Buxheti 2015 dhe FMN

Nga Emin Barci, botuar në Panorama Online, 14 nëntor 2014

EminBarciBuxheti 2015 i paraqitur si një vello excel-i nuk mbulon dot mungesën e vizionit dhe projekteve që nxisin rritjen ekonomike dhe punësimin. Me dokumentin e publikuar gjithashtu nuk fshihet dot frika e qeverisë për suksesin e reformave të nisura apo që do nisin, veçanërisht në të ardhura dhe energji. Për të dëshmuar të kundërtën, qeveria duhet të riaxhustojë dyshemetë dhe tavanet e këtij buxheti konform marrëveshjes me FMN. Po çfarë do përfitonim nëse do ndiqnim këshillat e FMN-së për vitin 2015?
Investimet publike do t’i kishim programuar 50 milionë euro më shumë; të ardhurat nga taksat do t’i kishim parashikuar 135 milionë euro më pak; shpenzimet totale 17 milionë euro më shumë; deficitin 68 milionë euro më të lartë etj.
Me këtë projektbuxhet po na del se Gogoli i ekonomisë shqiptare nuk është FMN, por vetë ne. Rroftë FMN!
Parashikimi i shpenzimeve kapitale (investimeve publike) nën tavanin e dakordësuar me FMN për 50 milionë euro reflekton nga njëra anë trashëgiminë tashmë negative të qeverisë me realizimin e vitit 2014. Nga ana tjetër, mungesën e projekteve që mbështesin modelin e ri ekonomik të qeverisë me investime publike eficiente ekonomikisht dhe politikisht. Për 9 muaj të 2014-s qeveria ka arritur të shpenzojë vetëm gjysmën e fondeve në dispozicion, ose 200 milionë euro nga 480 të planifikuara për t’u hedhur në rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale etj. Mesatarisht deri në fund të shtatorit 2014 janë shpenzuar për investime rreth 23 milionë euro çdo muaj nga 40 milionë euro që duhet të ishin shpenzuar. Që qeveria të arrijë të realizojë fondet në dispozicion për investimet publike duhet që për pjesën e mbetur të shpenzojë rreth 90 milionë euro në muaj (!!!), gjë që duket e paarritshme për të mos thënë utopike. Pa dyshim që këtu do ketë manovra financiare për t’i shpenzuar paratë, por destinacioni dhe efekti i tyre do jenë të reduktuara në krahasim me buxhetin fillestar, minimalisht të shtyra në kohë.
Shqipëria është në mungesë totale të amortizatorëve fiskalë pasi ka nivelin më të ulët të të ardhurave publike në raport me GDP (nën 30%). Në këto kushte, paratë publike duhen përdorur me mjeshtri që garanton funksionet e përditshme të shtetit dhe hedh themele për të ardhmen e afërt dhe më tej. Në kushtet e një klime ekonomike të paqëndrueshme të eurozonës që rrezikon rritjen e eksporteve, në kushtet e një kërkese të brendshme të dobët për mallra dhe shërbime, në kushtet kur kreditë me probleme vazhdojnë të rriten dhe rrezikojnë rritjen e kredisë për ekonominë, në kushtet kur modeli i ri ekonomik nuk po nxit investimet private në sektorët e deklaruar si prioritarë, financimi publik nën tavanin e dakordësuar me FMN duket përtej absurdit.
Është pozitiv fakti që në projektbuxhet nuk reflektohet një traditë negative pararendëse për të tejkaluar investimet publike në një vit elektoral. Vitin tjetër janë zgjedhjet vendore. Por të rrisësh të ardhurat në buxhet me 12% dhe investimet publike as me 1% krahasuar me buxhetin e rishikuar 2014, kjo është kundërproduktive si ekonomikisht edhe elektoralisht.
Në mënyrë të natyrshme e djathta dhe sipërmarrja janë vërsulur kundër këtij projektbuxheti sepse paketa fiskale, tek i cili mbështetet, parashikon rritje të taksave dhe prek interesat e tyre. Por statistikat e 5 viteve të fundit dëshmuan se ulja e taksave nuk dha rezultatet e pretenduara në rritjen ekonomike dhe as në punësim, por të kundërtën (pa dyshim edhe për faktorë të jashtëm). Në kushtet e një kërkese të dobët për konsum dhe investime private, nuk ka asnjë të keqe që qeveria të kompensojë dhe stimulojë, përkundrazi. Paratë shtesë qeveria i merr ose hua (me të cilën jemi deri në grykë), ose nga taksat (dhe këtë po bën). Por rritja e të ardhurave nga taksat me 135 milionë euro më shumë se dyshemeja e FMN-së rrezikon të bëhet kundërproduktive, veçanërisht në kushtet kur me këto para do mbulohen shpenzimet e përditshme, dhe jo investime efektive. Qeveria le të ruajë parashikimin e vet optimist për rritjen ekonomike 2015, por le të ulë të ardhurat e pritshme nga taksat me 135 milionë euro. Aq më shumë që deficiti i programuar është 68 milionë euro nën tavanin e dakordësuar me FMN.
Dhe dyshimet për mungesë vizioni dhe projektesh që gjenerojnë rritje ekonomike dhe punësim apo pasiguri në rezultatin e reformave të nisura e konfirmon edhe programimi i një fondi rezervë prej 39 milionë eurosh!!! Këto mund të shkojnë për të kompensuar mosrealizimin e të ardhurave nga taksat, për plotësim të nevojave energjetike në rast thatësire, dështimi të aksionit kundër vjedhjes apo për projekte elektorale efekti ekonomik dhe social i të cilave do mbaronte me hapjen e kutisë së parë të votimit. Një rezervë e tillë është sinteza e pasigurisë së qeverisë në projektbuxhetin e paraqitur.
Në përfundim mjafton që projektbuxheti i 2015-s të vijë në linjë me marrëveshjen me FMN dhe shqiptarët do përfitojnë më shumë rritje ekonomike, stabilitet, siguri dhe punësim.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi