Menaxhimi i ri publik

Menaxhimi i ri publik është një koncept i menaxhimit publik i lindur në vitet 1970 në mjediset neo-liberale. Ai synon modernizimin e menaxhimit të administratës publike me qëllim që  të përmirësoj raportin kosto/shërbim. dhe vlerëson gjithashtu pragmatizmin e menaxhimit.

Menaxhimi i ri publik bazohet në një ndarje të roleve midis pushtetit politik, që merr vendimet strategjike e fikson objektivat, dhe administratës, që merr vendimet operacionale.

Globalizimi financiar dhe derregullimet kanë detyruar shtetet të reformojnë administratën e tyre, për të ofruar kushte më të mira prodhimit dhe konsumit, si dhe për të tërhequr në territorin e tyre kapitale dhe fuqi punëtore të kualifikuar. Gjithmonë e më shumë, për shkak të rritjes së shpenzimeve, shtetet janë të detyruara të rishohin funksionimin e tyre me qëllim për të ulur shpenzimet.

Postulati bazë i menaxhimit të ri publik është që në kushtet e reja të zhvillimit, format klasike të organizimit të shtetit duhet thellësisht të rishikohen. Me shumëfishimin e misioneve të shtetit, një Shtet-Social i centralizuar nuk do të ishte mjaft eficient për të pilotuar administratën përballë kompleksitetit të botës.

Menaxhimi i ri publik mohon çdo diferencë midis menaxhimit publik dhe menaxhimit privat, midis sektorit publik dhe sektorit privat. Në këtë optikë, qytetarët konsiderohen si konsumatorë të shërbimeve publike, të cilat shteti duhet të bëj shërbimin më të mirë me koston më të ulët. Flitet në këtë rast për komercializim të shërbimit. Në kuadrin e menaxhimit të ri publik, shteti përqëndrohet në pilotimin e veprimit publik duke ia deleguar njësive autonome zbatimin e tyre. Prej këtij transferimi, ai pret një zbatim më efiçient dhe më efikas, ose me kosto më të ulët. Thuhet që pushtetet publike duhet  të preokupohen më pak të vozisin dhe më mirë të mbajnë timonin e anijes. Ato duhet të përcaktojnë prioritetet kolektive, të krijojnë burimet financiare dhe të formulojnë misionet, pa u futur në detajet e realizimit të tyre.

Shërbimet administrative të ngarkuara në realizimin operacional të politikave kanë nevojë të disponojnë një liri të mjaftueshme në caktimin e burimeve në dispozicion të tyre dhe për këtë nevojiten teknika të volitshme të buxhetit. Menaxhimi i ri publik kërkon pra, aplikimin në sektorin publik të metodave të menaxhimit që vijnë prej sektorit privat. Për të bërë këtë, duhet që në menaxhimin e punëve publike të futen “parimet e tregut”, të cilat konsiderohen më efikase se planifikimi.

Gjithashtu, menaxhimi i ri publik i largohet organizimit burokratik tradicional për të shkuar drejt formave të tjera të organizimit. Në nivel operacional, menaxhimi i ri publik frymëzohet prej procedurave gjërësisht të zbatuara në sektorin privat: cilësi totale, zero difekte, kërkimi i ekselencës.

Parimet bazë të menaxhimit të ri publik

Sipas disa studjusëve, menaxhimi i ri publik karakterizohet prej pesë transformimesh:

-një proces distancimi, i shkëputjes së administratës kundrejt politikës tradicionale;

– një proces i afrimit të administratës kundrejt qytetarit, që prej këtij fakti, ai bëhet klient;

– një proces i dinamizimit dhe transformimit organizativ të administratës;

– një proces decentralizimi;

– një orjentim më i madh drejt rezultateve.

Zbatimi i menaxhimit të ri publik në botë artikulohet rreth reformave të mëposhtme organizative:

– krijimi i tregut, ose pothuaj tregut, për sektorët që dikur konsideroheshin  pasuri publike;

– ndarja e kompetencave midis atij që vendos dhe atij që ekzekuton. Politika fikson objektivat, organizatat publike kërkojnë lirisht plotësimin e tyre;

– decentralizimi i shtetit, në saj të krijimit të axhensive publike në kontrat me shtetin;

– zëvëndësimi i procedurave të hierarkizuara me procedurat kontraktuale ose gjysëm-kontraktuale;

– axhensitë publike vihen në konkurrencë midis tyre, ose me axhensitë private, për dhënien e shërbimeve pushtetit politik qëndror;

– axhensitë përgjigjen për menaxhimin e tyre para shtetit dhe qytetarëve; ato vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme me anën e treguesve të menaxhimit;

– nëpunësit e axhensive nuk janë më funksionarë me status, ata vlerësohen dhe paguhen më shumë sipas meritës se sa vjetërsisë. Mënyrat e menaxhimit të burimeve njërzore frymëzohen gjërësisht nga ato të sektorit privat;

– përdoruesit e shërbimeve publike bëhen klientë, që paguajnë një shërbim.

Menaxhimi i ri publik është frymëzuar gjërësisht nga reformat e shtetit të kryera në Mbretërinë e Bashkuar, në Zelandën e Re ose në Suedi. Megjithatë ka një numër konstatimesh që kushtëzojnë zbatimin e menaxhimit të ri publik. Së pari duhet pranuar që sektori publik ka disa dallime themelore përkundrejt sektorit privat:

– misionet e shërbimit publik përcaktohen në terma politike dhe jo në terma kontraktuale;

– në shërbimet publike shihen interesat e përgjithshme, përkundrejt interesave specifike që mbahen parasysh në sektorin privat;

– përgjegjësia e një shërbimi publik ndaj qeverisë, ose qytetarëve, është e ndryshme prej përgjegjësisë së një drejtuesi ndërmarrjeje kundrejt aksionerëve të tij, që presin fitime, por nuk fiksojnë misione;

– shërbimet publike nuk zgjedhin klientelën e tyre. Të gjithë qytetarët-klientë duhet të jenë të kënaqur, ndërsa ndërmarrjet private mund të kënaqen me segmente të tregut.

Përveç këtyre, shtetet kanë struktura organizimi shumë të vjetra, të cilat janë të lidhura historikisht edhe me detyrime specifike të realizuar prej shumë vjetesh, të cilat është e vështirë të ribëhen. Kështu, disa vende kanë një të Drejtë të ndryshme ( e drejta publike) për administratën e tyre, në vende të tjerë, ku sindikatat e funksionit publik janë të forta, ekzistojnë kompromise historike midis teknokratëve dhe funksionarëve në dëm të klientëve-përdorues. Ekziston gjithashtu një rezistencë e fortë ndaj ndryshimit në administratat që lidhet me organizimin e tyre burokratik dhe mbrojtjen e tyre kundrejt tregut.

Zbatimi i menaxhimit të ri publik ka sjell gjithashtu efekte negative të paparashikuara. Pushtetet publike sidomos kanë humbur kapacitetin e koordinimit dhe të planifikimit të veprimit publik. Axhensitë bëhen gjithmonë e më shumë autonome dhe kanë tendencë të tërhiqen nga direktivat e pushtetit publik. Axhensitë duke qënë të specializuara, janë të paafta për të përballuar problemet e reja që kalojnë mandatin e tyre. Vihet re gjithashtu tendenca që axhensitë neglizhojnë nevojat e shoqërisë në favor të eficiencës së tyre të brëndshme. Sipas disa analistëve, zbatimi i  menaxhimit të ri publik ka ulur performancën e administratës dhe në disa raste kjo është shoqëruar me degradimin e vet shërbimeve të kryera. Analistët theksojnë se këto dështime duhen parë të lidhura me idenë se mekanizmi i tregut sjell gjithmonë zgjidhjen optimale. Sipas tyre, tregu nuk është gjithmonë zgjidhja më eficiente. Axhensitë shpesh përqëndrohen në prodhimin e të dhënave statistikore duke mos vlerësuar realisht rezultatet e një veprimi konkret. Përkundrejt këtij menaxhimi të ri publik, Bashkimi Evropian ka krijuar një “hapësirë administrative” të bazuar në kulturën e rezultatit, edhe pse kjo kulturë shfaqet e ndryshme në brëndësi të çdo shteti anëtar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi