ekonomikë se banka qendrore do të jetë në gjendje të përballoj goditjet ekonomike nëpërmjet një politike monetare të përshtatshme.

Nga ana tjetër, duhet të theksojmë se besueshmëria është e lidhur para së gjithash me pavarësinë e bankës qendrore, kryesisht, kundrejt politikës së ekzekutivit. Efikasiteti i përdorimit të instrumenteve të politikës monetare dhe të politikës valutore, varet nga shkalla e pavarësisë së bankës qendrore. Sa më e pavarur të jetë ajo në kryerjen e funksioneve dhe veprimtarisë së vet, aq më vital dhe efikas do të jetë sistemi financiar dhe ekonomik i vendit. Kjo sot po shprehet veçmas në vendet e zhvilluara.

image_pdfimage_print

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Si mund të qeveriset një vend që ka 246 lloj djathrash?
    - Charles De Gaulle
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan