Lëvizjet e popullsisë brenda vendit: 2001-2013

Analizë sipas Open Data Albania, botuar në JAVA, 16 gusht 2013

Open Data Albania ka kryer një analizë mbi popullsinë banuese sipas qarqeve në Shqipëri për periudhën 2001-2013. Shpërndarja gjeografike e popullsisë përbën një informacion të rëndësishëm në vendimmarrje, veçanërisht kur bëhet fjalë për përcaktimin e investimeve publike, grandeve për pushtetin vendor, numrin e shkollave, mësuesve e mjekëve apo kapacitetin e spitaleve, ujësjellësave e shërbime të tjera publike
Të dhënat i përkasin periudhës 2001-2013, ku të dhënat për vitin 2001 dhe ato të vitit 2011 janë të mbledhura nga censuset e popullsisë dhe banesave ndërsa të dhënat për vitet e tjera janë vlerësime të kryera nga INSTAT bazuar tek tendenca e vërejtur nga censuset.
Definicionet
Popullsia rezidente përbëhet nga numri i përgjithshëm i banorëve të përhershëm në një qytet apo fshat dhe me “të përhershëm” nënkuptohen njerëzit që kanë banuar në zonën në fjalë prej së paku një vit. INSTAT e përkufizon popullatën vendbanuese të zakonshme si: të gjithë personat të cilët janë rezidentë të zakonshëm në Shqipëri, pavarësisht shtetësisë së tyre ose përkohësisht në mungesë ose jo me kushtin që kjo mungesë të mos jetë më shumë se 12 muaj.
Qarku në Republikën e Shqipërisë është njësi administrative territoriale në përputhje me Ligjin nr. 8652, datë 31. 07. 2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Ligji në pikat 4 dhe 5 thotë: Qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes vendore; Qarku përfaqëson një unitet administrativo-territorial, të përbërë nga disa komuna dhe bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkët; Kufijtë e qarkut përputhen me kufijtë e komunave dhe të bashkive që e përbëjnë atë. Qendra e qarkut vendoset në një nga bashkitë që përfshihen në të. Shtrirja territoriale, emri dhe qendra e qarkut përcaktohen me ligj. Shqipëria ka 12 qarqe. Territori i tyre përcaktohet me ligj.
Qyteti: Qytetet, sipas përkufizimit të të njëjtit ligj janë qendra banimi që kanë një plan perspektiv zhvillimi urban të miratuar. Shpallja e qytetit bëhet me ligj. Në konvencionet ndërkombëtare, qendrat urbane karakterizohen nga densitet i lartë popullate, ndërsa popullata urbane klasifikohet si e tillë kur në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk merret me bujqësi.
Popullsia urbane: Popullsia urbane konsiderohet ajo pjesë e popullsisë që jeton në qytete të definuar si të tilla me ligj.
Popullsia rurale: Përbëhet nga popullata që në shumicë dërrmuese ka si aktivitet primar punët në bujqësi, pyje apo peshkim. Në Shqipëri, një qendër e banuar klasifikohet si fshat kur ka më shumë se 200 banorë.
Norma e urbanizimit përbën numrin e popullsisë urbane në raport me popullsinë totale të Shqipërisë apo qarkut.
Defekte në përkufizimet bazë: Shqipëria ka njohur ndryshime demografike të vrullshme gjatë dy dekadave të fundit, gjë që ka sjellë edhe nevojën për rishikimin e titujve ligjorë të fshatrave apo qyteteve në shumë raste. Për shkak të deindustrializimit, disa qytete që vijojnë ligjërisht të konsiderohen të tilla, kanë humbur në mënyrë thelbësore aktivitetin ekonomik jobujqësor, ndërsa disa fshatra, për shkak të shtimit të shpejtë të popullsisë përmes migrimit të brendshëm, kanë pësuar rritje të densitetit të popullsisë dhe humbjen e aktivitetit bujqësor. Një debat mbi nevojën e rishikimit të ligjit për ndarjen administrative të Republikës së Shqipërisë ka filluar të aktivizohet, por këto ndryshime nuk duken se janë prioritare në axhendën politike në vendit.
Popullsia sipas qarqeve, analizë e përgjithshme
Gjatë periudhës 2001-2013, në Shqipëri, popullsia banuese është reduktuar në 10 qarqe dhe ka shënuar rritje vetëm në dy qarqe. Rënia e popullsisë përgjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin ka qenë 8.2 për qind, por në Gjirokastër popullsia ka rënë me 35.7 për qind ndërsa në Tiranë është rritur me 26.1 për qind.
Në vitin 2013, qarku me popullsinë më të vogël qe Gjirokastra me afërsisht 68 mijë banorë ndërsa qarku me popullsinë më të madhe qe Tirana me 766 mijë banorë. Në vitin 2001, Qarku me popullsi më të vogël qe Kukësi me 111 mijë banorë ndërsa qarku më i madh qe Tirana me 597 mijë banorë.
Norma e urbanizimit në të gjithë territorin e vendit qe 42 % për vitin 2001 dhe 55 për qind për vitin 2013. Tirana kishte normën më të lartë të urbanizimit si qark më 2001 me 64 % ndërsa Dibra kishte normën më të ulët të urbanizimit me 20 %. Në vitin 2013, Durrësi rezultoi qarku me normën më të lartë të urbanizimit prej 78%, ndërsa Dibra kishte normën më të ulët me 26 %.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi